ARKIVI:
21 Nëntor 2024

Si u kapën dy drejtuesit e Xhihadit në Shqipëri në vitin 2008

Shkrime relevante

Rusia ka hedhur në qytetin ukrainas Dnipro një raketë balistike ndërkontinentale, sipas Ukrainës

Rusia ka sulmuar qytetin ukrainas Dnipro me një raketë balistike ndërkontinentale...

Rusia: Britania tani është e përfshirë drejtpërdrejt në luftë

Storm Shadows, këtu në një avion luftarak britanik Tornado GR4, mund...

Zelensky thotë se Krimea mund të rimirret vetëm me diplomaci

Foto: WOLFGANG RATTAY / POOL / AFP Kristoffer Solberg Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy...

Policia në Zubin Potok gjen uniforma, municion dhe pajisje tjera ushtarake

Policia e Republikës së Kosovës, në Zubin Potok gjen uniforma,...

Shpërndaj

Nga Artan Hoxha

Xhihadi islamik në Shqipëri

E premte, 25.01.2008, 12:42 AM

Emisioni investigativ i NEWS 24, “Xhungël”, në pjesën e tretë për Xhihadin Islamik Egjiptian solli dëshmi dhe fakte që hodhën dritë mbi operacionin e shërbimeve sekrete amerikane (CIA), egjiptiane (Mukhabarati) dhe shqiptare (SHIK) në verën e vitit 1998. Ish-drejtues të lartë të SHIK-ut dhe policisë treguan detaje mbi bashkëpunimin me agjentët e shërbimeve sekrete të disa vendeve të huaja, në atë që njihet si operacioni më i suksesshëm i CIA-s, në luftën kundër terrorizmit islamik deri më 11 shtator 2001.

Xhihadi

“Xhihadi Islamik Egjiptian, një nga organizatat terroriste më të njohura në fundshekullin e kaluar, ia kishte dalë mbanë të vendoste një celulë të vetën në Shqipëri. Celula e Tiranës vlerësohej si një nga komitetet më të rëndësishme të Xhihadit. Në të bënin pjesë disa nga eksponentët e njohur të organizatës, të cilët ishin kamufluar nën petkun e misionarëve dhe bamirësve myslimanë të ardhur nga bota arabe. Aktiviteti i Xhihadit Islamik Egjiptian nisi qysh në fillim të vitit 1970, si një lëvizje opozitare me karakter fetar që kishte qëllim përmbysjen e qeverisë së Egjiptit dhe krijimin e një shteti islamik në vendin e piramidave. Në hapat e parë Xhihadi përfshihej brenda radhëve të organizatës Vëllazëria Myslimane, madje cilësohej si krahu i armatosur i saj. Goditjen më të madhe Xhihadi Egjiptian e kreu më 6 tetor 1981, kur në bashkëpunim me elementë fondamentalist të organizatës Vëllazëria Myslimane, organizuan dhe realizuan vrasjen e presidentit të Egjiptit, Anëar El-Sadat.

Atentati

Ekzekutimi spektakolar gjatë një parade ushtarake, përpara kamerave të televizioneve, i nobelistit të paqes El-Sadat, shkaktoi një tronditje të thellë jo vetëm në Egjipt, por në krejt vendet arabe. Çmenduria e vrasësve të Sadatit i kalli frikën gjithë botës. Ky akt dëshmoi qartë se çfarë rreziku serioz i kanosej qytetërimit perëndimor, bazuar mbi një rend demokratik, nëse një fraksion kaq radikal i Islamit merrte pushtetin e kujtdo vendi qoftë. Presidenti i ri i Egjiptit, Hosni Mubarak që mori detyrën 10 ditë më vonë, më 16 tetor 1981, u betua se vrasësit e Sadatit i priste një ndëshkim i ashpër, ndërsa organizata që fshihej pas këtij krimi do të zhdukej nga faqja e dheut. Beteja e ashpër mes autoriteteve proamerikane egjiptiane dhe militantëve islamikë të Xhihadit, vazhdon të jetë e ashpër edhe pse kanë kaluar gati tre dekada nga vrasja e presidentit El-Sadat. Menjëherë pas kësaj ngjarje shërbimi sekret egjiptian dhe agjensitë ligjzbatuese të këtij shteti, nisën hetimin për të zbuluar organizatorët dhe vrasësit e 6 tetorit. Në grupin e personave që u arrestuan si organizatorë të kësaj ngjarje ishin dhe dy vëllezërit Ayman dhe Mohamed Al Zavahiri. Dy vëllezërit Zavahiri ishin mes të akuzuarëve në gjykatën ushtarake të Kajros, për procesin e vrasjes së Sadatit, dhe shumë shpejt ata do të bëheshin liderët e Xhihadit Islamik Egjiptian.

Doktori

Ayman Al-Zavahiri “Doktori”, i lindur më 19 korrik 1951, bëri vetëm 3 vjet burg pasi përfitoi nga një amnisti e presidentit Mubarak për vrasjen e Sadatit. Sapo fitoi lirinë, Ayman Al-Zavahiri, në atë kohë 35 vjeç u nis drejt Afganistanit për tu bashkuar me muxhahidinët afganë në luftën kundër trupave pushtuese sovjetike. Aty ai u njoh me Osama Bin Laden, i cili luftonte komunistët me armët dhe mbështetjen e CIA-s amerikane. Fundi i luftës në Afganistan në vitin 1989, bëri që shumë muxhahidinëve që kishin luftuar si vullnetarë, të mos u lejohej kthimi në atdhe, pasi shiheshin si një kërcënim serioz për rendin dhe sigurinë. Në një situatë të tillë, vëllezërit Al-Zavahiri u vendosën në Jemen, ku krijuan bazat e dy prej celulave më të forta të Xhihadit që tashmë ishte shpërndarë në grupe të vogla në disa vende. Në vitin 1993 Xhihadi tentoi të vriste në një atentat të dështuar kryeministrin egjiptian Atef Sedki. Ndërsa në dhjetor 1995 anëtarët e Xhihadit vendosën një autobombë në Ambasadën Egjiptiane në Islamabad të Pakistanit, ku u vranë 17 persona dhe u plagosën më shumë se 60 të tjerë. Në vitin 1997 grupi ra në vështirësi pasi 85 anëtarë të tij u arrestuan dhe u akuzuan nga qeveria Egjiptiane për planifikimin e hedhjes në erë të tregut Khan el Khalili, një pikë turistike në Kajro mjaft e preferuar nga turistët perëndimore.

Mbijetesa

Përpara se një nga celulat e Xhihadit të vendosej në Tiranë, anëtarët e saj kishin qëndruar në Sudan, në objektet e administruara nga Osama Bin Laden. Gjatë dëshmisë së tij Al Naggar e lidhi Bin Laden me rrjetin e Xhihadit në Shqipëri.
Një seri aksionesh të autoriteteve shtetërore egjiptiane në fillimin e viteve ’80, e copëzuan Xhihadin. Por organizata vazhdonte të egzistone në celula të vogla në 9 vende të ndryshme përfshirë Jemenin, Sudanin, Gjermaninë, Britaninë, Afganistanin, Azerbajxhanin dhe Arabinë Saudite. Operacionet gjatë kësaj kohe organizoheshin nga dy bazat e Xhihadit në Jemen, përfshirë dhe
atentatin ndaj kryeministrit egjiptian Atef Sedki. Pas dështimit të atentatit ndaj kryeministrit egjiptian Atef Sedki, me urdhër të Ayman Al Zavahirit dy celulat më të forta të Xhihadit u ndanë. Zavahiri u kërkoi shtatë familjeve të anëtarëve të Xhihadit të zhvendoseshin në Sudan. Fillimisht të kalonin burrat, më pas gratë dhe fëmijët. Zavahiri kishte një zyrë në kryeqytetin e Sudanit, Khartum ku ishte vendosur dhe Osama Bin Laden. Në këtë këtë kohë, një nga eksponentët më të rëndësishëm të celulës së Tiranës, Al Naggar, shkoi Sudan dhe e takoi Zavahirin, që i tha se gjithë anëtarët e Xhihadit që kishin mbetur në Egjipt ishin arrestuar. Në këto kushte ai kishte ndërmend ta niste nga e para.

Mukhabarati

Paralelisht me futjen e anëtarëve të Xhihadit në Shqipëri, shërbimi sekret egjiptian(Mukhabarati) kishte infiltruar agjentë të vet si misionarë apo bamirës myslimanë për të zbuluar lëvizjet e kundërshtarëve të tij. Të njëjtën gjë bënë dhe shërbimet franceze që ishin vënë në ndjekje të terroristëve islamikë algjerianë që synonin të godisnin objektiva franceze. Agjentët e CIA-s duke parë atë që po ndodhte si dhe faktin që në prag ishte lufta e Kosovës, vendosën të hidhen në veprim për të larë duart një orë e më parë me terroristët e Xhihadit. Në pranverën e vitit 1998 disa javë përpara se të niste operacioni ndaj celulës së Xhihadit, Shefi i SHIK-ut Fatos Klosi u ftua në shtabin e CIA. Ai u vu në dijeni për objektivat e inteligjencës amerikane si dhe me situatën që pritej të krijohej në Kosovë gjatë atij viti. Një ndër temat kryesore ishte bashkëpunimi për të goditur celulën terroriste të Xhihadit Islamik në Tiranë.

Bashkimi

Në fundin e shkurtit 1998, Xhihadi Islamik Egjiptian u bashkua me Al Kaeda-n në Frontin Islamik Botëror për Xhihad, në krye të të cilit u vendos Osama Bin Laden që mori përsipër financimin e të gjitha operacioneve që tashmë do të kryheshin bashkërisht. Gjatë kësaj kohe Shavki Attiya dhe Ibrahim Al Nagar komunikuan disa herë me Ayman Al Zavahirin që ndodhej sëbashku me Bin Ladenin në Afganistan. Gjatë dëshmisë së tij në gjyq Al Nagar tha se:”Lajmin për bashkimin e Xhihadit me Al Kaeda-n, celula e Tiranës e mori pas një telefonate të bërë nga Komiteti i Medias së Xhihadit në kryeqytetin e Anglisë, Londër”. Xhihadi kishte patur si objektiv goditjen e qeverisë egjiptiane dhe interesave të saj, por nga ky moment kishte një objektv tjetër më madhor, goditjen e interesave amerikane në çdo cep të botës. Bashkimi i Xhihadit, sipas Al Naggar, u bë i detyrueshëm për shkak të mungesës së theksuar të fondeve, problem që do të zgjidhej me financimet e Bin Laden.

Përgatitja

Në prag të luftës në Kosovë, CIA vendosi të mos e mbante më në vëzhgim celulën e Xhihadit në Tiranë, por ta godiste atë një herë e mirë. Në pranverën e ’98-ës, CIA e ndihmuar nga shërbimi sekret egjiptian që i kishte dhënë çdo informacion me saktësinë më të madhe se kush fshihej pas bamirësve islamikë, i kërkoi SHIK-ut të mbante nën vëzhgim gjashtë eksponentë shumë të rrezikshëm të Xhihadit në Shqipëri. Në mesin e prillit në Tiranë mbërritën 12 agjentë të Divizionit të Operacioneve të CIA-s, të cilët në bashkëpunim me agjentët e SHIK-ut nisën përgatitjen e operacionit për ti dhënë goditjen finale celulës së Xhihadit. Grupi i agjentëve punoi për më shumë se dy muaj sëbashku duke mbajtur nën mbikqyrje lëvizjet e eksponentëve të rrezikshëm të Xhihadit, të cilët vazhdonin të qetë aktivitetin e tyre.

Aksioni

Për të mos krijuar probleme me ligjin u vendos që goditja e parë të bëhej në bashkëpunim me policinë, pasi SHIK-u nuk mund të kryente shoqërime apo ndalime të personave në ambjente publike apo në rrugë. Agjentët e CIA-s dhe SHIK-ut vendosën të godasin dy nga eksponentët kryesorë të Xhihadit në Shqipëri. Në krye të listës u vendosën kreu i celulës së Tiranës Shavki Salama Attiya që përdorte emrin e rremë Maged Mustafa dhe Ahmed Ibrahim Al Naggar i njohur me emrin e rremë Muhamed Founda 36 vjeç propagandues i Xhihadit. Operacioni u përgatit me kujdes pasi Attiya ishte një terrorist i sprovuar që kishte luftuar në Afganistan në muxhahidinët dhe ishte trajnuar për shumë taktika ushtarake në kampet e Al Kaeda-s dhe Xhihadit. Mesditën e 25 qershorit 1998 Attiya u kap ndërsa po drejtonte një autoveturë tip Audi, prodhim i vitit 1986. Sapo ai arriti pranë këndit të lojërave në rrugën e Elbasanit, një autoveturë me fenelinë policie i preu rrugën dhe e detyroi të ndalej. Ndërsa nga pas u bllokua nga një tjetër autoveturë civile. Agjentët e SHIK-ut zbritën me shpejtësi dhe pasi i futën një thes najloni në kokë, e drejtuan në ambjentet e selisë së SHIK-ut. Pak minuta më vonë u ushtrua një kontroll në banesën e tij ku u gjetën shumë vula zyrtare të huaja për dokumenta të falsifikuara dhe 50 stampa të përdoruara për viza hyrje-dalje në vende të ndryshme të botës. Në zyrë iu gjet dhe një automatik Kallashnikov. Po atë ditë, pothuaj në të njëjtën orë agjentët e SHIK-ut dhe CIA-s kryen dhe një operacion të dytë në qytetin e Elbasanit, ku arrestuan mësuesin e Kuranit dhe gjuhës arabe në institutin e financuar nga Al Haramain, Ahmed Ibrahim Al Naggar.

Xhihadi vendosi në Tiranë shtabin e falsifikimeve

Xhihadi Islamik Egjiptian instaloi në Shqipëri një nga celulat më të rëndësishme të tij, komitetin i falsifikimit të dokumentave. Ky komitet që e kishte qëndrën në Tiranë drejtohej nga Shavki Attiya dhe Ahmet Ibrahim Al Naggar. Ai kishte për detyrë të përgatiste dokumente për të lehtësuar lëvizjen e operativëve të organizatës gjatë kryerjes së detyrave të tyre në vende të ndryshme të botës. Takime të shumta organizative janë mbajtur jashtë vendit dhe janë ndjekur nga lideri i organizatës Ayman Al-Zavahiri. Pjestarët e këtij grupi kishin arritur të zinin poste të rëndësishme në disa nga shoqatatat humanitare islamike në vendin tonë. Celula e Xhihadit në Tiranë përfshinte një komandant drejtimi, një propagandist dhe grupin e veprimit. Pjesa më e madhe e celulës e kishin kaluar kohën duke luftuar në Afganistan apo në kampet stërvitore të Al Kaeda-s në Pakistan për të mësuar si të përdornin armët, eksplozivët dhe njohuri mbi taktikat e luftës guerrile. Kreu i Xhihadit, Ayman Al Zavahiri, një kirurg nga Kajro, u kthye në luftëtar muxhahidin pas procesit ndaj organizatorëve të vrasjes së presidentit egjiptian Anuar El-Sadat më 6 tetor 1981. Ai bëri tre vjet burg dhe më pas shkoi në Afganistan.

Bashkimi

Në shkurt 1998, Xhihadi i mbetur pa fonde u detyrua të lidhej me Al Kaeda-n në Organizatën Frontit Islamik Botëror ku financimin e merrte përsipër Bin Laden. Qysh nga ajo kohë, Ayman Al Zavahiri është numri 2 i Al Kaeda-s dhe zëvendësi i Osama Bin Laden. Marrja në pyetje e pesë anëtarëve të Xhihadit të kapur në Tiranë nga Mukhabarati egjiptian në verën dhe vjeshtën e vitit 1998, siguroi afro 20 mijë faqe dëshmi dhe dokumenta që përfunduan më pas në procesin gjyqësor të gjykatës ushtarake në Kajro, një vit më vonë. Deklarimet e dëshmitarëve provuan ekzistencën e celulës terroriste të Xhihadit Islamik Egjiptian në Tiranë dhe planet e saj.

Aktiviteti

Celula e Xhihadit në Shqipëri kishte për detyrë të krijonte një bazë të sigurtë për strehimin e një pjese të anëtarëve të organizatës, të cilët ishin identifikuar nga shërbimi sekret egjiptian dhe ishin dënuar në mungesë. Duke u strehuar në Shqipëri ku kishin mundësi të hynin lirisht pa viza, ata mendonin se ishin të sigurtë dhe mund të vazhdonin serish aktivitetin e tyre. Anëtarëve të Xhihadit në Tiranë u ishte besuar sigurimi i dokumentacionit të nevojshëm për lëvizjet e pjestarëve të organizatës në Evropë apo vende të ndryshme të botës. Një pjesë e madhe e anëtarëve të Xhihadit të strehuar në Shqipëri, për tu kamufluar më mirë, u martuan dhe krijuan familje me femra shqiptare. Një tjetër detyrë ishte rekrutimi i të rinjëve shqiptarë për ti përdorur më pas si mercenarë në operacionet e mëtejshme të organizatës në vende të ndryshme ku kishte nevojë. Gjatë procesit ndaj anëtarëve të kësaj celule në Kajro në vitin 1999, u sollën fakte për fondet që kishin ardhur në Tiranë nga disa vende të Evropës Perëndimore dhe që më pas ishin transferuar drejt vendeve ku kishte nevojë emergjente organizata.

Autobombat në Kenia dhe Tanzani, përgjigje për arrestimet në Tiranë

CIA-s dhe SHIK-u ishin duke i dhënë dorën e fundit celulës së Xhihadit në Tiranë kur gazeta më e madhe në gjuhën arabe në Evropë “Al Hayat”, që botohej në Londër publikoi një letër të firmosur nga Fronti Ndërkombëtar Islamik për Xhihad. Letra e publikuar më datë 5 gusht 1998 bënte thirrje për “hakmarrje ndaj amerikanëve në një gjuhë që ata do ta kuptonin” për shkak të veprimeve antiterroriste që CIA po kryente në Shqipëri. Dy ditë më pas, më 7 gusht 1998, ambasadat Amerikane në Nairobi të Kenias dhe Dar Es Salam të Tanzanisë, gati u rrafshuan nga sulmet me autobomba. Bilanci fillestar në Nairobi të Kenias ishte 212 të vrarë dhe mbi 4000 persona të plagosur. Mes viktimave ishin 12 shtetas amerikanë të stafit të ambasadës dhe 31 shtetas kenianë të punësuar në stafin e ambasadës amerikane. Ndërsa në Dar Es Salam, pati 11 të vrarë dhe 72 të plagosur. Mes viktimave ishin 7 shtetas nga Tanzania që punonin në ambasadën Amerikane dhe dy shtetas amerikanë. Mediat botërore duke iu referuar burimeve të rezervuara nga administrata Amerikane apo nga shërbimet sekrete deklaruan se sulmi kishte qenë një hakmarrje e Osama Bin Laden dhe Frontit Ndërkombëtar Islamik për Xhihad ndaj arrestimeve të anëtarëve të Xhihadit Egjiptian në Tiranë. Zyrtarisht ky version nuk është deklaruar kurrë nga Administrata Amerikane.

Gjykata e Tiranës, arrest shtëpie për terroristët

Dy drejtuesit e celulës së Xhihadit Egjiptian në Shqipëri u mbajtën 4 ditë nën hetim pas arrestimit nga policia dhe agjentët e SHIK-ut. Më datë 29 qershor 1998, Al Naggar dhe Attiya u çuan për vlerësimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Prokurori Saimir Hysi kërkoi arrest me burg pa afat për Attiya dhe 15 ditë burg për Al Naggar. Gjyqtarja e gatëshme Fatmira Laskaj, që nuk e dinte me kë kishte të bënte, i la pë mend agjentët e SHIK-ut e CIA-s, kur vendosi arrest shtëpiak për të dy terroristët e Xhihadit, të cilët duhej të qëndronin në banesën e tyre të mbikëqyrur nga policia. Ky vendim i paparashikuar, gati e hodhi në erë gjithë punën e shërbimeve sekrete. Duke e ndjerë rrezikun e largimit të terroristëve islamikë, agjentët e SHIK-ut të orientuar nga CIA vendosën të vepronin në rrugë jo legale. Në orët e para të 2 korrikut, agjentë civilë hynë në banesat e Al Naggar dhe Attiya, që ishin nën masën e arrestit shtëpiak. Të dy egjiptianët u rrëmbyen me thes në kokë nga banesa dhe u transportuan me masa të forta sigurie drejt aeroportit ushtarak të Gjadrit në veri të vendit. Aty i priste një avion çarter i CIA-s për ti dorëzuar në duart e agjentëve të Mukhabaratit egjiptian që po i prisnin në Kajro.

Shkelja

Konstatimi se po të ndiqej rruga ligjore do të hasnin në pengesa, i detyroi agjentët e shërbimeve sekrete të vepronin ashtu siç u pëlqente atyre, pa pyetur askënd dhe duke synuar të krijonin një panik sa më të madh te anëtarët e Xhihadit. Për të ndrequr gafën e gjykatës së Tiranës, Gjykata e Apelit më 10 korrik vendosi ti rikthejë në arrest burgu pa afat dy egjiptianët, por ishte një procedurë e kotë, tashmë ata ishin në duart e agjentëve të Mukhabaratit në Kajro, që u kishin rezervuar një “trajtim” hetimor special. Attiya dhe Al Naggar u rrëmbyen dhe më pas u transportuan me sy mbyllur drejt atdheut të tyre ku i priste dënimi me vdekje. Për tu paraprirë procedurave në të njëjtën ditë me arrestimet në Tiranë, qeveria egjiptiane lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar për shefin e celulës Shavki Attiya, dhe kërkoi ekstradimin e tij. Prokurori i Përgjithshëm i Egjiptit në atë kohë Hisham Saraya, e kishte provuar dhe herë të tjera për të kërkuar arrestime dhe ekstradime të anëtarëve të Xhihadit në disa vende të Evropës Perëndimore, por kishte dështuar. Këtë radhë ai mori garanci se pakoja postare do të mbërrinte në destinacion. Agjentët e SHIK-ut po u bënin një nder të madh kolegëve të tyre në Kajro, me ndërmjetësinë e agjentëve të CIA-s. Duke anashkaluar procedurat ligjore dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, shërbimi sekret shqiptar kishtë marrë përsipër një rrisk të madh duke kryer një veprim që mund të sillte reagime të ashpra nga shumë vende evropiane. Duke patur parasysh se ky ishte një operacion i drejtuar nga CIA, çdo veprim që cënonte ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare, u cilësua i justifikuar për interesave madhore që ishin në lojë. Ajo që ndodhi një muaj më vonë në Nairobi të Kenias dhe Dar es Salam të Tanzanisë me ambasadat amerikane, dëshmoi se kush ishin në të vërtetë të “rrëmbyerit e Tiranës” dhe sa të rrezikshëm ishin ata.

I treti

Agjentët e CIA-s dhe SHIK-ut nuk u lanë kohë për ta marrë veten anëtarëve të Xhihadit në Tiranë, që kishin ngelur pa kokë pasi drejtuesit e tyre nuk dihej ku kishin përfunduar. Më 12 korrik 1998, agjentë civilë shkuan në banesën e Mohamed Hassan Tita ose i njohur ndryshe si Mohamed Hassan Mahmud Hasani, dhe pasi e rrëmbyen e nisën dy ditë më vonë, më 14 korrik drejt Aeroportit të Gjadrit ku një avion i CIA-s priste ta transportonte drejt Egjiptit. Tita i caktuar nga Muhamed Al-Zavahiri për mbledhjen e fondeve nga anëtarët e celulës së Xhihadit në momentin që u kap mbante me vete një pasaportë me numër 182529. Muhamed Hassan Tita ishte 32 vjeç në momentin e dëbimit nga Shqipëria. Në mars 1993 arkitekti Mohamed Hassan Tita mori drejtimin e Organizatës Islamike të Ndihmave dhe shpërndante anëtarët e Xhihadit që dërgoheshin në Shqipëri nëpërmjet projekteve të ndryshme.
Gjatë deklarimeve në gjykatën e Kajros, Tita tha se anëtarët e Xhihadit në Tiranë hapën dhe disa biznese private për të siguruar fonde. Ata themeluan një kompani import-eksporti, por hoqën dorë shpejt prej saj. Më pas ata hapën një institut kompjuterash që u mbyll dy vjetë më pas. Në këtë periudhë llogaritarit të Xhihadit në Tiranë i erdhën dy transferta bankare nga jashtë vendit, nëpërmjet numrit të llogarisë 8144/2-8/-1 që kishte hapur në Bankën Kombëtare Tregtare. Tita dërgonte 800 dollarë në muaj për të burgosurit e Xhihadit në Egjipt. Në vitin 1996 ai shkoi në Siri ku u takua me Muhamed Al-Zavahirin. Zavahiri u interesua për situatën e sigurisë në Shqipëri dhe e pyeti nëse mund të realizohej një takim i një numri anëtarësh të Xhihadit në Tiranë. Titas iu kërkua të përgatiste një arkivë në kompjuter me të dhënat për anëtarët e Xhihadit që kishin shkuar në Shqipëri dhe që ishin të punësuar në Organizatën “Ringjallja e Trashëgimisë Islame”. Në vitin 1996 Tita i gjeti vend pune në fondacionin Al Haramain eksponentit të rëndësishëm të Xhihadit, Al Naggar, dhe mundi të dërgonte për Xhihadin, 29 mijë dollarë të mbledhura nga 20 përqindëshi i rrogave. Në procesin e Kajros Mohamed Hasan Tita tha se në Shqipëri ndodheshin 16 anëtarë të Xhihadit Islamik, 7 anëtarë të Xhamaja Islamija dhe 12 anëtarë të Vëllazërisë Myslimane.

Provat

Provat materiale të gjetura në banesat apo zyrat e anëtarëve të Xhihadit në Tiranë dëshmonin se sa të organizuar ishin dhe me çfarë aktiviteti merreshin në të vërtetë. Dëshmitë që u dhanë gjatë seancave hetimore të shërbimit sekret egjiptian, zbuluan një rrjetë merimange të thurur me kujdes nga Mohamed Al Zavahiri, vëllai i numrit 2 të Al Kaeda-s. Mënyra sesi u veprua ndaj anëtarëve të Xhihadit të kapur në Tiranë nuk la aspak shije të mirë tek partnerët Evropianë të Shqipërisë. Fillimisht veprimet operacionale u mbajtën në fshehtësi të plotë, por më pas kur u publikuan detaje mbi aksionet e kryera nga shërbimet sekrete amerikane, shqiptare dhe egjiptiane, pati reagime nga media ndërkombëtare, organizatat e mbrojtjes së të drejtave e lirive themelore të njeriut dhe nga disa vende të BE-së. Fakti që dy prej të arrestuarëve të Xhihadit në Tiranë, u varën më 14 shkurt të vitit 2000 në Kajro, krijoi një situatë aspak të këndshme për Shqipërinë e vogël në vendet e Evropës. Në rrugë zyrtare, agjensitë ligjzbatuese shqiptare nuk kanë përpiluar asnjëlloj dokumentacioni që të provojë se Shavki Salama Attiya, Ahmed Ibrahim Al Naggar dhe Muhamed Hassan Tita janë arrestuar konform legjislacionit të vendit dhe më pas janë deportuar në atdheun e tyre sipas konventave ndërkombëtare. Identiteti i rremë që kanë mbajtur terroristët e Xhihadit, u krijoi lehtësi shërbimeve sekrete, pasi është e vështirë të provohet se ata kanë qenë vërtetë në Shqipëri, e ca më tepër janë ndaluar nga agjensitë ligjzbatuese. Nëse ndiqeshin procedurat ligjore, terroristët e Xhihadit duhej të qëndronin për muaj të tërë në burgjet shqiptare në pritje të vendimit të formës së prerë nga drejtësia dhe më pas të riatdhesoheshin në vendin nga kishin hyrë në Shqipëri. Kjo rrugë ligjore do ti ndihmonte ata të mos mbërrinin kurrë në Egjipt ku i priste dënimi me vdekje, por në Shqipëri fati dhe ligji nuk ishte në anën e tyre.

Tre anëtarë të Xhihadit Islamik u dënuan me vdekje

Tre nga gjashtë anëtarët e celulës së Xhihadit Islamik Egjiptian që u godit në Shqipëri gjatë verës së vitit 1998, përfunduan të dënuar me vdekje, një u dënua me burgim të përjetshëm dhe dy të tjerë me 10 vjet burg. , Mohamed Hassan Tita, Ahmed Osman Saleh dhe Essam Abdel Tauab dolën përpara gjy-katës ushtarake në Kajro në fillim të vitit 1999, të akuzuar për një sërë krimesh të rënda. Ky ishte një nga gjyqet më masive dhe më i madhi, i zhvilluar deri në atë kohë në lidhje me terroristët islamikë në botën arabe. Më 14 shkurt të vitit 2000, Ahmed Ibrahim Al Naggar dhe Ahmed Osman Saleh u varën në një burg të Kajros. Kreu i celulës së Tiranës, Shavki Salama Attiya (Magad Mustafa) u dënua me burgim të përjetshëm. Mohamed Hassan Tita dhe Essam Abdel Tawwab u dënuan me 10 vjet burg. Ndërsa i gjashti, Salah El-Sayed u vra nga RENEA më 24 tetor 1998.

Hetimi

Të arrestuarit gjatë operacionit të agjentëve të CIA-s dhe SHIK-ut, Shavki Salama Attiya, Ahmed Ibrahim Al Naggar, Muhamed Hasan Tita, Ahmed Osman Saleh dhe Essam Abdel Tawwab, nuk u rezistuan dot më-nyrave të ashpra që ndoqi shërbimi sekret egjiptian gjatë hetimit. Avokati egjiptian Hafez Abu-Saada, që mbrojti 5 të rrëmbyerit e shërbimeve secrete, deklaroi gjatë procesit në Gjykatën Ushtarake të Kajros se, klientët e tij në Shqipëri ishin rrahur dhe nuk u ishte lejuar të ndiqnin procedurat ligjore të parashikuara nga konventat ndërkombëtare, madje dhe ato të parashikuara nga legjislacioni shqiptar. Ndërsa në Egjipt, Abu-Saada, pretendoi se ndaj klientëve të tij ishin përdorur mënyra hetimore krejtësisht të ndaluara, që kishin si qëllim ti thyenin për tu vjelë informacionin që ata dispononin.

Shkelja

Ahemd Osman Saleh tha gjatë procesit se u torturua për dy muaj rresht. Ndaj tij u përdor deri dhe rrymë elektrike në organet gjenitale për të treguar çfarë dinte. Ndërsa Al Naggar u mbajt për 35 ditë dhe iu nënshtrua torturave në një vend të panjohur në Kajro. Ndaj tij u përdor elektroshok në organet jetësore dhe u mbajt gjatë gjithë kohës së hetimit në një qeli i zhytur në ujë deri në gjunjë. Trajtim jo më i mirë iu rezervua shefit të Xhihadit në Tiranë, Shavki Attiya, i cili qëndroi për 65 ditë i zhytur në ujë deri mbi gju dhe iu nënshtrua elektroshokut në organet gjenitale. Të njëjtës procedurë hetimore iu nënshtruan dhe Essam Tawwab dhe Mohamed Hassan Tita. Ky lloj hetimi bëri që njerëzit e Xhihadit të zbërtheheshin duke u dhënë shërbimeve sekrete gjithë njohurite dhe lidhjet e tyre jo vetëm në Shqipëri, por në shumë vende të botës. Vëllai i Ahmed Ibrahim Al Naggar, Mohamed Al Naggar, tha se ai dhe pjestarët e tjerë të familjes u ndaluan disa herë për tu marrë në pyetje nga shërbimet e sigurisë së Egjiptit. Në lidhje me akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut dhe ushtrim torture ndaj anëtarëve të Xhihadit të arrestuar në Tiranë, zëdhënësi i presidentit egjiptian, Nabil Osman u shpreh për median se: ”Harrojini për pak kohë të drejtat e njeriut, duhet të bëjmë më tepër kujdes për sigurinë e shumicës”. (Gazeta Shqiptare)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu