ARKIVI:
29 Dhjetor 2024

Shqiptarët gjithnjë për botën e kurrë për vetëhe

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Nga SAMI FRASHËRI
***
Shqiptarët gjithmonë janë vrarë e përpjekur e kanë spërkatur të tërë faqen e dhéut me gjak të tyre; po nga gjaku i Shqiptarëvet kanw fituar të tjerë, Shqipëria s’ka parë nonjë të mirë. Shumë Shqiptarë janë shquar e kanë treguar veten në dituri e në të tjera gjëra; po me këta shqiptarë të tjerë mburen e jo Shqiptarët e Shqipërisë.
Me Pirron e me Alekandrin mburen Grekëritë e i quajnë Grekër, Maqedonasit që me trimëri të tyre muarr gjithë botën në pakë kohë, por nuk i suall nonjë të mirë Shqipëris, por Grekërisë që ishin armiqtë e tyre, u ranë pas e i rrethuan, edhe këta fituan nga gjaku që derdhë ata. Se Maqedonasit u shpërndanë nëpër gjithë vëndet, që muarrë gjuhën e qytetërimin e Grekëve e jo të tyren, që ish Shqipja. Shumica e botës edhe sot Maqedonasit i zënë për Grekër. Vërtet, të mos ishin Maqedonasit, gjuha e Grekëve e qytetërimi i tyre do të mos kish marrë dot kurrë këtë bujë që ka sot, edhe mbase do të kish humbur e do tw ish harruar fare; se shkoll’ e Aleksandrisë edhe të diturit, q’arrinë në Egjypt në kohë tw Ptolemenjve, e benë gjuhën e qytetërimin e Greqisë që të përhapet e të dëgjohet më gjithë anët e dhéut. Pptolemenjtë, që ishin thjeshtë Shqiptarë nga Çamëria, e gjithë Maqedonasit lanë gjuhën e tyre, shqipen,mënjanë, të harruar e të paditur dhe vunë të parë greqishten, gjuhën e Dhimostenit, që ka folur aq shumë kundër Maqedonasve.
Pas Grekërve erdhën Romakët; edhe këta fituan shumë nga Shqiptarët; trimëri e Shqiptarëve e mëndja e tyre shërbente për mburrjen e Romakëve e jo të tyren. Shumë njerëz trima e të ditur kanë dalw edhe në kohë të këtyre në mes të Shqiptarëve, po bota i ka njohur si Romakë e jo si Shqiptarë.
Pas Romakëve u erdh radha Turqve. Shqiptarët duke u përzjerë me Turqit, kanë marrë pjesë në të gjithë luftrat që bënin e që fitonin këta kundër gjithë botës; edhe trimëritë më të mëdha dhe më të mirat punëra i bënin Shqiptarët, po emrin e kishin Turqit dhe njeri s’i njihte si Shqiptarë. Më të mëdhenjtë e më të mirët e Vezirëve të Turqisë ishin Shqiptarët, si Sinan Pasha, që ka marrë Jemenin e ka shpënë flamurin e Turqisë gjer në det të Hindisë, si Qyprilinjtë që e kanë shpëtuar mbretërinë e Turqisë nga një rrezik i madh dhe e forcuan aq këtë mbretëri, sa vanë e rrethuanë Vjenën. Edhe shumë të tjerë njerëz të mëdhenj e burra trima kanë dalë, prej të cilëve Turqia ka fituar shumë, po Shqipëria aspak.
Në kohëra të pastajme Shqiptarët myslimanë kanë punuar e janë vrarë për Turqinë, e Shqiptarët e krishterë për Greqinë, për këta dy kombe të cilët, as njëri e as tjetri s’ua dinë të mirën por ua shpërblejnë me të keqe duke u përpjekur se si ta zhdukin kombin Shqiptar. Boçari, Xhavella, Miauli e të tjerë, më të shumtit e trimave që janë përpjekur për ngjalljen e për dlirësinë e Greqisë, kanë qenë thjeshtë Shqiptarë e hiç fare Grekë; po nga trimëri e tyre ka fituar shumë Greqia e hiç fare Shqipëria. Në syt të botës luftonin Grekët me Turqit, po në të vërtetë luftonin Shqiptarët e krishterë me Shqiptarët myslimanë. Kur mundeshin ata, fitonte Greqia; kur mundeshin këta, fitonte Turqia; po gjaku që derdhej nga të dy anët ishte gjak Shqiptari; Shqiptarët vriten vëlla me vëlla, të tjerët fitojnë. Shqiptari e ka derdhur gjithnjë gjakun pa kursim, po e ka derdhur kot; kurrë Shqipëria s’ka fituar nga gjaku i Shqiptarëve; gjithnjë të huajt edhe armiqtë e Shqipërisë kanë fituar nga ai gjak me vlerë e i derdhur pa u menduar.
Jo vetëm me kordhë e me gjak, po edhe me penë e me mënt Shqiptarët u kanë shërbyer gjithnjë të huajve. Duke mos shkruar gjuhën e tyre, janë shtrënguar të shkruajnë Greqisht, Llatinisht, Shqahisht, Turqisht a Arabisht; edhe me emrat e këtyre mburren të zotë e këtyre gjuhëve, e Shqiptarët pandehen të egër e të paditur, të gjithë i qeshin duke u thënë u aka ngrënë buallica livrën e tyre. Po Aristoteli, më i madhi ndër filosofët e Greqisë së vjetër, ishte Maqedonas, domethënë Shqiptar e jo grek. Vërtet në Stagjyrë, te ka lindur, ishin edhe ca Grekë të ardhur, po fytyra e Aristotelit që shohim n’agalmët të tij edhe gjuha Greqisht që ka shkruar të përtuar e jo aq të drejtë, si edhe miqësia që kish me Filipin, armikun e Grekëve, e të tjera shënja tregojnë se ky filozof i madh nuk ish lindur prej nonjë nga Grekërit që kishin ardhur në Stagjyrë, po prej një stagjyraku vendas e qw ish maqedonas, domethënë thjesht Shqiptar..
Në kohët e Turqisë kanë dalë shumë Shqiptarë të ditur, që kanë shkruar libra e vjersha turqisht e arabisht. Vetëm vjershëtorët shqiptarë, që kanë shkruar vjersha turqisht, janë aq të shumtë, sa emrat e tyre mund të mbushin një libër të tërë. Jahja-Beu, që është një nga më të mëdhenjtë e nga më të dëgjuarit e vjershëtorëve turq, është Shqiptar, Dukagjinas.
Shqiptarët e kanë treguar gjithë jetën që janë të zotë edhe me kordhë edhe me penë, edhe me trimëri edhe me mënt e me dituri; e Shqipëria ka nxjerrë shumë njërëz të shquar e me nam të math, po nonjë nga ata s’ka punuar për Shqipërinë, e cila ka mbetur gjithnjë e varfër e e padëgjuar, e me djemtë e saj mburren të tjerë vënde e të tjerë kombe.
Është ndodhur një Shqiptar i zoti të ngjallë një Egjypt e të bëjë prej këtij vëndi të humbur e të prishur, si ish atëhere, një vend të pasur e të ndritur, si është sot. Një Mehmet-Ali, Shqiptar i pamësuar, u ndodh i zoti të shpëtonjë kështu një vënd të huaj e të largët, por kurrë një shqiptar s’është ndodhur t’i bënjë Shqipërisë një të mirë të këtillë!
Prandaj, duke mbaruar këtë fjalë, themi përsëri me hidhërim zemre që Shqiptarët kanë punuar gjithmonë për botën e jo kurrë për vetëhe. Vetëm një Skënderbe ka punuar në kohëra të shkuara për Shqipërinë, e vetëm ai është me të vërtetë mburje për Shqipërinë.
Shwnim: Marrw prej Vëllimit të Dytë të veprave seri të Sami Frashwrit, botim i “Rilindjes”, Prishtinë, 1978, f.39-43
E përgatiti: Dilaver Goxhaj, Tiranë

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu