ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Si u kthye Shqipëria nga vendi me popullsinë më të re në Europë, në vendin që do ketë popullin më të plakur në botë!

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Nga: Koço Broka, analist ekonomik, Tiranë

Në datën 2 qershor 2023, INSTAT publikoi të dhënat për popullsinë më 1 Janar 2023, së bashku me faktorët kryesorë që ndikojnë në të, shtesën natyrore, (lindjet-vdekjet) dhe migracionin neto (emigracion-imigracion), përfshirë dhe shtrirjen e saj në qarqe.

Popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2023, rezultoi 2.761.785 banorë, me një pakësim jo të vogël prej -31.807 banorë, krahasuar me 1 janar 2022.

Kjo rënie kaq e lartë, ka ardhur si rrjedhoje e dy faktorëve, por para së gjithash e mbi të gjitha si rezultat i numrit të madh të migracionit neto. Kjo duket qartë nga fakti se treguesi i fundit migracioni neto, që është diferencë midis numrit të emigrantëve dhe imigrantëve vitin e kaluar ishte -32.497 persona.

Në kushtet kur shtesa natyrore e popullsisë po i afrohet zeros, për të qenë më pas negative, ose vetëm 690 persona, rezulton kjo rënie e madhe e popullsisë, si në terma absolute, por dhe në terma relative prej -1.1 për qind.

Nga grafiku nr 1, rezulton se duke filluar sidomos pas vitit 2018, rënia e popullsisë paraqitet kreshendo. Mjafton të mbajmë parasysh se krahasuar me vitin 2019, vetëm brenda 4 vjetëve popullsia ka rënë 100,642 banorë me një mesatare prej rreth 25 mijë veta në vit.

Grafiku nr 1

Ndërkohë kjo rënie ka ndodhur në kushtet kur popullsia mbi 65 vjeç është shtuar me 15.271 vetë. Nga paraqitja grafike rezulton se popullsia mbi 65 vjeç është rritur nga 367.907 persona më 1 Janar 2016, në 439.225 persona më 1 Janar 2023.

Në këto kushte ka një rritje shumë të shpejtë dhe të raportit të varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç), nga 18.6% në vitin 2016 në 24.4% më 1 Janar 2023. Kjo është shoqëruar me një rritje të dukshme të përqindjes të popullsisë mbi 65 vjeç ndaj popullsisë gjithsej – nga 12.8% në 1 Janar 2016, në 16.5%, 1 Janar 2023.

Grafiku nr 2

Këta janë tregues që flasin për dukurinë e moshimit të shpejtë të popullsisë së vendit tonë. Kështu nga vendi me popullsi me moshën më të re në Europë në vitin 1990, Shqipëria parashikohet të ketë në fund të këtij shekulli përqindjen më të lartë të popullsisë së moshuar në botë (sipas raportit të OKB, dhe projeksioneve të saj për popullsinë).

Kushdo le ta shohë atë drejtpërdrejt në grafikun Nr 3. Sipas Visual Capitalist”, mbështetur në të dhënat dhe parashikimet e divizionit të popullsisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), 49% e popullsisë së Shqipërisë do të jetë 65 vjeç e lart deri në vitin 2100. Kjo është  pesha më e lartë në botë dhe dyfishi i mesatares globale deri në atë vit.

Grafiku nr 3

Ndërsa përqindja e popullsisë mbi 65 vjec shtohet me ritme të shpejta, po pakësohet popullsia e moshës 0-14 vjeç  por edhe ajo e popullsisë në moshë pune 15-64 vjeç .

Sipas grafikut nr 4, për popullsinë 0-14 vjeç, shihet qartë se nga  531.607 persona që ishin më 1 Janar 2016, numri i tyre ka rënë  443.227 persona me një rënie rreth 11-12 mijë në vit. Kjo dukuri vihet re në pakësimin e lartë të numrit të nxënësve si në shkollën 9 vjeçare por edhe atë të mesme dhe të lartë.

Mjafton të mbahet parasysh se në vitin 2001, popullsia e moshës 0-14 ishte 905.131 persona, ndërsa në vitin 2013 ishte 581.717 persona, pra ka patur një rënie shumë të madhe, si rezultat i rënies të numrit të lindjeve nga 1991 në vitet më pas.

Grafiku Nr 4

Pakësimi i popullsisë nën moshën e punës është shoqëruar dhe nga rënia e popullsisë në moshë pune e cila mund të shihen në grafikun Nr 5 .

Grafiku Nr 5

Karakteristikë e të dhënave të këtij grafiku është se nga një rënie e lehtë ose thuajse stanjacion, në vitet e para të grafikut deri në vitin 2017, më pas ka një rënie në nivele shumë të larta të kësaj popullsie gjë që duket qartë në grafik.

Pakësimi i kësaj popullsie, ka qenë -8.420 persona në vitin 2019, në -32.565 persona në vitin 2021 dhe -34.217 persona, gjatë vitit 2022. Vetëm për periudhën 1 Janar 2019- 1 Janar 2023, pakësimi është  -101.725 vetë.

Kjo po ndjehet shumë qartë nga biznesi që ankohet për mungesë fuqie punëtore, por edhe në mbarë shoqërinë shqiptare.

Këtu ja vlen të evidentohet se gjatë  viteve të tranzicionit niveli i popullsisë në moshë pune ka qenë relativisht i lartë madje duke u rritur. Në vitin 2013 ka pasur nivelin më të lartë të tij pas vitit 1991, prej 1.979.358 persona.

Pas këtij viti, filloi rënia në terma absolute dhe me një nivel shumë të ulët, në terma relative, duke u rritur dukshëm në vitet vijuese, duke u thelluar e bërë evidente në vitet e tanishme.

Kjo dukuri mund të ishte e padukshme për biznesin dhe qytetarët e zakonshëm në ato vite. Por nuk mund të thuhet se ishte e paperceptueshme, e pakapshme dhe që nuk ishte e pritshme, prej  qeverive, apo institucioneve përkatëse. Kjo për faktin popullsia banuese, popullsia e Shqipërisë  sipas Censusit të 2011 rezultoi 2.800.138 banorë, duke u pakësuar jo pak krahasuar me rezultatet e Censusit 2001. Pra dukuria e emigracionit të lartë dhe rënies së numrit të lindjeve, ishin shumë të qarta pas fillimit të vitit 1991. Ato ishin evidente. Por nëse këto dukuri nuk janë shoqëruar deri në vitin 2013, me rënien e popullsisë në moshën e punës madje në fakt janë pasuar me rritjen e saj deri në vitin 2013, kjo ishte produkt i ndikimit të ndodhive demografike të së kaluarës para 1990, kur niveli i lindjeve ishte shumë i lartë.

Ishte çështje kohe që herët a vonë  kjo do reflektohej dukshëm dhe madje vrullshëm si po ndodh aktualisht dhe siç do jetë për fat të keq në vitet në vijim. Demografë si Prof. Dr. Arqile Bërxholi, Zv/Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Demografëve Tiranë ka tërhequr vëmendjen në artikullin “Pak fjalë mbi censusin e vitit 2011” botuar në DEMOGRAFIA, Nr. 1 Viti 2013.

Treguesit demografikë nuk kanë marrë vemendjen e nevojshme, duke u vetëkënaqur nga dividenti demografik i së kaluarës pa marë masat për t’iu përgjigjur situatës, qoftë edhe me një matje të saktë, sidomos të treguesve të migrimit të jashtëm.

Duke thënë këtë, nuk mohohet se vitet e fundit, problemet demografike janë bërë temë debati në media, në shoqëri, madje edhe në atakimin e zhurmshëm politik. Por kjo e fundit nuk ka ndihmuar në trajtimin adekuat të këtyre problemeve.

Matja dhe prognozimi i saktë i popullsisë banuese të vendit është reagimi më i shpejtë i domosdoshëm në këtë fushë, që kërkon ndërhyrjen dhe mbështetjen e qeverisë. Mjafton t’i hedhësh një sy krahasimit të projeksioneve të popullsisë më ecurinë faktike të saj, në rastin e skenarit me rritjen më të ulët (pa bërë fjalë për ato me rritje të mesme dhe të lartë). Siç shihet nga të dhënat e grafikut, sipas projeksionit të popullsisë nga INSTAT, me skenarin e rritjes më të ulët ishte e pritshme që popullsia në 2023 të ishte 2.809 109 banorë por në fakt  ka rezultuar vetëm 2.761.685 banorë ose 47.324 banorë më pak, pra me një diferencë të dukshme, në një periudhë relativisht të shkurtër, vetëm 4 vjet.

Grafiku Nr 6

Rënia e madhe e popullsisë më 1 Janar 2023, krahasuar edhe me projeksionin e skenarit të rritjes më të vogël, por ndërkohë rënia relativisht e vogël e kësaj popullsie krahasuar me rezultatet e censusit të vitit 2011, bëjnë apel!

Apel që treguesit demografikë dhe censusi i vitit 2023 të meritojnë vëmendjen e duhur, tej çdo ndërhyrje të pasaktë të politikës, apo politizimi të këtij problemi të madh social dhe ekonomik për vendin.

—-

Si u kthye Shqipëria nga vendi me popullsinë më të re në Europë, në vendin që do ketë popullin më të plakur në botë! – Gazeta Dita

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu