Ervina Toptani, shkrimtare, Vjenë
I nderuar z. Bajram,
Sapo mbarova së lexuari librin tuaj „Rilindja, përkushtim e trishtim“. Gjithnjë e kam parë veten, nuk e di përse, sa herë shkruaj, në rolin e një gazetari që pikësëpari në atë që shkruan reflekton të vërtetën, edhe pse ajo është gjithnjë sa relative aq dhe gjithëpërfshirëse. Pra, është një profesion që kthehet në mision, ashtu sic është reflektuar në librin tuaj prej të cilit duke dashur të njihem nga afër me punën tuaj e përkushtimin tuaj ndaj saj u njoha dhe me një pjesë të historisë shqiptare që nuk e njihja, dhe si unë, më besoni janë me mijëra që nuk e njohin. Atë cfarë ka ndodhur në Kosovën tonë që prej viteve `80 e më pas.
Autobiografia është i vetmi zhanër letrar në të cilën ekziston një mbivendosje ndërmjet autorit, narratorit dhe protagonistit. Nuk ekziston ky trinom i marrë së bashku në asnjë zhanër tjetër letrar dhe kjo e bën mjaft të vështirë kompozimin e një autobiografie të bukur, të plotë e tërheqëse.
Nuk është aspak situatë e lehtë për ta menaxhuar. Lind pyetja: si bëhet për t`i shkruar vetes? Ose si do të shkruante vetja për veten?
Ju ia keni dalë në këtë autobiografi gjithëpërfshirëse pikërisht në përfshirjen e një kronologjie kohore e veprore në të cilën shfaqen personazhe, etapa, vende, të njohur, të panjohur, data, ndodhi prej atyre mjaft të rëndësishme, përjetime, mësime e pësime. Në tregimin e rrjedhshëm shkruar me mjaft mjeshtëri që nuk e lodh lexuesin ju shpesh keni pranuar se gjatë jetës dhe punës njeriu duke u nisur të bëjë mirë, të jetë korrekt, të jetë i paanshëm sidomos në profesionin e tij, krijon mjaft kundërshtarë e armiq, disa prej tyre mjaft të fortë e disa krejt artificialë. Keni shpalosur me mjaft sinqeritet, gjë që nuk është e shpeshtë të gjendet në librat e sotëm e as në rrëfimet e këtij apo të një lloji tjetër, se sa më i drejtë e korrekt njeriu të jetë aq më tepër sulmohet e kthehet në shënjestër prej shumicës së atyre që jetojnë me paaftësinë duke e kthyer atë në meritë.
Ju ia keni dalë t`i shkruani vetes për veten, duke pasur në objektivin kryesor lexuesin dhe rrëfimin e një periudhe të gjatë kohore, keni marrë distancën nga subjekti narrator. Vetëm kështu shkrimtari i një autobiografie mund të jetë objektiv e të vihet në dispozicionin e objektivitetit duke rrëfyer jetën, sic ajo vjen me të mirat e të këqijat e saj. Ju keni kaluar mjaft rreziqe në jetë, kryesisht prej punës e profesionit tuaj, në kohëra aspak të thjeshta e sidomos në një vend të pushtuar prej një armiku të egër e shumëshekullor e në luftën tuaj për të shkuar përpara me nder, dinjitet e vështirësi të shtuara prej rrethanave shtohen edhe shqipfolësit në shërbim të pushtuesit, në shërbim të armikut, vetëm e vetëm për të përfituar dicka në ekzistencën e tyre mjerane. Bota ka mjaft njerëz të tillë, na i kanë prezantuar shkrimtarët botërorë shumë herët e ne që jemi rritur me veprat e kryeveprat e tyre i kemi dhënë shpesh në mendjen tonë një fytyrë cdo njeriu të tillë negativ, por kur vjen puna apo momenti që këtë njeri ta kesh përballë, është mjaft e vështirë për ta përtypur që ka dhe hiena të tilla që flasin gjuhën e nënës tënde, e kjo është më e dhimbshme nga të gjitha besoj unë. Shpesh në thellësinë tonë i kemi menduar Jagot gjithnjë të huaj, herë armiq, herë pushtues, herë kriminelët me prejardhje nga vende të tjera po kur përballesh me realitetin në rrugën e gjatë të jetës e kupton se Jagot më të tmerrshëm janë ata që ecin përkrah teje, shpesh kolegë pune, njerëz të njohur, dikur dhe miq e ndonjëherë edhe prej vetë trungut tonë familjar. Në momente të tilla njeriu njeh dhimbjen, mosmirënjohjen, tradhëtinë, shkeljen e respektit e të dashurisë e kupton që në fund të fundit ai që e ka pasur gabim je ti vetë që ke besuar e qëndruar mjaft NJERI në cdo situatë sado të vështira të kenë qenë ato.
Të shkruarit është një lloj terapie që e kuptojnë si të tillë vetëm ata që mund të shkruajnë. Kur rrëfimi që shkrimtari merr përsipër të tregojë kthehet në mision të përmbajtjes së të vërtetës me të cilën u mbruajt dëshira e frymëzimi për të hedhur në letër një vepër, atëherë kjo vepër e shkruar merr ngjyrën e lëkurës tënde, ngjyrën e syve të tu, aromën e trupit tënd, formën e karakterit tënd e fillon ndjen e përjeton njësoj si dora që e shkruan. Por përsëri ti e di që aty nuk je ti, ai që ka në dorë komandën e tastirës por është filtri me të cilin ti sheh vetveten që e bën veprën të flasë, që e mban të gjallë, që i jep jetë si një qenie tjetër që del prej vetes tënde. Ajo që më tërhoqi edhe më shumë në veprën tuaj është se ju nuk keni haruuar në asnjë moment, në cdo fjali të shkruar se jeni duke komunikuar me lexuesin, duke treguar të vërtetën tuaj, duke iu shfaqur atij ashtu sic ju jeni në të vërtetë me një stil mjaft të butë, konciz, e melodioz. Ndjehet entuziazmi i shkrifjes së të shkruarës që vjen e rrëfyer nga i njëjti protagonsit që e ka jetuar atë falë teknikës së kornizës përmbyllëse për të mos dalë jashtë kontekstit. I keni lejuar lexuesit të reflektojë për të gjitha argumentet e përcjella e për të zhvilluar ai vetë idetë e tij mbi to. Nuk përpiqeni aspak ta bindni lexuesin por i ofroni opinionin tuaj në formën më të thjeshtë e të kuptueshme.
Shpesh përgjatë leximit jam ndalur gjatë të mendoj e të përpiqem të kuptoj sa shumë dashuri duhet të ketë njeriu brenda vetes e po ashtu respekt e përkushtim për punën e profesionin që të marrë në konsideratë të vërë jetën në rrezik? Sa e paanë duhet të jetë substanca me të cilën ka ushqyer shpirtin edhe atëherë kur puna e bërë me pasion, duke ndërmarrë gjithë rreziqet në sy nuk i sillte asnjë përfitim monetar, ekonomik e madje as moral? E përgjigja më ka ardhur e butë, e kthjellët. Po! Mundet njeriu të japë dhe shpirtin për atë cka krijon, për atë cka sjell me duart e me mendjen e tij sepse ka një dashuri më sublime sesa dhe vetë dashuria për jetën, e ky është respketi për veten e dinjiteti me të cilin njeriu e ka ndërtuar dhe mbruajtur veten e tij.
Kam lexuar një autobiografi shumë më të plotë e më gjithëpërfshirëse sesa mund të jetë një autobiografi realisht. Ia keni dalë të sillni një copë historie të mrekullueshme, anipse fort e trishtë dhe e dhimbshme por e kristaltë sepse jeni udhëhequr vetëm nga e vërteta e jetuar.
Ju përgëzoj e ju falenderoj që më prezantuat me një libër të tillë.
Me respekt
Ervina Toptani
Vjenë: 26 Shkurt 2024