shefqet

 

 

 

 

 

 

 

 

Dr. Shefqet Krasniqi

Çështja e shamisë s’ka marrë fund

November 15, 2013 

Çështja e shamisë nuk ka përfunduar, ajo vetëm sa ka filluar të aktivizohet si duhet, si një problem mjaft i tejzgjatur dhe i manipuluar, i cili duhet të rregullohet sa më shpejt që është e mundur.

Të mos harroi Express e as të tjerët se vullnetin e popullit nuk mund ta mposhtë as udhëzimi administrativ i një ministrie të lodhtë, e as Kushtetuta e cila nuk ka zbritur prej qielli, e as asnjë fuqi tjetër në këtë dynja.

‘Unë jam i gatshëm të pranoj çdo qëndrim burrëror e të drejtë në mbrojtje të shamisë nga çdo lider e qytetar, qoftë ai edhe me kryq në ballë, ngase edhe unë do të isha i gatshëm të mbroja mbulesën e një besimi tjetër po të vihej para një diskriminimi siç po ndodh me besimin tonë.’

Si duket islami si fe e shumicës absolute në këtë vend në përgjithësi, e çështja e shamisë në veçanti si pjesë e pandashme e identitetit të femrës myslimane kosovare, vazhdon t’i pengojë shumë ateistë e neo-komunistë.

Ata në pamundësi t’i përhapin idetë e tyre marksist-leniniste e titiste dhe në pamundësi të përhapin më tej ateizmin e tyre me të cilin veç janë mishëruar, po tentojnë të paraqitën më “katolikë se Papa”.

Ata kinse dëshirojnë të arrijnë famë duke u shfaqur para të tjerëve se kinse ata janë mbrojtësit e këtij vendi nga ‘islamizimi’ dhe çdo gjë që ka të bëjë me islamin. Ata jo vetëm që i pengon përparimi i Islamit dhe kthimi i njerëzve në këtë fe madhështore, në veçanti nga ana e rinisë dhe intelektualëve, por i pengon madje qoftë edhe vetëm solidarizimi me myslimanët.

Në këtë kontekst deklarata e fundit e Lufti Hazirit për solidarizim dhe përkrahje të nxënëseve të mbuluara, është një dëshmi e fortë e kësaj që u tha më lart.

Vetëm pse njeriu e shprehi atë që e konsideron si të drejtë qytetare themelore dhe u zotua se do ta mbrojë atë të drejtë, për çka menjëherë e përkraha dhe e falënderova, i madh e i vogël u ngritën në këmbë thuajse u dogj tërë dynjaja.

Personalisht mora kritika se edhe unë po mashtrohesha nga ky lloj i deklaratave politike etj. Në këmbë u ngritën në veçanti disa media të cilat aq shumë i lëndoi ajo deklaratë sa që bënë edhe kinse hulumtime për t’i siguruar  qytetarët se çështja e shamisë është çështje e mbyllur.

Sa për ilustrim, portali EXPRESS edhe kësaj radhe nuk u kursye nga të vjellit vrer kundër Islamit dhe myslimanëve duke u munduar që kësaj çështjeje t’i vë kapak njëherë e përgjithmonë.

Nuk arrij ta kuptojë dot si këta njerëz shprehin urrejtjen e tyre, aq lehtë dhe aq rehatshëm, kundër shumicës së popullit të vet, madje disa prej tyre edhe kundër identitetit të vet fetar e kundër fesë së vet.

Tek e fundit të gjitha dëshmitë e statistikat tregojnë se 96% e kësaj popullate i takojnë besimit islam dhe këtë njerëzit e shprehin lirshëm e vullnetarisht pa kërkuar prej tyre një deklarim të këtillë.

Ndaj a nuk do të ishte etikë profesionale e gazetarisë që së paku të mbrohen dhe të kursehen ndjenjat e njerëzve. Aq më shumë kur para vetës kemi një numër të madh problemesh të mëdha me të cilat ballafaqohet shteti ynë.

Rrjedha politike në vend e cila prej kohësh që lundron në ujëra të turbullta dhe pa busull.

Problemi i veriut, i cili po del më i madh sesa që e kemi menduar.

Negociatat, për të cilat kurrë nuk jemi të informuar me saktësi se për çfarë po bëhet fjalë, e shumë e shumë probleme e sfida tjera me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë.

Në këtë kohë zgjedhjesh e rizgjedhjesh, koalicione e kundër-koalicione, ku për shkak të luftës për pushtet në vendin tonë ‘qeni nuk po e njeh të zotin’, kryeneçësia e pavend e disa pushtetarëve tanë, e medieve në veçanti, kundër shamisë në shkolla të mesme vërtetë po tingëllon absurde dhe paranojë në vete.

Së këndejmi, Lufti Haziri u përqesh për deklaratën e tij, mu ashtu siç u patë përqeshur Vetëvendosja për “përafrimin” e tyre me myslimanët në vend, por gjithsesi të dy këto përqeshje janë tendencioze.

Me përqeshje të këtilla synohet të zmbrapsën të gjithë ata që eventualisht mund të përafrohen apo së paku solidarizohen me muslimanët, qoftë edhe për interes vote. Por, për hir të së vërtetës, me lejoni t’ua rikthejë në kujtesë disa gjëra më rëndësi:

– Nuk është vetëm Luta e Vetëvendosja që tashmë kanë ndryshuar qasjen e tyre ndaj të drejtave themelore të të rejave të Kosovës. Kjo qasje më pozitive, në fakt, është prezentë gjithandej Kosovës respektivisht tek shumë kryetarë të komunave të cilët, ani pse në heshtje, megjithatë, asnjëherë nuk kanë përjashtuar asnjë vajzë me shami nga shkollat e tyre. Pra, Luta nuk është i pari që respektoi lirinë e veshjes, por i pari që e mbrojti atë haptazi.

– Bindshëm besoj se Lutfiu do t’ia sheh hairin këtij qëndrimi burrëror e njerëzor në dynja e në ahiret dhe atë do ta lakmojnë edhe kandidatët tjerë. E pastaj a e ka vathin në sisë apo jo, neve nuk jemi masazho-terapist për të ditur këtë dhe meqë është çështje e tij personale me këtë as që dua të merrem. Unë jam i gatshëm të pranojë çdo qëndrim burrëror e të drejtë në mbrojtje të shamisë nga çdo lider e qytetar, qoftë ai edhe me kryq në ballë, ngase edhe unë do të isha i gatshëm të mbroja mbulesën e një besimi tjetër po të vihej para një diskriminimi siç po ndodhë me besimin tonë.

– Sa i përket Vetëvendosjes ajo në qëndrimet e veta ende nuk ka pësuar rënie tek qytetarët sa i përket respektimit të drejtave fetare.
Ani pse, sipas mendimit tim, ata janë njerëz më se shumti parimorë në krahasim me të gjitha partitë tjera politike që kanë më shumë se një fytyrë. Nga ta presim më shumë solidarizim dhe garanci për të drejtat e myslimanëve dhe kam bindjen se edhe përkrahja e myslimanëve nuk do të mungojë, kjo mund të testohet lehtë.

– Çështja e shamisë nuk ka përfunduar, ajo vetëm sa ka filluar të aktivizohet si duhet, si një problem mjaft i tej-zgjatur dhe i manipuluar, i cili duhet të rregullohet sa më shpejt që është e mundur. Të mos harroi Express e as të tjerët se vullnetin e popullit nuk mund ta mposhtë as udhëzimi administrativ i një ministrie të lodhtë, e as kushtetuta e cila nuk ka zbritur prej qielli, e as asnjë fuqi tjetër në këtë dynja.

Ndaj, meqë vullneti i popullit tonë për çdo ditë po vije duke u rritur siç po rritet edhe vetëdijesimi për këtë parim, po të më lejohej me rregullat e fesë do të kisha vënë bast, por meqë basti është i ndaluar në Islam; po them me bindje të plotë se çështja e shamisë me emër të Madhit Zot do të rregullohet, dhe për këtë as që kam pikë dyshimi. Andaj, ndal paragjykimeve, ndal islamofobisë e urrejtjes kundër fesë suaj, kundër popullit tuaj, sepse ky popull do të ju mallkojë herët apo vonë, edhe ashtu nuk i keni punët mirë ndaj së paku nuk keni nevojë që populli të ju mallkojë. Ardhmëria është në dorën e Zotit, ndërsa feja po ashtu është e Tij.

Ai ka garantuar se do ta mbrojë këtë fe dhe veç është duke e mbrojtur.

Vërtetë na dhimbsen të gjithë ata që aq shumë e urrejnë këtë fe madhështore dhe këta muslimanë të pafajshëm, po aq edhe sa na dhimbset vetja jonë që po humbim kohë me ta. Andaj ne lutemi që Allahu t’i drejtojë ata, tua ndriçojë rrugën e së vërtetës e t’i përfshijë në mëshirën dhe rahmetin e Tij të pakufishëm se këta njerëz, siç thotë populli-‘vërtetë nuk janë askund në tokë të bukës’. Allahu i drejtoftë këta njerëz dhe neve bashkë me ta, Amin … deri javën që vjen me një temë tjetër selam alejkum.