ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Shkodra në sytë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri – mars/prill, 1991

Shkrime relevante

Këshillë për të krishterët në Kosovë…!

Agim Bajrami  Qëlimi i të gjithëve neve që civilizmin e krishterë e...

Klasë politike më të pafytyrë dhe pakarakter se ne shqiptarët, në Europë nuk ka askush !

Driton Statovci Kur po i lexoj reagimet e politikanëve tonë për sulmin...

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli

Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve amerikano-shqiptare

Gjatë viteve të kaluara kam kujtuar shpesh vizitën zyrtare të delegacionit të parë të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri në mars/prill 1991. Jam munduar që në dyzina shkrimesh gjatë 30-viteve të fundit të kujtoj atë vizitë duke shënuar aspekte të ndryshme të asaj ngjarjeje historike të rifillimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, pas pothuaj një gjysëm shekulli diktature komuniste.

Kësaj radhe po kujtoj, me disa fjalë dhe fotografi, vizitën e delegacionit të parë amerikan në Shkodër gjatë vizitës së parë në Shqipëri në mars/prill 1991.

Pas një jave në Tiranë, delegacioni kishte vendosur të shkonte në Shkodër, qendra e kulturës dhe historisë së Shqipërisë, por edhe qyteti që i bëri qëndresë të fortë regjimit komunist gjatë viteve të diktaturës. Me të marrë vesh Ministria e Jashtme e Shqipërisë së kishim vendosur të udhëtonim drejt Shkodrës, na këshilluan që të mos shkonim se ai është një “qytet me probleme”. Por nëse ngulni këmbë që të shkoni, atëherë ne rekomandojmë që të keni “shoqërues” me vete. Përgjigja e delegacionit ishte, se ne do shkojmë dhe se nuk kemi nevojë për “shoqërues”. Mesa mbaj mend, ndonëse kishim vizituar edhe qytete të tjera, Shkodra ishte qyteti i parë, për të cilin autoritetet vendase na ofruan “shoqërues”,  me përjashtim të ofertës në fillim të vizitës kur na ofruan makinën zyrtare dhe po të dëshironim edhe “shoqërues”. Si në fillim të vizitës ashtu edhe në prak të vizitës në Shkodër, përgjigja e Kryetarit të delegacionit, Amb. David Swartz, ishte faleminderit, por nuk kemi nevojë për “shoqërues”.

Kështu dukej Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë – në mars/prill 1991 – okupohej gjithnjë nga diplomatët italianë –ashtu siç kishin bërë gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë – me qira për $1– nuk më kujtohet nëse “qiraja” ka qenë $1 në muaj apo $1 në vit.


Mercedesi zyrtar dhe shoferi gati për t’u nisur për në Shkodër, mars, 1991. Kryetari i delegacionit, Amb. Swartz ndejti përpara, unë me kolegen dhe diplomaten e talentuar Susan Sutton, mbrapa. Isha shumë i emocionuar dhe nuk dija se çfarë të prisja. Për Shkodrën kisha dëgjuar shumë nga prindërit dhe gjyshi e gjyshja, pasi ndonëse kisha lindur në një fshat afër Ulqinit, dmth në Mal të Zi (ish-Jugosllavi), Shkodra për ata dhe për mua, deri sa u mbyll kufiri më (1948), ishte më afër se Ulqini dhe prindërit dhe gjyshi shkonin në Shkodër për të bërë pazar. Duke udhëtuar për në Shkodër atë ditë të marsit 1991 me kolegët nga Departamenti i Shtetit, po mendoja për të parët e mi dhe për fatin e keq të tyre, që nuk e panë më atdheun e tyre ku kishin lindur. Gjyshi dhe prindërit e mi vdiqën në Amerikë, pa e parë më Shkodrën as vendlindjen e tyre Shkrelin.

Ndërkaq, kur arritëm në Shkodër, ne ndoqëm turmat dhe u bëmë pjesë e tyre, pa ditur se ku po shkonim. Ja më në fund, pamë se turmat e shkodranëve u ishin drejtuar faltoreve – kishave të Shkodrës dhe varrezave ku ishte dhënë mesha e parë në atë qytet pas “shembjes” së komunizmit. Dallohen tre anëtarët e delegacionit amerikan, djathas në foto.
Turma tjetër e shkodranëve—siç duket pa dallim feje – kishte vajtur tek varrezat e Shkodrës ku më 4 Nëntor, 1990 ishte celebruar mesha e parë, kur feja ende ishte e ndaluar me ligj në Shqipëri.
Vizitë në Shkodër, në mbështetje të pronës private, mars/prill -1991. Delegacioni i parë i Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri nga e djathta: Ambasadori David Swartz,
Një grup nxënësish shkodranë që takuam me atë rast, plot shpresë për të ardhmen e Shqipërisë post-komuniste në mars të vitit 1991. Do ishte interesant të dihej se sa prej këtyre të rinjëve jetojnë ende në Shkodër ose në Shqipëri sot – 32 vjet pas “shembjes” së komunizmit!

Gjatë rrugës për në Shkodër pyetëm Amb. Swartz se çfarë do bëjmë në Shkodër, nëse do takonim ndonjë njeri! Askënd nuk njihnim, as nuk kishim njoftuar vizitën tonë më herët. Shkodrën nuk e njihnim asnjë prej nesh. Shoferit i kërkonim të ndalejkur na e merrte mendja se ka diçka për të parë. Shkodra ato ditë vlonte nga rrymat anti-komuniste. Situata ishte jashstëzakonisht e tensionuar. Grupe njerëzish aty- këtu duke biseduar e argumentuar. Amb. Swartz na tha le të ndjekim turmën, dhe grupet e izoluara, që dukesh se po silleshin rrugëve pa ndonjë qëllim ose objektiv. Ndryshe nga Tirana, ku rrugët ishin bosh në krahasim me Shkodrën, ku valët e njerëzve dukeshin nëpër rrugë e sheshe e pastaj zhdukeshin.

Tirana në një mbrëmje të marsit, 1991 – Bulevardi bosh, pa jetë –thuhej, në atë kohë, se shqiptarët ishin në shtëpitë e tyre duke dëgjuar Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe.
Ish-Senatori Clayborne Pell vizitoi Shqipërinë në mars/prill 1991 gjatë vizitës së delegacionit të parë të Departmentit Amerikan të Shtetit në Tiranë

Promovimi i lirisë fetare,  inkurajimi dhe promovimi i pronës private, ishte pjesë e misionit të delegacionit të parë të DASH në Shqipëri, përfshirë edhe vizitën në Shkodër. Këtë e rekomandoi gjatë vizitës së tij 4-ditëshe në Shqipëri dhe në bisedimet me anëtarët e delegacionit, ish-Kryetari i Komisionit të Senatit amerikan për Marrëdhëniet e Jashtme, Senatori Clayborne Pell. Pak veta mund ta dinë se Z. Pell, në rininë e tij si anëtar i trupit diplomatik amerikan (Foreign Service) ishte caktuar të shërbente në Ambasadën Amerikane në Tiranë në fillim të 1940-ave), por para se të shkonte atje, Enver Hoxha ia mbylli derën karrierës së tij diplomatike, duke mbyllur Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Iu bashkua delegacionit të DASH ato ditë për të hequr merakun që i kishte mbetur për një kohë të gjatë, të bënte një vizitë në Shqipëri.

Çfarë dëshironi të pini? Shkodër mars/prill 1991
Shqipëria komuniste, Shkodër – mars/prill, 1991 – “Komunizmi ishte në anën e duhur të historisë…”!?
Duke u kthyer nga Shkodra nuk kishim se si mos të ndalonim tek Varri i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti -Skenderbe

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu