ARKIVI:
26 Nëntor 2024

Shaban Palluzha e shymke cigaren në cergë në Turjakë 

Shkrime relevante

Presidentja Vjosa Osmani: Gjatë qëndrimit në Halifax, Kanada, takova shumë shqiptarë që janë rrëfime suksesi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Halifax,...

Të votohet për një legjislaturë të re politike!

Ilustrim ... Florim Zeqa  Elektorati kosovar kërkon ndryshime në të gjitha partitë pa...

Deformimi i Historisë: Hoxhallarët nuk ishin ata që e formuan Alfabetin Shqiptar

Nga: Luan Dibrani, Gjermani Në Kongresin e Manastirit, i cili u mbajt...

The Musical Times (1926) / “Zbulova dy lloje muzike në Shqipëri…” — Udhëtimi i Paul Edmonds në Elbasan, njohja me Lef Nosin dhe transkriptimi...

Ilustrim: Dua Lipa... Nga Aurenc Bebja*, Francë –  26 Nëntor 2024  Revista britanike “The...

Shpërndaj

Sinan Kastrati, Suedi

  • Mahi, mesele e tregime të shkurtëra nga libri në proces për Turjakën 

20 mahi e mesele 

  1. Ja pash plumin kur dul pi voes

Baba, Ukë Imeri si i ri ka shkue çaban me ballica*) me Sadri Shaqën*), kusheri. 

Ni ditë baba e kish pas marrë dhe bacën Dulë*) me gjâ. Kur ungjen*) me hânger bukë e djath, i shtin do voe të pulave me i pjekë që i kishim marrë sa i kishi bâ pulat.  

E kallin zjemin e i mlojjnë voet me zharavë e prush por harrojnë me i cikrue. Kur dojnë me i hjekë voet nga prushi, ato kërcasin si me kânë pushkë. Baca Dulë kur e nin krismën kcen përpjetë: 

-Baca Ukë, pasha Zotin e pash plumin kur dul pi voes*)  

  1. Sinan, qysh âsht Ismeti, a pe merr gjumi…?

Kur i fillova studimet për Letërsi në Prishtinë, më 1975 e mora edhe Ismet Ali Bytyqin*) me vete. Me Ismetin, kemi qenë shkollë e kemi punue bashkë, dy vitete e para kur filluam me punue si mësues. 

Kur unë vija në shtëpi, në Turjakë me i la, nrru e arrnu teshat*), rrugën e kisha kah shtepia e Ismetit në Lubizhdë. Baci Ali, baba i Ismetit si me shihte me pyeste për Ismetin 

-Qysh është Ismeti, a pi hahet buka dhe e pe merr gjumi? Unë i thojsha: 

-Po Vallahi o baci Ali, gjumi nata s`pi del, edhe ditën pa flen. Edhe buka pi hahet, ka dy bukë n`ditë. 

Për mësim, nuk me pyeste. 

Kur i tregoja Ismetit ai me thonte: 

-Pse bre Sinan me i ke kallxu bacit Ali?  

  1. Jedec

Nebi Salihi i katunit Lubizhdë, a kânë ni burrë i urtë, fukara, han e dan. Shpinë e ka pas ngat shkollës. Ai e ka pas ni behane. Nëse dikush e prekte me dorë e i thonte jedec*), ai ngante mas atij që ja ka hi tej kur e zinte. E ne, si fëmijë që ishim, kishim kohë, kur shkonim n`shkollë, te dyert e pritshim tej t`na sheh a nin e del Nebihi. Kur na vetke: 

-Shka pa doni, ne ia hinim, e preknim pakëz me dorë, iknim e i thonim: 

-Jedec. Nebihi i ngratë ngante mas neve, e dishke edhe setrën por nuk mund të na zinte se ne iknin e nganim më shpejtë se ishim të rinj.   

  1. Për kur pi run krânet e thata?

(Motërzim) 

Kishin pas shku do musafirë n`Bubel. At vit kish marrë dimen i shtirë*). Ish pas ra borë e madhe e t`tfoftin nuk e n`shonte*) hyqmnin. 

Kur u qun musafirët n`sabah, i zoti shpisë pa don me kallë zjemin por nuk kallej Ai kish pas do krane t`thata*) e nuk i shtike po kish dalë në aborr e kish marrë do dushk t`thatë e t`lagtë. Veç ia kish hjek borën e i shtike në axhak, Iu frynte, po dushki bânte tim e nuk i qitke flakë.  

Dikur njani pi mysafirëve pi thotë: 

-Pse bre burë nuk pi shtin kranet*) e thate po pa munohesh me dushkë të lagtë? 

-Eee, kto pi tuaj per naj dirë t`zorit. 

-Pse a ka naj ditë ditë ma t`zorit se kjo e sodit a?  

  1. Qitja qenit … oj grue, nese nuk e bân djalë

Ni burrit t`katunit t`Hasit Zoti nuk i kish pas falë djalë, veç qika kish pas, ni kerr. Gruen e kish të mirë si Zoti qysh din me falë, dylber e të meçme. 

Mas disa vjetëve e mas shumë qikave qi ju kish falë Zoti, gruen e kish pas apet me yzer*) me ymyd*) qi pe gjâjnë djalë, ishin gzue. Ai e qon gruen n`spitalin e Prishtinës. 

Në spitalin e gjinekologjisë, nuk i lejonin burrat me hi në dhomat ku janë lehonat, nuk lejoheshin vizita për burra. Shumica e burrave, kur shkonin nga katunet mi pa gratë, nëse gratë nuk mund të zbrisnin poshtë, burrat dilnin kah ana mrapme e spitalit dhe thirrnin me sa zâ që kishin gratë e tyne. Atëherë dilte n`dritare ajo që e thirrte burri e folte. 

Ai burri ish kânë pakë hajgarexhi e pi thotë grues: 

Nëse nuk e bân djalë, qitja … qenit e mas hajde mu n`shpi!*)  

  1. I zhdrypi pi bshtit

Njani ish kanë kabahtgji e bajke shpesh probleme. Niherë, n`odë të burrave njani pi pleqëve pi thotë: 

-Boll mâ, lej t`zezat!*) e mas u bân axhami*). Por ai vazhdonte me t`veten. 

Kur ni dite e zunë me pelë për dore, i thanë: 

-Pse bâne? 

-Jo, unë s`kam bâ kurgja. 

-Na t`zumë se ti i zhdrype pej bishtit!*)  

  1. A zabel e kini mjellë odën a, bre nânen jau q …

Ukë Topi*), âsht njâni nga personazhet më fatkeq të tregimeve popupullore në rrethin e tonë, Llapushë. 

Ni odë t`vjetër ku rrishin burrat, kallxonte baba Imer a kânë ni dyrek midis odës. Uka dilte shpesh natën për yzër e si oda e huj, nuk iu ka kujtu qi oda e ka ni dyrek midis odës. Kur qohet natën, Uka i mshon me kry dyrekit t`odës saqë oda u dridh sepse oda ishte e marume me thupra dhe e lyme me lloq e me bagla për mu nxe ma kallaj*) 

-Uh nânen e nânen po a zabel*) e kini mjellë k`tua?   

  1. Sa të dulen Ukë?

Ukë Topi i runte lopët e Turjakës, Damanekut e katuneve tjera, tej në Bellenicë e Lladrofc, prej ditës së Shën Gjergjit deri në Shën Mitër, 6 muaj. Për këta muaj merrte ni rrogë të vogël. Kur i binte Uka gjâen në minges*) ose në akshum, ungjej e hante drekën e darkën bashkë me të zotin e shpisë, me gra, reja e me qika. Pi Ukës nuk kishin havale*). 

Niherë, sofra ish kthy me hânger bukë e Uka nuk hante po i ngjihke sa gra e burra janë n`sofër tuj hânger bukë. I zoti i shpisë pe sheh Ukën që po i ngjeh, tuj e lujt gishtin e dorës dhe e vet Ukën: 

-Ukë, pse s`pa hanë bukë? 

-Pi ngjehi sa gra e burra jemi? 

-Ani, sa jemi Ukë? 

-Dy burra e 5 gra. E bâna men mi da gratë përgjysë unë e ti, ka dy gra e gjysë po na bishin.  

  1. Kadri, qysh pat doket bastani?

I kishin pas qit Kadri Cufës me hângër bastun*), pjepen e kungell me ni sahun*). Kur ja nisi Kadria e pa han, ai qi ja kish qit pjepen e kungull bashkë, pe vetë Kadrinë: 

-Qysh pat doket Kadri? 

-Herë mirë e herë keq.  

  1. Kur e krunte doren, thonte pi nguci gratë e huja

N`odë të buurave, njani rrinte veq tuj e krujt*) dorën. Kur e vetshin: 

-Pse pe krun dorën?  

-Pi nguci *) gratë e huja. 

-Po qysh e din gratë e huja qi ti pi nguc? 

-Eeee kur ta dia unë, e din edhe ato.  

  1. Veq nju dhasha*) sugjukin e zagarëve

Ishin pas ardhë beglertë e Pejës e Perzerenit te Aliagët e Turjakës, me gjujt gjâ t`egra në bjeshkë. Ata me veti i kishin marrë pushët e gjuetisë, qenë, zagarë e langoj. Qohen herët e dalin n`mal. N`kohë të drekës, agallallarët kishin parasit*) me iu qu sugjuk e voe të përzhittua dhe ni përpeq*) Por, nuk kishin thânë se kush me ju qu bukën. Kur bâhet buka gati i thonë M… një burrit babaxhan*) me e qu bukën. Ai shkon n`bjeshkë e iu kthen bukën. Beglertë, ni copë sugjuk e hanin për veti e nga nju ju qitshin zagarëve e lagojve që ishin ungj afer tyne, galuc e …  

  1. cili lypke sugjuk, i qitke tej kur u sosen*) Kur sosen njani qi i kish lyp i pari sugjuk, M. i thotë:

-Veq n`ta dhashi sugjukin e zagarit, që pa fije marre, zagartë e langojtë i kishin qit para tyne aletet.  

Beglertë keshen po ai i zoti kanakut qi ishin shkua beglertë te ai u kuq, i erdhi keq.  

  1. Mujë Loshi nuk e kish pas inu ramazanin

Ish kânë muaji i ramaznit e Mujë Loshi i Padalishtes ish dalë në Istog për pazar. Një njeri që e ngjihte *) Mujën i afrohet e i thotë kadalë, sa mas me ni tjerët: 

-Mujë, a pa vjen hajmë drekë? 

-Po por mas pari pat ves kah e ki gruen, t`cili fis e vetë Muja. 

Ky edhe i kallxon. Atëherë Muja i thotë: 

Jo nuk vije se se e paske gruen bijë të fisit gashjan e ajo kallxon që Muja nuk pe inonte ramazanin  

  1. Kush e ka renin*) me lidh viçin?

(motërzim) 

Ni grue e ni burrë e kishin pas ni lopë tuj mjel e viqi i saj ish kânë si i egër, i fuqishëm. Kur e milte gruaja lopën, tamlin e dajke përgjysë me viqin, dy cica ia like viqit mi pi e dy të tjerat, i merrte për familje. Kur i thithte ai t`vetat, gruja nuk mujke me e da pi lopës pa e thirë burrin mi nimu*) 

Gruja ni ditë i thotë burrit: 

-Njeri a lidhum? Kush flet, ka me lidh viqin. 

Burri pajtohet e ata nuk folshin, me askend nga frika se nëse flasin, kanë me da viqin. 

Po atë ditë qi lidhën, vjen vllai i grues te motra. Motra, e nin vllain kur thirr te dera e ik, shkon m`shilet n`sobë qi kur t`vjen vllai mas me fol se i thotë buuri ”jedec” dhe asaj i metet me da e lidh viqin. 

Miku, thirr e thirr te dyrtë e kush nuk përgjigjet dikur hin mrena*) e drejtë e në shpi shkon. Pe sheh dhânrrin ish ungj te axhaku e nuk flet.  

Miki i folë dhânrrit: 

-Dhanerr ku e kam motrën? 

Ai prap nuk folë se ish lidh me gruen. 

Kur e sheh miki qi dhânrri*) nuk pa flet menon se dhânrri ja ka myt motrën dhe shkon në hyqymet e iu thotë se dhânrri ja ka myt motrën.  

Vin hyqmi dhe pe vesin: 

-Ku âsht gruaja? Ai prap nuk flet e ata menojnë me të vërtetë se e ka myt gruen dhe e marrin e lidhin e ashtu t`lidhen e qesin me ni ledinë me vjerrë. Telallit i thonë: 

-Mshoj tupanit e kallxoj miletit që pe qesim n`kanop! 

Gruaja krejt i kish ni e pa po nuk ish dalë nga soba. Kur i sheh se pe qesin burrin n`kanop, ajo del nga soba tuj ngan e bërtit që ta nijnë: 

-O qe ku jam. Nuk um ka myt burri por jimi lidh jedec, kush t`flet, ka me lidh viqin. 

Atëherë buuri kur e nin gruen qi foli, ia bân:
-Jedec!  

  1. Amrush Zymeri kur e dan vaden me martu djalin, nuk kallxon te shpia

Amrush Zymeri, plak i mahallës së Sylë Januzëve të Damanekit, kur i bâhet ni djalë për martesë, i zen nuse e kur vjen koha me e martues, shkon te miki dhe e dan vaden*). Nja tri ditë para darsmës e lânë me i qu teshat*) 

Kur vjen te shpia, pe vesin robt*): 

-Babë, a e dajte vaden, kur met mi qu teshat*)? Ky nuk iu kallxoh e kur vjen ajo ditë për mi qu teshat, miqtë po i presin Damanekin e ata nuk shkojnë hiç. Bâhetn marak mas ju ka nodh najsen e qohen pak para territ t`akshamit e vin n`Damnek. Atëherë Amrushit i bjen ner mend se kanë pas mi qu teshat por dreka me ushqime të shishme, si për miq, kish shkue.   

  1. Marë paqa!

Selim Nuza, a kânë shpi e madhe e familjes, edhe ky, i Sylë Januzëve. Selimi a kânë vllai i madh, punonte tokën. Vllai i dytë, a kânë Destani, burrë i rrafshtë. I treti, vëlla, Ramadani që i runte vetëm gjâen*)    

Kur dikush i thonte Selim Nuzës, kur ish tuj livu! 

-Puna marë baci Selim! 

Ai ia kthente: 

-Marë paqa!*)  

  1. Fadil Hoxha e ngjofta se e kish pas plisin e bardhë

Destan Nuza i Damanekit, plak, kur i ngonte lajmet në TV-enë e Beogradit por edhe ma vonë, Prishtinën 

nuk i merrke vesh, gjuhën televizive e munohej me ju kallxu qerve*): 

-Prâm Fadili shka ka âa tuj folë. 

-E shka tha ka thânë o baci Destan? 

-Bum, bum, bum, ti je vetë Drazha*) i tha ni shkaut. 

-E qysh e ngjofte o baci Destan qi ke Fadili? 

-O t`dhefsha dajtë, t`dhefsha, po Fadili ish kânë me plis të bardhë*).  

  1. Shkat t`hotë Imeri jem, bâhet n`Beograd

Daja Destan e ka pas ni djalë, të dytin, Imerin qi i punonte në Beograd. Nëpër oda, ai kish qef me livdu*) Imerin, si djalë i zoti. Ai punonte në një ndërmarrje të madhe ndërtimore, kryepunëtorë dhe sa herë kishin nevojë për puntorë ai vinte n`Damanek e merrte puntorë krahi e i qonte aty ku punonte, në Beograf. Ata punonin në sezonië verore, e para dimnit, kur fillonte mu ftof koha ktheheshin në Kosovë. E daja Destan, menonte*) se ai âsht i madh e shkat t`thotë ai, bâhet n`Beograd.  

  1. Bajram Cena kur shkepte cigare nëpër darsma?

Bajran Cena, a kânë i mahallës së Likëve*) në Damanek. Bajrami ka pas boll mall por a kânë tahmaqar*).  

Kur kishte darsma, të gjithë të zotët e shtëpive të katunit por edhe miqtë e dasmorët e thirrun, shkepnin*) cigare. 

E kur u qohke*) Bajram Cena me shkep cigare, me zor, i kqyrte n`sy. N`odë ghysës nuk i qitke cigare tuj u t a thânë: 

-Ti je i ri e nuk duhet me duhan, ti nuk e pin, ty ta kam qit prâm ni cigare …!  

  1. Bajram Karadaki e Ramë Azizi rrihen

Bajrami Selmani (Karadaki) e Ramië Azizi janë kanë kohanikë*) e mirë kanë shkue në mes veti Ni ditë i kishin pas prish puntë*) e fillojnë mu rreh. Rama e merr ni therrr e apa don mi ra Bajramit e ky i thotë: 

-O budallë, kqyr*) se pum qarron.  

  1. Shaban Palluzha e shymke cigaren në cergë

Kur ish pas martu Salih Xheemajlia me Fizën*), djali i Xhemajlisë e nip i Brahim Agës, kish pas bâ darsëm t¨madhe, më 1937. N`darsëm ish pas ardhë edhe Shaban Palluzha Kastrati`*), kusheri, Ramë Bllaca*), bajraktarë e begllere nga krahinat e ndryshme të Kosovës e tej n`Shkodër se edhe atje kishim pas kusheri, Kastrat, Bushatlitë e Mehmet Begin  

Kangtarë ishin kânë, Muhamet Kajtazi e Xhelir Islami të Turjakës, Beqë Jaha i Drenofcit të Zatriqit, Bajram Sadiki, baba i Salih Bajramit, me Salihin e ri, Ali Pacin etj. Në odën e gjyshit, të Imer Seferit i kanë pritur e ndejtut dasmorët. 

Natën e parë të darsmës, darka hahej vonë se vinin darsmorët prej katuneve e qytetev të largëta, me kam e me kuaj.  

Shabani ish pas vanu e në Turjakë e kishin pas hângër darkën e natës së darsmës. Mixha Shaban ish pas idhnu e cingaren e duhanit e shymte në cergë, jo n`shpuzore*) Ni plak hajgaregji, u qohke*) e i merrte duqat e cigares të mixhës Shaban e i qitke n`axhak t`druve.  

Kur e panë bajraktarët e Astrazubit mixhën Shaban qi pi shym cigaret në cergë*), edhe ata ia nisën e pi shymin cigaret n`cergë. Ramë Nura shkon edhe atyne iu hjeke duqat e cigareve e ju thotë: 

-O bajraktarë, Shaban Aga, neti shym ku t`don por ju, edhe niherë sese i shymni cigaret në cergë, edhe qiraishat e odëse mu degë, juve nuk vi ma me ju hjekë duqat. 

Atëherë mixha Shaban u n“qefu pakë por jo krejtë.  

Fjalorh i vogël me fjalë e shprehje të rralla, sidomos fjalët e hueja por edhe ato arkaike, që nuk gjinden në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe (1980) por ende fliten në të folmet (nën)dialektore e krahinore të Veriut e Kosovës.  

(1) *) Ballica, Buallicë f.sh. -Femra e buallit. Qumësht (kos, gjalpë) buallice. Është bërë sa një buallicë. 

*) Sadri Shaqa. Një nga kusherinjët dhe moshatar i Ukë Imerit nga Turjaka. Për Sadri shaqën i kam disa tregime, në formë të humorit, mahi..  

*) Ungjen, ulen, me pushua, me luajt, me ngrënë bukë 

*) Baca Dulë, vëllai më i vogël se baba, djali i Imer Seferit 

*) Ungjen, ulen, me pushua, me luajt, me ngrënë bukë 

*) e pash plumin kur dul pi voes, Baca Dulë, si fëmi mendon se edhe veja kur pëcet, ka plumb brenda.   

(2) *) Ismet Ali Bytyqi, është vrarë më 1996, nga një ish fshatarm për hakmarrje në Lubizhdë. Ka kryer gjuhën angleze dhe ka punuar si profesor i gjuhës angleze. 

*) Me i la e nrru e arrnue teshat, kur unë studjoja, në çdo të shtune udhtoja për në Turjakë, nëna mi lante teshat me dorë dhe mi arrnonte, nuk kishim tesha të mjaftueshme. 

(3) *) Jedec, është një lojë popullore që luhej nga çobanët kur kositeshin livadhet. Kjo liojë në disa krahina të Kosovës njihet edhe si ”Kile”, ta lash kilen. Njëri e prek dikend e ik e ai mundohet me e zënë dhe me e prekur.  

(4) *) Dimen i shtirë, me borë, ngrica, erëra të ftohta 

*) T`foftin nuk e n`shonte, bënte acar, të ftohtë i madh 

*) Kranet e thata, krënde, dru,, rrema të hollë të drunjëve e të terur   

(5) *) Yzer*), neovojë, «jashtë po dalë, yzër po kam» (këngë pop.) 

*) Me ymyd, me shpresë 

*) Nëse nuk lind djalë, shprehje e rralë. Thuhët për diçka që nuk ka vlerë, nuk na duhët, qitja qenin.  

(6*) Agjami, fëmi, kalami, i papjekur 

*) Boll mâ, lej t`zezat! Mjaft më, mos u merr me punë të këqia (të zeza) e mos rrej. 

*) I zhdrype pej bishtit!*)  zbrite nga pjesa e prapme e trupit, dyshohet me bazë se ka gabuar, sepse nuk duhët zbritur nga bishti i pelës ose kalit  

(7) *) Ukë Topi, Çdo krahinë ka njerëz, heronjë që populli i asaj ane i merr shembull psh Nastradin Hoxha, që është I njohur por edhe Dervish Goxhuli … Ukë Topi është një nga ata. Thuhët se ka lindur në Grabofc të Fushë Kosovës, afër katundit Bellaqevc e Hade. 

*) Kallaj, kollaj, më lehtë 

*) Zabel, mal, pyll me lisa të gjatë e të trash  

(8) *) Mingen, nga mëngjes, koha kur iu qonin bukë argatëve, ora 10:00-11:00, paradreke 

 Prej Ukës nuk kishin havale, nuk fëshihemi, nuk hanë bukë veç, ndaras nga burrat.  

(9) *) Bostan, shalqin, pjepëra 

*) Sahun, nga sahan, pjatë, enë e madhe  

(10) *) Tuj e krujt, duke e kruajtur, nga kruhem, lëmohem 

*) Nguc, nga ngucem, ngacmoj  

(11) *) Dhash, nga folja me dhënë, jap 

*) Parasit, porosit 

*) Përpeq, lloj pite shumë e shishme (jo byrek) me djtah, gjizë e maz. Janë të njohur perpeqat e Sylë Januzëve të Damanekit 

*) Babaxhan, Shpirtmirë, i patëkeq, i çiltër e i dashur; i shtruar dhe i thjesht, i pahile. 

*) Sosen, kur hargjohen, nuk ka më, nuk mbetet më (sugjuk) 

*) Sugjuk, Zorrë bagëtish të imëta të mbushura me mish të grirë, në rastin konkret organin gjenital të qenit, zagarit  

(12) *) E ngjihte, e njihte, njeri i njohur. 

*) Inon, agjëron, ramazanin, nuk hanë bukë, pi ujë, cigare, gjithë ditën 

(13) *) Ren-i, rendi, radha 

*) Nimue, ndihmue,  

*) Hin mrena, hyn brenda në oborr 

*) Dhânerr, dhëndër  

(14) *) E dan vaden, e cakton kohën, ditën e dasmës, 

*) Mi qu teshat, zakonisht tri ditë para dasmës, të enjteve baba i dhëndërit i dërgonte teshat dhe bakshishat që i kishte ble nusës. Po atë ditë, qika bëhej gat për nusei, ia ngjitnin kanen, bojën … 

*) Vsin robt, e pyesin antarët e familjes. Sipas ”Kanunit”, gratë konsiderohen, ”rob”, poe edhe antarët e tjerë të familjes ”sa për me shtu ni rob”. Fjala e zotit të shtëpisë, më të madhit në moshë duhej respektuar.  

(15) *) Gjâen, bagëtinë, delet, dhitë, loptë 

*) Marë paq, përshëndetje dhe falenderim kur dikush punon por Selim Nuza thonte marë paqa, jo marë paq!  

(16) *) Qerve, tjerëve 

Draža, Dragoslav Draža Marković (Popović, politikan serbe (1920-2005) ishte një nga kundërshtarë që shqiptarët të jenë të barabartë me popujt e kombet etjera të ish Jugosllavisë, 

*) Plis, Lloj cohe, që bëhet me lesh delesh të shkelur disa herë, duke e lagur me ujë të vakët e duke e fërkuar me sapun derisa të thahet e të forcohet; një cohë e tillë që përdoret si plaf. Shtroi plisin. Bënte plisa. Flinte (shtrihej) në plis, simbok shqiptar. 

 Kësulë e bërë prej kësaj cohe, e cila sipër vjen zakonisht e rrumbullakët si kupë; qeleshe. Plis i bardhë (i pastër si bora e mallit) embanin burrat, pleqtë por edhe të rinjët.  

(17) *) Me livdu, nga lavdëroj, (them) fjalë të mira etj. 

*) Menonte, mendonte  

(18) *) Tahmaqar, koprrac, Ai që kursen tej masës edhe për sendet e domosdoshme për jetesë; ai që ka para dhe nuk ndihmon tjetrin kur ky ka nevojë, njeri dorështrënguar 

*) Mahallës së Likëve. Damaneki ka disa familej, të ndarë në mahallë (lagje), Sylë Januz, Bellan, Musli Avdylit, Pagarushët, Nezir Shala, etj.,  

*) Shkepnin 

*) U qohke (lok.), ngritej, çohej në këmbë  

(19) *) Kohanikë, bashkëkohës. Këtu: moshatarë 

*) Prish puntë, shprehje me kuptimin figurativ, kur çdo gjë që është ndërtuar, shkatërrohet, prishet, fillon lufta 

*) O budallë, kqyrë!  Budallë, ai që është i metë nga mendja, ai që nuk e gjykimin dhe arsyen, budallë, kqyrë, shiko, ke kujdes!  

(20) *) Salih Xheemajlia Kastrati (1920-2003), moshatar dhe ushtar i Shypnisë me babën Ukë (1943). Fiza, gruaja e parë e Salihit, qika e Fejzë Sylës (motra e Jetish Fejzës) nga Bubaveci. 

Fiza, kur kish pas ardhë nuse n`Turjakë, s`kish lanë shoqe mat mirë. Ajo ishte edhe e madhe, e shëndetshme dhe e fuqishme. Bacën Salih (burrin), kur iu merrte kashtë e sanë me iu qit lopëve, Salihin e qitke n`kosh ose e merrte n`shpinë.  

*) Shaban Palluzha, Shaban Mustafë Kastrati i njohur më së shumti si Shaban Polluzha (Polluzhë, 1871 – Tërstenik, 21 shkurt 1945) ka qenë një komandant ushtarak shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, veprues në trevën e Drenicës.[1] Pas pushtimit italian të Shqipërisë dhe bashkimit me një pjesë të viseve të Kosovës shërbeu me njësitë Vullnetare, pas kapitullimit italian u radhit me Ballin Kombëtar. U vra duke luftuar me partizanët serbë. (Wikipedia në gj. Shqipe) 

*) Ramë Bllaca (Bllacë, 1879 – 27 korrik 1937) veprimtar i çështjes kombëtare dhe deputet i Xhemijetit në parlamentin jugosllav.[1] I biri, Qazim Bllaca qe ministër në qeverinë Mitrovica. 

*) Shpuzore, të marueme prej drunit, ku i shymnin cigaret. Cigaret, disa ditë para darsme, disa njerëz, maronin cigare për dasmorë e ndodhte që edhe blenin cigare, nga 100 cigare një pako. 

*) U qohke, qohej, ngritej nga vendi ku ish i ulur pa pritesë. 

*) Cergë f.sh. 

Qilim ose mbulesë e ashpër që është punuar zakonisht me lesh dhie.  

Malmö, 14, 15, 16 janar 2024 

siankastrati09@hotmail.com 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu