Më pëlqejn njerëzit që vijnë nga rrethina e Shkupit për të sjellur në pazar pemë e perime të freskëta sezonale. Me vite të tëra furnizohem nga i njëjti shitës, bile kemi këmbyer edhe numrat e telefonit për ndonjë rastë kur më duhen më shumë zarzavate e sidomos prej kur tregu është mbushur me prodhime kineze. Sot, po pritnja në rradhë derisa shitësi po peshonte një kungull për një zonjë që të marr ndër të tjera edhe pak groshë vendore. Kur papritmas, me shpejtësi e zhurmë të madhe ndalet një xhip i zi para këmbëve tona, duke folur në telefon, del para nesh duke na shtyrë e kap thesin me groshë e hap bagazhin e fut në te, kthehet kapadaiu e zgjatë dorën i jep 50 euro shitësit dhe në largim e sipër i thotë,” me tahmin në thes ishin njo dhet kile groshë”. Derisa ne të hutuarit po shikonim se çka po ndodh rreth nesh, tipi vazhdonte bisedën me telefon në vesh dhe fluturoi me raketën e tij duke na qerasur me tym benzini, neve që mbetëm me gojë të hapur.
Wuaa shkoj tipi, shkoj grosha, shkun me te edhe fjalët, boll inati, ama ishte si film.
Gjenerata jonë i mban në mend ato western filmat e Holivudit të Burt Kennedy, sa argëtuese e intriguese ishin sepse sherifat e zgjedhur duhej të vendosnin rregull në anarkitë e krijuara dhe njëri nga ato filma sa më kujtohet ishte edhe “Support Your Local Sheriff”.
Sot, Holivudi për ne është bozë, ne jo vetëm që i suportojmë por edhe i admirojmë sherifat tonë dhe ky admirim na vjen aq natyrshëm nga ADN jonë, saqë vetë emri Sherif ka kuptimin e një të zgjedhuri, një njeriu fisnik, prandaj, jo rastësisht jemi popull edhe sui generis, ngase qysh në lashtësi për nder të gjuhës tonë, të zgjedhurit e popullit në shumë qytete të botës janë quajtur,Sherif.
Ne filma me sherifa lokal shohim çdo ditë të lume nëpër mahallat tona, ndërsa elitën e sherifave që flasin në emërin tonë i kemi suportu me na përfaqësu në institucione shtetërore sepse na budall sjemi, kështu naj kan spjegu intelektualët funksional e na qeshtu e kemi kuptu formën zyrtare të demokracisë politike në të cilën alfa dhe omega janë liritë dhe të drejtat e njeriut.
Tani kjo elitë sherifash vendosë në nivel kombëtarë dhe lokal për çdo gjë që ka të bëjë me fatin dhe lumturin tone. E jona mbetet veq me i dashtë, mu zbavitë, me ja u këndu naj këngë me çifteli, “hajt babo” me i përshëndet me eufemizëm ashtu but e këndshëm,”Shero” apo “Sheri jem” dhe çka po dojna ma mirë, kaq sefa nuk të ofron as baba jot në shtëpinë tande. Për besë veq inati nëse u a ke se kërkush nuk mund ta shndërojë shtetin në kinematografi gjigante të filmit, pa e pasë popullin afër zemrës e adhurimin për kulturën mes dy këmbëve. Skenaret po i shkruajnë sherifat e politikës, realizimin po e bëjnë sherifat e mahallës, ndërsa regjia ekskluzivisht është në duar të sherifave partiak, ndërkohë që sherifooligarkët mbikqyrin e finansojnë çdo film qoftë i metrazhit të shkurtë apo të gjatë me rëndësi është se ne po prodhojmë filma të lloj lloj zhanreve, pa i futur në këtë thes të groshës edhe ato bombat e Zaevit që disa i shkrepi në ajër e disa i mbetën në dorë si grosha pa zi dhe për qate ja dhanë koferin se nuk u tregu vizionar fraeri në parashikimin e vëllazërimbashkimit proletar.
Ishte interesant një takim i aranzhuar disa herë me një sheriff local përderisa gjeti kohë të lirë për të më pranuar. Më tha, se më pranoi për hatër të babës tim se përndryshe nuk kishte kohë për të folur me çdokend. Megjithate falemderit i thashë, i spjegova arësyen e vizitës dhe peshën e këtij filmi dokumentar për kulturën tonë kombëtare. Përderisa unë flisja, ai kohë pas kohe shikonte orën e shtrejtë që mbante në dorë dhe u përgjigjej mesazheve që i vinin në telefonin e tijë. Më përcolli duke më thanë,” hajt se e kshirim këtë punë e ja bajmë diqish”.
Megjithatë dorën në zemër duhet pranuar gjenialitetin e sherifave tanë se si e kanë futur qytetarin me gjithë problemet që ka nevojë jeta e tijë në gojë të ujkut.Nëse të duhet ta punësosh dikend, nëse të duhet të rregullosh një document zyrtar, nëse të duhet një intervencë për mjekim, një përkrahje për botim libri, një leje ndërtimi apo leje për varrim, çkado qoftë nga gjëja më e thjeshtë deri tek ajo më sublimja pa aminin e tyre zorr që mund të depërtosh dhe aq më zorr të mbrish me edukatën e potencialin intelektual që ke, hiq rasteve të rralla kur duhet të ndjehesh i privilegjur që një sherif për hatër të dikujt apo diçkaje të hapë derën e tijë të parajsës.
Hapja e këtyre dyerve ishte një sprovë që kërkonte plotësim të skenarit, mangupët e vërejtën se de fakto atyre po ju mungonte edhe një copë letër e cila do ta bënte diferencën dhe do ti legjitimonte formalisht si shtresë e etabluar me të gjitha nishanet në shoqëri. Gjatë natës i blen diplomat, do mastera e do doktoratura nga disa sherifë që mbajnë mbi supe tituj profesorësh universitar i futën në korniza xhami për tu shkëlqyer emri dhe në mënyrë solemne i vendosën në muret e zbrazëta të jetës së tyre.
Morrën pushtetin, pare banën si zalli, u fuqizuan, nxunë dashnore, morrën titull akademik u futën në rradhët e të ashtuquajturve “intelektual” dhe mund veq ta imagjinoni çfarë kënaqsie të papërshkrueshme ndjen sherifi kur me dorë të vetë ta jep një visit kartë e në te çka me pa, dr, mr, vr, ceo, meo, sheriff administrative districts of of Macedonia dhe krk një selfi në FB nga Neve.
Po mendoj të kishte qenë gjallë Hiçkoku ndoshta kishte për të na ndihmuar në paketimin e patologjive, frikërave, obsesioneve, neurozave, perversioneve, se si shkatërohet nga manjakët e filmave të groshës identiteti i një kombi dhe si familjet intelektuale detyrohen të jetojnë në margjinat e jetës nga zuzarët e katapultuar në shoqëri në një thriller horror “ Made in Albania”.
31.1.2025