ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

Shqipëria-SHBA-NATO: NJë lidhje dashurie ushtarake

Shkrime relevante

Histori për Xhenkiz Khanin dhe sulmin e tij ndaj qytetit të Buharasë, në Uzbekistanin e sotëm

Agim Vuniqi, New York Kur komandanti mongol Xhenkiz Khan sulmoi qytetin e...

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Shpërndaj

Takim i delegacionit të Republikës së Shqipërisë në Shtëpinë e Bardhë, i kryesuar nga ish-Presidenti Sali Berisha, qershor, 1992, me Presidentin Xhorxh H. Bush i vjetër dhe me udhëheqsit më të lartë të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara  

Nga: Frank Shkreli

Siç dihet, stërvitjet ushtarake shumëkombëshe, “Defender Europe 21” të NATO-s, të drejtuara nga ushtria amerikane, janë në zhvillim e sipër.  Në fillim të këtij muaji, në portin e Durrësit arrijtën një numër i madh kontenjerësh dhe kamionësh të mëdhej në prag të stërvitjeve të forcave të NATO-s në Shqipëri dhe në rajon.  Zyrtarët amerikanë e cilësuan këtë përqendrim të mjeteve ushtarake amerikane dhe të NATO-s si më të madhin që është parë në bregdetin e Shqipërisë ç’prej Luftës së Dytë Botërore. Sipas zëdhënsve amerikanë, këto stërvitje ushtarake (nga 17 maji e deri me 2 qershor) kanë për qëllim parandalimin e agresionit dhe ruajtjen e gatishmërisë operacionale të Aleancës Perëndimore të NATO-s. Në stërvitjet “Defender Europe 21” të këtij viti po marrin pjesë gjithsejt 26 vende me pjesëmarrjen e 28, 000 ushtarëve të kësaj force shumëkombëshe, aleatësh dhe partnerësh.

“Shqipëria është një partner i vlefshëm. Ushtarakët tanë përfitojnë duke u trajnuar së bashku, duke rritur ndërveprimin, duke ndërtuar gatishmërinë operacionale dhe duke forcuar marrëdhëniet – të gjitha këto mundësojnë aftësinë tonë për t’iu përgjigjur çdo krize, në çdo kohë, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë,” citon VOA-shqip zëdhënsen, Tammy Muckenfuss të kontingjentit të ushtrisë amerikane për Evropën dhe Afrikën, me qendër në Gjermani.

Është mirë që me këtë rast të kujtojmë se si erdhi deri tek ky moment historik në marrëdhëniet ushtarake të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, fillimisht, dhe pastaj si anëtare e NATO-s.  Megjithë rrëmujën politike të kësaj klase politike gjatë këtij tranzicioni të tejzgjatur neo-komunist në Shqipëri prej tri dekadash – fatbardhësisht — kanë qenë dhe janë lidhjet ushtarake dhe antarësimi i Shqipërisë në NATO, ato që të pakën, simbolikisht, e kanë mbajtur Shqipërinë të ankoruar në Perëndim, shpesh edhe përball kërcënimeve nga udhëheqësit politikë shqiptarë se Shqipëria ka alternativa të tjera, duke lenë të nënkuptohet dhe duke aluduar për marrëdhëniet “historike” të Shqipërisë komuniste enveriste me Rusinë, Kinën dhe shtete të tjera autoritare, vende këto që nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat që mbron NATO-ja, anëtare e të cilës është sot Shqipëria.

Merita për këtë moment historik të stërvitjeve “Defender Europe 21” nuk u shkon politikanëve aktualë dhe neokomunistëve shqiptarë – jo se jo – por as të tjerëve që me “photo opps” nga platformat e anijeve ushtarake amerikane në Durrës, me dylbi në dorë sikur të ishin turistë, duan ta tregojnë veten si protagonistë kryesorë të këtij momenti historik në marrëdhëniet ushtarake shqiptaro-amerikane.  Jo, jo, merita për këtë moment në histori, siç tha me 3 maj edhe zëdhënsi i Pentagonit, Z. Xhon Kirby, u shkon atyre “Burrave dhe grave në uniformë dhe punës së tyre të shkëlqyeshme nga dita në ditë në rajon – veçanërisht në Ballkan dhe në zonën e Detit të Zi, si dhe në zonat operacionale të caktuara të Evropës dhe Afrikës”, theksoi zëdhënsi i Pentagonit. Unë do të shtoja se meritë për ketë ditë të shënuar shqiptaro-amerikane, kanë edhe ushtarakët shqiptarë të cilët, krah për krah, me forcat ushtarake amerikane dhe të NATO-s janë të përkushtuar dhe të betuar që të mbrojnë sigurinë kombëtare dhe vlerat e përbashkëta perëndimore, si ushtarë të një vendi anëtar të NATO-s.

Prandaj, në këtë eufori të këtij momenti historik – ndoshta deri diku edhe i justifikueshëm — ia vlen të sjellim në kujtesë se si erdhi deri tek ky moment historik i stërvitjeve historike “Defender Europe 21” në Shqipëri, vërtetë një moment krenarie për të gjithë, sidomos për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Në një shkrim me rastin e 9-vjetorit të antarësimit të Shqipërisë në NATO — Frank Shkreli:Shqipëria, vendi i parë ish-komunist që ka nënshkruar marrëveshje ushtarake me Shtetet e Bashkuara | Gazeta Telegraf – botuar me 10 gusht, 2018 kisha shënuar një historik të shkurtër të marrëdhënive ushtarake amerikano-shqiptare se si dhe kur filluan ato. Pjesë nga ai shkrim i tre viteve më parë:

Megjithëse njerëzit mund të kenë harruar, e vërteta është se ky interesim, në fusha të ndryshme nga ana e Shteteve të Bashkuara për Shqipërisë dhe për shqiptarët është pasqyruar dhe theksuar që në vitet menjëherë pas shembjes së komunizmit në Shqipëri. Marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kanë parë vetëm rritje gjatë pothuaj 30-viteve të fundit, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në Mars të vitit 1991, marrëdhënie këto që falë historisë, ishin të natyrshme midis dy kombeve, pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara kanë qenë vendi më entuziast në mbështetje të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO, ç’prej fillimit. Ishte ky një proces i gjatë dhe i ngadalshëm në zhvillimin e marrëdhënieve ushtarake midis dy vendeve, kryesisht, për arsye të problemeve të brendshme politike në Shqipëri, por që në të vërtetë procesi ka filluar me vizitën e parë të delegacionit të forcave të armatosura të Shqipërisë në fillim të 1990-ave, një proces ky që zgjati, por që më në fund kulmoi në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në vitin 2009.

Zyrtarë të lartë amerikanë gjatë viteve kanë thënë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë si një shtet partner dhe vend mik, marrëdhëniet me të cilin, Washingtoni i ka vlerësuar shumë. Që prej rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve tona më 15 mars, 1991 — pas një ndërprerjeje prej një gjysmë shekulli nga regjimi komunist — edhe Shqipëria, brenda mundësive të saja, e ka dalluar veten me fjalë dhe me vepra, si një prej aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe me bashkëpunimin e saj në arenën ndërkombëtare.

Vizita e parë në Washington e një Ministri të Mbrojtjes të Shqipërisë ishte vizita e Safet Zhulalit dhe delegacionit të tij ushtarak në fillim të viteve ’90. Unë kam marrë pjesë si përkthyes në takimin e parë zyrtar midis delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit ku të dy palët, biseduan në hollësi mbi gjendjen e atëhershme të forcave të armatosura të Shqipërisë, si dhe për marrëdhëniet e ardhshme dhe për bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes.

Ishte Tetori i vitit 1993 kur Washingtoni nënshkroi një marrëveshje ushtarake me Shqipërinë, vendi i parë ish-komunist me të cilin Shtetet e Bashkuara kishin nënshkruar një marrëveshje të tillë. Si diçka e jashtëzakonshme, duke marrë parasysh mos ekzistencën e marrëdhënieve deri atëherë midis Tiranës dhe Washingtonit — në atë kohë ky lajm bëri bujë duke u pasqyruar në organet më të njohura të shtypit amerikan, si Nju Jork Tajms dhe Uashington Post. “Marrëveshja e parë e këtij lloji e Shteteve të Bashkuara me një shtet ish-komunist”, shkruante gazeta Nju Jork Tajms, “është nënshkruar më 8 Tetor nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Les Aspin dhe më 14 Tetor në Tiranë është nënshkruar nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Safet Zhulali”, njoftonte në atë kohë gazeta e njohur e Nju Jorkut. Në marrëveshjen ushtarake shprehej, “Gatishmëria e të dy palëve për të zgjeruar marrëdhëniet mbrojtëse dhe ushtarake midis dy vendeve.”  Koloneli Adem Çopani, këshilltari ushtarak i Presidentit të atëhershëm, Sali Berisha, gjendej ato ditë në Washington për të biseduar mbi hollësitë e marrëveshjes.

Jo vetëm që kjo ishte marrëveshja e parë ushtarake e Washingtonit me një prej vendeve ish-komuniste më të egra, por Shqipëria ishte gjithashtu edhe vendi i parë ish-komunist që kishte kërkuar gjithashtu të anëtarësohej në NATO. Ka qenë Presidenti Sali Berisha ai që kishte bërë lutje për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por fatkeqësisht u desh të pritej deri në vitin 2009 që Shqipëria, më në fund, të anëtarësohej zyrtarisht në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO, duke finalizuar kështu përpjekjet, prej pothuaj dy dekadash dhe duke realizuar gjithashtu edhe aspiratat mbarëshqiptare për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme që ka njohur ndonjëherë bota.

Pak më vonë, gazeta e kryeqytetit amerikan, Washington Post i kishte cilësuar marrëdhëniet ushtarake shqiptaro-amerikane – midis ushtrisë më të pasur dhe më të fuqishme në botë dhe një ushtrie të vogël e të varfër – si një “lidhje dashurie ushtarake”, (a military love affair), ndërkohë që citonte një oficer ushtarak amerikan, i pyetur për zhvillimin e shpejt të lidhjeve ushtarake me një vend ish-komunist, të ketë thënë se “Jemi prekur thellë nga ‘sindroma shqiptare’ – nga një dëshirë e madhe për t’i ndihmuar këta njerëz”, është shprehur oficeri i lartë amerikan. Washington Post theksonte gatishmërinë e Shqipërisë për këto marrëdhënie duke shkruar se Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u kishte venë në dispozicion Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, përdorimin e të gjitha bazave ushtarake të Shqipërisë, duke thënë se, “Ne i mirëpresim Amerikanët. Ata janë çelësi i sigurimit tonë”, citonte gazeta amerikane, ish-Presidentin Berisha.

Ish-Sekretari i Mbrojtjes në administratën e ish-Presidentit Bill Klinton, Z. Les Aspin ka nënshkruar marrëveshjen ushtarake me Shqipërinë, vendi i parë ish-komunist me të cilin Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje të tillë.

Ndërsa gjatë një vizite në Tiranë, në vitin 1995, ka raportuar gazeta Washington Post, Kryetari i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, Gjenerali Xhon Shalikashvili, u ka kujtuar shqiptarëve se interesimi i Shteteve të Bashkuara për fatin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, e ka zanafillën tek Presidenti Woodrow Wilson, i cili ndërhyri në mbarim të Luftës së parë Botërore për të shpëtuar Shqipërinë. “Sa i kënaqur do të ishte Wilsoni po të kishte mundësi të vizitonte sot Shqipërinë dhe të shikonte realizimin e gjallë të ëndrrës duke parë ushtarakët e rinj amerikanë, krah për krah, me shokët e tyre shqiptarë, duke ndërtuar një të ardhme besimi, miqësie dhe partneriteti midis dy vendeve tona”, është shprehur ish-ushtaraku i lartë amerikanë para zyrtarëve më të lartë ushtarakë të Shqipërisë, në vizitën e tij në Tiranë në vitin 1995. Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson – “Një zë do të kem në Konferencën e Paqës dhe atë zë do e përdori në mbrojtje të Shqipërisë”.

Besoj se Wilsoni do të ishte shumë i kënaqur edhe sot me njoftimin se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri, pikërisht në Kuçovë, bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor (në Kuçovë) ku ushtarakët amerikanë e shqiptarë do të punojnë se bashku në mbrojtje të paqës e begatisë në Shqipëri dhe më gjerë.  Por jo vetëm Wilsoni do të ishte i kënaqur për këtë zhvillim, por të gjithë ata – shqiptarë dhe amerikanë që ua duan të mirën marrëdhënieve midis dy vendeve tona – e të cilët kanë punuar për një kohë të gjatë për forcimin e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore shqiptaro-amerikane, si në fushën ushtarake ashtu edhe në fushën diplomatike dhe politike midis dy popujve.  Janë përpjekje këto të cilat kanë ndihmuar që kombi shqiptar të zërë vendin që i takon, jo vetëm në radhët e kombeve evropiane, por njëkohësisht edhe në përforcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ushtarako-diplomatike ndërkombëtare.  Shpresojmë që ndërtimi i bazës ushtarake në Kuçovë, si baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, të jetë vetëm fillimi i zhvillimeve të mëtejshme në forcimin dhe zgjerimin e këtyre marrëdhënieve.

Ish-Kryetari i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, Gjenerali Xhon Shalikashvili ka vizituar Tiranën në vitin 1995 

Ishin këto disa hollësi nga një shkrim i botuar tre vjet më parë, por që ofrojnë sado pak një “background” historik se si u arrijt deri tek stërvitjet aktuale të NATO-s, Defender Europe 21 në Shqipëri – këtij momenti historik në marrëdhëniet dypalëshe, si një pasqyrim i përpjekjeve prej tre dekadash, të cilat kanë ndihmuar që kombi shqiptar të zërë vendin që i takon, jo vetëm në radhët e kombeve evropiane, por njëkohësisht edhe në përforcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ushtarako-diplomatike ndërkombëtare. Për këtë, të gjithë duhet të jemi krenarë dhe mirënjohës të thellë ndaj sakrificave që burrat dhe gratë–amerikanë dhe shqiptarë në uniformë — bëjnë për të gjithë ne nga dita në ditë, për sigurinë tonë dhe për lirinë dhe demokracinë në rajon dhe në botë.

Sidoqoftë, stërvitjet “Defender Europe 21”, janë me të vërtetë një moment historik për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët, besoj pa dallim, ishin të kënaqur kur pamë anijet dhe zbarkimin e mjeteve ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Durrës. Për mua nuk ka pasur — gjatë këtyre 30-viteve të një tranzicioni të pa fund — një moment më historik se ky, me përjashtim të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri (mars 1991) dhe antarësimit të Shqipërisë në NATO (në vitin 2009).

Kjo është një ngjarje pozitive për Shqipërinë megjithë problemet me zgjedhjet e 25 Prillit dhe pa marrë parasysh se kush e pret sot NATO-n në portet e Shqipërisë.  Si përfundim, unë besoj se ndonse me dhimbje dhe vonesë, Shqipëria do të bëhet – eventualisht — edhe pa politikanët shqiptarë aktualë, të cilët edhe sot 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit refuzojnë të distancohen nga komunizmi – një ideologji armiqësore kjo ndaj lirisë dhe demokracisë – e për të cilën u themelua, pikërisht, aleanca ushtarake NATO me qëllim që të përmbante përhapjen e komunizmit!  Nuk jam i sigurt nëse pritja e anijeve të NATO-s në Durrës – si pjesë e stërvitjeve “Defender Europe 21”, nga nostalgjikë të komunizmit shqiptar mund të quhet hipokrizi e rastit a po aksident historik! Kam drojë se do të nevojitet një brez tjetër politikanësh shqiptarë, por Shqipëria e lirë dhe demokratike, ashtu si e gjithë Evropa — e vlerave perëndimore të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara — do të bëhet edhe pa ta, megjith procesin e gjatë dhe shanset e shumta të humbura gjatë këtyre 30-viteve të tranzicionit politik! Edhe lidhjet ushtarake të Shqipërisë me SHBA dhe NATO-n jo vetëm do të mbijetojnë por do të forcohen mëtej dhe miqësia e veçant dhe historike midis popullit amerikan dhe shqiptarëve do të vazhdojë të rritet e të lulëzojë megjithë dredhitë dhe akrobacitë politike të politikanëve shqiptarë!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu