Stan Tërg, Mitrovicë, 20 shkurt 2025
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, mori pjesë në ngjarjen që shënoi 36-vjetorin e grevës së madhe të Minatorëve të vitit 1989, në Stan Tërg.
“Në zemrën e Kosovës, në thellësinë e tokës sonë, prej dekadash rreh fuqia e një emri që simbolizon pasurinë, punën, qëndrueshmërinë dhe të ardhmen: emri “Trepça”, e nisi fjalën e tij kryeministri Kurti.
Ai the se Trepça nuk është thjesht një ndërmarrje, se ajo është shtylla e mijëra familjeve që çdo mëngjes mbështeten te puna e saj, duke krijuar një zinxhir që lidh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë ekonomike dhe jo vetëm.
“Trepça ka ndihmuar edhe arsimin nëpërmjet zhvillimit. Pas Luftës së Dytë Botërore u themelua Shkolla e Mesme Teknike në Mitrovicë, e para e këtij lloji në Kosovë, qysh në vitin 1946, për përgatitjen e teknikëve profesionalë për Trepçën”. Në vitet 1961-’62 u hap Shkolla e Lartë Teknike në Mitrovicë, duke u futur seksionet e xehetarisë dhe më vonë të metalurgjisë dhe të kimisë e në vitin 1974 u themelua Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë, që u bë qendër e rëndësisë akademike për zhvillimin industrial të Kosovës”, u shpreh kryeministri.
Krahas zhvillimit të arsimit, kryeministri theksoi edhe rolin e rëndësishëm të Trepçës në zhvillimin e industrisë, si burimi kryesor i përpunimit të metaleve dhe furnitor me material bazë në dhjetë fabrika anembanë Kosovës. Historia ekonomike dhe politike e Kosovës nuk mund të kuptohet pa zhvillimin e Trepçës, tha ai, teksa listoi fabrikat që dikur furnizoheshin me material bazë nga Trepça.
Ministja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës, znj. Artane Rizvanolli
Duke folur për grevën e madhe të minatorëve të vitit 1989, ai veçoi pikën 8 nga 10 kërkesat e minatorëve e cila thoshte “fati i shqiptarëve në Kosovë e në Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara”, pra të ndërkombëtarizohej çështja e Kosovës dhe shqiptare në ish-Jugosllavi në përgjithësi.
“Në thelbin e përmbajtjes së tyre, kërkesat e minatorëve ishin kërkesa politike për ta mbrojtur gjithë Kosovën nga politikat shtypëse, shfrytëzuese dhe diskriminuese të Serbisë dhe përpjekjes së saj për degradimin e statusit të Kosovës nëpërmjet suprimimit të autonomisë. E gjatë atyre tetë ditëve, nga 20 shkurti e deri më 28 shkurt 1989, horizontet 8 dhe 9 të zgafelles së Xeherores së Stan Tërgut, u patën kthyer në llogore rezistence kundër politikave antishqiptare të Serbisë dhe të Jugosllavisë. Ditën e parë që minatorët dolën nga zgafella pasi që e ndërprenë grevën, pra bëhet fjalë për 1 mars të vitit 1989, autoritetet e Serbisë e mbyllën minierën dhe i arrestuan 15 persona që u burgosën nga 14 muaj secili prej tyre. Ndërkaq, pas tri javësh, më 23 mars 1989, Kosovës iu suprimua autonomia, kundër vullnetit të popullit tonë. Dhjetë vjet pasues qenë një dekadë e rezistencës më totale, njëherë paqësore e mandej edhe e armatosur, që rezultoi me çlirimin e Kosovës më 1999 dhe pavarësimin e saj më 2008”, tha kryeministri.
Edhe sot, shtoi kryeministri, Trepça po tregon se nuk është vetëm një emër në histori, por edhe një forcë e gjallë për zhvillimin tonë, teksa me hapa konkret po e rimerr vendin që i takon në ekonominë tonë. Për herë të parë pas shumë vitesh, prona të rëndësishme janë rikthyer në menaxhimin e duhur. Që nga ky muaj, 2,133 prona me 12.6 km² sipërfaqe tokë janë kthyer në emër të Trepçës pasi që kanë qenë të shpërndara merreni mend në 273 emërtime të ndryshme. Përpos pronave të Trepçës që janë keqpërdorur më herët nga të tjerët, edhe nevojat operacionale të ndërmarrjes janë menaxhuar nga të tjerë, tash për herë të parë, punonjësit e ndërmarrjes i menaxhojnë vetë pagat, ashtu si po i përmirësojnë proceset e brendshme, transparencën financiare dhe kontrollin mbi asetet e saj. Në Stan Tërg, muajin e kaluar minatorët e Trepçës kanë rritur eksploatimin e xehes për 78% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar – pra nga 7,200 ton në 12,800 ton.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se minatorët i dolën në mbrojtje të drejtës së Kosovës për vetëqeverisje. Me qëndresën e tyre ndaj Serbisë pushtuese, shpërfaqën themelet e lirisë e demokracisë dhe ato mbështeten mbi dashurinë ndaj atdheut, mbi punën e ndershme dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj pasurisë së popullit.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara ministre e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,
I nderuari ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Faton Peci,
I nderuar Faton Ahmeti, Kryeshef i Trepçës,
I nderuari z. Ibrahim Januzi, Kryetar i Sindikatës së Trepçës,
I nderuari President i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, z. Gëzim Kalaja,
I nderuari Drejtor i Minierës, Shyqri Sadiku,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Arjeta Fejza dhe Agim Bahtiri,
Të nderuar minatorë, që jeni aktualisht tani, por në veçanti ata, të cilët e kanë jetuar e përjetuar edhe grevën e famshme para 36 viteve,
I nderuari z. Burhan Kavaja, i cili ndodhet në mesin tonë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Në zemrën e Kosovës, në thellësinë e tokës tonë, prej dekadash rreh fuqia e një emri, që simbolizon pasurinë, punën, qëndrueshmërinë dhe të ardhmen: emri “Trepça”.
Trepça nuk është thjesht një ndërmarrje. Ajo është drita e një minatori në thellësi të galerisë, zëri i një tekniku që analizon xehërorin, forca e një inxhinieri që udhëheq makineritë e rënda, udhëheqja menaxheriale e cila planifikon e administron. Ajo është shtylla e mijëra familjeve që çdo mëngjes mbështeten te puna e saj, duke krijuar një zinxhir që lidh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë ekonomike dhe jo vetëm.
E tash, nuk kemi se si të mos e kujtojmë atë që u nda fizikisht prej nesh, para më pak se një muaji, saktësisht me 27 janar, akademik Minir Dushin, njohësin dhe kontribuuesin e madh të Trepçës. Në librin e tij “Trepça”, akademik Minir Dushi thotë se, ajo ka qenë një nga prodhuesit më të mëdhenj të plumbit dhe zinkut në Evropë, tashmë me histori mbi 2000 vjeçare. Minierat kanë ekzistuar edhe në kohërat antike pra. Ilirët dhe romakët ishin ndër të parët që shfrytëzuan xeherorët e Trepçës, Artanës dhe Janjevës për argjend dhe plumb.
Romakët, të nderuar të pranishëm, ishin mjeshtër me teknikat e tyre në xehetari dhe ndërtuan edhe qendrën si, “Ulpiana” pikërisht për të shfrytëzuar mineralet e Kosovës.
Trepça ka ndihmuar edhe arsimin nëpërmjet zhvillimit. Pas Luftës së Dytë Botërore u themelua Shkolla e Mesme Teknike në Mitrovicë, e para e këtij lloji në Kosovë, qysh në vitin 1946, për përgatitjen e teknikëve profesionalë për Trepçën. Në vitet 1961-’62 u hap Shkolla e Lartë Teknike në Mitrovicë, duke u futur seksionet e xehetarisë dhe më vonë të metalurgjisë dhe të kimisë e në vitin 1974 u themelua Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë, që u bë qendër e rëndësisë akademike për zhvillimin industrial të Kosovës. Nga Shkolla e Lartë Teknike, mbi 500 studentë u diplomuan deri në vitin 1970. Ndërkaq, nga Fakulteti Xehetaro-Metalurgjik, rreth 1400 studentë u diplomuan deri në vitin 1989.
Në Trepçë në vazhdimësi është rritur numri i punëtorëve. Kësisoj, në 1975, Trepça i kishte afër 15 mijë punëtorë, ndërkaq, në 1987, kishte mbi 23 mijë e 600 punëtorë, me ç ‘rast 63 për qind, sipas akademik Minir Dushit, ishin të kualifikuar.
Dhe, zhvillimi i Trepçës, përveçse e ka zhvilluar arsimin, e ka zhvilluar edhe industrinë. Trepça ka qenë burimi kryesor i përpunimit të metaleve. Furnizimi me material bazë, i shërbente dhjetë fabrikave anembanë Kosovës. Le t’i përmendim ato, sepse historia ekonomike dhe politike e Kosovës nuk mund të kuptohet pa zhvillimin e Trepçës: Fabrika e Akumulatorëve në Mitrovicë, Fabrika e Baterive në Pejë, Fabrika e Baterive me Litium në Gjilan, Fabrika e Akumulatorëve në Sombor të Vojvodinës, Fabrika e Llamarinës në Vushtrri, Fabrika “Metaliku” në Gjakovë, Fabrika për Përpunimin e Metaleve, “Famina” në Prizren, Fabrika e Pajisjeve të Procesit, Industria e Municionit dhe Përpunimit të Plastikës, Fabrika e Ngjyrave dhe e Llakut “Ekstra” në Vushtrri. Pra, industria e Kosovës me dhjetë fabrika e kishte po ashtu në zemër Trepçën tuaj, Trepçën tonë.
Të nderuar të pranishëm,
Në këto kohë kur po e kujtojmë Trepçën tonë para 36 vjetëve, natyrisht që duhet ta theksojmë se përtej të qenit një ndërmarrje me histori kaq shumë, Trepça ka qenë edhe një subjekt shoqëror në historinë e Kosovës. Pra, jo vetëm në historinë ekonomike, po edhe në atë politike, me efekte rajonale dhe me jehonë ndërkombëtare. Natyrisht që e kam fjalën për 20 shkurtin e vitit 1989, kur në mesditë, minatorët e ndërrimit të katërt nuk dolën fare nga miniera, dhe që duke u bashkuar me minatorët e tre ndërrimeve të tjera, u bënë gjithsej rreth 1,300 minatorë që atë ditë hynë në grevë urie.
Po citoj nga faqja 25 e librit “Trepça” të Minir Dushit: “ Minatorët e Trepçës ishin ata që të parët iu kundërvunë qëllimeve të errëta serbomadhe duke organizuar Epopenë madhështore të grevës së muajit shkurt të vitit 1989. Duke kundërshtuar ndërrimet e Kushtetutës së vitit 1974, 1300 minatorë të Trepçës u mbyllën në horizontet 5, 8 dhe 9-të të Minierës, duke shënuar rekord botëror të qëndrimit tetë ditor në nëntokë. Dhe pastaj vazhdon “duke u solidarizuar me kërkesat e minatorëve 5 deri në 7 mijë studentë të Universitetit të Prishtinës kanë qëndruar të mbyllur disa ditë në palestrën e sporteve të Kosovës, në Prishtinë”.
Dhe është interesant, të nderuar të pranishëm, që greva e vitit 1989 e shënon edhe 50-vjetorin e një greve që është harruar, është greva e vitit 1939, kur 3 mijë punëtorë të Trepçës kanë hyrë në grevë për kushte më të mira të punës dhe i kanë fituar ato. Pra, greva së cilës ia shënojmë 36-vjetorin sot, përputhet edhe me 86-vjetorin të një greve në prag të Luftës së Dytë Botërore.
Kërkesat e minatorëve ishin të shtruara asokohe në gjithsej dhjetë pika, që i mësoi e gjithë Kosova, shqiptaria dhe opinioni publik ndërkombëtarë, ndër të cilat pika e 8, thoshte “fati i shqiptarëve në Kosovë e në Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara”. Pra qysh në atë grevë kërkohej ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe shqiptare në ish-Jugosllavi në përgjithësi.
Në thelbin e përmbajtjes së tyre, kërkesat e minatorëve ishin kërkesa politike për ta mbrojtur gjithë Kosovën nga politikat shtypëse, shfrytëzuese dhe diskriminuese të Serbisë dhe përpjekjes së saj për degradimin e statusit të Kosovës nëpërmjet suprimimit të autonomisë. E gjatë atyre tetë ditëve, nga 20 shkurti e deri më 28 shkurt 1989, horizontet 8 dhe 9 të zgafelles së Xeherores së Stan Tërgut, u patën kthyer në llogore rezistence kundër politikave antishqiptare të Serbisë dhe të Jugosllavisë. Ditën e parë që minatorët dolën nga zgafella pasi që e ndërprenë grevën, pra bëhet fjalë për 1 mars të vitit 1989, autoritetet e Serbisë e mbyllën minierën dhe i arrestuan 15 persona që u burgosën nga 14 muaj secili prej tyre. Ndërkaq, pas tri javësh, më 23 mars 1989, Kosovës iu suprimua autonomia, kundër vullnetit të popullit tonë. Dhjetë vjet pasues qenë një dekadë e rezistencës më totale, njëherë paqësore e mandej edhe e armatosur, që rezultoi me çlirimin e Kosovës më 1999 dhe pavarësimin e saj më 2008.
Por, edhe në kohët e fundit siç e dinë të gjithë, Trepça po tregon se nuk është vetëm një emër në histori, por edhe një forcë e gjallë për zhvillimin tonë. Me hapa konkret ajo po e rimerr vendin që i takon në ekonominë tonë.
Për herë të parë pas shumë vitesh, prona të rëndësishme, siç e përmendi edhe kryeshefi Ahmeti, janë rikthyer në menaxhimin e duhur. Që nga ky muaj, 2,133 prona me 12.6 km² sipërfaqe tokë janë kthyer në emër të Trepçës pasi që kanë qenë të shpërndara merreni mend në 273 emërtime të ndryshme. Nuk ka më 273 emërtime të ndryshme, por një emër “Trepça” për të gjitha këto prona. Kësisoj, hapësirat që për dekada me radhë ishin të harruara, sot po kthehen në mundësi të reja për zhvillim.
E përpos pronave të Trepçës që janë keqpërdorur më herët nga të tjerët, edhe nevojat operacionale të ndërmarrjes janë menaxhuar nga të tjerë. Por jo më. Tash për herë të parë, punonjësit e ndërmarrjes po i menaxhojnë vetë pagat, ashtu si po i përmirësojnë proceset e brendshme, transparencën financiare dhe kontrollin mbi asetet e saj.
E në vitet e fundit, Trepça e dimë që është përballur me sfida të shumta, por përkushtimi ka bërë të mundur që kjo ndërmarrje ta vazhdojë operimin e saj e ta ngrisë performances e saj. Këtu ku jemi, në Stan Tërg, muajin e kaluar minatorët e Trepçës kanë rritur eksploatimin e xehes për 78% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar – pra nga 7,200 ton në 12,800 ton. Drejtori Shyqri Sadiku e di fortë mirë këtë.
Rritje të tillë të prodhimit po shohim vazhdimisht, siç e përmendi edhe kryeshefi për tre mujorin e katërt dhe çka është me rëndësi po shohim edhe rritje të numrit të minatorëve në minierë, si dhe rregull të shtuar në ndërmarrje. Më shumë punëtorë ma shumë rregull. Këto padyshim që do të na sjellin edhe në përfitime më të mëdha si për Trepçën ashtu edhe për Kosovën, pra në kuptimin e performances financiare.
Prandaj, të dashur minatorë, dhe ju të tjerë të pranishëm, e ardhmja e Trepçës nuk është vetëm në tokë, por është edhe në duart e atyre që e ndërtojnë përditë!
Portali DRINI.us – portal të cilin e udhëheqë i respektuari Bajram-Gjergj Kabashi, gjithëherë publikon shkrime të mirëfillëta, të cialat na zgjojnë kërsherinë t’i lexojmëdhe të japim komente.
Nga ky publikim po veçoj disa nga fjalët që i foli para minatorëve të KXMK “Trepça” kryeministri i republikës seë Kosovës. z. Albin Kurti, po citoj:
“Të nderuar minatorë, që jeni aktualisht tani, por në veçanti ata, të cilët e kanë jetuar e përjetuar edhe grevën e famshme para 36 viteve (Albin Kurti,Kryeministër i Kosovës)
“Po citoj nga faqja 25 e librit “Trepça” të Minir Dushit: “ Minatorët e Trepçës ishin ata që të parët iu kundërvunë qëllimeve të errëta serbomadhe duke organizuar Epopenë madhështore të grevës së muajit shkurt të vitit 1989. Duke kundërshtuar ndërrimet e Kushtetutës së vitit 1974, 1300 minatorë të Trepçës u mbyllën në horizontet 5, 8 dhe 9-të të Minierës, duke shënuar rekord botëror të qëndrimit tetë ditor në nëntokë. Dhe pastaj vazhdon “duke u solidarizuar me kërkesat e minatorëve 5 deri në 7 mijë studentë të Universitetit të Prishtinës kanë qëndruar të mbyllur disa ditë në palestrën e sporteve të Kosovës, në Prishtinë”.
Dhe shkrimi vijon me fjalët:
“Kërkesat e minatorëve ishin të shtruara asokohe në gjithsej dhjetë pika, që i mësoi e gjithë Kosova, shqiptaria dhe opinioni publik ndërkombëtarë, ndër të cilat pika e 8, thoshte “fati i shqiptarëve në Kosovë e në Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara”. Pra qysh në atë grevë kërkohej ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe shqiptare në ish-Jugosllavi në përgjithësi.”
*
Minatorëve të cilët nuk janë më në jetë – LAVDI E PAVDEKSHME!
Minatorëve të cilët jane në jetë, u dëshiroj shëndet të plotë…
Minatorëve të cilët janë në punë në “TREPÇË” – suksese në punë…
respekt,
Ismet M.Hasani, Suedi