ARKIVI:
27 Dhjetor 2024

‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’ u promovua mbrëmë në KultPlus, Buxhovi mbrëmjen ia kushton Ramadan Musliut

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Era Berisha, Prishtinë

Romani i njohur ‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’ nga shkrimtari dhe historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, i cili së fundmi ka dalur nga shtypi nga shtëpia botuese ‘Faik Konica’ ka marrë një jehonë të re dhe sukseset e tij duket sikur nuk po kanë një fund, me ç’rast promovimi i këtij libri mbrëmë u bë edhe në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Por surpriza e mbrëmshme ishte edhe përkthimi në gjuhën italiane i cili sapo kishte arritur dhe kështu autori e bëri një promovim të dyfishtë të veprës në të dyja gjuhët.

Romani për herë të parë u botua në vitin 1982 dhe u përkthye në disa gjuhë botërore, ndërsa tani ka ardhur me ndryshime të cilat dallojnë nga pesëmbëdhjetë botimet e deritanishme, për arsye se aspekti përmbajtësor dhe gjuhësor është plotësuar akoma më shumë. Ndërsa përkthimi në gjuhën italiane i ka dhënë romanit një frymë të re të shoqëruar me një sukses të jashtëzakonshëm në Itali ku çdo ditë e më shumë po i bëhet jehonë.

Jusuf Buxhovi, në këtë libër është fokusuar tek çështja e polikromit fetar tek shqiptarët, duke e pasqyruar atë jo vetëm si bashkëjetesë të besimeve nga familjet deri te individi, por të ndërlidhur me elementet e kozmogomisë të trashëguara nga dijet e vjetra, të cilat gjenden në vetëdijen kulturore dhe historike të shqiptarëve si një faktor i veçantë, që atë e ka përballur edhe me trysninë e vazhdueshme të garës së qytetërimeve, ku për t’u shkatërruar ky element identitar, është përdorur edhe lufta biologjike, me virusin e murtajës, mbi të cilin ngritet edhe drama e romanit në dimensionin gjithëkohor dhe gjithnjëzor, format e të cilit pasqyrohen edhe sot për qëllime politike dhe hegjemoni.

Po ashtu, autori e ka kthyer paskajorën dhe disa morfema të gegnishtës, që pasqyrojnë fuqinë shpirtërore që mbështetet mbi gjuhën e mirëfilltë.

Të pranishmit mbrëmë ishin në numër të madh dhe patën rastin të dëgjojnë dhe të bashkëbisedojnë në lidhje me përpunimin e këtij romani që autori e ka risjell në një version më të plotësuar dhe i cili këtë mbrëmje ia ka kushtuar shkrimtarit që tani nuk është më në mesin tonë, Ramadan Musliut. Andaj, nën moderimin e aktores Vlora Merovci, fillimisht për disa fjalë rasti mbi librin, foli botuesi Nazmi Rrahmani nga shtëpia botuese ‘Faik Konica’.

“Botimi i parë i librit ‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’, ka ndodhur në vitin 1982 dhe pas kësaj edhe në Rilindje është ribotuar shumë herë. Libri ka bërë një rrugë të gjatë e të rëndësishme deri tek lexuesi dhe këtë e dëshmojnë ribotimet e deritashme në gjuhë të ndryshme”, ka thënë Rrahmani.

Në vazhdim, Ardian Haxhaj, lexoi shkrimin e tij në qasjen kritike e që është titulluar ‘Mbi triumfe’, ku sipas tij përshkruhet lufta e jetës dhe vdekjes, të mirës e së keqes dhe errësirës e dritës.

“Në konsolidimin kulturor që me botimin e parë të romanit në vitin 1982, romani shqip në Kosovë shënjoi një momentum reprezentativ kulturor. I shkruar në formë të shënimeve, mundësohet që përvoja e leximit të këtij romani të shfaqet në shumë dimensione. Është koha e Perandorisë Osmane në Ballkan, në trojet shqiptare, diku në mesin e shekullit të 18-të dhe Gjakova është vendi ku zhvillohet ngjarja”, thotë Haxhaj.

Sipas tij, narratori dhe protagonisti kryesor, Gjon Nikollë Kazazi e përshkruan një kohë të jashtëzakonshme të përballjes së qytetit të tij me rrethinë, me ethet e mortajës që rezulton të jetë në shumë pikëpamje se prej nga vinte epidemia. Ai i takonte provincës fetare të kohës ku ai ishte udhëheqës shpirtëror i besimtarëve por në romanin e Buxhovit, del në dimensionin e prirjes së liderit shpëtimtari.

“Përsiatjet e Gjon Nikollë Kazazit i tejkalojnë përsiatjet teologjike. Si pjesëtar i një rrethine të mbërthyer nga një perandori, ai preokupohet me tema e veprime ekzistenciale, merr masa se si të shpëtohet nga mortaja që dyshohet se pushtuesi e ka sjell qëllimshëm për shkatërrimin e popullatës vendase. Andaj, ky roman mbetet në listën e romaneve më të qëndrueshme në letërsinë shqipe”, përfundon Haxhaj.

I pranishëm ishte edhe Don Lush Gjergji, i cili me një qëndrim të jashtëzakonshëm shpalosi disa fjalë rreth librit e ekskluzivisht ai foli për përkthimin e librit në gjuhën italiane sepse edhe ishte më afër atij zhvillimi.

“Janë pesë vlera universale që paraqiten në popullin tonë të stërlashtë, ilir arbnor dhe shqiptar. Romani i Buxhovit ka një titull jashtëzakonisht të bukur në përkthimin italisht ‘Për ty toka ime’, një ngjarje e rëndësishme për ne si popull shqiptar. Njerëzit tanë kanë qëndruar, kanë luftuar, kanë bërë çmos që mos të tjetërsohen e të mos shkrihen”, thotë Gjergji.

Sipas tij, vetë fakti që jemi gjallë e jemi shqiptarë, kemi vitalitet dhe e duam jetën, konsiderohet një mrekulli dhe është një ngjarje e tejkalimeve të përballimeve dhe vështirësive.

Ndërkohë, shkrimtari, historian dhe publicisti Jusuf Buxhovi, tregoi arsyen e tij për ripërpunimin e romanit dhe promovimin e tij që i dedikohet shkrimtarit dhe intelektualit Ramadan Musliu.

“Ky promovim i kushtohet shkrimtarit dhe intelektualit Ramadan Musliut, i cili ka qenë redaktor i librit dhe punës time ia ka dhënë një kornizë përmbajtjesore dhe konceptuale. Krijuesi gjithmonë është në lëvizje dhe idetë janë një sfidë e veçantë. Janë dy arsye pse unë i jam rikthyer Shënimeve të Gjon Nikollë Kazazit”, thotë Buxhovi.

Sipas tij, ripunimi i këtij romani ka qenë i rëndësishëm që në planin ideor, të intonohet një çasje e re në këtë mbijetimin tonë. Ai e ka përjetuar mbijetimin dhe pranimin e feve si diçka e natyrshme.

“Gjuha është ajo që bastardohet më së lehti dhe në esencë neve po na kanoset koha e mortajës së Gjon Nikollë Kazazit. Një popull nuk mund ta tregojë identitetin jashtë kulturës dhe krijimtarisë, andaj për mua ka qenë e rëndësishme që ky faktor të forcohet edhe më shumë”, thotë Buxhovi.

Kështu, krejt në fund Buxhovi ka falënderuar portalin KultPlus për mundësinë e promovimit të romanit, e në veçanti kryeredaktoren e gazetës Ardianë Pajaziti.

“Këtu nuk është herë e parë që vijmë, vijmë sepse për mua e të tjerët, ky është një kënd i cili ofron kulturë dhe për fat të keq është dashur të kemi shumë më shumë ambiente të tilla. Por këtë duhet ta shfrytëzojmë sa më shumë dhe andaj doja të falënderoja për mundësinë që ofrohet që këtu së paku ta ndjej veten si krijues”, përfundon Buxhovi.

Në fund, duartrokitjet ishin ato që zëvendësuan fjalimet ku të pranishmit patën rastin të marrin falas nga një kopje të librit dhe autografin e autorit. Pastaj, nata vazhdoi tutje me biseda mes miqsh dhe artdashës të cilët u shoqëruan me nga një gotë verë nën meloditë e këngëve shqiptare. / KultPlus.com

 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu