Florim Zeqa
Pavarësisht ndërrimit të pushteteve, servilët u pershtatet të gjithëve. Servilizmi është semundje e pa shërueshme ndër shqiptar. Servilet ndahen në disa kategori, por më të rrezikshmit mbeten servilet e sofistikuar!
Servilizmi i sofistikaur i intelektualëve interesgjinjë
Fjala e sofistikuar rrjedh nga fjala greke “sophistikós”, që do të thotë ‘relativ me sofistët’. Sofistët ishin retorikë të famshëm për aftësinë e tyre për të trilluarit, kompleksin dhe të panatyrshmen. Prandaj, e sofistikuar është gjithashtu diçka e panatyrshme, e cila pretendon të jetë ajo që nuk është. I sofistikuar është një person që sillet në një mënyrë të dalluar dhe elegante nga të tjerët me personalitetin e dyfisht.
Pa dashur ta personalizoj analizën e mëposhtme, servilët dallojnë për nga niveli intelektual. Sa më i ngritur të jetë servili, serviliteti është më i sofistikuar (më elegant dhe më i padukshëm nga të tjerët), kurse sa më injorant të jetë servili kalon në banalitet dhe bëhet i dallueshëm nga të tjerët!
Pa dashur që ta nxjerr lakuriq me emër dhe mbiemër para të tjerëve, po e marr si model shembullin e një intelektuali i cili u ka shërbyer të gjitha pushteteve të pasluftës në nivelin lokal dhe qendror. Intelektuali servil ka përfituar nga të gjitha pushtetet e pasluftës duke punësuar familjarë në institutcione dhe kompani publike, duke nxjerrur donacione (mjete financiare) nga qeveritarët për botimin e dhjetëra librave brenda çdo viti kalendarik. Por, askujt në Kosovë, përveq atyre që e njohin nga afër u shkon mendja për intelektualin interesgji, “qengjin” që i ka thithur të gjitha pushtetet deri tek ky i fundit! Pra ky është servilizmi i sofistikuar që ushqehet në mënyrë perfide të gjitha pushtetet, kurse në anën tjetër, në opinionin publik paraqitet burr i mirë dhe patriot, duke përfituar nga djersa dhe mundi i popullit dhe duke abuzuar me interesin e përgjithshëm për interesa personale.
Roli i intelektualit në shoqëri
“Dy palë njerëz e prishin odën” thonin të vjetrit, “ata që nuk dijnë e flasin dhe ata që dijnë e nuk flasin”. Në grupin e parë të njerëzve hyjnë injorantët e të paditurit që flasin shumë e s’thonë asgjë, ndërsa në grupin e dytë të njerëzve hyjnë të mençurit e të diturit që hezitojnë të flasin.
Intelektual janë njerëzit me dhunti natyrore (nga Zoti), me një intelegjencë të zhvilluar që i thonë gjërat kjartë e bindshëm, duke reflekuar besim dhe shpresë për ardhmëri në mesin që i rrethon dhe jo vetëm.
Në të kaluarën, njerëzit e ditur (intelektualët), edhe kur nuk kanë mundur të shprehen lirshëm nga pushtuesit, gjithmonë e kanë gjetur mënyrën pët t’ia thënë të vërtetën popullit të tyre përmes metaforave, anekdodave, tregimeve të imagjinuara (meseleve).
Njerëzit e ditur dhe ntelektualët ishin bartës të lëvizjeve kombëtare që nga kohët antike e deri në ditët e sotme, që nga Kuvendi i Lezhës e deri të Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që nga Rilindja Kombëtare e deri të lëvizja paqësore demokratike (LDK) e viteve të ’90-ta, intelektualët u shndërruan në prijës politik dhe ushtarak, për ta nxjerrë popullin nga shtypja dhe robëria shekullore siq ndodhi edhe gjatë luftës së fundit çlirimtare të viteve 1998/99.
Për unifikim të trurit kombëtar
Në rrethanat e reja të krijuara në Kosovën e sotme, populli ka nevojë si asnjëherë më parë për unifikimin e trurit kombëtar, të intelektualëve, njerëzve të ditur dhe atdhetarëve të vërtetë për ta nxjerrë vendin nga pushtimi i antivlerave, dukurive të shumta negative; korrupsioni, krimi i organizuar, prostitucioni politik, egoizmi, imoraliteti dhe për ta shpëtuar vendin nga zhveshja e vlerave, traditave dhe identiteti kombëtar.
Servilizimi apo rreshtimi i intelektualëve në anën e së keqes është duke e dëmtuar seriozisht të ardhmën e vendit. Hyrja e intelektualëve nën tutelën e partive të dështuara politike, e bën akoma më të pashpresë jetën e qytetarëve në Kosovë.
Mendimi i mprehtë i një intelektuali vërehët nga thënja e të vërtetës së pastër, pa kamuflime dhe pa ngjyrime partiake. Mendimi i lirë i intelektualit paraqet kërcënim shqetësues për politikanin injorant dhe të korruptuar, për hajdutët dhe matrapazët politik.
Pavarësisht kërcënimeve dhe linçimeve intelektuali në asnjë rrethanë nuk guxon të largohet nga misioni i shenjtë për mbrojtjen dhe pëhapjen e së vërtetës dhe i të qenurit mbrojtës besnik i interesave kombëtare dhe të drejtave qytetare.
Sprova e intelektualit në sfidat e kohës
Një njeri që i thotë vetes intelektual dhe atdhetar që sot rrinë indiferent ndaj zhvillimeve politike në vend, le t’i thotë çfarë të dojë vetes, por në realitet nuk është në nivelin që e pretendon.
Merreni me mend çfarë do të ndodhte sikur të tërhiqeshin të gjithë intelektualët, siq janë strukur një pjesë e intelektualëve të profilit të “lartë”.
Me siguri në këtë vend nuk do të bëhej më fjalë për prosperitet, ndryshime pozitive, zgjedhje demokratike, zhvillim ekonomik dhe mirëqënje qytetare, por do të fashiteshim deri në tjetërsim kombëtar e njerëzor nga qeverisjet e papërgjegjshme dhe antivlerat.
Ndoshta, neve që jemi aktiv dhe të pandalshëm në përballje me dukuritë negative dhe mbeturinat e sistemit të kaluar, intelektualët e servilizuar të kalibrit të “lartë” na konsiderojnë të ç’mendur!
U mbetët qytetarëve të vendit, që ta vlerësojnë kontributin e së cilit prej nesh, por edhe servilizmin dhe ndërgjegjën e intelektualëve interesgji. Paraja mund ta shkërdhejë intelektualitetin e servilëve, por jo edhe të intelektualëve që e kanë mision interesin e qytetarëve dhe të ardhmen e shtetit të tyre të lirë.