Mirë se vini në Shkollën Shqipe në Zvicër!
“Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet.” Filip Shiroka

Pas këtyre pushimeve, nxënësit në mbarë Zvicrën fillojnë me mësimin e gjuhës amtare për vitin e ri shkollor 2023/24 në “Shkollën Shqipe në Zvicër”.
Dyert e shkollave shqipe të kantonit të Zyrih-ut, St. Gallen-it, Arga-ut, Turgau-t, Bern-ës, Vale-së, Uri-it, Grabynden-it, Apenzell-it, Soloturn-it, Vod-it, Freiburg-ut, Luzern-it, Jura-s, Soloturn-it, Tesi-it, Luzern-it, Shvyz-it, Zug-ut, Bazeland-it, Shafhausen-it, etj, janë gati për orët mësimore në gjuhën shqipe.

Jemi të bindur se ditët në atdhe kanë kaluar shumë shpejt, sa që shumica prej jush, bëjnë të njëjtën pyetje, të cilën shpesh ne të rriturit ia parashtrojmë vetes : “A thua ishim në vendlindje?”. Por, megjithatë jemi të bindur se tani keni më shumë forcë se në Qershorin që e lamë pas. Bankat shkollore po ju presin dhe mësueset e mësuesit i kanë bërë të gjitha përgatitjet, që ju ta ndjeni veten si në vendlindje.

Edhe sivjet ju presin shkronjat e shqipes, mësimet në fushën e letërsisë, historisë, gjeografisë dhe kulturës shqiptare. Sa shumë keni për të mësuar sepse gjuha shqipe krahasohet me valët e detit. Ashtu si valët e detit që nuk përfundojnë edhe mësimet në gjuhën shqipe nuk përfundojnë kurrë. Prandaj, ju të gjithë duhet të përgatiteni që të “notoni” sa më mirë në valët e saj, sepse nuk ka më keq, se kur një fëmijë nuk e njeh gjuhën e nënës – gjuhën amtare.

Ju e ndjeni fare mire nganjëherë kur ju mungojnë fjalët dhe se si mundoheni të gjeni rrugëdalje me ndonjë fjalë tjetër për ta treguar kuptimin e
mendimit. Por, për të gjitha ka një zgjidhje. Prindërit tuaj e kanë për detyrë që t`iu sjellin në orët e gjuhës shqipe, kurse ne bashkë me ju të “notojmë” gjatë tërë vitit në dallgët e gjuhës shqipe, dallgë të cilat padyshim se do t`iu pëlqejnë shumë.
Sivjet “Shkolla Shqipe në Zvicër” jo vetëm që përfshinë mbarë shtetin helvetik – Zvicrën, por edhe synon dyfishimin e numrit të nxënësve, në të gjitha kantonet ku organizohen orët mësimore në gjuhën shqipe.

Ju rikujtojmë edhe pse ua kemi thënë vazhdimisht se gjuha e nënës është themel i identitetit kombëtar, ajo mbron flamurin, identitetin, atdheun. Nuk mjafton të thuash jam shqiptar, nëse nuk e di edhe gjuhën shqipe.
Nxënës të dashur, duart tuaja të bukura, që për mrekulli bëjnë shqiponjën, kanë më tepër kuptim kur e njohim mirë edhe gjuhën shqipe.
Shkolla Shqipe Zvicër po ju pret! Mirë se vini, nxënës të dashur!

“Shkolla Shqipe” – Zvicër
Dr. Vaxhid Sejdiu – koordinator