ARKIVI:
25 Nëntor 2024

Si e njoha Kadri Manin?

Shkrime relevante

Presidentja Osmani takoi një delegacion bipartizan të Kongresit Amerikan, të udhëhequr nga senatorja Jane Shaheen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, takoi sot në Halifax,...

Presidentja Osmani takoi Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po e...

Çka e pyeta djalin tim 13-vjeçar…?

Nga: Aurel Dasareti E pyeta djalin tim 13-vjeçar: “Kush është shtëpia më e...

NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit në ushtri

Përgatiti: Fadil Gashi/ Radio Kosova Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s,...

Depolitizimi i mërgatës!

Florim Zeqa Partitë politike siq shihet nuk kanë nevojë për intelektual, por...

Shpërndaj

   

Fazli Maloku

* Kujtime në dhjetëvjetorin e shkuarjes në amshim të atdhetarit të madh.

     Në mesin e viteve `60-a, isha pranuar në detyrën e mësuesit, në shkollën 8-vjeçare të fshatit Kolaj. Përveç dëshirës së madhe që ta kryej këtë detyrë të shenjtë, ndjeja se isha i papërgatitur në shumë drejtime. Për fatin e mirë, aty gjeta shokë të çmuar: Kadri Manin, Idriz Zeqiraj, Xhelil Rama – drejtor shkolle e të tjerë. Kadriu, duke hetuar zbraztësitë e mia, filloi të punojë me mua, si mësuesi i mirë me nxënësin. Fillimisht, më ofroi ta lexoj romanin e ndaluar “Gjarpijt e Gjakut”, të Adem Demaçit, i botuar në dy numra të Revistës letrare “Jeta e Re”. Idrizi, kishte sjellur nga shtëpia libra e romane, me dhjetëra sosh, dhe i kishte vendosur në dhomën ku banonim. 

     Kadriu, me pedantërinë e tij, me veshjen elegante, me afërsinë vëllazërore, të përvetësonte me të parën. Ishte një pedagog i shkëlqyer. Kadriu dhe Idrizi, në disa raste, ua blinin nxënësve skamnorë veshjen, që nga opingat e deri në kapele, vetëm të mos e ndërprenin mësimin. Por, veprimtaria e Kadriut nuk mbaronte me përfundimin e orarit mësimor. Kadriu, lëvizte lagje me lagje, fshat më fshat, në Malësinë e Gallapit të Prishtinës, për tu njohur më për se afërmi me hallet e shumëta të fshatarëve skamnorë. 

     Pushteti pushtues ua kishte lëshuar mbi supe policët e uniformuar, spiunët pa uniforma, administratorët e zyrave civile, tagrambledhësit, e deri tek rojet e pyjeve. Banesa e Kadriut në fshatin Keqekollë ishte shëndrruar në një advokaturë të vërtetë, ku shkruheshin: lutje, kërkesa, ankesa e padi, në mbrojtje të interesave të fshatarëve, në veçanti të atyre skamnorë. Kadriu ishte mishëruar me jetën e vështirë dhe ju jipte shpresa e kurajo dhe guxim që të mos nënshtrohen, duke ua kthyer shpresën e humbur. Kadriu ishte i gatshëm të sakrifikonte jetën e tij, duke mbrojtur fshatarin skamnor. 

     Një fshatar i Keqekollës kishte një arë vizavi me oborrin e shkollës sonë, nga e cila mundohej tua siguronte bukën familjes. Por, derrat e Dragan Filipoviqit, zv. komandant në stacionin policor në Keqekollë, për çdo pranverë ia lavronin arën, bile herë-herë edhe oborrin e shkollës sonë. Ky zullumqar, ishte i njohur për të bëmat e tij antishqiptare. Fshatari ia qanë hallin Kadriut. Ky e pyet fshatarin: -A ke pushkë në shtëpi? Po, – ia kthen fshatari. -Shko merre pushkën me fishekë, eja te ara. Vrasin dosën, e cila posa kishte bërë jo më pak se 13 derrkucë. 

     Kjo ngjarje u përhap si era në gjithë Gallapin. Çeshtja vajti deri tek organet më të larta të Krahinës së Kosovës. Në shkollën tonë erdhi përsonalisht Xhevdet Hamza, sekretar i Sekretariatit të Punëve të Brenshme të Kosovës, një goxha burrë. Na futi në një klasë policë e punëtorë të arsimit. Problemet dhe raportet tejetë të ashpërsuara polici-punëtorë të arsimit, u shoshitën me orë të tëra, në një atmosferë shpërthyese. Xhevdet Hamza mbajti qëndrim parimor. Mori vendim që Dragani të transferohej menjëherë si fajtor! Kjo fitore u arrit falë aftësisë dhe guximit të të madhit-Kadri Mani.

         Formimi i Organizatës ilegale “Partia e Luftës”

     Muaj maj 1983. Kadri Mani erdhi nga burgu i dytë nëntëvjeçar. E martë, ditë tregu në Prishtinë. Rastisi që në “Tregun e Gjelbërt” të takoj Kadriun, ashtu siç e kisha dëshiruar. Fillimisht, shikuam njëri-tjetrin me mallëngjim e dashamirësi. Pastaj u përshëndetëm dorë me dorë. Vazhduam të ecnim nepër treg, sikur dëshironim të blinim diçka. Me iniciativën time u futëm në një çajtore e quajtur “Kafeja e Fetah Penuhës”, e njohur për të keq. Dhe, kujt do ti shkonte mendja se aty do të qëndrojë Kadri Mani?! 

    Pyetja ime e parë për Kadriun ishte: – Shoku Kadri, do ta pushosh pakëz këtë shpirtin tënd, gjerësa ta marrësh vetën apo do të veprosh? Përgjigja si zakonisht ishte e prerë. -“Nuk kemi kohë për pushime, duhet vepruar”. Pastaj më pyeti: – Ka ende shqiptarë që kanë vullnetin dhe guximin të veprojnë”? Kishte parasyshë se në vitet 1981-83, kishin rënë në burgjet serbo-jugosllave mijëra shqiptarë, duke u dënuar me shumë vite burg. UDB-ja, kishte arritur t`i zbulojë, pothuaj se, të gjitha grupet dhe organizatat ilegale të deritashme, të cilat vepronin në të gjitha trojet Arbërore, nën pushtimin jugosllav. 

     Shqiptarët jetonin në panik. Ishte krijuar bindja e rrejshme, e propoganduar nga njerëzit e pushtetit pushtues, sidomos nga UDB-ja, se në çdo familje shqiptare ka depërtuar sigurimi me njerëzit e tij. Në Beograd, udhëheqja shtetërore serbo-jugosllave ngritnin dolli, duke gënjyer vetën, se me shqiptarët në Jugosllavi, përfundimisht e zgjidhëm problemin. Dhe, për një kohë të gjatë, nuk do të ju shkojë mendja të mirren me veprimtari armiqësore ndaj shtetit. 

     Përgjigja ime ishte: -Po, do të gjejmë, njëri nga ta është ky që po bisedon me ty. Kadriut i shkëlqyen sytë nga gëzimi. U morëm vesh për takimet e radhës. Gjatë ditës me orar pune, takimi do të realizohet në dyqanin e rrobaqepsisë “Nora”, pronar, Mustafë Gashi. Aty punonte edhe vllai im Nebihu. Takimet e natës në shtëpitë tona. Në familjen time Kadriu prezentohej me nofkën “Katrani”, ndërsa unë në familjen e tij “Mësuesi”. Në Organizatën “Partia e Luftës”, Kadriu mbante emrin konspirativ “Shpata”, ndërsa unë “Shpati”.

     Organizatën “Partia e Luftës” e formuan: Kadri Mani, Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe nga jashtë, Xhafer Shatri. Meqenëse në organizimet e më hershme ilegale veprohej me metodën “TRESHE”, ishte nxjerrur konkluzioni se kjo metodë nuk dha rezultatet e duhura, sidomos në ruajtjen e konspiracionit. Drejtuesit e organizatës “Partia e Luftës” morën qëndrim që të punohet me metodën e re “DYSHE”, që rrjedhimisht doli mjaft e suksesshme. 

     U krijuan edhe organet drejtuese të organizatës: Shtabi profesional, Shtabi qendror, Shtabet rajonale dhe Shtabet lokale. Në një takim pune, në shtëpinë time, me Kadriun, u përcaktuan drejtuesit e Organizatës për qytetin e Prishtinës. Qyteti u nda në dy pjesë gjeografike, Veri-Jug. Vija ndarëse ishte rruga që vinte nga Fushë Kosova, për në Malet e Gërmisë. Pjesën jugore do ta mbulojë “Celula e Parë”, Kadri Mani dhe Ramush Jashari. Pjesën veriore të qytetit, “Celula e Dytë” do ta mbulojnë Fazli Maloku dhe Sokol Duraku.

      Dita-ditës, Organizata rritej, duke marrë shtrirje dhe formimi i “Celulave” në gjithë territorin e Kosovës. E vetmja komunë, e cila mbeti e pambuluar me celula, ishte komuna e Besianës, (ish Podjeva), e cila do të duhej të lidhej me aktivitete me Shalën e Bajgorës, ku, tashmë, nga patrioti i shquar, revolucionari, Mehë Uka, (tani dëshmor), ishin krijuar celulat.

   Kah fundi i dhjetorit 1983, Kadri Mani, do të vizitojë Shqipërinë, ilegalisht. Në Shqipëri, siç shpjegonte Kadriu, nuk i plotësohet dëshira, për ta takuar Enver Hoxhën, për shkak të shëndetit të dobët të Enverit, por kjo mbahej tepër sekret nga Shteti Shqiptar. Realizon takim me Nexhmije Hoxhën. Kadriu shpjegonte: Me Nexhmijen biseduam orë të tëra. I shpjegova, gjerë e gjatë, ku është ardhur niveli i organizimit të Organizatës “Partia e Luftës”. 

    Kërkesa ime dhe e Organizatës ishte që Shqipëria të na mbështesë, si dhe të na furnizojë me armatim, për një kryengritje të armatosur kundër Jugosllavisë, me qëllim të çlirimit të Kosovës dhe pjesëve tjera shqiptare dhe bashkimin me Shtetin Amë-Shqipërinë. Nexhmija më dëgjoi me vëmendje dhe foli: Kam besim të plotë në gjithë atë që ju shpjeguat. Por, gjendja dhe rrethanat e brenshme të Shqipërisë me Enverin e sëmurë si dhe faktori i jashtëm nuk janë në favorin tonë. Të fillojë kryengritja e armatosur në Kosovë sot, në këto rrethana do të ishte vetëvrasje jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë.

     Porosia ime është, ju ta ruani si deri më sot e ta kultivoni në popull edhe më tutje dashurinë për Atdheun, urrejtjen për pushtuesin, frymën luftarake për çlirim e bashkim, frymën e lirisë. Kosova do të çlirohet vetëm atëherë kur të shkatërrohet Federata Jugosllave. Rruga për çlirim do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por, kjo ditë do të vjen e sigurtë.

     Kadriu, nga kjo vizitë u kthye mjaft i dëshpruar. Neve na porositi: Të punojmë edhe më tutje me këtë vrull, me këta hapa të sigurtë drejt lirisë, duke u mbështetur në forcat tona. Jam shumë i sigurtë se Dita e Çlirimit, Dita e Lirisë do të vijë!

     Fillimi i vitit 1984, do të jetë edhe fundi tragjik i Organizatës “Partia e Luftës”. Vrasja e Rexhep Malës e Nuhi Berishës, si dhe arrestimi i Kadri Manit, tri shtyllat kryesore themeluese të Organizatës, nuk la mundësi, për të vazhduar aktivitetin më tutje, sipas programit të saj. Megjithate, fryma liridashëse-revolucionare e Organizatës “Partia e Luftës”, për çlirim dhe bashkim kombëtar u manifestua tek brezat, deri tek dalëzotësja USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS (UÇK), e cila, së bashku me paktin NATO, realizoi, pjesërisht, amanetin e heronjve e dëshmorëve të Kombit të të gjithë brezave. 

  Fakti se me arrestimin e Kadri Manit, falë qëndrimit të tij titanik dhe konspiracionit të shkëlqyeshëm e punës në “DYSHE”, nuk u zblua qoftë edhe një “celulë” e vetme e Organizatës, është një dëshmi e padiskutueshme, për rezultatin e dëshirueshëm të saj.

   Kadri Mani, i denuar me 27 vite burg dhe mbi 17.5 vite burg të mbajtura, do të mbetet njëri nga kolosët më besnikët, më revolucionarët, ndër më të merituarit, me përmasa kombëtare shqiptare. Kadriu, idealisti i papërmirësuari deri në frymën e fundit, për çlirimin e tokave Arbërore, nga pushtuesi jugosllav dhe bashkimi i tyre me Nënën Shqipëri.

     I paharruar për jetë e mot, i madhi, Kadri Mani!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu