Prend Ndoja
___
Ne, si komb, kemi shumë veti të çmuara që burojnë nga vetë gjeneza jonë, edhe pse ndonjëherë ato mund të duken të vjetëruara, apo larg vezullimës së kohëve moderne. Megjithatë, këto veti në vete përmbajnë shpirtin tonë, janë afër me natyrën tonë, por edhe me peripetitë e vërteta të njeriut. Këto vlera të larta njerëzore gjatë rrjedhave të etnisë sonë kanë hyrë thellë në brendinë tonë, në karakterin tonë, për të mos ikur kurrë më. Ato janë elemente që e mbajtën afër familjen, fisin, kombin, por edhe ballin hapur për ta shikuar njëri-tjetrin me plot dashuri dhe respekt; qëndresën para sfidave, mirësinë, drejtësinë, sinqeritetin, karakterin, respektin, ruajtjen e thesarit dhe trashëgiminë tonë kulturore.
Këto, dhe shumë elemente tjera që e shndrisin jetën tonë është e dhembshme kur shikon se ndonjëherë po zbehen pa ndonjë shtysë të fortë. Nganjëherë të ndodhur në vorbullën e ngjarjeve të pakëndshme, kur para syve tanë përbalten vlerat kombëtare, apo ato njerëzore, fatkeqësiht më lehtë i anashkalojmë dhe nuk ballafaqohemi me to ose e fajësojmë kohën për dukuritë e pakëndshme që i hasim në jetën tonë.
Kemi dëgjur shpeshherë: S’kem ç’të bëjmë, koha i ka sjellë! Jo, koha, përpos të reshurave, nuk sjell asgjë tjetër! Ne i pranojmë të mirat apo të këqijat në ditët tona. Ne e pranojmë në kohën tonë dashurinë, por edhe urrejtjen. Si pasojë e neglizhencës, në raste të shpeshta dashuria si element rrënjësor në jetën tonë merr një pamje të zbehur. Në mungesë të një dashurie që shkëlqen si rreze, krijohet zbrazëtia në brendinë tonë. Në një brendi të boshatisur, aty edhe përqafimet dhe buzëqeshja marrin pamje “artistike”; ato më tepër shfaqen për dukjet e tyre, apo ndonjë pozim, se sa për vlerën reale të tyre. Në vendet ku dashuria merr udhën e braktisjes, afërsia dhe dashuria me të tjerët mbetet formale. Një mori gjërash të kota hyjnë në jetën e njeriut dhe qetësinë e gjejnë duke u distancuar krijuar mure nga njeriu, duke filluar nga më të afërmit. Aty ku mungon dashuria janë prezente cilësitë negative që i gëzohen së keqes, nxisin fjalë të kota, gënjeshtra… Pastaj brendia e humbë forcën që të kultivojë dashuri. Çdo brendi e boshatisur është rrjedhë e një mendjeje të gabuar; çdo mendim i gabuar është një dritare e mbyllur; çdo dritare e mbyllur kërkon një dorë që ta rihapë përsëri.
VEPRAT E KËQIA NUK I TAKOJNË NJERIUT
Dashuria dhe urrejtja e kanë gjenezën e përbashkët që nga zanafilla, por gjatë udhës së zhvillimit kurrë nuk janë ushqyer në të njëjtën sofër. Të dyja trokasin në mendjen e njeriut dhe presin raste të volitshme që t’u hapet dera e të hyjnë në brendinë e njeriut. Por, te porta e mendjes, njeriu duhet të jetë i kujdesshëm e vigjilent. Është përgjegjësia dhe aftësia jonë që t’i filtrojmë dhe t’i marrim ato që na takojnë. Nuk është edhe aq e rëndësishme sasia, se sa shumë marrim dhe sa shumë japim, por çfarë cilësie marrim dhe çfarë cilësie japim. Nëse japim dashuri, paqe e sinqeritet do të triumfojmë mbi të keqen, mbi urrejtjen. Nëse nuk ruhet që nga burimi, uji do të ndotet gjatë rrjedhës së tij. Pra, që nga fillesa duhet të jemi të kujdesshëm ndaj mendimeve të panevojshme apo të dëmshme, për ne e, pastaj edhe për gjithë shoqërinë.
E keqja nuk mund të largohet duke e goditiur personin e gabuar; të keqen nuk e shëron e keqja, andaj këtu është edhe formula e ngadhënjimit ndaj së keqes. Fitorja ndaj së keqes është duke e fituar njeriun, duke e larguar atë nga e keqja, duke e goditur aktin, e jo personin; duke e goditur atë që e sjell të keqen te njeriu, duke e goditur Djallin (Demonin). Djalli është tradhtar që nga fillimi e deri në fund. ndërsa Zoti është burimi i të gjitha të mirave, i të gjitha gëzimeve.
Njeriu lind i pastër, i dëlirë nga fajet dhe çdo e metë. Fajet dhe gabimet i gjeti këtu, në këtë botë. Pra, fajet apo gabimet dhe çdo e keqe nuk është pjellë e njeriut. Njeriu nuk i solli ato në këtë botë, e as nuk i krijoi që nga fillimi i jetës së tij. Pra, as nuk i solli në këtë botë, e as nuk filloi me to, por të gjitha të këqiat janë pjellë e Djallit dhe atij i takojnë ato.
Djalli, dinakërisht, nga një derë e hapur gabimisht nga ne, i hedh në jetën e njeriut të bëmat e tij. Andaj, arma më adekuate në luftën kundër Djallit është dashuria dhe mirëkuptimi në mes njerëzve.
Pra, me dashuri dhe mirësi duhet ta fitojmë njeriun dhe ta dënojmë djallin. Mos ta luftojmë njeriun, sepse në atë mënyrë vetëm e ndihmojmë djallin. Njeriu është i mirë, por ne duhet ta gjejmë gjuhën e tij të komunikimit. Në të shumtën e rasteve, njeriu është viktimë e paaftësisë së tij; ai struket brenda embrionit të mbuluar nga fuqia negative dhe në vend që ta gjejë derën e daljes nga ai ankth, ai e sulmon njeriun. Por, prapë njeriu është i mirë, sepse edhe në një gjendje të tillë, Ai, kurrë nuk e sulmon njeriun i lumtur, me ëndje, me dashuri, por gjithmonë atë e bën me aktin e dhuruar nga djalli, me mllef, urrejte e ankth… Pra, ai nuk vepron me cilësitë e qenies së tij njerëzore-me dashuri.
Përmes mendjes së pazgjuar depërtojnë bëmat e Djallit. Ato e ngrisin kokën lart dhe tejkalojnë normat normale të njeriut; dalin jashtë vetes së njeriut dhe bëhen pengesë dhe e iritojnë rrethin shoqëror, pretendojnë të ulin dhe përçmojnë njeriun tjetër; njeriu bëhet vegël e ndikimit të djallit. Duke e zgjeruar sa më shumë hapësirën e dukurive në mënyrë jonjerëzore, e ngushtojnë hapësirën e dashurisë dhe respektit. Nga pakujdesia dëmtohet aroma e shijes së vërtetë natyrale të dashurisë për njeriun. Atë nganjëherë e ngatërrojnë duke e kërkuar jashtë natyrës njerëzore, dashurisë ndërnjerzore dhe i japin kahje që, kinse shija e dashurisë së vërtetë qenka zhveshur nga njeriu dhe qenka veshur me gjëra materiale apo gjesende tjera.
Dashuria e vërtetë që nuk duhet të shuhet kurrë, që fuqizon jetën është dashuria ndaj familjes, të afërmve, shoqërisë dhe të gjithë njerëzveit. Dashuria është rreze që e shkrin urrejtjen. Në praninë e kësaj dashurie njeriu është i plotë dhe shijon një jetë të vërtetë. Pesha e dashurisë natyrale njerëzore shfaqet që në pamjen e parë dhe nuk zbehet që nga mëngjesi gjer në mbrëmje; fillon me familjen, të afërmin dhe shpërndahet te të gjithë njerëzit. Dashuria është një forcë më vete, është shtyllë qendrore e jetës që ndihmon të ecësh drejt përparimit e së vërtetës. Pra, duhet ta kujtojmë dhe, pse mos ta ringjallim në jetën tonë atë dashurinë, siç ishte dikur në atë botën tonë të “vogël”. Fëmijët, si engjëj, përpos në afërsinë e prindërve, shkriheshin në dashuri në prehrin e dajës, axhës dhe të afërmve të tyre, por edhe në hapësirën e natyrës së lirë. A është edhe sot kjo dukuri? Ajo ishte vlera e vërtetë e jetesës, ishte pesha që në mes të varfërisë së tejskajshme e mbante lart forcën dhe nivelin e jetesës. Trajtimi njerëzor, pa marrë parasysh ku dhe kë, është ushqimi më i këndshëm i dashurisë. Kuptimi i gjendjes shpirtërore të tjetrit është prodhimi i parë që rrjedh nga dashuria, e, që të dyja bazën e kanë në thjeshtësinë e njeriut. Forca e faljes është çelësi që i hap dyert e mbyllura. Kur ne i falim armiqtë, ata vdesin si armiq për ne, sepse nga ai moment nuk do të kemi më armiq. Lirohet Ai dhe lirohemi Ne. Kur i hapim dyert e kthimit nga e keqja, në të njëjtën kohë mbyllen dyert e ndikimit të djallit në jetën tonë. Të dhurosh dashuri për të tjerët, do të thotë të dhurosh shëndet të mirë në shpirtin tënd. Por, edhe në dashuri ka dhembje, ka mall; s’ka gojë, por më në fund ka dritë. Në botë kurrë nuk do të kemi paqe, nëse nuk kemi dashuri. Dashuri pa kufij duhet të kemi për të gjithë njerëzimin. Por, dashuri dhe BESIM TË PLOTË duhet të kemi vetëm në Zotin.