ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Serbia u hakmor me kidnapimin e tre policëve pas arrestimit të Milun Milenkoviç – Llune, ndaj aksioneve për sundim të rendit dhe ligjit në Republikën tonë

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Prishtinë, 20 qershor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, kanë mbajtur sot konferencë për media. 

Forhåndsvisning av bilde

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në konferencën për media: 

Të nderuara medie,

Të dashur qytetarë,

Mirëdita dhe ju falemnderit që i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës sonë për këtë konferencë të ftuar së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonjën Donika  Gërvalla- Schwarz.

Në mesditën e 14 qershorit, u ushtrua agresion i Serbisë ndaj shtetit demokratik të Kosovës, me rrëmbimin e tre zyrtarëve të Policisë sonë, thellë në brendi të territorit të Republikës. Ky akt agresioni i pashembullt nga formacionet ushtarake policore të Serbisë është hakmarrje direkte ndaj Policisë së Kosovës, vetëm e vetëm sepse po luftohet krimi i organizuar, dhe që ka për synim destabilizimin atëherë kur veç një ditë para, pra më 13 qershor, patëm propozuar planin pesë pikësh për deeskalim të plotë të situatës në veri të vendit tonë.

Arrestimi i kapos të krimit të organizuar dhe njërit prej krerëve të ashtuquajturës “Mbrojtje civile”, strukturë ilegale kjo e Serbisë në Kosovë, Milun Milenkoviç – Llune, shfaqi efikasitet të jashtëzakonshëm, dhe nga ana e Serbisë u përcoll me hakmarrje ndaj aksioneve për sundim të rendit dhe ligjit në Republikën tonë. Një ditë pas arrestimit, Serbia pra, përdori instrumentin më qyqarë e të kundërligjshëm ndërkombëtarisht, pra atë të rrëmbimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Për këtë hakmarrje çnjerëzore, kemi kërkuar denoncim të hapur dhe kundërshtim me forcën e ligjit nga të gjithë partnerët tanë.

Në vendin e ngjarjes ka qenë Policia e Kosovës, ka qenë edhe KFOR-i, aty kanë gjetur gjurmët e çizmeve, këpucë të huaja në drejtim të Serbisë, kanë gjetur edhe prangat lidhëse të plastikës së forcave të Serbisë.

Rrëmbimi është zhvilluar me plan, me njerëz të armatosur që i përkasin dy formacioneve, atij të Njësitit Special Antiterrorist, që njihet me akronimin “SAJ”, dhe të formacionit të Njësive Ushtarake Speciale, që njihen me emrin “Kobra”.

Ata që pretendojnë se policët janë arrestuar në Serbi, duhet ta shpjegojnë se si lidhëset e tyre të plastikës si pranga, kanë qenë pikërisht në vendin ku tashmë kemi njoftuar në konferencën e 15 qershorit, unë bashkë me ministrin Sveçla, pas Mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, pra 1 kilometër larg kufirit në njërën anë, në pjesën veriperëndimore, 670 metra larg në veri –verilindje nga kufiri me Serbinë dhe 300 metra në jugperëndim të kufirit sërish larg prej Serbisë, e në brendi të territorit të Kosovës.

Vendngjarja e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës ka ndodhur në Kosovë. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë arrestimi në Serbi, bëhet fjalë për rrëmbim në Kosovë. Për rrëmbimin, janë kontaktuar të gjithë mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që policët tanë të lirohen sa më parë dhe të kthehen në vendin e tyre.

Këtu një punë të jashtëzakonshme e ka bërë pikërisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për çfarë unë e falënderoj zëvendësen time dhe Ministren Gërvalla dhe gjithë ekipin e saj, e ambasadorët e diplomatët tanë të tjerë të shërbimit tonë të jashtëm për komunikimin që kanë zhvilluar, për letrat që kanë dërguar në mënyrë që të ngritët një valë e drejtë ndërkombëtare që kërkon lirimin e menjëhershëm e të pakusht të tre policëve të rrëmbyer.

Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, me shefin e zyrës, ambasadorin Jetish Jashari. Ai ka qenë në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer. Ambasadori Jashari sot i ka vizituar të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia, i ka vizituar ndaras njërin pas tjetrit. Përshkrimi i tre policëve se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Janë tri rrëfime ndaras identike të tre njerëzve të cilët thonë se në momentin e rrëmbimit me 14 qershor kanë qenë tek tryeza e improvizuar për ngrënie, pra kanë qenë duke ngrënë drekë së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë dhe që të tre e thonë rrëfimin e njëjtë kur pyeten ndaras nga njëri-tjetri nga ambasadori ynë, Jetish Jashari. Kjo heq çfarëdo dileme edhe për ata të cilët dëshirojnë të jenë skeptikë për të drejtën e Kosovës, se Serbia ka zhvilluar agresion me 14 qershor dhe ka rrëmbyer tre policët tanë.

Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Edhe një herë pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor, pra 1 kilometër në brendi nga njëra anë, 300 metra nga ana tjetër dhe 670 metra nga ana tjetër. Pra, gjithsesi në brendi, vetëm 7 metra larg veturës së tyre.

Ne jemi në të drejtën tonë, në të drejtën e Republikës dhe dëshmitë që posedojnë institucionet tona të sigurisë, dhe dëshmia e tre policëve tanë, dokumentojnë qartë se zyrtarët e Policisë së Kosovës, pra ishin brenda territorit të Republikës. Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës, aty ku është mbyllur njëra nga 16 rrugët ilegale, që janë mbyllur në vitin e kaluar. Pra rrugët ilegale duhet të ngelen rrugë ilegale të pakapërcyeshme, prandaj edhe i kemi pasur policët aty.

Ne jemi Republikë demokratike dhe këtu kemi sundim të ligjit, nuk ka as nënshtrim e as kthim mbrapa. Jemi në të drejtën tonë të respektimit të kushtetushmërisë dhe ligjshmërisë, për shtet të së drejtës, kundër asnjë qytetari ose komuniteti, por në mbrojtje të ligjit dhe të rendit.

Edhe një herë kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policor. Ata duhet të lirohen sa më parë, pa kushte dhe të pacenuar. Njëkohësisht kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin e Serbisë që paraqet edhe shkelje të pikës katër të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, më 9 qershor të vitit 1999.

Ju falemnderit shumë, e tash po ia kaloj fjalën Zëvendëskryeministres dhe Ministres për Punë të Jashtme dhe Diasporë, zonjës Donika Gërvalla Schwarz, e cila do t’ua shpjegojë më gjerësisht për informacionin që kemi marrur nga raportimi i ambasadorit tonë Jetish Jashari.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu