RRËFIMI IM PËR 5 MARSIN
___
Të gjithë ishim në gjumë. Aty rreth orës pesë të mëngjesit, në dyert e oborrit u dëgjua një e trokitur e fortë. U vesha shpejt dhe dola në oborr. Baba erdhi i shqetësuar nga takimi me njeriun që trokiti. Na tregoi se ishte Zymeri i Qazimit, një kushëri i yni. Zymeri kishte lajmëruar se në Ternavc, fshat ky në veri të Prekazit, ishin grumbulluar forca të mëdha policore. Një pjesë e tyre kishin hyrë në rrugën e Prekazit.
Kaq mjaftonte që të besonim se këto forca kishin për cak arritjen te shkolla e Prekazit. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë lagjja jonë praktikisht do të vendosej nën rrethim. Baba urdhëroi: “Çohuni e bahuni gati, që mos ta na zanë në gjumë”. U ngritën të gjithë, duke pasur në mendje atë që kishte ndodhur në Qirez e Likoshan, pak ditë më parë. Trishtimi ishte i madh.
Nuk vonoi dhe u dëgjua një zhurmë e madhe. Ishin tanket që po lëviznin nga Ternavci drejt Skenderajt. Nata ende nuk kishte kaluar dhe në qetësinë e saj zhurma që bënin tanket ishte edhe më e frikshme. Askush nuk e dinte çfarë po ndodhte. Në sokak ishin grumbulluar njerëzit e lagjes.
Qysh nga vjeshta e vitit 1997, në objektin e ish Fabrikës së Municionit, kishte pasur koncentrim të njësive policore serbe, dhe dikush, që ju kujtua kjo gjë, dha mendimin se ndoshta kjo lëvizje tankesh ka të bëjë me ndonjë zëvendësim njësish. Ah, sikur të ishte kështu! Kush e dinte vallë të vërtetën në ato momente?
Në pjesën e poshtme të Prekazit, nuk lëvizte gjë. Për pak kohë, zhurma e tankeve u ndërpre. Si duket kishin arritur në Skenderaj. Qetësia u prish nga disa rafalë armësh që u dëgjuan në kodrën mbi Skenderaj, e cila ndan qytetin nga fshati i Llaushës. Menduam se po sulmonin në Llaushë. Aty kishte pasur zhvillime dramatike që nga nëntori i vitit 1997. Kishte ndodhur një konfrontim i armatosur në mes të një grupi të UÇK-së dhe policisë serbe. Një ditë pas kësaj, në varrimin e mësuesit Halit Geci, që u vra nga policia ditën e konfrontimit, u shfaqën publikisht tre pjesëtarë të uniformuar të UÇK-së.
Kujtimi i këtyre ngjarjeve na bëri të mendojmë se tani serbët ishin kthyer për t’u hakmarrë. Pastaj, u dëgjuan dy të shtëna pushke. Ato ishin shumë më afër se të parat. Dikush tha se këto vinin nga pjesa që ndan Prekazin dhe Klinën e Ulët. Çfarë ishte duke ndodhur?
Nuk mund të kenë kaluar më shumë se dhjetë minuta kur pamë një grumbull të madh burrash, grash e fëmijësh të lagjes së Dushkajes që po iknin të tmerruar arave në drejtim të lagjes sonë. Gjërat filluan të qartësoheshin. Policia serbe po hynte në Prekaz. Atëherë, dikush tërhoqi vëmendjen nga Lagjja Jashari. Nëpër rrugën që shpie nga Skenderaj, në drejtim të kësaj lagjeje, dukeshin mjete të blinduara ushtarake. Misteri i të gjitha atyre lëvizjeve, që nuk poi lidhnim dot, tani u zbardh për ne. Po rrethohej Lagjja Jashari.
Duhet të ketë qenë ora 6:30 e mëngjesit kur nisën të shtënat. Ishte një shkëmbim zjarri që veç në filma e kisha parë. Tashmë ishte bërë ditë dhe gjithçka dukej qartë. Kishte filluar një sulm masiv mbi kompleksin e shtëpive të Adem Jasharit. Si dukej policia kishte vënë në zbatim një operacion të neutralizimit të shpejtë të objektivit, por kishin hasur në rezistencë të fortë brenda shtëpive të sulmuara.
Ky shkëmbim zjarri nuk zgjati më tepër se gjysmë ore, kur çfarë të shohim – nisi një granatim masiv i shtëpive. Kishte filluar si duket Plani B: bombardimi me artileri i objektivit. Brenda dy-tre orësh gjithçka u mbulua nga tymi i shtëpive që kishin marrë flakë. Deri në mesditë, siç na tregoi një kushëri që i kishte numëruar, mbi shtëpitë e Adem Jasharit dhe shtëpitë tjera të Lagjes Jashari, ishin hedhur 125 predha artilerie. Gjithçka ishte përtej imagjinatës. Një ushtri me artileri të rëndë ishte hedhur në sulm kundër një familjeje të vetme. Rrëfimi biblik i ndeshjes së Davidit me Goliatin është i varfër në krahasim me atë që po ndodhte atë ditë në Prekaz.
Gjatë asaj kohe, gratë dhe fëmijët e lagjeve tjera u larguan në drejtim të Mikushnicës e Lubovecit. Me disa kushërinj të mi u nisa në drejtim të shkollës së Prekazit. Në afërsi të saj, në Malin e Mikushnicës, ishin grumbulluar një grup njerëzish. Disa prej tyre ishin të armatosur. Bisedonin që ta sulmonin policinë nga drejtimi i Lagjes së Dushkajes, por çfarë mund të bënin realisht me ato tre-katër armë dhe atë pak municion që kishin!? Dikush thoshte se duhej thirrur secili që ka ndonjë armë, e dikush se ndoshta njerëzit e UÇK-së, të shpërndarë nëpër fshatra, janë duke ardhur në ndihmë, e ndonjë tjetër evidentonte faktin se Prekazi është një territor i hapur e pa pyje dhe kjo e bënte të parealizueshme idenë për t’iu afruar vijës së rrethimit, për ta goditur më pas. Dy burra të fshatit Duboc, që kishin provuar këtë gjë, ishin goditur që larg nga policia. Njëri prej tyre,vdiq në vend. Tjetri, me plagë të mëdha, ia doli të tërhiqej me të rënë nata.
Në orët e para pas mesditës, erdhën të gjallët e parë nga Lagjja Jashari. Në mesin e tyre ishte një djalë i plagosur rëndë. Quhej Riad. Vëllai im Xhevdeti, mjek me profesion, ia dha ndihmën e parë, aty në Malin e Mikushnicës. I plagosuri ishte në gjendje shoku. Mes dhimbjeve të tmerrshme që po ia shkatërronin trupin, tregonte se si policia kishte hyrë nëpër shtëpi duke ekzekutuar secilin që haste. Prej tij kuptuam emrat e parë të të vrarëve në Lagjen Jashari.
Orët po kalonin ngadalë, tmerrësisht ngadalë, ngase të gjithë e prisnim me padurim natën. Mendonim se bashkë me natën do të vijnë edhe shpëtimtarët. A nuk kishte thënë dikur Azem Bejta, prijësi legjendar i kaçakëve, se “dita është e hyqymetit, e nata është e jona”. Të gjithë e besonim vetëm një gjë: Ademi është gjallë dhe me të rënë nata do dalë nga rrethimi. Njësoj si heronjtë e legjendave dhe këngëve të vjetra epike. Nata erdhi dhe dëshirat e njerëzve morën krahët e imagjinatës dhe spekulimeve. Flitej se Ademi kishte dalë nga rrethimi. Flitej se e kishin parë në Mikushnicë. Flitej se ishte i plagosur, por ndodhej jashtë rrethimit. Flitej e çfarë nuk flitej, vetëm vdekjen e tij askush s’e mendonte. Legjenda për të kishte marrë udhë. Një komb i tërë do të ngrihej në këmbë prej saj. Frika nga vdekja ishte mposhtur. Dhe, me këtë, siç do të thoshte Hegeli, tirani e kishte humbur betejën e parë me të shtypurin.
Të gjithë shqiptarët do ta kujtojnë me dhimbje e krenari qëndresën dhe sakrificat e familjes Jashari që dhanë krejt çka patën për t’ia sjell Kosovës Lirinë !
Lavdi e përjetshme!
Të gjithë shqiptarët do ta kujtojnë me dhimbje e krenari qëndresën dhe sakrificat e familjes Jashari që dhanë krejt çka patën për t’ia sjell Kosovës Lirinë !
Lavdi e përjetshme!