ARKIVI:
25 Dhjetor 2024

Shqiptarët në Kosovën Lindore – popull i askujt

Shkrime relevante

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Doli nga shtypi libri MALL E DASHURI PËR ATDHE i autorit Florim Zeqa

Sot, nga Shtëpia Botuese “Libri im” në Pejë doli nga shtypi...

Bashkëkombës të dashur, Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2025 !

Uron dhe shkruan Luan Dibrani Kremtimi i Krishtlindjeve në hapësirën shqiptare ka...

Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet e shkollës, më 18 Nëntor 2024, elegji nga Nikolin Shtjefën Lëmezhi

Nikolin Shtjefën Lëmezhi S’të vranë ty… (Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet...

Shpërndaj

Nga: Dritan Goxhaj, Tiranë
Sot, më 3 prill 2022, në Sërbi po zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Nuk kam ndonjë merak për Sërbinë apo për zgjedhjet e tyre, por merakosem për shqiptarët që jetojnë në jug të Sërbisë, në tre komunat autoktone Shqiptare: Preshevë, Medvegjë e Bujanovc. Edhe shqiptarët e këtyre tri komunave kanë marrë sot pjesë në këto zgjedhje të shtetit Serb, ashtu siç kanë bërë edhe herët e tjera. Por, kësaj rradhe ata u lanë totalisht vetëm, u lanë jetimë.
Askush nga politika e dys republikave shqiptare nuk u interesua për ta, të paktën për sy e faqe, qoftë edhe vetëm për përfitim politik. Pra, këtë rradhë shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre shekullore, në jug të Sërbisë, u lanë në fatin e tyre. U lanë duke u përpjekur në hamendësin e tyre: të dalin e të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Sërbisë, apo të mos dalin fare.
Abandonimi i tyre, duke i lënë vetëm, në hallin e tyre, si nga Tirana zyrtare ashtu edhe nga Prishtina zyrtare u pa qartësisht gjatë kësaj jave që lamë pas, ditët e para të Prillit 2022. Xhanëm, xhanëm, Tirana zyrtare ka qëndruar indiferente ndaj tyre që prej vitit 2000, kur atje luftohej për të drejtën e tyre për bashkim me trungun motër, Kosovën, që jo vetëm i abandonoi gjatë asaj lufte që zhvillonte UҪPMB-ja, por edhe është përjekur me mish e me shpirt që kjo luftë të mbyllej sa më shpejt e të mos ndërkombëtarizohej e mos faktorizohej aspak.
 Fshati Svircë i Medvegjës, shhtëpia e braktisur e Baftiovite
Kështu i interesonte atëher Ilir Metës, si Kryeministër i Shqipërisë, për hatër të Sërbisë. Por edhe pas asaj lufte të mbytur, Tirana zyrtare ka vazhduar t’i shohi shqiptarët e kësaj treve të pastër shqiptare si pjesë përbërëse vetëm të Sërbisë, e asnjëherë nuk i ka parë ata si pjesë përbërëse të Shqipërisë e të kombit Shqiptar. E themi këtë, pasi nuk e kundërshtoi as atëherë e as sot vendimin e Sërbisë për mos njohur fare Shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës,si minoritet. Tiranës zyrtare kjo popullsi shqiptare që jeton në trojet e veta, në jug të Sërbisë, i ka shërbyer dhe është kujtuar për ta, vetëm kur ka dashur të shesë patriotizëm sipas aksiomës: Patriotizmi, është streha e fundit e maskarenjve. Dhe këtë e kemi parë shpesh te ne, nga të gjitha krahët politikë të këtushëm. Por çdo kush nga ne mund të shtroi pyetjen: Pse nuk na çudit indiferenca e Tiranës zyrtare injorues e Tiranës zyrtare ndaj problemeve ekzistenciale të Shqiptarëve në këto tre komuna etnike shqiptare? Mos u habisni me përgjigjen: ngaqë ka kohë që qeveria zyrtare e Tiranës punon vetëm për interesat e fqinjëve armiq e jo të shqiptarëve. Ajo që na çuditi edhe më tepër, sidomos kësaj rradhe, ishte indiferenca totale e Prishtinës zyrtare, ndaj problemeve të shqiptarëve në këto tre komuna! Edhe pse disa herë shqiptarët e këtyre tre komunave, në mënyrë të pa organizuar dhe individuale, kanë shkruar shpesh gjatë kësaj kohe, mbi dilemën e tyre të pjesëmarrjes apo jo në këto zgjedhje parlamentare të Sërbisë, Prishtina nuk denjoi aspak që t’i kushtonte sadopak vëmendje kësaj çështje.

Starabaje-Medvegjë, aktor Çun Lajçi në rolin e plakut shpirtdjegur që kthehet në oborrin e shtëpisë së rrënuar e të braktisur.

Por jo vetëm kësaj, por edhe problemit më të madh që po vuajnë shqiptarët në këto komuna: pastrimin modern etnik që Sërbia po ushtron ndaj tyre, nëpërmjet vendimit administrativ për Pasivizimin e Adresave.

Madje, Prishtina zyrtare kësaj rradhe i kishte të gjithë shanset që të mund të ndikonte jo vetëm pak, por fuqishëm në ndryshimin e kësaj politike shpopulluese anti-shqiptare serbe në këto tre komuna. Kësaj rradhe, kancelaritë perëndimore u shqetësuan se pse Prishtina zyrtare nuk po i lejon serbët e Kosovës që të mbajnë zgjedhje të Sërbisë edhe në Kosovë. Ky ishte rasti më i përshtatshëm dhe më i favorshëm për Prishtinën zyrtare për të detyruar këto kancelari ndërkombëtare, që të bënin presion ndaj Sërbisë për të ndaluar menjëherë dhe anulluar vendimin për Pasivizim të Adresave në këto troje shqiptare, me kushtin për të lejuar serbët e Kosovës që të organizojnë zgjedhje të Sërbisë në Kosovë. Nuk do e humbiste aspak Prishtina sovranitetin në rast se do arrinte të bëntë këtë marëveshje, por do fitonte në rangun kombëtar dhe atë ndërkombëtar, si një negocuese e vendosur për fatet e popullit të saj.
Por jo, Prishtina zyrtare është renditur sipas rrugës së Tiranës zyrtare, për injorimin e shqiptarëve që banojnë në trojet e tyre etnike në jug të Serbisë, si dhe të problemeve të tyre. Gjithashtu, Prishtina dhe Tirana zyrtare nuk marrin as më të voglin mundim që të paktën të caktojnë një numër të caktuar vendesh në Parlamentet e tyre, të rezervur për shqiptarët e këtyre trevave, dhe t’i ftojnë ata të votojnë për këta deputetë. Por që ta bëjnë këtë, Tirana dhe Prishtina janë të detyruara më pare që t’i pajisin qytetarët e atyre komunave me pashaporta shqiptare. Dhe, nëse Tirana zyrtare do e bënte një gjë të tillë, ashtu si e ka bërë Italia për Tirolin e Veriut, atëherë ata do të llogariteshin menjëherë si minoritet, dhe Serbia nuk do mund t’i Pasivizonte Adresën, pasi kështu Serbisë do t’i duhej të jepte shpjegime diplomatike ndaj Shqipërisë. Por edhe ndërkombëtarisht, sepse po përzë qytetarët e një vendi të NATO-s. Por jo, Prishtina dhe Tirana zyrtare kanë vendosur që t’i abandonojnë shqiptarët e këtyre trevave në hallin e tyre. Dhe kështu, si Tirana ashtu edhe Prishtina, mundësojnë që Sërbia të vijoi t’i llogarisi ata si populli i askujt.
Komuna e Preshevës.
Dhe, duke qënë se mëmëdheu (Shqipëria) i ka abandonuar, gjithashtu edhe motra e tyre, Kosova, i ka lënë ata në hallin e tyre. Si rrjedhojë, si jetimë që ata kanë mbetur, nuk kanë zgjidhje tjetër vetëm veçse të marrin pjesë masivisht në këto zgjedhje të Serbisë, por pa identitet kombëtar, ku të mundohen të zgjedhin aty njerëzit e tyre më patriotë dhe nga ata që nuk e njohin frikën, dhe që janë të gatshëm t’i sakrifikojnë salltanetet e tyre për egzistencën e popullit të tyre, duke i ngritur fuqimisht, sidomos problemin e Pasivizimit të Adresave, nesër, pasi të zgjidhen në parlamentin e serbisë; të zgjedhin atje njerëzit e tyre më të devotshëm që t’i kapin për xhakete, qoftë edhe duke i kërcënuar Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, veçanërisht Tiranën zyrtare, e cila e ka të sanksionuar në Kushtetutën e vetë, Neni 8, pika 1, ku thuhet: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jasht kufijve të saj”.
Bujanovci
Shqiptarët në Presheve, Medvegjë dhe Bujanovc duhet ta kuptojnë se liria nuk vjen duke u lutur, por duke luftuar. Dhe lufta për të shpëtuar shqiptarët e këtyre tre komunave, nuk bëhet vetëm në Serbi, por ajo bëhet e duhet bërë më së shumti në Prishtinë e në Tiranë, të cilat i kan tradhëtuar dhe abandonuar shqiptarët në këto tre komuna. Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duhet ta kuptojnë se jeta e shqiptarëve të këtyre tri komunave vlen më shumë se jeta e një politikani apo kryeministri ose Presidenti në Prishtinë apo në Tiranë. Vetëm kur ta kuptojmë se atdheu është i joni dhe jo i demagogëve dhe maskarenjve, vetëm atëherë do mund t’i dalim për zot.
Tiranë, më 3 Prill 2022

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu