ARKIVI:
1 Janar 2025

Rrëfime dhe kujtime për Ali Hasin, heroin e dy betejave të mëdha

Shkrime relevante

Disa nga rezultatet dhe të arriturat e Policisë së Kosovës gjatë periudhës kohore të vitit 2024

Prishtinë, më 31 dhjetor 2024 Policia e Republikës së Kosovës, paraqet disa...

Vizitë e Presidentes Vjosa Osmani në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veriore

Presidentja Osmani vizitoi Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veriore: Gjatë...

Familjet në Kroin e Vitakut  janë qëndrestarët e vërtetë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ministrat...

Vjosa Osmani: FSK-ja është shembull i guximit dhe mbrojtjes së Republikës dhe vlerave tona shtetërore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në prag të ndërrimit...

Shpërndaj

Në foto: Ali Miftar Hasi (1951 – 1999)

Hamzë Morina

Suka e Cermjanit, Bjeshkët e Zatriqit dhe Drini i bardhë

Kur ishim fëmijë, më të moshuarit na tregonin shumçka për Drinin e bardhë. Fantazitë shkonin aq larg sa nga legjendat dilte se këtu dikur në lashtësi s kishte lum po ishte një det i tërë dhe të vetmet që dalloheshin në ato legjenda ishin Suka e Cermjanit dhe Bjeshkët e Zatriqit. Njerëzit ishin si Gjigandët dhe nga njëri kep në tjetrin shkonin me varkat e tyre të shpejta. Kështu ata tregonin se ende në maje të Sukës e mbi Gradinë  te Guri i kuq ende dallohen shenja të gurëve qikllopikë ku janë lidhë varkat e hershme. Pra Gjigandët i kishin për lakmi lartësitë dhe donin të jenë pranë zotave të tyre të imagjinuar dhe nga atje shpesh zhyteshin në thellësitë e padukshme të detit të bardhë… Kështu legjendat vazhdonin të përshkruanin njerëzit e asaj kohe…

Më vonë tregonin se si u qa me shpatë shkëmbi te Gradishi (Ura e Shejtë) dhe uji vazhdoi rrjedhën më tutje.  Kështu që nga burimi i sotëm u krijua një rrjedhë që formësoj lumin që njerëzit e emërtuan Drini i bardhë, përreth të cilit u zbuluan fusha e kodrina pjellore që rrezatuan begati edhe për njerëzit e Dushkajës e Drinisë.

Në këtë hapsirë thonë, sërish në të gjitha kohët dominuan pasardhësit e Gjigantëve të cilët kishin vendosur të qëndrojnë dhe të gëzojnë këto begati, fushën pjellore me drithëra dhe kodrinat e veshura me pemë e rrush. Lakmiqarët shpesh ja mësynin këtyre trevave por kur panë se me Gjigandët nuk shtyhej tërhiqeshin me turp, por prapa lenin shkatrrimin  e madh, germadhat që lenin edhe sot janë të dukshme. Këto që tregonin na dukeshin të pabesueshme, por gjurmët janë ende të kapshme. Këto kështjella si ajo në maje të Sukes së Cermjanit dhe ajo në Zatriq për më tepër vrojtimi i tyre në gradinat përreth dhe shiqimi i qartë nga to drejtë Kështjellës së Lekës në përendim dhe fortifikatave përgjatë Dukagjinit deri në Pejë e Prizren, pa lënë anash vrojtimin e çartë në verilindje të Fushës së Kosovës na krijojnë edhe sot imazhin e në lidhje të ndërsjellë për raportet në mes Gjigantëve, të cilët sa herë ndihej rreziku përmes shenjave të zjarrta apo thirrjeve të këngëve malsorqe ata njoftonin për beteja të reja dhe kështu Lakmisë i viheshin digat.

Sidoçoftë në këto hapsira lindën edhe pasardhësit e tyre.

Këtu krejtë pranë Sukës së Cermjanit lindi dhe Ali Hasi, fëmija i dytë i Miftar Hasit, nga familja Hasi e ardhur nga Godeni i Hasit, pasi lufta e gjatë me lakmiqarët otomanë e sllavë i kishin detyruar të parët e Aliut të lëvizin në këto troje për ti humbur gjurmet në kohë të liga. Kështu ndodhi edhe me Zymer Dautin (Hasi) dhe paraardhësit e tij, të cilët me pushkë  në dorë  mbrojtën këto troje.

Po, Miftar Hasi, babai i Aliut bashkë me vëllaun e tij Muhametin, që kishin trashëguar nga pasardhësit e tyre bujarinë e trimërinë, kësaj radhe kishin vendosur tu përmbahen edhe fjalëve të plakut të maleve Bajram Currit që i kishin dëgjuar një kohë kur para malësorëve se shqiptarëve pos tjerash u duhet edhe dija (shkolla).

Ky Dialog i Bajram Currit burrave u kishte lënë përshtypje dhe kishin vendosur që këtyre fjalëve tu përmbahen ashtu si fjalëve për bujarinë dhe trimërinë.

Dialogu:

– “Cka i duhet malsorit, – i kishte pyetur në atë kohë njerëzit në Malësi Bajram Curri?

  • Bukë e fishekë, Bajram beg,- ishin përgjigjur ata.
  • I duhet edhe shkollë,- ua kishte kthyer Bajram Curri”…

Këtë bindje Bajram Currri, edhepse pa shkollë kishte mbajtur këtë fjalë dhe me ndihmën e Austrohungarisë pas luftës së parë botërore, kur këto treva kishin rënë pre e lakmive sllave,  kishte filluar të hap shkolla në Komunën e Gjakovës dhe në Malësi, ndër to edhe shkollën e parë në Cermjan ku kishte vendosur mësues Muharrem Domin që kishte punuar deri më 1918 derisa Mbretnia Jugosllave kishte aneksuar këto troje me dhunë.

Atdhedashuria e tyre e trashëguar dhe mësimi i marrë nga plaku i maleve e kishin shtuar te babai i Aliut dhe vëllau i tij Muhameti edhe dashurinë për shkollë e dije të cilën do ta dëshmojnë me shkollimin e fëmijëve të tyre. Miftar Hasi edhe përkundër tabusë së atëhershme për shkollimin e femrës në Dushkajë, pas propozimit nga  miku i tij nga Aliçkajt e rrethit të  Deçanit, pranon që Hata, vajza e tij e zgjuar të vazhdojë Gjimnazin atje dhe të kryej më pas normalen e Gjakovës e të bëhet pishtarja e parë mësuese në Dushkajë. Këtë shembull ai do ta vazhdojë edhe me 5 fëmijët e tjerë, të cilët do t i shkolllojë përkundër gjendjes jo të mirë materiale, ndër ta dhe Aliun që do të bëhet pishtarë i dijes në Drini e Dushkajë, e në fund nuk do ta  kursejë as jetën e tij duke luftuar me pushkë në dorë për lirinë e Kosovës si komandant në Kosharen legjendare në majin e vitit 1999. Ndërsa kontributin përkrah tjerëve në luftën për liri do ta japë edhe vajza tjeter Atifetja, motra e Aliut si infermiere e luftës në Shtabin lokal të Cermjanit.

Rrëfimet për Ali Hasin       

Në Dushkajë për Hate Hasin tashmë po thureshin lavde dhe ajo ishte shëndrruar në simbol të dritës e diturisë në këto fshatra  pasi ishin bindur edhe skeptikët më të mëdhenj se shkolla e dija u përkasin edhe femrave. Ata kishin ndërruar mendje duke lënë prapa zakonet patriarkale dhe shpesh dëgjoheshin pohime të tilla:

– “Aferim, ku me pasë qikë si Haten e Miftar Hasit se pasha qiell e tokë kurr s ja nali shkollën”. Kësaj rruge të mbarë kishte vazhduar edhe Aliu, djali i urtë dhe nxënësi i dalluar i Normales së Gjakovës që ashtu si motren e tij s kishte fortunë as vështirësi që t i ndalë nga rruga e dijes. Në këtë betejë për dije Aliun e kishte favorizuar edhe motra – mësuesja e parë e Dushkajës, e cila siç pohuam më sipër për shkollën ishte motivuar nga dajët e saj,  Aliçkajt e rrethit të Deçanit.

Anipse babai i saj kishte hasur në fillim vështirësi me mentalitetin patriarkal të rrethit, Ai e kishte nisur në këtë rrugë edhe Aliun. Të dy motër e vëlla ishin treguar të denjë në rrugëtimin e tyre dhe në fund  kishin dalë faqebardhë, pasi edhe ky rreth më vonë i kishte mirëkuptuar dhe  përgëzuar rrugëtimin e nisur. Në fillim betejen për dije Ali Hasi do ta dëshmojë në detyrën e mësuesit të zellshëm në fshatrat e Drinisë. Nga pasioni për dije Ai atëbotë pos punës në shkollë, po ndiqte edhe Universitetin për drejtësi pa shkëputje nga puna, me përkushtim dhe do ta kryejë me sukses, anipse nuk do t i jipet mundësia të ushtroj detyrën e juristit.

Unë isha me fat që Aliun e kisha koleg dhe bashkëpuntor të mirë, pasi punoja në të njejtin kolektiv shkollor e në saje të punës edukative në shkollën e vogël të fshatit Kramovik  ja  njihja mirë dhe çmoja shumë cilsitë njerzore dhe profesionale të Ali Hasit.

Në Shkollën fillore “Rilindja” në Cifllak  të cilën po e udhëhiqja për pak kohë, gravitonin edhe paralelet e ndara katërklasëshe në Polluzhë, Kramovik e Petkoviq (Guri i kuq),  nxënësit e të cilave pas klasës së katërt (IV)duhej të sistemoheshin në dy paralele  në klasën e pestë(V) në Cifllak. Gjatë sistemimit që bënim bashkë me mësimdhënësit e mësimit  lëndorë, të gjithë kishin fjalë miradije për nxënësit që vinin nga paralelja e Kramovikut.

Po, s ke çka pyet gjenerata e Ali Hasit! Kështu e kemi pas çdo katër viteve, – pohonin ata dhe tregonin se gjenerata që kishte përcjellë Aliu gjithmonë dallohej në suksese dhe nxënësit ishin të pregaditur mirë, kjo shifej sidomos gjatë garave mësimore. Kur dëgjoja  këto komente bëja  ndëhyrje për të relativizuar këto favore drejtë një  mësimdhënësi,  duke u munduar t i bindë se gjithmonë do të ketë dallime në intelegjencë te fëmijët e caktur, sa për të arsyetuar dhe për të mos krijuar përshtypje se po përbuznim punën e kolegëve në paralelet tjera. Por kundërshtimi i këtyre mësimdhënësve ishte edhe më insistues.

Ju mund të keni bindjet tua, – më thoshin, por me gjeneratën e Aliut s karahasohet asnjë, s është hera e parë! E vërtetë, ata kishin përvojë më të gjatë në lëndët që ligjëronin në shkollë dhe e dinin shumë mirë se puna me nxënësit e Aliut ishte e shkëlqyeshme.

Viti 1981 pas demostratave të studentëve në Prishtinë kishte filluar ters dhe për mësimdhënësit e zellshëm në shkolla filloi një proces i diferencimit që në njëfarë mase i ngjante sistemit të viteve të para të informbyrosë dhe kohës së Rankoviqit, me ç’rast familjet patriotike dhe antikomuniste leqiteshin për t i përqarë sa më shumë shqiptarët mes vete e për të sunduar mbi ta më lehtë. Mua dhe një pjesë të kolegëve të mi në shkollë, Komiteti komunal në Rahovec kishte vendosur që përmes kësaj leçitje (diferencimi) të na hiqte nga procesi mësimor. Po kisha besimin e madh te kolegët se do të gjenim një formë për tu mbrojtur nga kjo zezonë që sapo kishte filluar në tërë Kosovën. Një vit më parë kisha vizituar Shqipërinë që atëbotë ishte tabu në vete dhe tashmë po kundërshtoja heqjen e një pjese të letërsisë së Rilindjes kombëtare  nga programet shkollore që bëhej me arsyetimin banal se rinia shkollore po indoktrinohej me nacionalizëm. Ky kundërshtim i pushtetit menjëherë të vendoste në listen e zezë të iredentizmit, siç e quanin ata dhe për të cilën pas demostratave të këtij viti kishin burgosur qindra e mijëra studentë e intelektualë. Në këtë pretekst në një takim me arsimtarët e shkollës fillore “Rilindja” në Cifllak ku do të vendosej edhe për masat politike ndaj nesh, vërejtja se për mua dhe  disa kolegë të tjerë ishte pregaditur më herët nga autoritetet vërejtja dhe diferencimi dhe kjo pritej që të aprovohej nga kolektivi i shkollës. Por pas paraqitjes së këtij propozimi nga Komiteti dhe pas një heshtjeje varri nga mësimdhënësit prezent, papritmas diku nga mesi i sallës shfaqet një zë i qetë por i vendosur për të kundërshtuar këtë diferencim. Ishte zëri bindës i Ali Hasi të cilit do ti bashkangjiten edhe shumë të tjerë. Cështja doli në votë dhe përkrahja kundrejtë mendimit të pjekur të Aliut ishte gadi plebishitare, pos 4-5 vetave që në shkollë kishin pozita  dhe  frikësoheshin, propozimi i tyre nuk kalon. Askush se kishte pritur! Kjo ishte fitore e madhe për të gjithë pasi këtij destruksioni anti intelektual që në fillim ju ndal hovi. Kjo fitore ishte në rend të parë zëri i vendosmërisë intelektuale  të mësuesit të përkushtuar Ali Hasi dhe guximi e toni i tij bindës që shtyri pushtetarët komunalë  ta lëshojnë takimin pa kryer punë.

Kur sot bisedoj me nxënës të Aliut të shpërndarë nëpër botë për punën dhe sjelljen e tij marr të njejtën përgjigje për vendosmërinë dhe bindjet intelektuale. S do koment, jo vetëm në Kosovë, por kudoçoftë nxënësit e tij  i gjen edhe sot në majat e sukseseve. Bisedoj dhe më evokojnë kujtimet e fëmijërisë. Janë shumë të sinçertë dhe ndajnë dhimbjen dhe krenarinë për mësuesin e tyre të dikurshëm Ali Hasin.

Derisa po bisedonim në Mynhen të Gjermanisë dhe po evokonim storie Luftën në Koshare njëri nga nxënësit e tij Mislim Berisha rrëfen:

Mësuesi Ali Hasi ishte jo vetëm mësues e pedagog i mirë por edhe një prind i vërtet për nxënësit e tij. Kur shkova në klasën e parë isha më shtatëvogli dhe më i tërhequri nga të tjerët dhe disi i frikësuar. Mësuesi Ali e kishte hetuar dhe filloi të më përmbajë në çdo moment. Kur luanim futboll  në çdo moment më zgjidhte pozicionet që mund t i përballoja më lehtë dhe për çdo rezultat  që arrija më  uronte dhe duartrokiste në mënyrë të veçantë. Edhepse në bankat e para uleshin vajzat e në prapavijë djemtë , mua më ofroi në bankën e parë me kushërirat e mija. Babai ishte me punë jashtë vendit kurse vëllezërit në shkollim e sipër. Por kujdesi i veçantë i mësuesit Ali të thuash ishte  i vetmi dhe kjo më kurajonte shumë, ate e kisha gjithmonë pranë. Nuk e di si, po  sjelljen e tij  ndaj meje  e ndjeja afërsi prindore. Me kalimin e kohës vëreja se edhe nxënësit tjerë në klasë ishin të kënaqur me sjelljen e tij dhe e donim shumë. Mësimet që na jipte, jo vetëm që i kryenim me kohë , por s lenim asnjë detyrë pa mbaruar. Puna mësimore e Aliut duke kaluar nga viti në vit filloi të kuptohet si vullnet dhe u shëndrrua në kulturë pune e jo obligim i merzitshëm. Kështu as sukseset nuk mungonin. Në garat mësimore që organizonin paralelet nga Polluzha, Kramoviku, Guri i kuq  e Dobidoli në Shkollën  Amë,  siç e thrrisnim asaj kohe, klasa jonë zinte gjithmonë vendin e parë. Kështu nga klasa e katërt  fillova ta kuptojë se jeta ime në mësim  e sjellje po drejtohej nga  një trend i ri suksesesh që forconte përsonalitetin tim, frymëzim që më përcjell edhe sot në jetë.

E shof, dhe ndihem krenar  për mësuesin tim. Si atëherë edhe sot kur heroizmi i tij në kohën e kthesave të mëdha u dëshmua. Ishte njeri i duhur në vendin e duhur. Para dy vitesh gjenerata jonë u tubua pas shumë vitesh dhe vendi i parë që përkujtuam ishte  Lapidari i dëshmorëve pranë shkollës në Cermjan ku qëndron krenar edhe dëshmori, mësuesi ynë i dashur,  i paharruari Ali Hasi. Lavdi jetës dhe heroizmit të tij!

Ali Hasi me nxënësit e tij në fshatin Kramovik të Drinisë në vitin 1973

Njëherë tjetër kur po qëndroja në atdhe dhe takova nxënës të tjerë, derisa po bisedonim për Kosharen heroike dhe luftën për liri njëri prej tyre mu drejtua:

Mësuesi Hamzë, ishit gjeneratë e artë mësimdhënësish, të gjithë të përkushtuar dhe ne patëm fatin e madh që ju kishim. Ishit të gjithë të përgaditur dhe punuat me pasion. Po me Aliun…. në një moment u ndal pak i mallëngjyer, – nuk mund të krahasohet asnjëri. Ju do të mendoni se e kam për mburrje pse isha nxënës i tij, ndoshta  edhe për shkak të qëndreses së tij heroike në Koshare. Jo vetëm për këto, – tha ai, dhe filloi rrëfimin e tij që kur  ishte në klasën e parë në Kramovik dhe mësues kishte Ali Hasin. Ai shpaloste kujtimet e tij sikur të kishin  ndodhur para pak ditesh, anipse kishin kaluar mbi 40 vite. Mua më la përshtypje kur theksin e vuri te motivi për të shkuar në shkollë:

– E dini çka, edhe sot e kësaj dite e shoh ëndërr mësuesin Ali, klasën që mësonim në shkollën e vogël të fshatit Kramovik dhe ende me fanatizëm ruaj kujtimet për te. Ruaj gëzimin që ndjeja kur dielli shpaloste rrezet e mëngjeseve për të shkuar në shkollë. Atëbotë nata më dukej e gjatë dhe gjumi më dilte dy – tre herë naten e mezi pritja  nga ky gëzim që ndjeja dhe dëshira e madhe që kisha  për të shkuar të nesërmen në shkollë. Aliu dhe shkolla ishin shëndrruar në magnet që më tërhiqte. As vet nuk di se ku e merrte tërë atë forcë dhe dashuri për të na josh aq shumë në mësime.


Ali Hasi me klasën e tij në fshatin Cermjan të Dushkajës  në vitin 1990

Anipse biseden e kishim filluar për Kosharen Heroike dhe flijimin e Aliut në këtë beteje, mbetëm pak të hutuar, por djali i zgjuar u përgjigj thjeshtë: – Më falni mua mu trazuan ëndrrat për  mësuesin Ali nga beteja e parë dhe ndoshta u ndërhyra në bisedën për Kosharen, por deshta tu përforcojë bindjen se në Betejen e Koshares ishin pas Aliut dhjetra e qindra nxënës të tjerë që kishin marrë mësimet nga mësues të tillë si Aliu, pra kjo Betejë dhe betejat tjera për lirinë e Kosovës u bë me këta ushtarë që ishin dëshmuar  më heret në betejën e dijes. Pa këta si zor do ta kishim bërë edhe Betejen e Koshares dhe do të kishim fituar luftën për liri. Mbani mend, beteja për dije është fuqia që nxiti  dhe kaliti rininë edhe për betejat tjera në luftën për liri. Kjo ka ndodhur me mësuesin tim të lavdishëm Ali Hasin i cili me sukses ka fituar betejen për dije. Vetëm njerëz të tillë mund të fitojnë beteja të rëndësishme në jetë. Lavdi edhe për betejen e Kosharës! 

Unë u habita nga ky rrëfim i nxënësit të Aliut dhe fillova ta përforcojë idenë se Dija dhe Atdhedashuria nuk njofin kufinj dhe janë shtytje për liri. Nuk ishte vetem ky djalë. Nga shumë të tjerë, kolegë, prindër e bashkëfshatarë që kisha rastisur të bisedojmë për Aliun, të gjithë e çmonin ate jashtë mase, sidomos punën dhe kujdesin e tij për fëmijët. Aliu e dinte se ardhmëria varet po nga këta fëmijë dhe mirëprergaditja e tyre për jetë dhe këtë mision e kishte kryer me nderë.

Unë fillova më vonë punën në Fushë Kosovë e Aliu kishte vazhduar në fshatin  e tij të lindjes në Cermjan. Edhe aty ai ishte i treguar i suksesshëm dhe i nderuar pranë kolegëve të rinj dhe motrës së tij Hates tashmë të dëshmuar në punët e mësuesisë dhe në emancipimin e femrës së Dushkajës.

Kishte filluar atje pranë familjes së deshmuar për ndjenja patriotike, arsimdashëse e civilizuese. Betejën për dije se kishte ndalur kurrë, anipse në këtë rrugëtim ishte penguar, por  Ali Hasi e kishte kaluar çdo pengesë. Atij nuk i kishte munguar kurrë dija dhe guximi.

 3. Lufta për Liri dhe Pavarsi të Kosovës e ka simbolikën e saj –

 Betejën e Koshares

Po vizitoja shpesh vendlindjen dhe kisha vendosur që me rastin e përvjetorit të Betejes së Koshares të ngjitem lart, atje në vendin ku kishte ndodhur, më thanë se sapo ka filluar  të ndërtohet Kompleksi memorial i kësaj beteje të rëndësishme që i kushtohej të gjithë luftarëve të rënë në atë betejë. Papritmas si ne retrospektivë mu shfaqen ditët kur po hulumtoja për toponimet dhe antroponimet e Drinisë dhe po vizitoja kullat e  fshatrave. Mu kujtua Kramoviku dhe Ali Hasi. Atëbotë nu kujtuan të gjithë pleqtë e menqur me të cilët kisha një respekt të ndërsjellë, njëri prej tyre pasi shkuan mysafirët dhe mbetëm vetëm më shpalosi ngadalë tërë përvojen e tij jetsore duke më rrëfyer vuajtjet e pas luftës së II botërore. E njifte mirë kërsherinë time dhe kishte bindjen se unë kisha interes të dijë më tepër për të kaluarën e kësaj treve, gjëra që kishin qenë të ndaluara. Në fillim më foli për Mustafë Ibishin e Kramovikut të cilin ai e thërriste Baca Tafë, i cili me qetën e Ndue Përlleshit dhe qendresën e atdhetarëve  të NDSH së  të ngulfatur nga komunistët kishin lënë nam. Më foli edhe për Luftën kundër Malit të zi dhe Heroizmin në përgjithësi në mbrojtje të kufirit, për  Mehmet Agë Rashkocin e familje tjera me zë në Drini e Dushkajë deri te qëndresa e Dan Zatriqit për mbrojtjen e Sanxhakut të Nishit e shumë trima të tjerë nga Drinia në Lidhjen shqiptare te Prizrenit. Më kishte mbetur e ngulitur në kokë shprehja “Shpata e Dan Zatriqit e nami i Pashë Maliqit”. Derisa  po flisnim për të kaluarën plaku e pa se po gdhinte mëngjesi dhe mu drejtua e më tha:

Hamzë keni kryer shkollë dhe populli ka besim në ju, tashmë kemi mjaft mësues tanë, kjo është e mirë, po Kosovës i duhen këtu e tutje doktorë dhe ficira (oficera). E dëgjova me vemendje  mendimin e plakut dhe e përgëzova, e dija se ku i dhimste plakut edhepse nuk ma thoshte. I tregova se tashmë  edhe djemtë tanë kanë filluar me shkollat ushtarake, derisa universiteti ynë po pregaditë kuadro  edhe për mjekë e shumë lëmi të tjera. Ra biseda edhe për Aliun, që plaku e qmonte si mësues të mirë të fshatit. I tregova se edhe ai si unë, e shumë të tjerë gjatë shërbimit ushtratrak kishim kryer shkollën e oficerëve rezervë… dhe bisedën e mbyllëm me kaq. Fjalët e plakut i mora si porosi  serioze dhe me vend. Shqetësimi kishte të bënte me të ardhmen e Kosovës për të cilën ata ishin të bindur se Serbia s do ta lëshojë kurrë  pa luftë.

Atë natë mu kujtuan shumë peripeti. Me Aliun ishim dyfish kolegë,  mësues në të njejtë shkollë dhe oficerë në rezervë. Unë pos lëndës së gjuhësh shqipe me klasët e larta të fillores ushtroja dhe një program të lëndës së Mbrojtjes  të cilën e jipja në shkollë, pastaj për 6 muaj mbaja edhe kursin e Mbrojtjes për vajzat që nuk kishin kryer tetvejeçaren dhe ishte detyrues për to. Ushtrimet me to i bëja në oborrin e shkollës. Një ditë papritmas derisa po demostroja me këto kursiste në oborrin e shkollës fillore “Rilindja”  në Cifllak, më ofrohet Aliu që shoqërohej nga Salih Kokalla e Xhafer Hasi mësimdhënës dhe kolegë tanë, ai ngadalë e me buzqeshjen e tij elekuente më thotë:

– Shoku komandant, ushtrimet e tilla duhet të jenë më praktike, pos pushkës duhen edhe mjete tjera, duke qeshur dhe vazhdoj rrugën. E dija se edhe Aliu kishte mbaruar shkollën e oficërëve rezervë dhe  të nesërmen më sollën nga Cermjani një pushkë ajrore që ishte shumë praktike dhe bashkë me te një arsenal  të caktuar plumbash manovrues e kartona për shenjëzim për ushtrime, me të cilën vazhdova të ushtroj më lehtë. Ajo më mbeti si kujtim dhe në vitin 1982 kur policia më bastisën shtëpinë, bashkë me literaturën e morën si dëshmi edhe pushkën ajrore te Aliut… për pak u stepa nga kjo kujtesë dhe mu duk se kisha edhe një borgj ndaj Aliut.

Të nesërmen në Kosharen e lavdishme do ta takoja sërish Ali Hasin, po tashmë vetem buzqeshjen e tij të shenjëzuar mbi varrin e  lavdishëm si komandant, pranë komandantëve tjerë të lavdishëm  Sali Cekut, Agim Ramadanit, Xhemail Fetahut e Abaz Thaçit.

Tashmë Aliu qëndronte krenar dhe i buzëqeshur në altarin e lirisë. Po qëndroja pranë varrit të tij gatitu. Ai dëshmor e unë qytetar tashmë i lirë i Kosovës martire. Fytyra e Aliut nuk kishte ndërruar, kishte po atë buzqeshje siç e kishte pasur më parë. Mua më ishin përzier ndjeja mallit, dhembjes dhe krenarisë  për te dhe ashtu i buzqeshur në foton mbi varr më dukej se  thoshte:

“- Qëndroni krenar, pse mërziteni!? Ne e kishim amanet lirinë, dikush duhej të flijohej për te e kjo më ra hise mua Saliut, Agimit, Xhemailit, Abazit…që ju ta vazhdoni jetën dhe betejen për ta ndërtuar Kosovën, paçi gjithmonë dritë e liri!” Ky ishte një amanet që më detyronte ta përcillja. Ishte një borgj që duhej ta përcillja te të gjithë kolegët e mi, te nxënësit e tij, bashkëfshatarët dhe gjithë Kosova për ta mbajtur të gjallë heroizmin e tyre dhe për ta çmuar lirinë. Kur u ndava nga ai e kisha shumë të vështirë, ai tashmë po pushonte atje i qetë e krenar në altarin e lirisë, sërish i buzqeshur kurse për mua barra ishte e rëndë. Këtë amanet që duhej t ua përcjellja  miqëve e kolegëve, ish nxënësve e bashkëkombasve të mij droja se  s do të më kuptojnë, droja se do të jetë e vështirë ta ruajmë. I druaja jetës dhe sfidave të saj, mund të mashtrohemi nga lakmija dhe të harrojmë amanetin e njeriut të buzqeshur. Të harrojmë se Aliu kishte fituar në dy beteja: Betejen për dije dhe Betejën për liri dhe harresa do të ishte turpi ynë! E lash në shenjtërinë e tij dhe zbrita bjeshkës teposhtë. Piva një kafe  me miq e shokë në Botushë të përmalluar që nuk ishim parë kaherë. Dëgjova edhe rrëfime të shumta për Kosharen, po rrrëfimin që më bëri bashkëluftari i tij, kolegu dhe bashkfshatari  Xhafer Kida  më preku thellë, njëkohësisht mësova se Aliu ashtu si me veprën jetsore gjithmonë i përgjejgjshëm kishte shkëlqyer edhe në fushën e betejes me  rënjën e tij në frontin e lirisë.

Rrëfimi i bashkëluftarit të Ali Hasit për heroizmin në Koshare

Rrëfimi i Xhafer Kidës për Ali Hasin ishte shumë prekës. Ai e njifte për së afërmi Aliun dhe pos punës së përbashkët si mësimdhënës, tashmë kishin qenë  edhe pjesë e përbashkët e betejes së lavdishme të Koshares. – Nuk më hiqet as sot nga mendja, – thot Xhaferi, momenti kur ra Ali Hasi në Fushëbetejën e Koshares. Derisa  Aliu po qëndronte shumë pranë armatimit që kishte siguruar  për betejen si Komandant i logjistikës, befas fluturon mbi pozicionet tona një aeroplan i cili,  si duket kishte diktuar grumbullimin e armatimit dhe gjuan në afërsi predhat të cilat nuk godasin armatimin, por shkaktojnë dëme dhe një huti te bashkëluftarët e nxënë në befasi. Aeroplani i ushtrisë jugosllave bën një kthesë të shpejtë dhe këtë herë bën goditjen e dytë, gjuan  predhat më afër nesh dhe godasin pozicionet tona. Në ato momente, me një shpejtësi prej rrufeje Komandanti Ali Hasi jep urdhër që ushtarët të shtrihen për tokë dhe meqë koha s priste hudhet mbi trupin e dy ushtarëve që kishte aty më pranë duke i mbuluar me trupin e tij nga pëlcitja e copëzave të predhave, dy prej të cilave e godasin komandantin, njëra në kokë dhe tjetra në shpinë. Kështu ai plagoset rëndë por shpëton dy ushtarët e tij. Derisa mjekët ju gjenden pranë po përpiqeshin ti shpëtojnë jetën ai para se të jipte shpirt len një amanet të madh : – ” Mi mbroni ushtarët…..”!

Aliu bie dëshmor pa bërë zë pos amanetit që të mbrohen ata për të cilët kishte marrë përgjegjësi ti udhëhiqte. Ai i tillë kishte qenë gjithmonë edhe kur ishte mësues dhe ti e njef mirë, – më thotë, vinte mbi të gjitha përgjegjësinë për nxënësit e tij dhe  e vazhdoi me të njejtën ndjenjë përgjegjësie ndaj ushtarëve që komandonte edhe sa ishte këtu. Rrallë mund të gjenden njerëz që mbi jetën e vet të çmojnë dhe mbrojnë jetën e atyre që kanë marrë detyrë ti mësojë e komandojë. Zatën njërzit si Aliu do të mbahen mend gjatë, pasi puna dhe veprat e tij ishin sublime. Shpresoj që heroizmi i tij të jetë shembull për gjeneratat. Çoftë i paharruar Jeta, vepra dhe emri i ti për jetë!

Për mua, – vazhdon Xhafer Kida, këto fjalët e fundit të Aliut ishin vërtet prekëse. Por ky ishte një amanet që del nga njeriu dhe komandanti që mbi të gjitha kishte hallin e ushtarëve të tij. Ky ishte ideali i njeriut dhe komandantit që vuri mbi të gjitha lirinë tonë dhe jetën e ushtarëve të tij para vetes. Të tillë që kanë vendosmëri dhe moral kaq të lartë, të cilët dijnë se për çfarë kanë dalë në fushëbetejë s kishin  si të mos i fitojnë ato beteja.

Ky amanet i Aliut përputhej me  idealin e shumicës që derdhën gjakun për lirinë e Atdheut. Të dy ushtarët e tij që atë ditë shpëtuan jetën kur trupi i komandatëve ua mbuloi trupin e tyre vazhduan luftën e Koshares, bashkë me të tjerët dhe e fituam. Ata sot janë të gjallë dhe ruajnë kujtimin dhe e çmojnë heroizmin e komandantatit të tyre Ali Hasi. Pa njerëz të pregaditur si Aliu e kishim të vështirë të përballeshim me armikun, ata edhe me vdekjen e tyre treguan se kur njeriu ka një ideal të lartë, s ka si të mos fitojë.

Heroizmi i Aliut na dha shpirt dhe kurajo të gjithë neve që pamë me sytë tanë tmerrin, ishte një motiv plus se si duhet të luftohet dhe mbrohet jeta e tjetrit dhe si duhet kundërvënë armikut. Ky motiv na shtyri që hakun për Aliun dhe të tjerët që ranë ta marrin duke sulmuar më me furi njësitet armike të karaullës serbe dhe gjakun e tij dhe i shumë ushtarëve tjerë të vrarë u shpagua shumfish – thotë Xhafer Kida.

Ishte ky një rrëfim i shkurtër për Aliun nga momentet e fundit të jetës. Por për Aliun dhe Kosharen  tashmë nuk flasim vetëm ne. Janë Beteja të rralla kur edhe kundërshtari i pranon se kanë qenë të tmerrshme për ta.

Pas këtij rrëfimi tronditës miqtë vërejtën se dukesha pak i habitur dhe nuk flisja. Nuk isha më ai që kur takohej me shokë e miq vazhdimisht flisja, kësaj radhe kisha mbetur  i heshtur. Kisha heshtur unë që si lija kurrë shokët  e miqtë pa bisedë e shaka. Më çortuan, por ju luta atyre që sot të mos më ngacmojnë. Kisha  një peng në zemër, një barrë që s dija si ta bart dhe droja se do të plas. Lartë  në bjeshkë bashkë me heronjtë tjerë lash buzëqeshjen e Aliut nën mustaqet e tij dhe e kisha të vështirë të jem i qetë. Kokën më kishin mbuluar kujtime të shumta që herë më hidhnin mbi Sukën e Cermjanit e herë  më përplasëshin  mbi Kështjellën e Zatriqit dhe s po dija si ta shtjelloja këtë lëmsh që më kishte zënë grykën. Mu kishin mbërthyer keq në kokë të gjitha heroizmat e shqiptarëve që nga Antika e deri te Kosharja  e s po mund tu jipja  vijë. Buzqeshja e Aliut ndër mustaqe nga fotoja mbi varr mi kishte ringjallur të gjitha këto heroizma nga lartësitë e Bjeshkëve të nemura nëpër të gjitha kështjellat e sukat në Dukagjin e deri te thëllsitë e Drinit të bardhë.

I tillë ishte Aliu! Tashmë nuk e di, po shpirti dhe mendja e tij ishin lartësi e këtyre katakombëve dhe  mendimi thellësi dhe qiltërsi e Drinit të bardhë që vije dhe muroset në Kosharen legjendare.

Një Lavdi e madhe dhe e përjetshme për kolegun tim të dyfishtë, mësuesin dhe oficerin, njeriun dhe dëshmorin që fitoj dy beteja:

  • Betejen për Dije në Drini e Dushkajë dhe
  • Betejen e lirisë në Koshare


Ali Hasi, (kapiten i klasit të parë në rezervë) komandant i logjistikës në Betejen e Koshares

Pas disa vitesh sërish takohem me Aliun. Tashmë në fshatin e tij të lindjes. Po, Aliu tashmë është shpallur deshmor dhe shkolla ku ai ishte mësues mbante me krenari emrin e tij. Këtë shkollë e kishte hapur plaku i maleve Bajram Curri dhe pas 100 vitesh ajo ishte përgëzuar me emrin e simbolit të lirisë dhe heroizmit të Betejes së Koshares Ali Hasi.

Sebep për këtë TAKIM ishte Vëllau i Aliut, Lulëzimi që bashkë me bashkëshorten e tij Elfeten, po vazhdojnë betejen për dije duke u përpjekur që te përcillnin më tutje amanetin e Aliut për shkollë e dije. Ata në Kantonin e Cyrihut në Zvicër vazhdojnë të kujdesen për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës amtare të fëmijëve shqiptarë, prindërit e të cilëve barbaria serbe i kishte degdisur nëpër botë para dhe gjatë luftës. Më njoftuan se asaj vere të vitit 2015 mbahet një manifestim në vendlindjen e tyre me rastin e 100 vjetorit të shkollës, tashmë me emrin e  dëshmorit “Ali Hasi” në Cermjan  emër të cilin para tri vitesh ja kishin vënë, për të nderuar heroizmin e tij për liri.

Unë atëbotë kisha përfunduar mësimet në shkollën shqipe në Zvicër dhe do të shkoja  për pushime  sërish në vendlindjen e dashur, fshatin tim të lindjes në Polluzhë dhe vendosa të bëhem pjesë e këtij programi shkollor festiv e jubilar për tu takuar me miq e kolegë të hershëm e për të kujtuar dhe nderuar bashkë me ta Heroin e dy betejave Ali Hasin.

Aty takova kolegët e mi të hershëm  dhe të Aliut, Xhafer Kiden me të cilin kishin ndarë çastet e dhimbshme dhe të lavdishme si komandant i logjistikës derisa kishte filluar Beteja e lavdishme e Koshares, Sali Kokallën që ishte një tjetër organizator i Luftës çlirimtare, Xhafer Hasin e Ramiz Hoxhën  që kishin qenë kolegë të ngushtë ne Shkollën e Cermjanit dhe kishim punuar dikur bashkë edhe në fshatrat e Drinisë dhe kolegë të tjerë. Takova edhe Familjen Bujare të Ali Hasit, vëllaun,  motrat, fëmijët,  të cilëve u shpreha dhimbjen time të madhe  për Aliun por edhe krenarinë e përbashkët që kishim për rënjën në Betejen e lavdishme të Koshares.

Aty pranë shkollës ku kishin ardhur me qindra fshatarë, kolegë, nxënës e bashkëluftarë të Aliut për festë mu shpërfaq serish shpirti heroik  i Ali Hasit në lartësinë e Sukës së Cermjanit e bjeshkëve të Zatriqit, lartësi që kishte arrijtë synimi i tij në jetë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Pashë mendjen e tij të ndritur që rridhte në thellësitë e Drinit të bardhë. Ato momente mu duk se edhe dielli po shkëlqente dhe shëndriste më bukur duke mikluar majat, këto suka e bjeshkë duke shtuar begatinë  e këtyre fushave që shtriheshin përgjatë ujit të kulluar të rrjedhës së Drinit. Mbi të gjitha këto mbi lapidar ku ishin murosur portretet e luftarëve të lirisë, shëndriste fytyra e Aliut dhe buzëqeshja e tij nën mustaqe që i ngjante diellit të lirisë e vendosur sipër në ballë të lapidarit të ngritur për nder të tij dhe shokëve të luftës që kishin blatuar gjakun e tyre për Lirinë e Kosovës heroike. Jeta tashmë rridhte qetë, hijeshia kishte kapluar malet e fushat përreth ashtu si mikpritja  e Cermjanasve. Miqtë dhe kolegët e mi nga Dushkaja ishin plakur por s kishin humbur asgjë nga fisnikëria e tyre e hershme. Mësuesja Hatë, motra e Aliut dukej e qetë  dhe krenare pranë lapidarit të vëllaut të saj deshmorë pasi kishte lënë prapa bagazhin 40 vjeçar të edukimit të gjeneratave në Dushkajë.

E Aliu në piedestalin më të lartë kundronte këtë imazh dhe si rreze dielli ndriqonte më çartë se kurrë Dushkajen e Drininë si dhe mbarë Kosovën me rrezet e lirisë që ky vend i kishte ëndërruar me shekuj.

Pas manifestimit po zbrisnim tatëpjetës së Cermjanit bashkë me vëllaun, pasi kisha përjetuar brenda ditës një histori të gjatë, të dhimbshme e të lavdishme njëkohësisht pa folur asnjë fjalë. Si duket edhe ai e kishte diktuar se isha futur thellë në kujtimet e hershme dhe s donte të mi trazonte  ato  që tashmë ishin ngulitur thellë në kokën time.

Bashkë  me familjen e Ali Hasit në 100 vjetorin e shkollës “Ali Hasi” në Cermjan

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu