ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Rrëfime për kohën dhe njerëzit realë

Shkrime relevante

Këshillë për të krishterët në Kosovë…!

Agim Bajrami  Qëlimi i të gjithëve neve që civilizmin e krishterë e...

Klasë politike më të pafytyrë dhe pakarakter se ne shqiptarët, në Europë nuk ka askush !

Driton Statovci Kur po i lexoj reagimet e politikanëve tonë për sulmin...

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Shpërndaj

Nga: Hamzë Morina, Zvicër

Në “Le Quai des grottes” – Mu trazuan kujtimet
(rrëfime për kohën dhe njerëzit realë)

Nipi im Dioni kishte mësuar në shkollën shqipe në Zvicër për Skenderbeun, tashmë ai ishte rritur dhe derisa po shkëmbeja në telefon disa fjalë me mikun tim Agim Paçarizin që më kishte ftuar për paraqitjen e librit të tij në Gjenevë, nipi më rikujtoi premtimin që i kisha dhënë se do ta merrja me vete për të vizituar Gjenevën dhe bustin e Skenderbeut. Kishte dëshirë që në koleksionet e fotove të tij nga Prishtina Tirana e Kruja t ja shtonte edhe një kujtim për Heroin tonë – Gjergj Kastriotin nga Gjeneva.


Nipit tim ja plotsova dëshirën e madhe
Por vizita kësaj radhe nuk rodhi pa turbulenca në shpirtin tim të ndjeshëm. Herën e kaluarkur mora pjesë në një manifestim të shkollës shqipe në Gjenevë kisha takuar djemtë e bashkëfshatarit tim Tahir Dulaj që kishin ardhur në këtë program festiv bashkë me fëmijët e tyre. Atëherë mu pat bërë zemra mal kur pashë se të gjithë ata vazhdonin shkollën shqipe në Gjenevë. U gëzova pa masë dhe i përgëzova djemtë e bashkëfshatarit tim nga Polluzha që tashmë në qender të Gjenevës kishin dy restorane dhe po menaxhonin bisnesin e tyre të nderuar nga gjenevasit dhe shqiptarët me banim atje. U gëzova edhe për përkujdesjen që bënin për fëmijët që ata të mos e harrojnë gjuhën e tyre të bukur. Ishte një rast i mirë që edhe nipi im të njihej me ta.
Dy djemtë e Tahirit, Artani dhe Astriti me fëmijët e tyre në shkollën shqipe të Gjenevës

Në mbrëmjen promovuese filluan të rrokullisen njëra pas tjetrës kujtimet e së shkuarës që herë më mbushnin gëzim e herë më krijonin tallaze dëshprimi e mllefi, ishin valvitje të forta gati për ta përmbytur anijen e shpirtit tim në këto dallgë shkumbuese.

Albana nga UP po moderonte promovimin e librit të A. Pacarizit

Po vështroja ashtu padashtas vajzën e mikut tim dhe atdhetarit Sylejman Krasniqit, Albanën e cila kishte krijuar karierë të mirë në Universitetin popullor shqiptar të Gjenevës dhe po moderonte promovimin e këtij libri. Eh, sa kujtime mu shpërfaqen në këto momente për Bacën Sylë dhe sa rropatjet e tij në kohë të ndryshme më silleshin nëpër kokë! Pranë më qëndronte Agim Paçarizi që me librin që po i promovonim po dëshmonte përpjekjet 3 dekadëshe për të ruajtur gjuhën dhe kulturën e Atdheut e bartur nga qindra mijëra vogëlushë nga trojet shqiptare në Zvicër. Po fliste me zë që kumbonte rrjedhshëm arbërisht miku im arbëresh, Michele i ardhur si jashtëtoksor (siç e cilësoi Albana kur i dha fjalën) për ruajtjen 600 vjet të kësaj gjuhe tek arbëreshët në Itali.
Të gjithë këta së bashku më futen thellë në botën e hershme dhe më zhdaraviten kujtimet nëpër kohë. Lexova ngadalë rreshtat e recensionit të përgaditura për librin dhe u mbështeta, për tu mbajtur mirë në karrige nga droja se po rrëshqitja ngadalë në humnerën e dalldisë nga një ankth që më ishte mbledhur në grykë sa doja të pëlcisja.
Po e mbajta veten, derisa Michele me arbërishten e tij na ngjalli nostalgjinë e Motit të të madh, për hir të të cilit kishin ruajtur 6 shekuj amanetin e tyre – gjuhën e shenjtë!


Miku ynë arbëresh Michele rrëfente për 600 vjet të mos harresës së gjuhës tek arbëreshët

Përballë në publik pos tjerësh kisha Xhafer Shatrin, veprimtarin e palodhshëm të çëshjes shqiptare, heshtja e të cilit fliste shumë. Për një çast ndjeva se nga këto kujtime për atdheun, vendlindjen dhe gjithë tragjedinë shqiptare po më mundonte ky ankth, të cilit i droja se do të shpërthejë dhe anija e shpitit tim do të fundosej keq në këtë valëzim të furishëm. Po e mora veten dhe frenova që dallgët e ashpra të kujtesës të mos më përmbysnin edhe kësaj radhe në humbëtirë.
Atë natë e kalova mirë në darkë me mikun tim Agimin dhe familjen e tij të mrekullueshme, po as aty s kalova pa ndjeshmërinë e skajshme kur mu kujtua babai i tij i ndjerë Demir Aga i Dragobilit, të cilën kur e patëm vizituar me Gjyshin në Kosovë në pleqërinë e tij të thellë, hetuam se kishte një plagë të rëndë në shpirt që se thoshte, po donte të pëlciste. Si nëpër dhëmbë e pata dëgjuar atëherë ofshamën e tij: ” – Eh, e latë bosh këtë vend edhe ti e Agimi”… për të mos më lënduar më tepër pat heshtur. E pata kuptuar drejtë brengën e tij. Në shtëpinë e madhe tashmë kishte mbetur vetëm djali i tij i vogël, të tjerët ishin tretur nëpër botë, po me arratinë e Agimit shpirti i tij kurrë s ishte pajtuar. Më tha atë që më përseriste shpesh edhe nëna ime:
– Do të na mbesin varret të vetmuara në këtë tokë. Djemtë e mi po arratiseni të gjithë nëpër botë… që ma përseriste si refren sa herë që kthehesha në Kosovë.
Të nesërmen, derisa po kërkonim lokalin e mikut dhe bashkëfshatarit tonë Tahirit që na kishte ftuar që mbrëmë, në Sheshin e Shpellave, nga prapa dëgjoi një zë të butë djaloshi: – Këtu jemi mësuesi Hamzë, – duke më treguar drejtimin tek lokali i tij i stolisur bukur “Le Quai des Grottes”. Ishte Valdeti, djali i vogël i Tahirit, Valdeti i cili herën e fundit më pat habitur.
Derisa po pinim kafenë me Agimin dhe Xhafer Shatrin, unë u ngrita dhe bëra një foto me te. Kur u ula Xhaferi më pyeti: – Të pashë të shqetsuar dhe plot emocione, ç pate? I tregova për djaloshin e Fotografisë. Kjo histori pastaj u bë temë e bisedës.
Të dy miqëve ju lexova rreshtat e poezisë që Valdeti i vogël atëherë në klasën e parë, para gati 3 dekadash kishte recituar në programin shkollor në fshatin tim, kur unë mësuesi i tyre isha arratisur në Shqipëri:

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.
I vogël isha ahere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.
….

Valdet Dulaj bashkë me mësuesin që i kishte recituar poezinë para gadi tri dekadash

Edhe sot më turbullohen ndjenjat kur recitoj këtë poezi. Nuk kam kurajo të përmbahen. Në këta rreshta përmblidhet tërë tragjedia ime dhe e popullit tim që po vazhdon heshtur me tërë tragjiken e saj.
Herën e shkuar kur i takova djemtë e Tahirit, njihja vetëm Artanin për të cilin më kishte folur djali im i madh. Po Valdetin se kisha parë asnjëherë. Po herën që shkoi, ai mu afrua, më përqfoi me shumë mall dhe kur unë u dhashë komplimente të mira fëmijëve të familjes së tij për recitimet në programin e shkollës shqipe dhe u ndjeva dyfish krenarë që ishin bashkëkombas dhe bashkfshatarë të mi, Valdeti më tha: – Po, mësuesi Hamzë, ti nuk e di por edhe unë dikur kam recituar. Bile kur je arratisur ti në Shqipëri, unë kam recituar poezinë:
⦁ Pat ikur mësuesi im në Shqipëri
unë abetaren e laga me lot…
Kur e përfundova, – thotë ai, i gëzuar shumë nga duartrokitjet shkova te prindërit e mi, por u habita kur pashë se i gjithë fshati po derdhte lot. U habita pa masë! Atëbotë e recitova por nuk e kuptova ç do të thotë Mërgimi dhe loti i bashkëfshatrëve të mi.
Xhaferi që kishte të njejtën nostalgji më shikoi habitshëm, edhe Agimin e preku kjo histori.

Foto e shkollës ku shihen nxënësit e shkollës së vendlindjes ende recitojnë në Festa e gëzime

Po, heren e fundit u përmallova keq, u gëzova kur pashë që në bibliotekë ende i kishin ruajtur ata pak libra që pata grumbulluar si lektyrë shkollore vet për herë të parë dhe koleksionin e fotove si kujtim në koridorin e shkollës, po kisha ndjesi të përzier dhe nuk u përmbajta. Ata e hetuan. Fshatin tim të lindjes e kishte kapluar heshtja dhe mërzija. Njerëzit kishin humbur shpresën dhe më dukeshin të kalamendur.
Në oborrin e shkollës së re u përpoqa tu jap kurajo, anipse brenda tij ishte ngritur busti i të rënëve dhe martirëve të luftës së fundit çlirimtare, dy prej të cilëve ishin nxënës të mi për të cilët ndjeja dhimbje gjë që njëkohësisht më shtonte krenarinë. Po ajo tokë e pasur përreth me pemë e vreshta, tashmë e gjitha e mbuluar me barishte të egra dhe djerrë, ma gërvishte shpirtin. Agimi me Xhaferin e pinë edhe nga një gotë verë me Tahirin dhe u habitën kur unë e refuzova. E kam lënë thash qëkur u arratisa!

Me Xhafer Shatrin e Agim Pacarizin duke pirë kafenë në “Kalanë e shpellave” në Gjenevë

Ata nuk më thanë më asgjë, e kuptuan se Anija e shpirtit tim kishte filluar të mos u bëjë ballë më dallgëve të furishme të kujtimeve të hidhura, diktuan në sy shqetsimin tim dhe nuk më davariten më.
– E di tha Xhaferi, dikur ishim më të fortë dhe kishim shpresë, po duhet të përmbahemi. Shpirti ynë rron. Më dha kurajo mbrëmë Michele, ka 600 vjet që s harrojnë. Ndoshta edhe me ne do të ndodh mrekullia.
– Po, – i thashë, po Kronikat po thonë ndryshe, ti e di më mirë këtë Xhafer! Durrësi në Antikitet kishte mbi 30 000 banorë, tash pas afër 3000 vitesh nëse vazhdon ky trend sërish nuk do të mbeten më tepër se 30 000!? Nëse kronikanët nuk kanë gabuar, statistikat nuk na japin shumë shpresë.
Po, meqë shpresa vdes e fundit, mbetet – Të shpresojmë!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu