Krishterimi në Iliri i ka fillimet që nga vitet apostolike, d.m.th që në shekullin e parë pas Krishtit. Apostull Pavli gjatë udhëtimeve të tij misionare ka predikuar krishterimin në Iliri. Gjatë udhëtimit të tretë misionar, që e filloi në pranverën e vitit 53 dhe e përfundoi në verën e vitit 56, Apostull Pavli qëndroi dy vjet e gjysmë në Efes, prej ku u detyrua të largohej pas një kryengritjeje të paganëve të udhëhequr nga argjendari Dhimitër kundër tij.
Rrëmuja e krijuar në Efes e detyroi Apostull Pavlin të shkonte në Maqedoni dhe prej andej në Iliri. Kjo dëshmi përmendet te letra drejtuar Romanëve (15;19): “Nga Jerusalemi deri në Iliri kam kryer shërbimin e Krishtit”. Gjatë udhëtimit nëpër Iliri Apostull Pavli kaloi nga Apolonia. Kjo vërtetohet tek Veprat e Apostujve (17;1): “Dhe pasi kishin kaluar nëpër Anfipoli dhe nëpër Apoloni arritën në Selanik, ku ishte sinagogjia e Judejve.”
Lind pyetja:-A e ka vizituar apostull Pavli Apoloninë? Teologu Dhimitër Beduli në një libër të pohon se apostull Pavli ka kaluar nga Apolonia. I të njejtit mendim është edhe studiuesi Shaban, por historiani Ilirjan Gjika mendon se Apolonia që ka vizituar apostull Pavli nuk është Apolonia e Ilirisë, por ajo e Maqedonisë. Arkeologu Neritan thekson se grekët themeluan 30 qytete me emrin e Apolonit, një prej të cilëve është Apolonia e Ilirisë. Ilirjan Gjika është i mendimit që Apolonia ku ka kaluar apostull Pavli ndodhej midis qyteteve Amfipol (sot Neohori) dhe Neapolis (sot Kavalla). Gjithashtu edhe studiuesi Luan Rama mendon se apostull Pavli nuk ka kaluar nga Apolonia e Ilirisë, por zbarkoi në portin e Neapolis dhe më pas u nis drejt Filipes. Ndërsa teologu Pirro Kondili na vërteton se Apostull Pavli ka kaluar vërtet nëpër Apoloni.
Kristianizimi i Apolonisë mendohet të jetë bërë në shekullin e parë pas Krishtit prej apostull Pavlit. Pasi predikoi krishterimin në Apoloni, apostull Pavli dorëzoi në gradën episkopale Marinin, i cili ishte një prej shtatëdhetë dishepujve të Krishtit. Në Kodikun e Bibliotekës së Jeruzalemit, Marini renditet në vendin e 56 pas Qesarit, episkopit të Durrësit. Nëpër Apoloni kalonte dega jugore e Udhës Egnatia në stacionin që romakët e quanin Clodiana. Apostull Pavli ka kaluar një dimër në Nikopojë. Kjo jepet te letra dërguar Titit (3;12): “Kur të dërgoj Artemin ose Tikikun, bëj çmos për të ardhur tek unë në Nikopojë, sepse vendosa të dimëroj aty”. Nikopoja ishte vend i njohur klimaterik në Gjirin e Ambrakisë, me vendndodhje aty ku është Preveza e sotme. Ishte një nga qytetet kryesore të Epirit dhe lidhej me Udhën Egnatia nëpërmjet një degëzimi që kalonte nëpër Butrint. Me siguri Apostull Pavli ka pasur miq të krishterë në Nikopojë, të cilët e kanë strehuar për të dimëruar aty. Duhet theksuar se Titi ishte episkop në Kretë. Ai u thirr prej Apostull Pavlit në Nikopojë dhe më pas e gjejmë duke vepruar në Dalmaci, me qëllim që të vizitonte bashkësitë e krishtera të krijuara prej tij, ashtu siç i shkruan edhe Timotheut në letrën e dytë (4;9-11): “Përpiqu të vish shpejt tek unë, sepse Dhima më la pasi deshi këtë botë dhe iku në Selanik, Kreshenci në Gallati, Titi në Dalmaci. Me mua është vetëm Llukai, merre Markun edhe sille me vete, sepse e kam shumë të domosdoshëm për shërbesë”. Gjithashtu tradita thotë se në Iliri ka predikuar krishterimin edhe Ungjillori Lluka. Këtë fakt kaq të rëndësishëm e gjejmë te Sinaksari i Madh (Volumi 10 data 18).
Tek Ungjilli pas Llukës (10;1) tregohet se Krishti kishte 70 dishepuj: “Pastaj Zoti caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i nisi dy nga dy përpara tij në çdo qytet dhe vend ku Ai do të shkonte”. Një prej 70 dishepujve të Krishtit ishte edhe Shën Qesari, të cilin Apostull Pavli e vendosi si Episkop të parë të Durrësit. Qesari ishte hebre me origjinë nga Aleksandria, pra më saktë nga hebrenjtë e diasporës. Ai më parë quhej Apolon dhe pas pagëzimit mori emrin Qesar. Në fillim e gjejmë duke predikuaur krishterimin në dhe më pas në Korinth. Fama e tij ishte shumë e madhe saqë konkuronte edhe vetë Apostull Pavlin. Emrin e Qesarit e hasim edhe diku tjetër tek letra drejtuar Filipianëve (4,22): “Gjithë shenjtët, por sidomos ata të shtëpisë së Qesarit”. Me shprehjen ata të shtëpisë së Qesarit nënkuptojmë bashkësinë e krishtëre të Durrësit, e cila në vitet 58 pas Krishtit ka pasur rreth 70 familje të krishtera. Në një dorëshkrim të vjetër që gjendet në biblotekën e Kishës së Jeruzalemit përmendet Shën Qesari si episkop i parë i bashkësisë së krishterë të Durrësit. Shën Qesari më vonë u fronëzua episkop i Koronës në Peloponez, pasi dorëzoi në Durrës pasardhësin e tij Shën Astin, i cili e drejtoi Kishën e Durrësit në kohën e perandorit Trajan (98-117).
Gjatë përndjekjes së shpallur kundër të krishterëve nga Trajani, Shën Asti u martirizua prej qeveritarit të atëhershëm të Durrësit Agrikola. Një ditë të nxehtë korriku Shën Astin e zhveshën lakuriq duke i lyer trupin me mjaltë dhe e varën në një pemë, ku dorëzoi shpirtin tek Perëndia i pickuar nga bletët edhe grerat. Nuk dihet me saktësi se ku është bërë martirizimi, i cili padyshim ka qenë publik. Lipsanin e tij e morën të krishterët dhe e varrosën. Më vonë mbi varrin e tij u ngrit një Kishë e madhe katedrale dhe Asti u shpall Shenjti mbrojtës i qytetit të Durrësit. Kisha Ortodokse Shqiptare e përkujton dhe e nderon këtë martir më 6 Korrik. Në ditën e martirizimit të Shën Astit, kishin ardhur nga Italia me një anije edhe shtatë të krishterë.
Ata qenë larguar nga vendi i tyre për t’i shpëtuar përndjekjes ndaj të krishterëve që kishte filluar Perandori Trajan. Kur panë qëndrimin burrëror të Shën Astit, deklaruan haptazi që ishin të krishterë. Atëherë Agrikola urdhëroi që të mbyteshin në det. Emrat e tyre qenë Peregrini, Lukjani, Pompeu, Heziku, Papia, Staurnini dhe Germani. Të shtatë i mbytën në detin Adriatik duke marrë kështu kurorën e lavdishme të martirit.