ARKIVI:
23 Shkurt 2025

Shpalime historike, në 109 vjetorin e Kuvendit të Vlorës, më 28 Nëntor 1912

Shkrime relevante

Më e bukura hakmarrje është të ndërtosh jetën tënde pa ta, të tregosh se tradhtia e tyre nuk të ka thyer…!

Halil Geci, Skenderaj ___ TRADHTIA: PLAGË QË S’SHËROHET KURRË ___ Kur të tradhëtojnë është sikur...

Afrim Caka për “fshatarizmat” dhe poshtërsitë anti-Kosovë të Lutfi Hazirit

Afrim Caka, Gjakovë “LYTFI HAZIRI E RESPEKTOVE KRRIҪIN E XHELATIT DHE KISHE...

Kështu përshkruhet Trump: – mediat ruse brohorasin

Vizatimi: Marvin Halleraker / Aftenposten Eksperti thekson se mediat ruse nuk kanë...

Algjeria refuzoi dhjetë herë të ndërmarrë veprime kundër terroristëve, Franca premton reagime

Burri mendohet se quhet Brahim Abdessemed. Document.no Algjeriani (37) që sulmoi dhe vrau...

Disa të goditur me thikë në një treg në Francë: – Terror islamist

Këtu, hetuesit e policisë punojnë në vendin e ngjarjes në qytetin...

Shpërndaj

Nga: Sheradin Berisha
FJALIMET HISTORIKE TË ISMAIL QEMALIT NË KUVENDIN KOMBËTAR TË VLORËS, MË 28 NËNTOR 1912
Kuvendi i Vlorës ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët, në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XX-të. Kuvendi u mbajt më 28 nëntor 1912. Punimet i hapi në orën 16:00 pasdite, në shtëpinë e kusheriut të Ismail Qemalit, Xhemil Beut. Morën pjesë 42 delegatë. Në kuvend i pari foli Ismail Qemali.
Ai me këtë rast ka thënë (po sjellim origjinalin):
“Shqiptarët nuk e kanë harruem kurrë as gjuhën e as kombsin’e tyne, dhe prova mâ e mira janë përpjekjet dhe kryengritjet qi kanë bâmë herë mbas here e sidomos ndër këto katër vjett e fundit për të ruejtun të drejtat e zakonet e veta. Qeverija othomane nuk e kuptoi kurrë interesën e saj e nuk deshi kurrë t’u shpëblejë me të mirë Shqiptaret shërbimet e mëdhá qi i kishin bâmë. Tashti vonë pati rrëfyem nji farë deshiri qi të merrej vesht me popullin t’onë. Por prap nuk vûni të gjithë vullnetin e mirë e nuk muer të gjitha masat e nevojshme për të kënaqun e paqsuem Shqiptarët. Qe ndër këto rrethana qi plasi lufta me katër Pushtetet balkanike, të cilat kërkojshin prej saj reforma e të drejta për vllaznit e tyne të nji kombi e të nji bese. Por këto, si panë se lufta po u vente mbarë, e harruen qëllimin e parë e u muerën vesht për coptimin e pjestimin e mbretnisë e pra edhe të Shqipnisë. Shqiptarët, të cilët kishin marrë pjesë në këtë luftë mâ fort si të zott e vêndit e për të shpëtuem veten e tyne se si ushtarë, kur e panë se ushtrija e Tyrqisë u mund e s’po mûjte me qëndruem mâ, nxituen me marrë masat qi u impononte gjêndja për të shpëtuem vêndin e vet. Kështu u bâ qi un u nisa nga Stambolli e, mbasi u mora vesht edhe me Shqiptarët e Bukureshtit, vota në Vjenë, ku fillova kontaktet me ato Pushtete të mëdhá qi kanë interesa mâ të gjalla në Balkan. E mbasi nuk mbetej mâ asnji shpresë me e shpëtuem Shqipninë me armë, e vetmja udhë shpëtimi ishte të shkëputunit e saj prej Tyrqije. Ky mendim u pa me vênd edhe nga an’e Pushteteve të mëdhá e sidomos në Vjenë e në Romë. Vetëm Rusija mund të mbahet pakëz e ftohët nga shkaku i fqije t’anë slavë, por as ajo nuk e mohon kombsinë shqiptare…” (*)
————-
*) Burimi, revista “Flamuri”, botuar në korrik Shëndre 1952, Nr.31-36, fq.3, Romë, dhe simotra e saj “Besa”, nânduer 1954, Nr.15, Istanbul. Ky fjalim u botua edhe te Kujtimet e Mustafa Merlika Krujës, “Të shpallët e Pamvarsisë”)
***
Ismail Qemali pasi foli për gjendjen dhe rrezikun në të cilën ndodhet Shqipëria, delegatët njëzëri vendosën “që Shqipëria me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”. Pastaj Kuvendi për Kryetar të Qeverisë së përkohëshme zgjodhi Ismail Qemalin, ndrësa për nënkryetar Dom Nikoll Kaçorrin. Pas përfundimit të punimeve në orën 17:30 Ismail Qemali bashkë me delegatët dolën në ballkonin e shtëpisë për të ngritur Flamurin, dhe me këtë rast ai mbajti një fjalim para masës së tubuar.
Fjalimi origjinal i Ismail Qemalit
Vlorë, 28 Nëntor 1912
VËLLEZËR SHQIPËTARË!
Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur.
“Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvetësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveries së përkohshme të Shqipërisë së lirë.”
“Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e lirit (e ullirit – sh.b) pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithnjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; këjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.
Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!
Për t’ia arritur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëvet që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoj mua ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe natyrisht të pshehur nën pallto dhe pasi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Amatorët (masa – sh.b), posa e shohin Flamurin, thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).
Ja, pra ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar (mbrojtur), për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.
Isa Boletini me Ismail Qemalin …
Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë, Flamuri i ynë, n’atdheun t’onë të lirë.
Rroftë Flamuri!
Rroftë Shqipërija!” (**)
**) Fjalimi i Ismail Qemalit gjindet në Arkivin Qëndror Shtetror në Tiranë, në Fondin 245/II, Dosja 1. faqe 43, dhe i njejti është publikuar nga Drejtoria e përgjithshme e arkivave të Shtetit, në librin: “Ismail Qemali (Përmbledhje dokumentesh) 1888 – 1919”, të botuar nga Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1982, faqe 231-232).
Kan være et bilde av 1 person

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu