G.K/RTKlive
Mëngjesin e sotëm në veri të vendit janë vendosur disa pankarta me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq. Në këto pankarta, bashkë me foton e Vuçiqit është shkruar edhe mesazhi “Komandant Suprem, ju presim”.
Lidhur me këtë ka reaguar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në një postim në Facebook, Sveçla thotë se nëse Vuçiqi është nisur pa kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, atëherë ai do të arrestohet.
“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar Sveçla në Facebook.