Bardhyl Mahmuti, politolog
Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për kontributin e gjithanshëm të arbëreshëve të Italisë dhe sidomos për solidaritetin e pashembullt që treguan duke hapur dyert e shtëpive dhe zemrat bujare për shqiptarët e dëbuar gjatë zbatimit të gjenocidit të Serbisë në luftën e viteve 1998-1999, në shtator të vitit 2023, Shoqata “Hora e Skënderbeut” ndërmori nismën, që në emër të mërgimtarëve shqiptarë t’u dhurojë atyre shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Meqenëse Hora e Arbëreshëvet (Fshati i Arbëreshëvet), që sot njihet si Piana degli Albanesi, është një nga vendbanimet më të hershme të arbëreshëve në Itali, që është themeluar në 20-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit, në vitin 1488, Kryesia e Shoqatës “Hora e Skënderbeut” dhe autoritetet e Bashkisë Hora e Arbëreshëvet kishin vendosur që inaugurimi i shtatores të bëhej në ditën e kremtimit të themelimit të këtij vendbanimi arbëresh.
Publikimi i pamjes së shtatores madhështore (mbi tre metra e lartë), e punuar me mjeshtëri nga skulptori Gëzim Muriqi, entuziazmoi një numër të konsiderueshëm shqiptarësh nga të katërta anët e botës, të cilët e përkrahën financiarisht realizimin e kësaj vepre me vlera të mëdha artistike.
Përgjatë një viti të plotë sa ishte publik projekti i kësaj shtatoreje, asnjë kritik arti nuk bëri asnjë vërejte rreth risive që sillte skulptori Gëzim Muriqi në pamjen e figurës emblematike kombëtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Kryetari i Bashkisë Hora e Arbëreshëvet, Rosario Petta, dhe autoritetet e tjera bashkiake organizuan darkën e mirëseardhjes për qindra mysafirë që kishin ardhur nga Australia, SHBA-ja, Kanadaja, shtetet skandinave, shtete të ndryshme të Europës Perëndimore, Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut dhe Mal i Zi. Përveç autoriteteve bashkiake, një mikpritje të jashtëzakonshme na ofruan edhe arbëreshët kudo që shkonim. Të ngazëllyer nga madhështia e shtatores, arbëreshët vendas dhe ata që kishin ardhur nga vendbanime të tjera arbëreshe të Italisë, i puthnin duart mjeshtrit të madh, Gëzim Muriqit, dhe e bekonin pandërprerë për këtë vepër të mrekullueshme artistike.
Sulmet politike që pasuan pas inaugurimit të shtatores, më detyruan të rikujtoj disa momente madhështore që na shoqëruan gjatë qëndrimit disaditësh në Horën e Arbëreshëvet! Shqiptarët si shqiptarë gjatë gjithë kohës këndonin, vallëzonin, kuvendonin, drekonin dhe darkonin dhe të gjithë kishin lënë në shtëpitë e tyre petkun partiak, ideologjik dhe fetar! Në tavolinën tonë ku këndonin me çifteli Enver Dugolli dhe Agim Morina askush nuk e shihte askënd si përfaqësues të VV-së, PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës Socialdemokrate, Partisë Socialiste, Partisë Demokratike; askush nuk e interpretoi praninë e ministrave, deputetëve dhe politikanëve nga Kosova si prani në funksion të qëllimeve politike; askush nuk shihte askënd si drenicak, dukagjinas, llapjan, shaljan, tetovar, preshevar, strugan, dibran, shkodran, tiranas, malësorë të Nikaj-Mërturit të Tropojës etj. Aty të gjithë kishin ardhur si shqiptarë, që i kishte bashkuar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu!
Duke u nisur nga fakti se, përveç ftesave zyrtare drejtuar funksionarëve të institucioneve shtetërore shqiptare në Ballkan, që kishte bërë nikoqiri i përurimit të shtatores, kishte ftesë publike nga ana e Bashkisë Hora e Arbëreshëvet dhe e Shoqatës “Hora e Skënderbeut”, që u drejtohej të gjithë shqiptarëve pa dallime politike, ideologjike, fetare apo shteteve ku jetojnë. Ndaj nuk ma merrte mendja, se prania në këtë inaugurim e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, zonjës Elisa Spiropoli, do të nxiste reagime, që kanë për qëllim të përdhosin veprën e mrekullueshme artistike të Gëzim Muriqit!
Në funksion të manipulimit me njerëzit e verbuar nga këndvështrimi ideologjik, autorë perversë sajuan një montazh, që i mvesh figurës së skulpturës të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut tiparet e fytyrës së Edi Ramës!
Programe të ndryshme të teknologjisë informatike mundësojnë që edhe gomarit të Nasradin Hoxhës apo Kalit të Trojës t’i japim tiparet e cilido politikani. Madje nuk duhet përjashtuar mundësia, që me manipulime të kësaj natyre të shohim shpërndarjen në rrjetet sociale të Gjergj Kastriotit të skulpturuar nga Gëzim Muriqi mbi kalin e Skënderbeut me tipare të fytyrës së ndonjë politikani shqiptar! Por manipulime të kësaj natyre nuk mund të përdhosin vlerat e pakontestueshme të veprës artistike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të realizuar mjeshtërisht nga Gëzim Muriqi!
Të shohësh në skulpturën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të realizuar nga Gëzim Muriqi, tipare të fytyrës së Edi Ramës nuk është asgjë tjetër, përveçse shfaqje e Sindromit të Fregolit. Po sqaroj për lexuesit që nuk kanë njohuri për këtë sindrom, se është një çrregullim mendor, që manifestohet te pacienti si bindje se një person prej tij është transformuar nga paraqitja fizike veç për ta persekutuar atë. Pacientët “e rëndomtë” besojnë se persekutori është ndonjë person i afërm i tyre, kurse për “politikanët” e goditur nga ky sindrom, kundërshtari i tyre politik është persekutori që ndëron zërin, veshjen, madje edhe materien në veprat artistike,
për të krijuar një aparencë tjetër, siç bënte me një shpejtësisë të jashtëzakonshme në skenën e teatrit aktori italian, Leopardo Fregoli, prej të cilit ka marrë emrin edhe ky sindrom. Doktori e di se Sindromi i Fregolit prek personat e sëmurë nga skizofrenia, epilepsia ose demenca. E vetmja mënyrë për të ndihmuar pacientin e prekur nga Sindromi i Fregolit është mosaderimi në botën e tij paranojake. Në të kundërtën, aderimi në botën e tij, sa për t’ia bërë qejfin, rrezikon tërë rrethin e tij të preket nga ky sindrom.
Ndaj të gjithë ata që shohin në skulpturën e Skënderbeut të artistit Muriqi tipare të Edi Ramës janë të prekur, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, nga ky çrregullim mendor.
Të goditurit nga ky sindrom nuk mjaftojnë me kaq. Përveç manipulimit të lartpërmendur me teknologjinë informatike, dhelparakëve të verbuarve ideologjikisht u duket si lëkurë dhelpre lëkura e ujkut mbi shpatullën e shtatit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Prania e simbolit të ujkut në lëkurë të rrjepur në shtatoren e skulpturuar nga Gëzim Muriqi përbën një ndër elementet, që paraqesin origjinalitetin e prezantimit artistik të fugurës emblematike kombëtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut!
Një qasje interesante dhe të saktë rreth aspektit historik dhe kulturor të simbolikës së ujkut në antikitet ka bërë kritiku i artit, Ilir Muharremi. Mirëpo që të kuptohet në plotni domethënia e një simboli, ai duhet të shihet në kontekstin e kohës së cilës i referohet artisti.
Në këtë kontekst po përmend dy gjëra:
Së pari, po theksoj se në Mesjetë, nën ndikimin e Kishës, simboli i ujkut humbi të gjitha cilësitë pozitive që ia kishin atribuuar shoqëritë e ndryshme gjatë antikitetit dhe u shndërrua në kafshën më të rrezikshme, me tipare të shumta negative. Në aspektin figurativ, ujku përdorej si simbol, që kërcënonte vazhdimisht “grigjën e deleve”, prandaj “barinjtë” duhej të tërhiqnin vëmendjen e njerëzve, që të ishin më vigjilentë karshi rreziqeve nga ata që shtiren si “qengja”!
Së dyti, gjatë disa mijëvjeçarëve, malësorët shqiptarë, që merreshin kryesisht me blegtori, bartnin gëzofë nga lëkura deshësh!
Nëse kemi parasysh këto dy fakte, atëherë lëkura e ujkut në supet e shtatores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut merr një simbolikë të veçantë: të gjithë ata që mund t’i marrin shqiptarët për dele e qengja, duhet ta dinë se do të ballafaqohen me atë, që mban mbi supe lëkurën e ujkut të rrjepur.
Ndërkaq, ata që kërkojnë qimen në vezë, e dinë fare mirë se pelerina dhe veshja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në skulpturën e artistit Gëzim Muriqi nuk ka asgjë të përbashkët me vikingët, por është gjetje origjinale e artistit, sepse asgjë më mirë se pozita e palave të pelerinës në këtë skulpturë nuk mund të pasqyrojë furtunën, që i kanosej vazhdimisht atdheut tonë.
Prandaj pozita e Emblemës Kombëtare, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në gjendje gatishmërie, mbi shkëmbin e atdheut që mbart plagët e përpjekjeve armiqësore për ta copëtuar, dhe të palëkundur përballë furtunave të kohës, që pasqyrojnë palat e pelerinës, u ngulit në shpirtin tonë si një kryevepër që do të mbijetojë ndër mijëvjeçarë!
P.S.
Gjatë dekadave të fundit, perceptimi shoqëror për ujkun ka ndryshuar dukshëm. Nuk përjashtohet mundësia që, me kalimin e kohës, të ndryshojë edhe simbolika e kësaj kafshe në veprat artistike.
Edhe perceptimi për dhelprat ka ndryshuar. Sot vlerësohet aftësia e kësaj kafshe për të gjetur zgjidhje kreative për problemet që i dalin përpara dhe për t’u përshtatur me rrethanat e reja.
Sot ka ende disa zonja dhe zotërinj të bordeleve të natës, që, për të fshehur lakuriqësinë e tyre, vazhdojnë të mbajnë gëzofë me jakë nga lëkura e dhelprës, dhe politikanë ballkanikë që veprojnë me sintagmën e moçme: kur dhelprës i djeg bishti, le të digjet i gjithë katundi!
Pune e madhe patriotike dhe per tu lavdru qe “Shoqata “Hora e Skënderbeut” ndërmori nismën, që në emër të mërgimtarëve shqiptarë t’u dhurojë atyre shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.”
Kam nji pytje ti baj autorit rreth pohimit se:
“Së pari, po theksoj se në Mesjetë, nën ndikimin e Kishës, simboli i ujkut humbi të gjitha cilësitë pozitive që ia kishin atribuuar shoqëritë e ndryshme gjatë antikitetit dhe u shndërrua në kafshën më të rrezikshme, me tipare të shumta negative.”.
Ku e ke nxjerre kete pohim se “në Mesjetë, nën ndikimin e Kishës, simboli i ujkut humbi të gjitha cilësitë pozitive”?