Sak Muji, artist
Një thirrje dramatike për zgjim kombëtar Përshëndetje dhe suksese, të gjithë ju që sot e lidhni simbolikisht “shtatë thuprat” e Gjergj Kastriotit – atë mesazh të pavdekshëm të unitetit.
Sepse kurrë si sot nuk na ka munguar më shumë ajo lidhje, ajo forcë, ajo besë që i bashkonte shqiptarët nën një flamur, një gjuhë, një nder. Sot kemi liri. Kemi çlirim. Kemi shtet.
Por çfarë na mungon? Na mungon DREJTËSIA! Na mungon LIGJI! Na mungon lustrifikimi moral – pastrimi i ndërgjegjes nga frika, nga servilizmi, nga hipokrizia. Dhe më e rënda: na mungon UNITETI KOMBETAR.
Na mungon bashkimi rreth vlerave intelektuale, rreth atyre që nuk përkulen, që nuk mbulojnë monumentin e identitetit tonë me perde harrese apo, më keq akoma, me shamia të huaja për shpirtin shqiptar. A është kjo liria që deshëm? Në këtë atmosferë “feste”, ku përhapen thirrjet për Bajram me jehona orientale në sheshet e Shqipërisë, na duhet të kujtojmë me trishtim dhe sarkazëm një moment turpi kombëtar: në Tiranën tonë, në zemrën e Kombit, kalit të Gjergj Kastriotit i vihet “Havale” për… koqet! Që të mos i shohin gratë me shamija!
Po ku kemi rënë, vëllezër e motra? A ka përulje më të madhe se kjo: frika se mos figura e Skënderbeut – prijësit të betejave kundër Perandorisë Osmane – “ofendon” sensibilitetin fetar të dikujt? A mos është ky paralajmërimi i heshtur se një ditë do ta mbulojnë edhe vetë Skënderbeun me shami?! Jo se nuk guxojmë ta shohim më, por sepse na vret ndërgjegjja… që jemi bërë frikacakë në tokën tonë.
Kjo nuk është thjesht një gafë urbane apo një “aksident estetik”. Kjo është një simptomë e thellë e rrëshqitjes kombëtare. Kur për hatër të radikalëve që fshihen pas “paqes fetare”, harrojmë themelin mbi të cilin qëndron ky komb – Gjergj Kastriotin, flamurin dhe shqiptarësinë. Ndaj kjo nuk është vetëm një vërejtje. Është një thirrje e mprehtë për zgjim, për përgjegjësi shtetërore, institucionale dhe shoqërore. Ne presim jo vetëm ndjesë për këtë poshtërim të simbolit tonë, por kërkojmë reagim publik, sqarim dhe qëndrim kombëtar.
Nëse sot mbulojmë për “modesti” pjesët burrërore të Skënderbeut, nesër do të na kërkojnë t’i mbulojmë edhe shpirtin. Dhe atëherë, të dashur shqiptarë, nuk do të ketë as thuprat, as lidhje, as bashkim që të na shpëtojë.
Pasha Tokë e Qiell, e Hënë e Diell, mos e lejoni turpin të bëhet ligj, as heshtjen të bëhet atdhe.
Me nderime të thella, Sak Muji, dhe për Shoqatën kulturore Shqiptare „Aleksandër Moisiu“- Zvicër
Një thirrje që përshkon si rrufe ndërgjegjen kombëtare!
“Shtatë thuprat” nuk janë thjesht një simbol historik, por një pasqyrë e asaj që na mungon sot më shumë se kurrë – uniteti, dinjiteti dhe krenaria kombëtare.
Ky tekst prek plagët që i kemi lënë të hapura prej dekadash, plagët e përçarjes, të heshtjes përballë poshtërimit të simboleve tona, të konformizmit dhe servilizmit të turpshëm.
Është koha që zëri i Skënderbeut të mos mbetet i mbyllur nën perde false “modestie”, por të buçasë fuqishëm në ndërgjegjen e secilit prej nesh. Sepse një komb që lejon të cenohet historia dhe identiteti i tij, ka rrezik të humbasë edhe të ardhmen. Prandaj, kjo nuk është vetëm një kritikë e ashpër, por një apel i thellë për zgjim, për përgjegjësi, për ringritje.
Nëse duam që “thuprat” të mos thërrmohen, duhet t’i lidhim fort me vlerat që na kanë bërë shqiptarë: nderin, guximin dhe të vërtetën.
Nexhmije Mehmetaj