Vera Xerxa, Göteborg – Londër maj 2022
6 maj – Shën Gjergj
– Festë për nder të ardhjes së stinës së verës
– Ditëlindja e prijësit legjendar
Gjergj Kastriotit
– Shën Gjergji nga ” Legjenda e artë”, njeriu që shpëtoi princeshën e Libisë nga dragoi
– Shën Gjergji martir…
Sa shumë simbole e simbolikë!
Nuk kishte qenë e vetëdijshme që mu për Shën Gjergj do e ekzekutonte me vendosmëri planin që e kishte shtyrë për një kohë të gjatë, do kryente misionin që ia kishte dhënë vetes, do ia plotësonte dëshirën vetes.Por intuita e saj është forteja e saj, e udhëheq, dhe ajo nuk gabon !
Disponimi i kishte ndryshuar shpesh, shenjë e deprimimit të thellë, të cilin mundohej ta luftonte në mënyra të ndryshme.
Tani ishte pranverë, duhej të mendonte në mënyrë racionale dhe mos ta digjte biletën siç e kishte bërë muaj më parë. Koha ishte e bukur, me diell, e ngrohtë në qytetin milionësh ku jetonte ajo.
Kishte siguruar biletën, hotelin, vetëm duhej të mobilizohej, nisej në një vend pjesërisht të panjohur për të.
Nuk ia falte vetës pse nuk kishte shkuar më herët…ç’ kishte ndodhur me ” dellin avanturesk” të saj?!
Nuk i mungonin idetë, një vizitë – surprizë, sa e bukur do kish qenë!
Një vizitë e vetme nuk do e kish shuar gjithë atë mall që e kishin për njëri tjetrin, por do ishte diçka për tu mbajtur në mend, një takim hyjnor siç thoshte ai!
Një natë pa gjumë para nisjes, e djersitur ujë, mbase nga ethet e udhëtimit, u ngrit me kohë, u përgatit. Rruga gjer në aeroport ishte e mundimshme, autobus, metro, tren mbitokësor, korridore të gjata, radhë të gjata në aeroport… pasojat do i ndjente të nesërmen, sikur t’ kishte pësuar një gjysmë paralize…
Udhëtimi me aeroplan ishte relativisht i qetë, nuk kishte shumë turbulenca, turbulenca që zakonisht e frikësojnë, ja sjellin shpirtin tek fyti, një lloj frike nga fluturimi që iu kishte shfaqur që nga vdekja e nënës së saj, gati para tre dekadash.
Qyteti ku kishte jetuar ai për afro tre dekada, vendi që kurrë nuk e kishte dashur, e priti Zonjën X me një kohë të zymtë, frymë të ftohtë …
Nga aeroporti fatmirësisht i vogël, në të cilin nuk humbi shumë kohë mori një taksi deri tek hoteli në qendër të qytetit dhe u vendos.
Ishte e uritur, doli për t’ kërkuar ndonjë restorant, matanë rrugës kryesore pavi varrezat e çifutëve , më lart në një breg një fortesë të vogël. I shkrepi ca foto si dëshmi për t’i surprizuar familjarët e saj të dashur dhe miqtë. Meqë ishte e uritur u fut në një restorant të zhurmshëm, i gjasonte pub – ave anglez. Porositi t’ ashtuquajturin ushqim tradicional vendor, që nuk dallonte prej atij çfarë nëna e saj kishte përgatitur.
Papritur doli dielli, edhe pse ishte mbramje dhe akoma nuk ishte sezoni i ” Netëve të bardha “.
Vallë, mos ishte shpirti i tij bashkë me universin që e ndiqte duke i dhënë shenja? Pikërisht vet ajo kishte sjellë ngrohtësinë e jugut në këtë vend në veri të kontinentit të vjetër, emri i saj, qenia e saj, prania e saj, të gjitha ishin në harmoni me universin dhe AI kurrë nuk e kishte braktisur. Rrezet e diellit e gëzuan dhe qielli nuk ishte më i zymtë, vezullonte si ari.
Kishte ardhur t’ festonte me të dashurin, jetën e tyre bashkë, t’ vizitonte njeriun që me punën dhe sakrificat e tija kishte shpëtuar me qindra mijëra njerëz, kishte vepruar për çlirimin e atdheut. Dashuria dhe respekti shkojnë bashkë dorë për dore i kishte ” borxh” të ” ecte nëpër ujë “, të kalonte detin që i kishte ndarë dhe t’ia paguante me nderimin më të lartë !
Ishte koha t’ kthehej në hotel, t’ pushonte, t’ bënte pak gjumë. Nuk ishte e rastit që hoteli kishte qëlluar afër shoqatës “Skënderbeu”.
Zonja X nuk besonte në koincidencë, përsëri ishte intuita e saj që vinte në pah…
Ndjenjën për orientim e kishte t’ zhvilluar por lodhja e tepërt e pengonte të koncentrohej,
t’ mendonte. Ishte më së lehti ta pyeste ndokend. Si me porosi, takoi një djalosh simpatik, zeshkan me një biçikletë. Fati e deshi që dhe ai shkonte kah hoteli i saj, dhe çdo gjë vajti mirë. Edhe më i mirë ishte fakti që bota është zvogëluar, mamaja e tij kishte kushërirën mu në vendlindjen e zonjës, dhe për t’ befasuar mamanë e tij dhe kushërirën Zonja X shkrepi edhe një foto të çunit me biçikletë, dhe e postoi në media sociale, krijoi një atmosferë të bukur çasti.
Atë natë fjeti si e vdekur, duke ra më herët se rëndom. E priste dita e shtunë, një ditë e madhe për të, në vitin e tyre jubilar. E kishte menduar të vishej me kombinimin më të bukur të mundshëm të ngjyrave, e kuqja dhe e zeza i shkonin, ishin për këtë rast solemn! Përveç shijes që kishte për çdo gjë ishin shenjat që duhet përcjellë, “Semiotika” t’interpretohej…Madje dhe këpucët i kishte të firmës “Sargasso ” që e përkujtonte në poezinë ” Portret i një femre” nga Ezra Paund: Mendja jote dhe ti jeni deti Sargaso i jonë …
Çdo gjë kishte qenë poezi për ta.
E kishin dashur shumë, i kishin lexuar njëri tjetrit, biseduar rreth saj etj.
E shtunë: Miku i tyre i përbashkët do vinte ta shoqëronte. Ishte hera e parë që do shiheshin, gjer atëherë kishin komunikuar në mënyrë virtuale, por miqësia e tyre tashmë kishte bazament të fortë.
Komunikimi mes tyre kishte qenë intensiv, i ngrohtë, ishte personi i vetëm që e kuptonte thellë Zonjën X dhe bashkëndjente me të. Si mik i devotshëm dhe ai vuante në mënyrën e tij për humbjen e “vllaçkos”, siç e kishin quajtur njëri tjetrin. Njeri që kishte përjetuar tragjedinë familjare. Njeri fisnik, dhuratë e çmuar që ajo e kishte trashëguar nga i dashuri i saj.
Y. erdhi me kohë, u përqafuan sikur t’ishin njohur njëmijë vjet.
Do shkonin në lulishte për të blerë lule. Gjithnjë i kishte pëlqyer lule shpata për këto raste. Lule shpata e njohur si IRIS GENTIANA, lule që mbreti ilir Gent e kishte përdorur për shërim. Por nuk gjetën, kot kërkuan në disa vende. Athua universi, perendia kishte ndërhyrë, po ata i dinin të gjitha, kishin përgjigje në çdo gjë. Do ishin lule t’ bardha – trëndafila, zambakë e lule tjera, buqetë që do simbolizonte shpirtrat e tyre të çiltër! Dhe i miri, fisniku Y. poashtu do blente një buqetë, por kërkoi që ajo ta përzgjedhte sipas shijes së saj.
Edhe pse kishte fjetë mjaft, ecte me vështirësi. Shikuar në retrospektivë,
ishte lodhja shpirtrore e akumuluar që manifestohej dhe në trupin e saj.
Pikëllimi për humbjen e tij ishte i papërshkrueshëm. Kapaciteti i saj për të dashuruar thellë ishte baraz me atë për të vuajtur thellë.
Ngjashëm i kishte ndodhë kur ishte kthyer në vendlindje pas lajmit që mamanë e kishte në shtrat për vdekje, në të hyrë në rrugën ku kishin shtëpinë, këmbët nuk i ecnin.
Dita e shtunë dhe ditët në vijim do ishin të ngrohta me diell. Ishte Shën Gjergj!
Mermeri i zi vezullonte nga rrezet e diellit që kishin ra mbi te, si dhe shkronjat e arta…me emrin e tij, djaloshit nga Z. të birit të Z. & Znj. E.
Ishin tek banesa e tij e fundit.
Bar kishte aty këtu mbi varr, bar që e përkujtoi Zonjën X në poezinë e
Uilliam Uorthsuorth ” Shkëlqimi mbi bar “…Por kishte ndodhur diç e shëmtuar, pllaka e gurit të varrit ishte zhvendosur. Ishte vepër e ndonjë krimineli, të cilit i kishte penguar ai varr në formën siç ishte planifikuar dhe projektuar. Kishte qenë një projekt shumë elegant, por ja që dora e dikujt do e bënte të vetën. Zonja X kishte përvojë të hidhur në këtë aspekt. Bustin prej bronzi të vëllait të saj të ndjerë e kishin vjedhur pas luftës në vendlindjen e saj, dhe kurrë nuk ishte gjetur. Y. dhe ajo e kthyen në vend, edhe pse peshonte shumë, shumë rëndë. I vendosën buqetat me shumë dashuri, lulet e freskëta zbukuruan atë “banesë” të ftohtë në atë ditë të ngrohtë maji.Y, e la Zonjën X të kalonte ca çaste vetëm me të dashurin e saj, të çmallej me të. Ishte e nemitur, qëndronte tek varri i tij, ashtu pa fjalë. Me mijëra orë kishte kaluar duke biseduar me të pas largimit të tij në botën e amshueshme, kishte biseduar nga larg, por tani ishte krejt afër tij dhe ai do e ndjente dhe dëgjonte me kujdes heshtjen e saj. Madje dhe lotët iu kishin shterur, sytë iu kishin tharë.
Realiteti ishte shumë i dhimbshëm, i vrazhdë, i tmerrshëm, plot ironi, nuk kishin merituar një takim të tillë në vitin e tyre jubilar!
” Kalorësi ” i saj sy blu do e priste sado gjatë në mbretërinë e amshueshme derisa
Zonjës X do i vinte koha
t’ i bashkëngjitej.
Ky ishte zotimi i tij!
____
Vera Xerxa, Göteborg – Londër maj 2022
Imazhi: Gaetano Previati: Paolo e Francesca oil on canvas, 1909