ARKIVI:
15 Nëntor 2024

Shqiptarët në Mal të Zi në kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë

Shkrime relevante

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim gjeneralin Wesley K. Clark

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim...

Gjenerali Vesli Clark me të birin takojnë Albin Kurtin, ZKM jep detaje

Pamje nga takimi Gjenerali Clark me të birin takojnë Kurtin, ZKM: Ushtaraku...

Jerusalemi – nga 20 janari 2025 kryeqendër e hemisferës perëndimore?

Sadri Ramabaja. Prishtinë Duke ndjekur rikthimin e Donald Trumpj, në shtëpinë e...

Shpërndaj

Nga: Dr.Nail  Draga, Ulqin 

(Me rastin e 110-vjetorit) 

Ne aspektin gjeopolitik për  opinionin e gjërë është e njohur së në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit(1878) harta politike e Siujdhesës Ballkanike pësoi ndryshime, sepse nga principatat e dikurshme autonome u krijuan shtetet e pavarura ku bënte pjesë edhe Mali i Zi. 

Në vend që  Fuqitë e    Mëdha të kohës të insistonin që Malit të Zi si shtet i ri i njohur ndërkombëtarisht ti takonin vise dhe popullsi sllave nga ana perëndimore e tij duke marrë për bazë kriterin etnik, u vendos e kundërta duke i dhuruar këti shteti edhe vise me popullsi shqiptare. Andaj nga kjo kohë me  fillimin e  rrudhosjes  së hapësirës shqiptare në favor të fqinjëve “çështja shqiptare” u cilësua si dimension i veçantë, sepse ne rastin konkret  raportet shqiptaro-malazeze  moren një kahje tjetër. 

1.Viset shqiptare nën administrimin e Malit të Zi pas vitit 1878 

Ishin vendimet e Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit të cilat legjitimuan fillimin e coptimit të trojeve shqiptare, fillimisht me pranimin e pavarësisë së shteteve fqinje siç ishin Mali i Zi dhe Serbia. Edhe pse aspiratat për zgjerim territorial të Malit të Zi gjatë dhe pas luftërave kundër Turqisë(1876-1878) ishin më të mëdha nën administrimin e tij kaluan krahina e Trieshit, Koja, Podgorica, Zhabjaku, Tivari dhe pjesa VP e Krajës. Edhe pse në Kongres u vendos që edhe krahina e Plavës dhe Gucisë ti jepet Malit të Zi, një vendim të tillë nuk u realizua në sajë të angazhimit ushtarak të popullatës shqiptare në organizim të LSHP ku u zhvillu edhe beteja e njohur e Nokshiqit në dhjetor të vitit 1879. Si kompenzim për të u bënë pazarlleqe nga Fuqitë e Mëdha që ti jepet krahina e Grudës por ishte LSHP që organizoj mbrojtjen ushtarake në prill të vitit 1880, duke mos lejuar aneksimin e territoreve shqiptare nga ana e Malit të Zi. Por, të ndodhur në situatë të tillë Fuqitë e Mëdha arrijnë kompromisin e fundit për kompensimin e Plavës dhe Gucisë e ky është qyteti i Ulqinit me rrethinën e tij të ngushtë, ku edhe pas rezistencës së popullsisë vendore, ky territor iu dorëzua Malit të Zi nga ana e Perandorisë Osmane  ne prani të forcave ndërkombëtare në fund të nëntorit të vitit 1880. 

Viset shqiptare të cilat kaluan nën administrimin e Malit të Zi edhe në rrethana të reja shoqërore dhe politike arritën të  mbajnë  komunikimin e vet ndërkrahinor me kryeqendrën e veriut shqiptar që ishte  qyteti i  Shkodrës. 

Edhe pse kufiri i ri në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë e cila ishte nën administrimin e Perandorisë Osmane në këto pozicione qendroj 32-34 vite varësisht prej krahinës, pushteti i Malit të Zi kishte plane për pushtimin e territoreve të banuara me popullsi shqiptare. Me një fjalë territoret e përfituara nga ana e Kongresit të Berlinit ishin fillimi i një politike ekspansioniste në dëm të trojeve dhe popullsisë shqiptare. Një dukuri e tillë u hetua në mënyrë praktike me rastin e Kryengritjës në Malësi të Madhe në vitin 1911. Ishte kjo një situatë e pavolitshme për shqiptarët por dhe një sinjal së çka është duke u përgatitur kundër tyre, e dhënë kjo e cila do të jetë transparente në vjeshtën e vitit 1912 dhe më pas. 

2.Ofanziva pushtuese e Malit të Zi ndaj tokave shqiptare dhe rrethimi i Shkodrës(tetor 1912-prill 1913) 

Shtetet ballkanike duke parë sukseset luftarake të shqiptarëve kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane, veçanërisht kryengritjet e vitit 1910-1912, shpejtuan për formimin e Aleancës Ballkanike, për fillimin e luftës kundër Portës së Lartë. Kështu aleancë ne mes veti lidhen Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia. Bisedat e fshehta ne mes shteteve ballkanike ishin inicuar nga Rusia në vitin 1911, duke përfunduar në shtator 1912, me realizimin e aleancës në mes tyre.  

Ndërsa aleanca e arritur  në mes  Malit të Zi dhe Serbisë në  Lucernë të Zvicrës (27.IX.1912), me nenshkrimin e marrëveshjes politike dhe ushtarake ku e nenvizuar është së “ate që së cili vend e çliron nga turqit ajo edhe i takon“, dëshmon qartë për objektivat e tyre shteteve. Një konstatim i tillë është transparent dhe nuk meriton koment, nga del se shqiptarët ishin para sfidave të mëdha, ndaj pushtuesve të rinj të cilët gjoja në emër të luftës kundër Perandorisë, si orientim final kishin okupimin e territorëve të reja. Rasti i rrethimit të Shkodrës dhe lufta e zhvilluar(tetor 1912-prill 1913) është i veçantë ku edhe pse kishte filluar Konferenca e Ambasadorëve në Londër ku  informatat ishin se ky qytet do të jetë në kuadrin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, rrethimi i saj dhe lufta e zhvilluar në mes ushtrisë turko-shqiptare dhe asaj malazeze vazhdonte gjithnjë. Një veprim i tillë shpjegohet me faktin se Shkodra për Malin e Zi paraqiste një çështje të veçantë në filozofinë dhe aspiratat  e tyre ushtarke e politike  cila ishte e bazuar në mitet mesjetare e jo në realitetin gjeografik dhe historik. Madje mbreti Nikolla ka ëndërruar së po ti realizohej projekti i zgjerimit territorial ne lindje madje deri të lumi Drin, Shkodra do të ishte kryeqyteti i Mbretërisë së tij. Ai shprehej se “nuk do ti ul armët para se lumi Drin të bëhët kufiri jugor i Malit të Zi”.Ndërsa gjatë Luftës së I Ballkanike(1912-1913) në bisedimet që u zhvilluan fshehurazi në mes Serbisë edhe Malit të Zi(në pjesën e dytë të nëntorit 1912) mbreti Nikollë kërkoi ndarjen e territoreve  në Shqipëri. Mali i Zi kërkonte të merrte rajonet deri në lumin Mat, ndërsa Sërbia prej Matit deri te Shkumbini.  

Në Konferencën e Ambasadorëve  në Londër (dhjetor 1912-korrik 1913), delegacioni serbo-malazez kërkonte që Shqipëria të ngushtohej sa më tepër, sepse ne ketë formë do i mundësohej Serbisë për të realizuar endrrën e tyre për dalje në bregdetin e Adriatikut. Nga ana tjetër delegacioni malazez kërkonte me këmbëngulje Shkodrën. Në kërkesë thuhej se po qe se  nuk do të merrej një vendim i tillë, Mali i Zi për qytetin e Shkodrës do të jepte edhe njeriun e fundit, që dëshmohet edhe me parullën e mbretit Nikollë “ose Shkodrën, ose vdekjen”.  

Ndërkohë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në luftën diplomatike për caktimin e kufirit shqiptaro-serb dhe shqiptaro-malazez, me 22 mars 1913 u vendos që Shkodra me rrethinë ti mbetet Shqipërisë. Por malazezet kishin aspiratat e tyre mitomane dhe vazhdonin gjithnjë ta mbanin te rrethuar Shkodrën duke  vazhduar  operacionet luftarake të bindur së çka fitohet me luftë edhe do t‘iu takojë. Por, pasi Mali i Zi hezitonte të respektonte vendimin e Londrës, me nismën e Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, kundër tij  filloj demonstrimi detar, i cili me 5 prill 1913 arriti para Tivarit dhe pas disa ditësh bllokoi bregdetin prej atij qyteti deri në grykën e Drinit. Megjithate forcat malazeze pushtuan Shkodrën me 24 prill 1913 pasi ate iu dorëzoi Esat Pashë Toptani. Por veprimi energjik dhe presioni  i Fuqive të Mëdha ku duhet veçuar sidomos Austro-Hungarinë  pas qendrimit tri javësh forcat malazeze me 14 maj 1913 pasi e plaçkiten u larguan nga Shkodra ku menjihër u vendosen forcat ndërkombëtare. 

Por edhe pse humbi Shkodrën pas luftërave ballkanike Mali i Zi u zgjëru territorialisht duke përfituar një territor me sipërfaqe prej  4958km2, që është më tepër se 48% të territorit pas Kongresit të Berlinit(9.475km2). Nga një e dhënë e tillë del se Mali i Zi pas çdo lufte është zgjëruar vazhdimisht ku një pjesë e konsiderueshme e tyre territoreve është e hapësirës etnogjeografike shqiptare. 

3.Rrethanat e luftës dhe emigrimi i popullsisë shqiptare  

Në rrethana të tilla të luftës nuk ka dilemë se popullsia shqiptare u gjend në pozitë të pavolitshme, andaj ajo u detyrua të shpërngulet nga vendbanimet e tyre. Kështu një dukuri e tillë ndodhi fillimisht nga viti 1878 e më pas, ku si shëmbull tipik shërben rasti i Ulqinit, ku me kalimin e këti qyteti nën administrimin e Malit të Zi(nëntor 1880) pothuaj 1/3 e popullsisë së qytetit emigroj duke u vendosur kryesisht në Shkodër por edhe qytete të tjera të Shqipërisë.  

Politika shtetërore e Malit të Zi në territoret e aneksuara kishte vendosur objektiva të qarta në lidhje me territoret e reja, ku çështje kyçe ishte   ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë. Me  urdhër të  Simo Popoviqit  i cili ishte në funksionin e guvernatorit të parë të Ulqinit, organet e pushtetit malazez ia filluan punës për regjistrimin  dhe matjen e sipërfaqes tokësore që duhej të kolonizohej.  

Në lidhje me ketë çështje,  po ashtu në mënyrë transparente dëshmon deklarata e tij që ia dërgonte ministrit të punëve të jashtme, ku thuhet se “Rrethi i Ulqinit për ne është i huaj. Të gjithë këtu janë turq(shqiptarë të konfesionit islam-N.D.) dhe malësorë. Kujdesi ynë i parë, për arsye të shumë shkaqeve, duhet të jetë që banorët vendës t i asimilojmë dhe atë sa më parë në dy mënyra: me anë të kolonizimit, duke vendosur këtu 4-5 mijë familje malazeze dhe me anë të hapjes së shkollave. Kolonizimi do të arrihet kur shpërngulen malësorët nga ky vend. Kur të realizohet ky projekt, atëherë ky rajon i bukur dhe i pasur do të jetë  krejtësisht dhe përgjithmonë i Malit të Zi.Deri sa të mos realizohet ky qellim, nuk kemi se çka të gëzohemi”. 

Një përmbajtje e tillë nuk ka nevojë të analizohet, sepse çdo gjë është transparente, por mbetet të realizohet  ne praktikë, ku si qellim final ishte ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë me të gjitha mjetet. 

Kështu kolonizimi në Fushën e Ulqinit ka zgjatur  deri në mesin e vitit 1893, me çrast  gjithsej janë vendosur 400 familje kolonistësh, të cilave iu janë ndarë 5000 rrallë tokë, nga del se një ekonomi shtëpiake ka fituar nga 12,5 rrallë tokë (që është e barabartë me 22.450m2). Për të krijuar kushte me të mira për kolonistët pushteti planifikonte të hapte toka të reja, duke planifikuar ne ketë drejtim tharjen e liqenit të Zogajve dhe të Knetës. Ne ketë drejtim janë angazhuar ekspert të ndryshëm  të cilët kanë përgatitur projektet për tharjen e tokave përkatëse, ku ne plane afatgjata është planifikuar të  fitohen toka të reja rreth me sipërfaqe prej 20000 rrallë, por rrethanat shoqërore te kohës  sidomos luftërat ballkanike ndërprenë punimet në ketë drejtim, më çrast nuk u realizuan objektivat “për kolonizimin masiv në ketë pjesë të Malit të Zi”. 

Aspiratat ekspansioniste ndaj këti mjedisi i ka shprehur edhe vet princ Nikolla, i cili theksonte”…me vendosjen e malazezeve prej Mozhurit e deri te Buna, tërë qarkun e Ulqinit e malazezojmë”, duke vazhduar se “…tërë qyteti dhe rrethina është e banuar me banorë shqiptarë të konfesionit islam dhe katolik. Gjuha serbe  në ketë anë të Mozhurit nuk është ndier. Me vendosjen e malazezve zhduket tipi shqiptar i kësaj ane”. 

Dhe nga një situatë e tillë politike e shoqërore ne keto mjedise  kemi një emigrim të dhunshëm në sajë të paknaqësisë ndaj pushtuesve të rinj, më ç rast një pjesë e konsiderueshme  e viseve dhe vendbanimeve shqiptare u shpopulluan.  

Veprimi i politikës shtetërore malazeze ishte identik edhe pas Luftës së Parë Ballkanike ku zyrtarizimi i aneksimit të territorëve të pushtuara, dëshmohet me miratimin e Ligjit për kolonizim të tokave të reja të çliruara  në Kuvendin Popullor në vjeshtë të vitit 1913. Një vendim i tillë nuk ka dilemë se ndikonte drejtpërdrejt në ndryshimin e strukturës nacionale të popullsisë e po ashtu  rrudhoste hapësirën etnogjeografike shqiptare, e cila ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën legale dhe legjitime të çdo populli për të qeverisur territorin e vet. 

4.Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe viset shqiptare në Mal të Zi  

Shqiptarët nuk luftuan kundër Turqisë, për të kaluar nën një okupim të ri, ata luftuan për të qenë të lirë e të pavarur sikurse popujt tjerë. Madje Pavarësia e Shqipërisë e shpallur në Vlorë me 28 nëntor 1912, nuk është shpallur për gjysmen e territorëve shqiptare të cilat u pranuan ndërkombëtarisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, por ajo është shpallur për tërë territorët e banuara më shqiptarë në hapësirën e tyre etnogjeografike në Siujdhesën Ballkanike. 

Shqiptarët pritnin vendimet e definitive të kësaj Konference, me shpresë  së përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha do të marrin parasysh kriterin etnik, homogjenitetin e hapësirës etnogjeografike shqiptare, luftërat e vazhdueshme për tu çliruar nga okupatori por çdo gjë mbeti vetëm iluzion sepse vendimet ishin subjektive kryesisht sipas intrigave dhe  interesave të klaneve të ndryshme të shteteve përkatëse, duke ndarë përgjysmë hapësirën etnogjeografike shqiptare. Madje një konstatim të tillë e pranon edhe vet ministri i jashtëm anglez E.Grej i cili ka thënë se”  Jam i bindur se , kur  të dihen  të gjitha, ky veprim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë, prej çdo njëriu që e njeh vendin dhe e shikon çështjen vetëm nga pikëpamja e popullsisë së tij. Por duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qellimi kryesor ishte të mos hapej konflikt mdis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftë se marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmoninë midis  Fuqive të Mëdha, mund të themi se  ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes në Evropë.   

Ndërsa kufiri në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë do të përcaktohej nga KNK në vitin 1914, i cili fatkeqësisht legjitimoj aneksimin e territoreve shqiptare pa përfillur kriterin etnik dhe aspiratat e vazhdueshme të popullsisë në regjionet përkatëse për bashkim me shtetin e pavarur shqiptar. 

Përfundim 

Pas Kongesit të Berlinit(1878), vitet  1912/13 ishin vendimtare në  përcaktimin e hartës së re politike të shteteve ballkanike, që u legjitimu në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Në sajë të tyre vendimeve  përfundimisht u bë edhe njohja ndërkombëtare e Shqipërisë, e cila si e tillë u përgjysmua si ne aspektin territorial dhe ate popullativ.  

Nga ana tjetër  ishin fqinjët malazezët, serbet dhe grekët të cilët dëshmuan politikën e tyre ekspansioniste. Një politikë e tillë  nuk ka dilemë se bazohej  në mitomani dhe mbeshtjetjen diplomatike e ushtarake të disa shtetëve pansllaviste me në krye  Rusinë cariste, të cilët në emër gjoja të luftimit të Perandorisë Osmane, si  qellim final kishin të aneksonin sa më shumë pjesë të territorit  etnik të popullar nga shqiptarët. Tashmë është e qartë  se një veprim i tillë kishte prapavi strategjike në mënyrë që shteti i ri i pavarur i Shqipërisë të jetë sa më i vogël në sipërfaqe e në numër të popullsisë dhe pa ndonjë ndikim të veçantë politik në të ardhmën në Siujdhesën  Ballkanike. 

Literatura: 

1.Bernard Stulli, Albansko pitanje 1875-1882, JAZU, Radovi, knj.318, Zagreb, 1959 

2.Gjergj Nikprelaj, Kryengritja e Malësisë së Madhe në vitin 1911, NY 2004 

3. Skënder Rizaj, Çështja e Plavës Gucisë, Hotit Grudës dhe Ulqinit, LEMBA, nr.1/1999

4.Nail Draga, Shqiptarët në Mal të Zi, Art Club Ulqin 1994 

5.Në një cep të Ilirisë(monografi për shqiptarët në Mal të Zi),Art Club, 2007 

6.Mr.Riza Rexha, Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit(1878-1881), Art Club, Ulqin 1998 

7.Mr. Riza Rexha, Shkodra në projektet e zgjërimit territorial të Malit të Zi(shek.XIX-XX), Lemba nr.3-4, Ulqin, 2000 

8.Gazmend Shpuza, Në vazhdën e gjurmimeve për epokën e Rilindjes Kombëtare, Toena, Tiranë  1997 

9.Dr.Isa Bicaj, Marrëdhëniet shqiptaro-malazeze 1881-1914, Botoi: Instituti i Historisë, Prishtinë 2003 

10.Hortense von Zambaur,Rrethimi i Shkodrës(10 tetor 1912-22 prill 1913), ”Camaj-Pipa”, Shkodër 2006 

11.Edith Durham, Lufta për Shkodrën, ”Camaj-Pipa”, Shkodër 2005 

12.Mihajlo Vojvodić, Skadarska kriza 1913 godine, Beograd 1970 

13.Xhevat Repishti, Isuf Sokoli dhe lufta për mbrojten e Ulqinit, Tiranë 1979 

14.Branko Babić, Politika Crne Gore u novo oslobodjenim teritorijama 1912-1914, Titograd 1984 

15.Spiridon Gopčević, Crnogorski-turski rat 1876-1878, Vojno delo, Beograd, 1963 

16.Miomir Dašić,Pregled teritorijalnog širenja crnogorske države, Istorijski Zapisi, br.1, Titograd 1987 

17.Jacob Gould Schurman, Luftërat ballkanike 1912-1913, Uegen,Tiranë,2006 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu