Nga punimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës
Në këtë seancë raportoi kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, për takimin e fundit në Bruksel lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Fillimisht, kryeministri Kurti tha se më 26 tetor në margjina të Samitit të Këshillit Evropian në Bruksel zhvilloi takim me krerët e Bashkimit Evropian, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian, Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij për rajonin e Ballkanit dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajcak.
Në këtë takim, Kurti shtoi se së pari dhe mbi të gjitha ka kërkuar më shumë siguri në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nga Serbia erdhi agresioni ndaj Kosovës me paramilitarët, të cilët e kryenin sulmin terrorist të sponsoruar nga Serbia. Kërkova po ashtu që të bëhet edhe ndëshkimi e sanksionimi i Serbisë për këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, pasi mosndëshkimi bëhet inkurajim për përsëritje”, theksoi Kurti.
Ndër të tjera, Kurti tha se ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për Bashkim Evropian dhe që pesë shtetet mos njohëse t’i bashkohen 22 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës.
Më pas kryeministri Kurti dha detaje të tjera nga takimi i 26 tetorit në Bruksel.
“Para krerëve të Bashkimit Evropian si dëshmitarë dhe si garantues ne ofruam të nënshkruajmë Marrëveshjen Bazë të Brukseli të 27 shkurtit, me gjithë Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit, si dhe propozimin për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes në lidhje me nenin 10, pra për idenë e vetëmenaxhimit të shndërruar në propozim. Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe zbatim. Mirëpo, pranimi do të thotë nënshkrim, e vetëm nënshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim. Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel ishte ngjarja, por edhe vendi, edhe kryeqyteti ku kjo do të duhej të ndodhte. Serbia refuzoi sërish nënshkrimin, duke refuzuar kështu edhe draftin për vetëmenaxhim apo zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes në lidhje me nenin 10 të marrëveshjes bazike”, tha Kurti.
Tutje, kryeministri Kurti tha se ka mirëpritur deklaratën e përbashkët nga krerët e Bashkimit Evropian dhe shteteve të Gjermanisë, Francës dhe të Italisë të 27 tetorit për thirrjen për njohjen de-fakto të Kosovës nga Serbia, si dhe deklaratën e Presidentes së Komisionit Evropian znj. Ursula von der Leyen, e cila ishte për vizitë këtë të hënë në Kosovë.
Normalizimi i plotë i marrëdhënieve është interes i dyanshëm, shtoi Kurti, duke shtuar se prandaj edhe kërkohet njohje-reciproke. “Njohja de-fakto reciproke që është arritur tashmë me Marrëveshjen e Brukselit, ajo duhet të zbatohet. E ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian dhe në aleancë, miqësi e partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën e Kosovës, Marrëveshja Bazike në Bruksel dhe Aneksi në Ohër janë ligjërisht të obligueshme”, tha kryeministri Kurti.
Kryetari i PDK-së, deputeti Memli Krasniqi kritikoi qasjen e kryeministrit Kurti përballë deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me takimin e 26 tetorit në Bruksel.
Ai tha se kryeministri Kurti nuk foli për draftin e marrëveshjes për të cilin është ftuar të flas në Kuvend.
“Një e vërtetë e madhe prej të cilës nuk mund të largohesh është se ke pranuar asociacionin pa njohjen e ndërsjellë. Po flet për disa njerëz të mençur të disa shteteve mike, por po harron se dy presidentët e fundit amerikanë kanë thënë se ‘angazhohemi për marrëveshje gjithëpërfshirëse, finale me njohje në qendër’. Sot nuk është njohja në qendër. Nën kujdesin tuaj është hequr njohja, është bërë një marrëveshje e përkohshmë, jo finale, jo gjithëpërfshirëse, por e pjesshme me asociacionin në qendër, e sipas atij nenit shtatë me autonomi politike për serbët në qendër”, theksoi Krasniqi, duke shtuar se kjo është arsyeja që PDK-ja ka thënë se kjo marrëveshje nuk është e mirë për Kosovën.
Edhe kryetari i LDK-së, deputeti Lumir Abdixhiku, ishte kritik ndaj kryeministrit Kurti.
Abdixhiku tha se ndonëse janë bërë dy javë pasi që kryeministri Kurti ka pranuar një dokument që për herë të parë definon statutin e asociacionit, deputetët vazhdojmë të jenë në terr informativ.
“Gjithsesi sot jemi para një gjendje të re. Kryeminstri ka bërë atë që kemi paralajmëruar se do ta bënte në fillim të këtij viti. Pra, do të pranonte asociacionin. Përkundër refuzimit të atëhershëm se ky pranim po ndodhte, statusi i asociacionit na vije çuditrisht një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë. Them çuditrisht, sepse kur pritjet tona ishin se beteja kundër terrorizimit do të shfrytëzohet në përballje diplomatike, ne jo vetëm që mbetëm me sanksione, jo vetëm që Serbia nuk u sanksionua, por se ne së bashku me ta pranuam statusin e asociacionit dhe ende jemi në sansione”, tha Abdixhiku.
Në emrin e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari Besnik Tahiri, e cilësoi papërgjegjësi totale raportimin e vonuar të kryeministrit Kurti, duke mos shpalosur informacione.
“Konfidencialiteti i dokumentit për Serbinë dhe përfaqësuesit e saj mund të jetë taktizim, por për Kurtin mungesa e transparencës dhe përfshirjes së publikut, së Kuvendit dhe akterëve të tjerë është arrogancë dhe është vazhdimësi e mashtrimit të tij që nga dita e parë kur ka ardhë në Kuvend”, u shpreh Tahiri, duke shtuar se pasojë e taktizimeve të Kurtit ndaj Kosovës janë vendosur sanksione.
Në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, kryetarja Mimoza Kusari-Lila, përmendi sfidat, por edhe progresin të cilin ka shënuar Qeveria e Kosovës, përfshirë edhe në veri të vendit.
“Shpresoj se nëse bëhemi bashkë dhe nuk përsërisim gabimet e të kaluarës natyrisht se e ardhmja jonë për integrim evropian dhe NATO është e sigurt. Situtata në terren ka ndryshuar rrënjësisht dhe si i tillë çdo diskutim i deritashëm për dialogun lehtësohet nga pesha e rëndë e gjendjes së mëhershme që ishte në veri dhe se avancimi i procesit të integrimit të të gjitha komuniteteve po vazhdon me një progres të cilin nuk e kishim deri më tani”, tha Kusari.
Në emër të Grupit Multietnik, Enis Kervan, tha se minoritet e kanë përkrahur dialogun nga fillimi, sigurisht duke shpresuar në një marrëveshje të mundshme me synim normalizimin e jetës politike dhe shoqrore në Kosovë.
“Duhet të theksohet edhe njëherë se Kosova është një shtet multietnik, ku jetojnë edhe komunitetet tjera joshumicë. Ne si komunitet kërkojmë që të jemi të informuar dhe të kontribuojmë në këtë proces, duke e mbështetur dialogun dhe duke e mbështetur qeverinë. Nuk duhet të harrojmë se çdo gjë është ndryshuar pas 24 shtatorit. Akti i 24 shtatorit është kryer me mjete terroriste dhe për qëllim Serbia kishte të pushtojë territor të Kosovës”, theksoi Kervan.
Në këtë debat morën pjesë edhe deputetët tjerë nga pozita dhe opozita, duke shprehur mendime të ndryshme për dialogun, përfshirë edhe për marrëveshjen e 26 tetorit në Bruksel. Për vazhdimin e kësaj seance me pikat tjera, kryetari Konjufca tha se deputetët do të njoftohen me kohë.