Nga: Gjergj – Bajram Kabashi
Golgota (Golgata) është emri i vendit në Jerusalem (Izrael), ku është kryqëzuar Jezu Krishti, sipas katër Ungjijve të Biblës.
Emri vjen nga arameishtja Gûlgaltâ, ndërsa në latinisht quhet Calvaria. Në Greqisht, sipas Wikipedia-s, përdoret emri Κρανίου Τοπος.
Disa mendime për Sinan Kastratin dhe vuajtjet e tij në Burgun e Prishtinës dhe Ferizajt, si dhe për poshtërimin dhe terrorizimin që e përjetoj në Doboj, si ushtar i “APJ”-së
Në të vërtetë, une do ti flas dy-tre fjalë për një person të munduar në jetë, sikurse që janë të munduar e poshtëruar shumë shqiptarë të tjerë në periudhën e gjatë të pushtimit serb, me ndihmën e pakursyer të “UDB-ashëve tonë”.
Fjalën e kam për Sinan Kastratin, që tash jeton në Suedi. Kam qenë një apo dy vite pas tij në fakultet, si student i letërsisë në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë një student i shkëlqyeshëm i letërsisë. Për kulturën dhe zellin e tij studimor më ka pas folur shumë vite më vonë edhe profesori i Letërsisë Botërore dhe ndoshta themeluesi i kritikës letrare ndër ne në Kosovë, Hasan Mekuli, tashmë i ndjerë, përderidsa e zhvillonim një bashkëbisedim të gjatë për krijimtarinë e tij si kritik i letërsisë etj. Profesori Mekuli e kujtonte Sinan Kastratin si një student të shkëlqyeshëm dhe atdhetar të sinqertë. Rruga jetësore e Sinan Kastratit, është një rrugë e pa fund e vuajtjeve dhe qëndresës së një atdhetari dhe idealisti të pathyeshëm e të ndershëm në veprimet e tij, i cili nuk e ka aktruar kurrë atdhedashurinë. As dje e as sot!
Sinani për së gjalli e ka përjetuar ferrin jetësor, kryqëzimin dhe gozhdimin e tij në jetë, qoftë prej armiqëve apo edhe prej shërbëtorëve të tyre shqipfolës, andaj jeta e tij është një Golgotë e pa fund, deri në ditën e sotshme.
Në Revistën Drini une ia kam botuar me dëshirë e kurreshtje profesionale një varg fejtonesh dhe dosjesh nga rrëfimet e tij të hidhura e të pasosura nga dhuna e vuajtjet që ia kanë shkaktuar atij dhe të tjerëve si ai. Sinani i tregon disa të vërteta të hidhura për jetën nëpër të cilën kemi kaluar dhe që e kanë detyruar të kalonte vet dhe me shokët e tij, të tilla që të rikthejnë në kujtesë acarin e madh të pushtimit serbomadh.
Për çudinë e shumëkujt, megjithëse kanë kaluar mbi 40 vite nga burgosjet e të rinjve, ku ishte edhe Sinani ndër studentët kryengritës të UP-së, bijt e familjeve “patriotike” të paracaktuara për të aktruar atdhetarinë shtinjake udbashe, apo vet dhunuesit, vazhdojnë ta shqetësojnë Sinan Kastratin për faktin e vetëm se po kallxon se çka i ka ndodhur dhe prej kujt. E shqetësojnë jo vetëm atë, por edhe mua që i lë hapësirë shprehjes së lirë të tij. Mua më vije jashtëzakonisht keq që këtë burrë të paepur dhe aq të torturuar e të keqtrajtuar, vazhdojnë ta shqetësojnë edhe sot.
Kjo është e trishtueshme dhe flet mjaft keq për ne si popull.
Sidoqoftë, une do të vazhdoj pa u hamendur që atij dhe jo vetëm atij t’ia çeli dyer e dritare, në mënyrë që njerëzit si Sinan Kastrati të shprehen deri në fund. Ata që nuk pajtohen me mendimet e tij le të shkruajnë dhe ta thonë të kundërtën e asaj që ky e thotë, kuptohet nëse kanë çka të thonë, e jo ta shqetësojnë atë dhe tjetrin me letra anonime apo hapur, siç tregon Sinan Kastrati.
Duhet ta kuptojmë e mbajmë në mend se Kosova nuk ia ka la borxhin Sinan Kastratit dhe shumë të tjerëve si ai.
* I burgosur në vitin 1981.
* I munduar dhe torturuar mizorisht në Burgun e Prishtinës dhe Ferizajit.
* I “vizituar” dhe mashtruar nē burg nga patriot të UDB-ës, të cilëve ua sheh sherrin edhe në ushtri, në Doboj, kur e riburgosin.
*Në Doboj të Bosnjes për ta arrestuar e burgosur ia kishin inskenuar “vjedhjen” e shulit të pushkës automatike, me qëllim që ta akuzonin dhe burgosnin, siç e burgosën.
* Pas burgut, për të mbijetuar, në situatën kur “askush se donte armikun e shtetit”, Sinani detyrohet që për një kohë të bëhet “çoban lopësh”, e pastaj që të punoj edhe konduktor autobusësh të Kosovatransit.
* Ne Suedi ka punuar gjithë kohën deri Sot si arsimtar i mësimit plotësues të gjuhës amtare.
Siç më tregoj së fundmi, ai nuk ndihet mirë me shëndet, andaj po nxiton me kallxue sa më shumë nga përjetimet e tij të hidhura në jetë.
Të premten më 18 shtator 2020, më kishte shkruar Sinani, kisha disa analiza (shtypjen, peshën, gjatësinë, frymarrjen, zemrën, mushkëritë dhe EKG-në me një aparat, në trup) e dje i bëra disa fotografime në trup (Rentgen).
Natyrisht që Sinani ka çka me kallxue, por dikujt po i pengon shumë ajo që është duke e rrëfyer!
Ky është një gabim i madh. Rrëfimet e tij janë rrëfimet e tij nga përjetimet që i ka pasur në jetë. Rrëfimet e mija, janë rrëfimet e mija. Ato mund të vërtetohen lehtë, nëse ka interesim për t’i vërtetuar. Nëse une, për shembull, nuk ia paskam qëlluar për një ngjarje, ndodhi, person, le të më demantojnë. Kjo është e tëra. Kaq mjafton.
Mendoj që ata të cilëve s’po u pëlqejnë rrëfimet e Sinan Kastratit, duhet ta vënë gishtin në kokë e t’i thonë vetes se nuk duhet të ndihen fajtorë për “bëmat” e të tjetëve, qoftë të prindit, vëllait, axhës, apo të birit.
Nëse dikush e paska mashtruar dhe tradhëtuar Sinan Kastratin përderisa ishte në burg, “nuk e ke tradhëtuar ti”, por ai!
Përgjejgësia është individuale, e jo familjare !
Golgotha në Jerusalem, Izrael
Përjetimet e mija në ushtrinë jugosllave, kur shërbeja në kazermën e Nikshiqit në Mal të Zi
Duke menduar rreth inskenimit mizor të “vjedhjes së shulit të pushkës” automatike të Sinan Kastratit, kur ishte i detyruar të shërbente në ushtrinë jugosllave (e njohur si “APJ”), si shkas për ta burgosur, mu kujtua një provokim i ngjashëm ndaj meje në kazermën e atëhershme ushtarake të “APJ” në Nikshiq të Malit të Zi. “Në Ushtri”, siç thuhej në atë kohë, kisha shkuar që nga fillimi i korrikut 1983, sapo i kisha mbushur disa muaj si gazetar fillestar i gazetës Rilindja, ku vetëm mua nuk ma dhanë vendimin e punës. Kështu që mosbesimi ndaj meje në kolektivin e gazetës Rilindja, vazhdoj në Nikshiq të Malit të Zi shkëmbor gjatë gjithë kohës së shërbimit të deyrueshëm në Ushtrinë Jugosllave. Kësaj i thonë Ndjekje, apo jo? Pasi e kishim kryer pjesën përgatitore-ushtrimore (serbisht=obuku), mua për të më poshtëruar si gazetar dhe intelektual të ri shqiptar, më dërguan në “Tovarni Vod”, që me disa ushtarë “të hunit e të konopit” të kujdeseshim për kafshët shtëpiake, kuajt, derrat, delet, qentë etj, etj. Në të vërtetë në atë njësi ushtarake, sikurse e kuptova më vonë, i qonin vetëm ata që në një mënyrë apo tjetër, sipas dosjes së tyre civile, tregohej se kanë rënë në kundërshtim apo e kanë shkelur ligjin apo të tjerë si une, që vija nga një “familje e papërshtatshme”!
Qysh në fillim, në mbrëmje, filloi provokimi i rrezikshëm ndaj meje.
Na thanë se duhej të shkonim “Tek Kuajt”, në “Tovarni Vod”.
Një serb që kishte përgjegjësinë si kujdestar aty, mua mi zgjodhi “dy kuaj më të urtë” (sipas tij!), njërin që quhej “Tosha” dhe tjetrin “Vidra”. Më këshilloj se si duhej “ti qasesha kalit” që ta zgjidhja e dërgoja me pij ujë. Por, kjo kishte qenë një kurth e parapërgatitur. Pasi kalit i drejtohem sipas urdhërit “ushtarak”: “Primi Tosha!”, u ngrit “Tosha me dy kambët e mbrama sa për një qime floku desh më mbyti!”.
Atëhere une mbeta në mes të ndarëses së kuajve me drunj special dhe po të mos ishte një person që do t’ia përmendi vetëm inicialet e emrit e mbiemrit, M.K. nga Vushtria, ndoshta sot nuk do të isha i gjallë apo do të kisha vuajtur si invalid gjithë jetën. Ai më tregonte me kënaqesi (!) se është HAJN dhe rrëfente me lumturi e ngazëllim të madh për hajnitë e tij dhe vjedhjet “artistike” kur vishej si “intelektual” dhe ulej në trenin e Akropolis-it në relacionin Beograd-Fushë-Kosovë etj. Apo kur i priste njerëzit me orë të tëra në “Tregun e Gjave” (Tregu i Kafshëve), derisa t’i shnin qetë (kitë e zgjedhës) dhe ua merrte paret. Tregonte se si një operativist nga policia e Vushtrrisë i ka zbuluar vjedhjet e tij etj. Më vonë nga literatura e pata kuptuar se etja e tij për të vjedhur ma shumë kishte qenë një vuajtje psiqike, që quhet Kleptomani.
Mirëpo M. K. , si një person “i hunit dhe konopit” nuk e dij as vet se si i hyni kalit nën bark, duke e kapur për organin gjenital!
E pabesueshme por, e vërtetë …
Atëhere, M. më tha: “Largou se sa ta mbajë kështu, ky jo që nuk lëviz por ka me ndejt si qingj!”. Dhe ndodhi mu ashtu … M.K. nga Vushtria kurrë më nuk e kam takuar në jetë, por nuk ia kam harrue as emrin e as mbiemrin e as veprën e tij tejet njerëzore ndaj meje, një veprim në dukje banal por që mua ma pati shpëtuar jetën, ku për pak pata ra, si thotë kënga e vjetër popullor për Rexhën: “N’grazhd t’kalit!” të ushtrisë jugosllave?! …
Aty arrita ta kuptoja se “sa ishte ora” për mua dhe çka mund të më ndodhte në çdo moment, pasi ishte e qartë se tashmë kishin qëllim të më përgatisnin ndonjë gropë a kurth që të më përcillnin në shtëpi “n’sanak” (arkivol), si shumë shqiptarë të tjerë të pafajshëm në atë kohë. Natyrisht që ruhesha ma shumë se që duhet të ruhet njeriu, pasi përreth silleshin disa ushtarë shqiptarë të poshtër e rrugaç, provokatorë e ngucakqinj njëherit. Sidomos ishin të rrezikshëm ushtarët serb me arsimim universitar, nja dy prej të cilëve më ngacmonin në mënyrat më perfide të mundshme.
“Tovarni Vod-in” e udhëhiqte një major me mbiemrin Perishiq, që ishte doktor i veterinarisë. Megjithëse në atë kohë me njohjen e “serbishtes sime” nuk ia lija aspak mangut, sytë nuk donte të mi shifte …
Kot sillesha mirë dhe rrija urtë. Thjeshtë, pa e bërë asnjë problem, sytë nuk mund të mi lëshonte. Perishiq-i nuk mund të më duronte sepse ai më kishte “pa” mirë në Dosje dhe aty nuk më kishte “pa” si një Njeri e Shqiptar, por si një ndër “irredentistët …” e urryer, armiqët e ish-Jugosllavisë.
Të këtillë ishin ushtarakët e asaj kohe, sidomos ata që ishin të shërbimit të fshehtë ushtarak.
Në një ditë të prillit 1984, Major Perishiq më pati nxjerrë prej rreshtit ushtarak përderisa ishim përjashta në pistë duke pritur të hynim në kuzhinën ushtarake që të ushqeheshim, duke më bërtitur e më turpëruar para të gjithë ushtarëve që ishin aty, si të ishte i çmendur:
– “Kabash, dil prej rreshtit!”, më tha me ashpërsi, duke më ekspozuar dhe rrezikuar para mbi 100 ushtarëve që prisnin t’u vinte rendi që të drekonin, për të cilët nga ai moment tragjik për mua, une “isha armik i Jugosllavisë”. Do të thotë mund të rrezikohesha prej kujtdo. Qiste shkrumb e vrerë prej goje Majori Perishiq, duke vazhduar të më bërtiste dhe fyente. I bindur në pafajësinë time absolute dhe i bekuar që në atë kohë e njihja serbishten shkëlqyeshëm, pasi tashmë më kishte larguar në një distancë që e kishte parë të arsyeshme dhe tashmë nuk mund të më ndëgjonte askush prej ushtarëve të tjerë, ia ktheva me zë bukur të ngritur, kuptohet me fjalorin e matur kulturor-politik që përdorej në Jugosllavinë e kohës.
Fjalë pas fjale, megjithëse nuk përmendi ndonjë emër, më tha që “ti je i afërt me armiqët e Jugosllavisë që qëndrojnë në Zvicër!”. Meqenëse ato ishin sajime provokative të mendjes së tij, ia ktheva se krejt çka je duke thënë janë trillime, pasi une nuk kam asnjë afri me askend për të cilin ti po aludon. Shihej qartë se aludimi ishte në Xhafer Shatrin, të cilin e njihja nga koha kur isha fëmijë, si nxënës i klasës së tetë të fillores.
Asgjë më shumë …
Nuk vonoj shumë dhe erdhi 13 Maji 1984, që njihej si Dita e Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë.
Vodnik-u, një boshnjak, më tha se une e disa të tjerë DUHEJ të shkonim në një stadion që ishte i ngritur mes shkëmbinjsh në Nikshiq, që t’i dëgjonim fjalimet e eprorëve ushtarak “për atë ditë të rëndësishme”. Natyrisht që nuk kisha rrugë tjetër, pos që të shkoja. Ec e guxo të kundërshtosh! Aty i takova nja dy të rinj shqiptarë, ushtar “shtalba”, të cilët posa i kishin mbushur 18 vjet jete dhe i kishin flugur në ushtri. Edhe ata i kishin sjellë aty. U ula me ta në shkallët e gurta të atij stadioni dhe përderisa e mbante fjalimin e tij një gjeneral malazias i Luftës së Dytë Botërore, fjalimin e të cilit e përcillja “shumë i koncentruar”, në anën tjetër të stadionit gjatë gjithë kohës nuk na i ndanin sytë disa epror të lartë ushtarak!
Për fat të mirë, dy ushtarët e ri shqiptar nuk kuptonin asgjë nga domethënia e asaj atmosfere dhe as une nuk isha aspak i interesuar që t’i informoja.
E kështu me rradhë.
Dikund kah fundi i muajit maj 1984 apo fillimi i qershorit të atij viti, kur më kishin mbetur edhe një muaj ditë që ta kryeja shërbimin ushtarak, na mblodhi Majori Perishiq dhe nisi të na fliste të gjithëve që ishim në shërbim tek “Tovarni Vod”, duke e mbajtur shikimin ma shumë nga une. Kisha një parandjenjë të keqe. Përderisa vazhdonte të fliste e bërtiste, kur po thotë: “Përderisa mbrëmë pas mesit të natës kujdestar i “Tovarni Vodit” ka qenë ushtari Kabashi, këtu ka ndodhur një sabotim i madh, duke dashur që t’i shpërthenin “bojler-ët” e mëdhenj të ujit dhe t’i mbysnin të gjithë kuajt?!
Rrenë mas rrene. Shpifje mas shpifjeje. Intrigë pas intrige.
Si të ruheshe kur ishe aq i pafuqishëm nga eprorët e një armate mizore, tashmë qartësisht antishqiptare.
____
Me 5 korrik 1984 vetëm kur erdha te Shpija në Gurrakoc, arrita ta kuptoja se e kam kryer ushtrinë, atë tmerr e ferr të kohës që e kujtoj edhe sot për pasojat tragjike për shumë ushtarë shqiptarë.
I vetmi ngushëllim është që Jugosllavia Serbe që na mundonte e vriste pandërpre, nuk ekziston më!
_____
Ky dhe shkrime të tjera që i kam shkruar ndër vite, do të ribotohen sërish pasi Drini vazhdon të sulmohet vazhdimisht dhe shumë shkrime po zhduken në mënyrë të pakuptueshme. Shkrimi që ribotohet më herët është botuar në Revista Drini më 22 Shtator 2020