Shkruan:Edibe Selimi-Osmani
Pjesë nga vepra: Rite e besime popullore në viset e Tetovës dhe të Gostivarit, Shkup 1997,faq.19 – 22.
Pjesa e parë
Rite në festa të motmotit
VASILICA (14 janar)-Reka e Epërme). Hyn në grupin e të kremteve të gëzuara.Nuk bëhet asnji ceremoni fetare pra kishat nuk vizitohen.. Këto janë karnevale të Vitit të Ri.
Të rinjtë e të rejat e çdo fshati ortodoks,disa ditë përpara merren vesh se te cila familje do ta presin këtë natë. Kush do të jetë bartës. Pasi i zoti i shtëpisë zotohet se do t’i pranojë në shtëpi, atë këtë vit e quajnë nuni i fshatit. Për ta bërë natën e së kremtes sa më të gëzuar në fshatrat; Vallkavi,Vërben, Sencë,,Zhuzhnjë,Nistrovë, Bibaj, meshkujt veshin ndonjë pjesë të veshjes kombëtare të femrave; mbi rrobat veshin gëzof të gjatë deri në fund të këmbëve, në kokë mbështjellen me shamia dhe mbi shamia që të duken më qesharak, vë kësulë e përlyhet në fytyrë që të mos njihet. Vajzat vishen ndonjëra me tirq ose me ndonjë gëzof të keq të grisur,ndërsa kokën e mbulojnë me shamia. Në shëtitje dalin së bashku djem e vajza.
Në fshatrat Beliçicë, Kiçinicë, Dëbovë, të rinjtë dhe të rejat vishen me rroba festive. Vajzat nuk dalin në shetitje ,por përgatisin ushqimet në shtëpinë e nunit.
Të gjitha ritet të rinjtë dhe të rejat i bëjnë në vigjilje të Vasilicës. . Nisja bëhet me bajrak(flamur) prej shtëpisë së nunit.. Mbajtësi i bajrakut është djalë i ri i moshës 14 deri 18 vjeç i familjes së ngushtë të nunit. Të rinjtë me bajrak shetisin duke kënduar në çdo shtëpi të fshatit. Bajrakut nuset e reja dhe vajzat i dhurojnë ndonjë pjesë të veshjes:qoftë “tazlluke” (pjesë e veshjes e çorapëve),”kallçin” (çorapë), “korpë”(shami). Pasi kalojnë nëpër çdo shtëpi kthehen te nuni dhe me pjesët e veshjes stolisin bajrakun.
Pastaj prapë,për së dyti ,ata nga mesi i natës ,dalin për të shëtitur duke kaluar nëpër çdo rrugicë të fshatit,në çdo shtëpi. Tash më kolendarët përsëdyti stolisin bajrakun me pjesë të veshjes ,marrin me vehte ndonjë zile të madhe ,ndonjë shkop në dorë,teneqera, topuza,gërgaçkë1.
Gjatë rrugës bëjnë zhurmë të madhe. Këndojnë këngë të ndryshme,më së shumti këngë dashurie. Pas secilës këngë dhe në çdo shtëpi që lypin këndojnë:
Çakër,çakër, Vasilica,
Për nji mollë e për nji dardhë ,
Vasilica fort e bardhë.
Çakër,çakër, Vasilica,
Për nji mollë e për nji dardhë,
Dita e verës qoftë e bardhë.
Secila familje fshatare i dhuron bajrakut përsëdyti dhe kolendarëve gjëra ushqimore ose një shumë të hollash. Pa zbardhur dita , kolendarët kthehen në shtëpi të nunit. Aty vazhdon kënga dhe vallja së bashku me vajzat. Kur vajzat afrohen ta prekin bajrakun dhe stolitë (pjesët e veshjes)meshkujt e kanë për detyrë ta mbrojnë , duke u rënë vajzave me thupër duarve. Kjo e shton harenë e kësaj nate . Mendohet se nëse vajzat e prekin bajrakun,së shpejti do të martohen jashtë fshatit. Të gjitha gjërat ushqimore hahen aty,në shtëpi të nunit në 2 deri 3 dit.
Amvisat kçto ditë i kushtojnë kujdes të madh magjes.Si në çdo kremte edhe tani magja duhet çelur dhe duhet të gatuhet një fli. Gjatë të gatuarit e zonja e shtëpisë vendos në mes të tepsisë një monedhë të argjendtë. Flija stoliset me hoshaf thane ,me gjizë e busuleg, me besim se gjatë vitit njerëzit do të ndjehen të fortë si thana . Zakonisht flija hahet për drakë ::anëtarët e familjes shpejtojnë të hanë duke qeshur e duke pritur se cili do të jetë ai fatbardhë i vitit që do t’i bjerë monedha e argjendtë. Në këtë rast thuhet:
Kush da xhone paren,
Da xhone kinzhin
Anëtarit të familjes që i bie monedha , qoftë femër apo mashkull i bije detyra ta mbikqyrë tufën e dhenve deri sa të lindë qengji i parë i atij viti. Për lajmin që do ta sjellë në shtëpi, do t’i dhurohen ndonjë palë çorapë e të holla. Thuhet se ai është njeriu më me fat i familjes për atë vit.
Gjatë ditëve kur lind qengji i parë, bylmeti nuk nxirret nga shtëpia se kështu nuk shtohet pasuria në shtëpi. Për bariun dhe anëtarët e familjes përgaditet darkë e posaçme, theret ndonjë dele ose shpezë. Amvisa nuk harron të varë në bishtin e deles lehonë “peçat” dy fije leshi një e kuqe e një e bardhë ku varet monedha e argjendtë .Pastaj gris një pjesë të vogël nga kindi me të cilin fshihet çerepi (vendasit e quajnë kindin “cekeri” me besim se delja do të mbrohet nga syri i keq.
Në fshatrat:Vau, Kiçinicë,Bogdi, qengjin e parë të atij viti , nëse është i bardhë , e lëshojnë Ditën e Vasilicës të ecë nëpër shtëpi, aty ku jetojnë , që gjatë vitit të mos ketë shtëpia pleshta. Kurse në fshatra të tjera të Rekës së Epërme pa dallim feje , e zonja e shtëpisë e lëshhon qengjin e bardhë nëpër shtëpi Ditën e Verës.
Në fshatrat e lartpërmendura , në vigjilje të së kremtes , amvisa merr monedhën e argjendtë dhe pa perënduar dielli i prek kafshët shtëpiake sidomos dhentë te gjijtë. Nëpërmjet të këtij riti ajo shpreson se ato gjatë vitit do të kenë më shumë qumësht, do të mbarësohen, do të jenë të shëndetshme.
Shumica e riteve në këtë të krente lidhen me kultin e pranverës dhe të përtrirjes , të gjelbërimit dhe punës së frytshme në vitin e ardhshëm. Si në çdo të kremte edhe në vigjilje të Vasilicës, amvisa i jep rëndësi vatrës: zjarri duhet të ri i ndezur gjithë natën. Nikoqija mbush një pjatë me grurë. Të gjithë anëtarët mblidhen pranë vatrës.: në zjarr hedhin dy kokrra gruri njërin për të zotin e shtëpisë e tjetrin për të zonjën. Të gëzuar ndjekin se cila kokërr do të plasë e do të kërcejë më shumë. Atij që i pëlcet kokrra është më i shkathti në punët e shtëpisë dhe të bujqësisë. Vazhdojnë të hedhin grurë edhe për çdo anëtarë tjetër të familjes, duke qeshur e duke shpresuar se cili që të dale më i aftë e më i shkathtë se tjetri. Gjatë këtij riti e zonja e shtëpisë nuk i harron as kafshët shtëpiake.
Për shtimin dhe mbarësimin e tyre amvisa hedh një grusht grurë në zjarr duke menduar për gjithë kafshët e shpendët e shtëpisë. Të njejtin grurë, pasi plasin kokrrat i mbledh dhe ua hedh kafshëve Ditën e Vasilicës. Kur i pyetëm amviset se pse përdoret gruri edhe për kafshët shtëpiake, ato na tha
se kështu shpresojnë që gjatë vitit kafshët të rriten, e të shtohen si gruri.
Në viset ku kemi hulumtuar, ka qenë terreni i përshtatshëm për mbijetesën e besimeve të ndryshme por me shkollimin e brezit të ri , besimet e ndryshme po zbehen dhe po zhduken dalëngadalë, ata tash më kanë ngelur vetëm si kujtesë e brezit të moshur.
Tetovë, më 12.1.2023