Nga: Frank Shkreli
Para disa ditësh në mjediset e Fondacionit të Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit në Washington u zhvillua një dsikutim shumë i nevojshëm për martirët e komunizmit dhe për lirinë e fesë në përgjithësi, përfshir edhe viktimat fetare të komunizmit sllavo-aziatik në Shqipëri. Në të vërtetë, konferenca u hap me historinë e Kardinalit shqiptar Ernest Troshani- simbolit të gjallë të rezistencës etare kundër komunizmit – i cili mbijetoi mundimet dhe persekutimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Frank Shkreli: Ndërsa në Washington kujtohen martirët e komunizmit, politikani britanik Andrew Rosindell jep mesazhin e tij në “vendin e dëshmisë dhe kujtesës” në Shkodër | Gazeta Telegraf
Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Virxhinia kontribuan në këtë takim të rëndësishëm të pëkujtimit edhe të viktimave të komunizmit në Shqipëri duke informuar të pranishmit mbi fatin e keq të martirëve shqiptarë të tre feve nën komunizëm. Nuk jam i sigurt nëse ky diskutim në Washington u organizua në kuadër të përvjetorit famëkeq të 6 shkurtit të vitit 1967 kur Enver Hoxha mbajti fjalimin:”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit” — fjalim ky me të cilin ai kishte njoftuar shqiptarët dhe botën se Shqipëria komuniste i shpallte luftë Zotit, ”ideologjisë fetare” dhe ”zakoneve prapanike”, duke e shpallur Shqipërinë, me ligj, kundër Zotit, vendi i parë dhe i vetëm ateist, në historinë botërore. Ky lajm i regjimit komunist të Enver Hoxhës u trajtua në atë kohë në median botërore të kohës gati si tragjikomik. Megjithse bota i kuptonte mirë pasojat e një vendimi të tillë, Tirana zyrtare as sot e kësaj dite nuk është e vetdijshme për pasojat e rënda që ky vendim i regjimit komunist shqiptar — pothuaj 60-vjet më parë — pati mbi shoqërinë shqiptare atëherë e as për pasojat që shihen edhe sot në fusha të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë shqiptare, megjithse kanë kaluar 35 vjet nga shembja “zyrtare” e komunizmit.
Megjithëse shtypjet kundër fesë kishin filluar ç’prej vitit 1945, sidomos kalvari i Kishës Katolike dhe udhëheqësve të saj kishte qenë tepër i egër gjatë dy dekadave pas ardhjes së komunistëve në pushtet. Shumë prej klerikëve katolikë shqiptarë, por edhe të feve të tjera, myslimanë, bektashi dhe ortodoksë, u vranë ose vdiqën nën tortura të paimagjinueshme nëpër burgjet dhe kampet komuniste të regjimit hoxhist, nga viti 1945-1960. Numri i klerikëve të vrarë ose të vdekur nëpër burgje e kampe përqendrimi – bektashi, myslimanë, katolikë, dhe ortodoksë, nën torturat më çnjerëzore gjatë asaj periudhe — ndoshta nuk do të dihet kurrë. Deri më 1950-komunitetet fetare në Shqipëri ishin dobësuar aq shumë nga përndjekjet dhe vrasjet e klerikëve sa që nuk mund të flitej më për ndonjë veprimtari normale të atyre komuniteteve. Lidhjet me Vatikanin për udhëheqësit e Kishës katolike ishin shpallur kundër ligjit. E gjithë kjo ndërsa, në të njëjtën kohë, Kushtetuta e Shqipërisë garantonte lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes. Kështu që në Shkurt të vitit 1967, kur diktatori Hoxha mbajti fjalimin kundër “influencave fetare” dhe “zakoneve prapanike”, influenca e feve në shoqërinë shqiptare pothuajse ishte zhdukur.
Si rrejdhim, pas fjalimit të diktatorit Enver Hoxha më 6 Shkurt, në Maj të vitit 1967, të gjitha kishat, xhamitë e teqetë që ishin ende të hapura, u mbyllën ose u shembën, ndërkohë që në Nëntor të të njëjtit vit, revista ”Nëntori”, kishte njoftuar se, gjithsej në Shqipëri u mbyllën 2,169 objekte fetare dhe bëri njoftimin absurd se Shqipëria tani ishte, zyrtarisht, “shteti i parë ateist në botë.” Gjatë kësaj kohe, shumica e këtyre objekteve fetare, siç dihet, u shëndrruan në qendra sportive dhe kulturore për edukimin ideologjik të rinisë. Revista “Nëntori” mburrej në atë kohë duke shkruar për këtë fushatë anti-fetare se partia dhe shoku Enver ia kanë caktuar “rinisë revolucionare” detyrën e zbatimit të këtij “misioni të madh e historic” dhe se nën udhëheqjen e ndritur të partisë dhe shokut Enver, Shqipëria është shteti i parë ateist në botë, shkruante në atë kohë, revista “Nëntori”. Fjalimi i diktatorit Hoxha me 6 Shkurt 1967 ishte vaj në zjarrin e fushatës së dhunshme anti-fetare që regjimi enverist po zhvillonte ç’prej arddhjes në fuqi në Shqipëri.
Se si dikush, sot, në nivele zyrtare, politike e akademike, të shoqërisë shqiptare ende tregohen nostalgjikë për regjimin e Enver Hoxhës dhe të deklarohen krenarë për këtë histori të tmershme, ose që, zyrtarisht, të anashkalohen në heshtje këto krime të regjimit komunist të Enver Hoxhës — unë e kam të pamundur ta kuptoj. Nuk kuptoj se si klasa politike shqiptare e 30-viteve tranzicion deri më sot nuk ka gjetur ende forcën morale dhe politike për tu përballur me historinë komuniste dhe për të dënuar krimet e komunizmit, përfshir ato kundër tri feve kryesore të shqiptarëve dhe klerikëve të tyre dhe shkatërrimin fizik të shumë xhamive, teqeve dhe kishave, në të gjithë Shqipërinë. E që nostalgjikët e komunizmit të kujtojnë data të tilla, si 6 Shkurti 1967, jo se jo!
Më posht mund të lexoni deklaratën e “Vendit të Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër — “i pari vend kujtese i ngritur në Shqipëri, i cili trajton periudhën e së kaluarës komuniste të vendit tonë”. Ja postimi i plotë i deklaratës në fjalë nga “Vendi I Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër, me rastin e fjalimit të Enver Hoxhës me 6 Shkurt 1967, kur premtoi shkatërrimin e faltoreve dhe zhdukjen e klerikëve fetarë të Shqipërisë: të, “djegim në zjarr dhe t’i zhdukim ato nga faqja e dheut”.
Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory
[…] pse, ligjet tona do të na ndalojnë neve që të djegim në zjarr dhe t’i zhdukim ato nga faqja e dheut?» Enver Hoxha, 6 shkurt 1967.
Shembja dhe shkatërrimi i “gurëve të besimit”.
Në fillimet e veta, diktatura komuniste edhe pse sekuestroi shumë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme nga komunitetet fetare, një pjesë të objekteve të kultit ua la në përdorim, për të kryer të gjitha shërbesat fetare. Deri në vitin 1967 shumë kisha, xhami dhe teqe vazhdonin funksionin e tyre rregullisht edhe pse presioni diktatorial ishte i lartë dhe frika për t’i frekuentuar ata nga ana e popullsisë ishte e madhe. Fjalimi “programatik” i mbajtur nga Enver Hoxha me 6 Shkurt 1967 “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, vuri në lëvizje “masat e gjera popullore, nxënës, punëtorë e kooperativistë” që të finalizonin luftën kundër klerit me aksionin e mbylljes dhe shkatërrimit të objekteve të kultit. Me 15 shkurt nisi vendosja e fletë rrufeve në dyert e institucioneve fetare. Me 27 shkurt një urdhër sekret, i cili mbante firmën e diktatorit i dha hovin shkatërrimit në masë të objekteve të kultit. Objekti i parë i cili u shkatërrua ishte Manastiri i Shën Vlashit në Durrës. Me rradhë filluan të shkatërroheshin shumë xhami, teqe dhe kisha në të gjithë Shqipërinë. Shumë objekte të tjera u kthyen në stalla, klube rinie, reparte ushtarake, depo ose magazina. Në bazë të raportit informativ “Mbi Rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj”, të datës 30 gusht 1967, në Shqipëri ishin shkatërruar apo tjetërsuar gjithsej 2169 objekte kulti, prej të cilave 740 xhami, 609 kisha orthodhokse, 158 kisha katolike e 530 teqe. Bashkë me institucionet fetare u mor në dorëzim pasuria e tyre. Me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 4263 të vitit 1967 pasuritë e paluajtshme të komuniteteve fetare i kaluan në pronë shtetit, ose iu dorëzuan kooperativave. Kishat, xhamitë, teqetë etj., të cilat ndodheshin në qytete i kaluan komiteteve ekzekutive, kurse ato në fshatra i kaluan kooperativave bujqësore. Gjendja e arkave dhe llogarive rrjedhëse të të gjitha institucioneve fetare deri në fund të muajit mars të atij viti ishte 19.593.070 lekë. Të gjitha këto të dhëna paraqiteshin si një sukses i arritur nga shteti komunist, në një kohë fare të shkurtër.
Më poshtë po shfaqim edhe një tjetër poster propagandues kundër fesë, nga posterët të cilët ishin të ekspozuar në Muzeun Ateist të Shkodrës”, përfundon deklarata e “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory”, në kujtim të 6 Shkurtit – Ditës së zezë të vitit 1967 – kur Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës i shpalli luftë Perendisë – duke u bërë zyrtarisht shteti i parë ateist në botë!