Nga: Blerim Metaj
___
Gjatë një takimi me priftin Don Anthony në qytetin e Schaffhausen-it, Zvicër, pata rastin të diskutoj mbi procesin e rikthimit të shqiptarëve në Kishën Katolike. Për habinë time, Don Anthony ishte shumë i mirëinformuar mbi këtë proces dhe më ndau të dhëna të rëndësishme. Ai na tregoi se, ndër grupet e ndryshme që po rikthehen në katolicizëm në Zvicër, shqiptarët zënë një vend të spikatur, duke u renditur menjëherë pas personave me prejardhje nga India.
Na befasoi fakti që shqiptarët po udhëheqin këtë valë rikthimi, duke e bërë atë në përmasa të konsiderueshme, shpesh përtej asaj që shfaqet në meshat dhe pagëzimet masive. Sipas priftit, shumë prej këtyre pagëzimeve ndodhin në mënyrë anonime, një fenomen që reflekton natyrën e ndjeshme të procesit për shumë familje shqiptare.
Gjatë kësaj mbrëmjeje, takuam gjithashtu një prift të misionit kroat, i cili na dha një perspektivë shtesë. Ai na informoi se një numër i madh shqiptarësh po marrin pjesë edhe në meshat katolike kroate. Kur e pyetëm për arsyen e kësaj dukurie, ai shpjegoi se shumë familje shqiptare kanë frikë se procesi i pagëzimit të tyre mund të politizohet ose të përdoret nga individë të caktuar për përfitime personale. Këta individë, sipas tij, e shfrytëzojnë këtë proces të shenjtë për të ndërtuar një imazh personal të bazuar në euforinë dhe simpatinë e masave, shpesh duke e kthyer atë në një spektakël publik.
E vërteta është se ky proces ka një dinamikë të natyrshme dhe të pandalshme, e cila nuk ndikohet nga asnjë individ apo grup i veçantë – madje as nga ata që përpiqen të shfaqen si “pejgamberë me shall”. Shqiptarët e kanë krishterimin të rrënjosur thellë në historinë e tyre, dhe kjo ndjesi shpirtërore nuk mund të ndikohet apo tjetërsohet nga ndikime të jashtme.
Si Lëvizje Shqiptare për Rikthim në Katolicizëm, qëllimi ynë kryesor është t’u ofrojmë mbështetje dhe informacion shqiptarëve që dëshirojnë të rikthehen në Kishën Katolike. Ne sigurojmë që ky proces të jetë i qartë dhe i respektuar, duke përfshirë sakramentet e pagëzimit dhe të tjera të domosdoshme për një besimtar katolik. Ndryshe nga disa, ne nuk kërkojmë asnjë përfitim nga ky proces – as financiar, as mediatik.
Angazhimi ynë është të sigurojmë që ky rikthim të ndodhë në mënyrë të natyrshme dhe me dinjitetin që e karakterizon popullin tonë. Shqiptarët po dëshmojnë se rrugëtimi i tyre shpirtëror është një udhëtim i bazuar në traditën, historinë dhe besimin e tyre të thellë.
* Blerim Metaj është anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Shqiptare për Rikthim në Katolicizëm