Javën e kaluar me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës iu vu dryni tri objekteve që kanë shërbyer si komuna paralele, në Gorazhdec të Pejës, Osojan të Istogut e Videjë të Klinës.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikqi, pas aksionit janë duke u zhvilluar hetimet ndaj të dyshuarve.
“Janë sekuestruar pajisje kompjuterike, telefona dhe dokumente të shumta të cilat kanë pasur mbishkrime dhe vulë të shtetit serb, ndërsa ato janë sekuestruar me vendim të prokurorit të shtetit dhe njëkohësit janë siguruar nga Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes”, ka thënë Nikqi.
Gjatë javës, në një konferencë për media, Darko Dimitrijeviq, përfaqësues i Radio Gorazhdecit, është ankuar se është bastisur edhe redaksia, e cila po ashtu ka selinë në Shtëpinë e Kulturës. Ai është ankuar në polici se nuk kanë lejuar xhirimin gjatë aksionit.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë e ka mohuar këtë, duke thënë se urdhri i gjykatës ishte i qartë që aksioni do të zhvillohet vetëm në zyrat e strukturave ilegale.
“Kjo nuk qëndron dhe nuk i shërben as lirisë së shprehjes dhe as lirisë së medias për shkak se nuk është bastisur asnjë medium e aq më pak nuk e ka shkelur asnjë zyrtar ndonjë objekt të ndonjë mediumi. Përkundrazi, janë bastisur vetëm objektet e strukturave paralele”, ka thënë Nikqi.
Përveç në rajonin e Pejës, mbyllja e strukturave ilegale të Serbisë është bërë muajin e shkuar edhe në Dragash, ku kanë funksionuar tri komuna paralele: ajo e Suharekës, Rahovecit dhe e Prizrenit.
Të dyja aksionet janë përcjellë nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë thënë se nuk mund të funksionojë asnjë strukturë ilegale dhe as të ofrojë shërbime jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.