Nga: Hoxhë Zekeria Idrizi, Berlin – Shkup
___
Kudo që ka depërtuar vehabizmi – ky islam politik e rigjid, ka shkaktuar luftëra vëllavrasëse. Në Gadishullin Ilirik (Arbëri) ai synon të përdhosë harmoninë ndërfetare midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme dhe ta talebanizoj kulturën dhe shoqërinë shqiptare, duke e minuar kombin dhe shtetin shqiptar, qoftë në Shqipëri, Kosovë e kudo tjetër në hapësirën jetësore të popullit shqiptar, në një bashkëpunim të ngushtë me forcat serbe – maqedonase dhe ato të Federatës Ruse.
***
Fenomeni “vehabizëm” ose “selefizëm” veçmë ka filluar të marrë vërtet përmasa jashtëzakonisht të mëdha dhe alarmuese në të gjitha trojet tona arbërore në vend dhe jashtë, në botën perëndimore. Ata kudo që t’i shohësh të bien në sy me ekscentrizmin e tyre në çdo pikëpamje: me mjekrra të gjata, me fustanella aziatike o me pantallona (shallvare) të shkurtëra, gratë dhe vajzat e tyre të veshura në të zezë-me perçe (që kallëzojnë imazhin e kalluxherkave sllavo-ortodokse!), si edhe jashtëzakonisht radikalë e vulgarë në fjalorin e tyre. O Zot, vetëm edhe devetë u mungojnë t’i marrin nga shkretëtira, kuptohet për të plotësuar, sipas tyre, besnikërisht e pikë për pikë “synetin” e Profetit! Prandaj edhe me të drejtë shqiptarët i quajnë “mjekrroshë“, „selamalejkimë”, “muxhahedinë”, “talebanë” etj. Ekscentrizmi i tyre vërtet është jashtëkohor e jashtëhapësinor për rrethanat tona evropiane, madje edhe për rrethanat e traditat tona kombëtare. Fundja, komplet doktrina, ideologjia dhe praktika e tyre radikale e ekstreme fetare bie ashiqare ndesh me doktrinën dhe praktikën tonë fetare, që ndër shekuj është rrënjosur në trojet tona qysh kur gjyshërit tanë pranuan fenë islame. Kështu ata me paraqitjet e tyre të përçudnuara dhe propagandën e tyre janë duke krijuar një pështjellim, tollovi e rrëmujë të paparë kudo trojeve tona: nëpër xhami, rrugëve, kuluareve, nëpër ceremoniale e kremte fetare, në media elektronike e të shkruara, nëpër faqe interneti etj.
Pashë Zotin po çfarë na duhet neve shqiptarëve vehabizmi saudit, që si rrymë ideologjike-fetare mohon të studiuarit e filozofisë së përgjithshme dhe asaj islame nëpër Universitetet e Arabisë Saudite? Mohon racionalizmin, moderacionin dhe intelektin njerëzor? Kjo sepse sipas tyre na qenkësh “haram” myslimani të mendojë me kokën e vet! (Ç’mjerim, o Zot!). Çfarë na duhet “talebanizmi” afganistanez që edhe stadiumet sportive i shndërronte në gjykata krimi e ndëshkimi për femra dhe ndalonte rreptësisht mbajtjen e radiove, televizorëve dhe kompjuterëve nëpër shtëpitë myslimane në prag të mileniumit të tretë ?! Ç’na duhet ky sekt që kudo që është futur ka mbjellë përçarje, hasmëri dhe luftë vëllavrasëse? Ç’na hyn në punë kjo ideologji fetare nihiliste që mëton të zhdukë çdo gjurmë të kulturës dhe qytetërimit të popujve myslimanë; kjo ideologji që mohon çdo vlerë kombëtare, që mohon çdo thesar të trashëgimisë historike të kombit? Ç’na duhen kamikazët e frustuar binladenianë, të cilët, shih ironinë, “në emër të Allahut” hedhin në ajër aeroplanë, autobusë, marrin në qafë njerëz të pafajshëm, fëmijë, gra e pleq ?… Ç’na duhen “fetarë” torollakë që marrin në tokë prerogativat e kompetencat e Zotit për të ekskomunikuar, anatemuar e linçuar njerëz të pafajshëm, deri dhe, shih tragjedinë, fëmijë…
Alarmi veç është ndezur: aty-këtu në Kosovë vehabitët tanë maskarenj përdhosin “në emër të fesë” varrezat tona!
O Zot, kjo është e tmerrshme! Këta maskarenj, aty-këtu, dhe përmendoret e dëshmorëve të kombit dhe të figurave markante kombëtare i kanë përdhosur. Kjo është vërtet tmerruese dhe brengos shumë! Nëse s’ndërmerret gjë në parandalimin e këtyre akteve vandale nga institucionet tona, druaj se nesër do të bëhet shumë vonë.
Mjerisht, shikuar nga këndi psikologjik, meqenëse kanë qenë rast patologjik në shoqëri në të kaluarën e tyre të mjerë, ata të tillë ngelin, prandaj, edhe kur involvohen në rrethe religjioze, janë patologjikë. Ekstremizmi, sikundër thuhet rëndomë, cyt ekstremizmin tjetër. Së këndejmi ne, prandaj, për çdo ditë e më shumë vërejmë shumë narkomanë, hajdutë e bashibozukë të djeshëm tek predikojnë sot fe, islam, madje-madje edhe “xhihad” rrugëve të Ilirisë, me turlifarë veshjesh arabo-aziatike dhe me një fjalor tejet brutal. Për më tepër ky fenomen nuk gjen shprehje vetëm në botën shqiptare. Ky është një fenomen universal. Në botën perëndimore numri i sekteve satanike dhe ekstreme dhe i anëtarësisë së tyre sa vjen e shtohet për çdo ditë. Veçmas janë të ditura vetëvrasjet kolektive nëpër tempuj fetarë dhe orgjitë kolektive seksuale të hedonistëve “religjiozë”.
Në këtë kontekst, vehabitët kanë themeluar qindra objekte kulturore-arsimore islame gjithandej viseve tona etnike, nëpër të cilat organizojnë kurse të ndryshme edukativo-arsimore islame gratis për rininë tonë. Në këtë rrafsh ata po ushtrojnë ndikim të madh në binladenizimin e të rinjve shqiptarë. Shto këtu edhe pozitën e mjerueshme ekonomike të administratave fetare-islame tek ne dhe të stafit të tyre kadrovik (pagat e ulëta të imamëve, myezinëve dhe mësimdhënësve të fesë). Për rrjedhojë, mjerisht një numër jo i vogël i teologëve e imamëve tanë janë bërë viktimë e propagandës vehabite. Paguhen me rroga të majme nga qarqe vehabite të botës arabe me qëllim të shtrirjes së ideologjisë së tyre në botën shqiptare. Ky pohim imi nuk është thashethemë a frazë kuturu, porse është një vërtetësi e kulluar dhe e dokumentuar mirë. Administrata fetare në Shkup ka hasë në dokumenta burimore ku shihet qartë participimi i ca imamëve miopë e konservativë “vehabitë” në fondet e sheikëve binbasianë (unë kështu i quaj ithtarët vehabitë që ndjekin fetvatë e ish-Muftiut të Arabisë Saudite – Bin Basit). Jo rrallë herë më ka rastisur t’u them troç vehabitëve laikë shqiptarë (që mendojnë se janë bërë më “myslimanë” se profeti vetëm me të lëshuar të një mjekrre të llahtarshme e me të lexuar të dy a tri broshurave fetare!): “Ju jeni ca “puçrra” të vogla në krahasim me megabosët tuaj, në krahasim me ca çallmaxhinj – tradhtarë këta të fesë së tyre stërgjyshore, të cilëve ua zë fajin më së shumti. Kjo thjesht sepse ata janë shkaktarë të gjithë kësaj rrëmuje e dramaticiteti që është krijuar në universin tonë fetar”. Këtu bëjnë pjesë edhe çallmaxhinjtë “VIPA të youtubes”, si p.sh. ai hoxha palaço i Prizrenit, Irfan Saliu (i cili në predikimet e tij çon ujë në mulli të shkjaut duke deklaruar se nuk ka patur shqiptarë në Kosovë deri në vitin 1400…o Zot jep mend ku s’ka!!!), mandej hoxha Mazllam Mazllami që e cilëson leckë/mbeturinë flamurin tonë kombëtar, apo hoxhë Shefqet Krasniqi që e dërgon në ferr Nënë Terezën, si dhe shajnë e fyejnë figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Më besoni ca prej tyre kur i dëgjoj tek predikojnë më vjen të vjellë a…
Alarmi veçmë është ndezur: dhjetëra xhami trojeve të Ilirisë janë uzurpuar nga vehabitët! O Zot, kjo është tmerr! Sa keq i kanë përdhosur „vehabitët“ xhamitë tona pitoreske! O Zot, vetëm qoftëlargu (satanai) mund t‘i bjerë në fije këtij mishmashi e galimatiasi vehabito-selefist!? Madje, absurdi më i madh është pjesëmarrja e qindra shqiptarëve si muxhahedinë në betejën e ISIS-it në Siri e Irak.
Pikësynimi i tyre nuk përfundon këtu. Kjo është vetëm një nga objektivat e aktivitetit të tyre për të kulmuar me marrjen nga brenda të kështjellave islamike, përkatësisht të administratave fetare në Gadishullin Ilirik. Qysh herët kam paralajmëruar rrezikun e shndërrimit të bashkësive tona fetare në “butik” shallvaresh e fustanellash a, ruana Zot, në ahure a grazhd devesh! Në këtë drejtim estabilishmenti ynë fetar-islam duhet të tregojë syçeltësinë dhe përgjegjësinë më të lartë për të mos rënë në grackat e tyre perfide. Kjo sepse synimi final i vehabitëve është të rrënojnë sistemin sekular e laik të shteteve tona dhe të instalojnë sulltanatin ose kalifatin si regjim islamik.
Dorën në zemër, s’është e rastësishme paraqitja e “vehabizmit” tek ne pikërisht në kohën më të pakohë për kauzën tonë kombëtare, kur na kanosej rreziku, madje, edhe deri në zhbërje biologjike. Fare normale, se këtë fenomen të pështirosur do ta tolerojë estabilishmenti politiko-ushtarak e policor sllavo-ortodoks kudo trojeve tona etnike, për arsye se “vehabizmi” i bën argatinë prej djalli pansllavizmit, duke bërë, nga njëra anë, që shqiptarët të çajnë kokën mes vete me cikërrima e dokrra fetare të llojit binladenian, dhe, nga ana tjetër, duke u veshur shqiptarëve imazhin e “fundamentalizmit islamik” në agjendat ndërkombëtare.
Vehabitët shqiptarë janë punëtorë të zellshëm, sepse kanë burime të majme finansiare. Ah! Edhe ajrin arbëror na e kanë ndotur, se lëre më tjerat!
Sikundër theksova edhe më parë, mezëhebi ynë është më tolerant, më racional dhe më pedant. Besa mirë, po vallë toleranca, racionalizmi, pedanteria nuk janë tipare dalluese të etnopsikologjisë së nacionit tonë?
“Shyqyr Zotit që jemi “hanefitë” – thoshte dikur kolosi i letrave shqipe me tematikë islame, hoxha zulmëmadh, profesori i rerspektuar Haxhi Sherif ef. Ahmeti – Zoti e mëshiroftë! Të këtillë jemi shumë më afër Evropës e Amerikës dhe përgjithësisht më afër vlerave kulturore-qytetëruese botërore.
Kishte të drejtë plotësisht studjuesi zulmëmadh shqiptar Eqrem Qabej: “Shqiptarët janë një komb që ka prirje natyrale për racionalitet, skepticizëm, përsiatje e meditim të stërholluar…”
Predikimet e zhurmshme e bajate vehabite për pasojë pollën “Lëvizjen e Deçanit për braktisjen e islamit”. Ata po shkaktojnë protestë, pezm, revoltë, rebelim e gjëmë masive te shqiptarët myslimanë dhe bashkëvendasit tanë pa dallim feje.
Islami politik, rigjid, radikal e vehabito-selefit largë trojeve tona shqiptare!
Idealisht:
Hoxhë Zekerija Idrizi