Zeqir Bekolli, Prishtinë
Propozimi i Kryeministrit Kurti për ndryshime në sindikata, që për bazë ka mosnjohjen e punës sindikale, të shtin të mendosh se mos edhe kjo Qeveri po insiston t’i politizojë sindikatat, siç bënë edhe paraardhësit e tij. Sindikatat e Kosovës, me përjashtim të asaj të arsimit, kanë qenë në shërbim të pushtetit dhe që nga paslufta nuk kanë bërë ndonjë veprim meritor në mbrojtje te të drejtave të punëtorëve të cilat ishin të nepërkëmbura. Me notën zero mund të vlerësohen sindikatat e shërbyesve civilë të cilat pos që ishin të “kapura”, ato edhe dirigjoheshin nga Qeveria dhe pos ndonjë deklarate shterpë nuk bënë ndonjë veprim në realizimin e të drejtave të punëtorëve të kësaj kategorie, qofshin ato ligjore apo te të drejtave në punë, bazuar në Kontartën Kolektive e cila pothuaj se në vitet e pasçlirimit figuroi vetëm në letër. Në fushën e punës ka pasur e ka shkelje, jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat, ku edhe ndodhën tragjedi nëpër vendet e punës dhe nuk u ndëgjua kurrë zëri i sindikatës. Po aq keq është edhe gjendja e punërorëve të cilët u dëbuan nga puna pas vitit 1990 nga Serbia, sipas skenarit për pastrimin etnik të Kosovës, të cilët sot marrin pensionin e pleqërisë, sepse u barrikaduan në barrikadat për lirinë e Kosovës.
Të njëjtin fat, sot, e kanë edhe punonjësit e kolektivit të “Rilindjes” të cilët punuan dhe marrin nga 100 euro pension të pleqërisë, se nuk iu njihen vitet e punës pas viteve të nëntëdhjeta. Edhe pse ekziston kjo gjendje në fushën e pensioneve, shoqatat e sindikatat e pensionistëve të Kosovës asnjëherë nuk ngritën zërin kundër kësaj dukurie sepse ato janë të politizuara dhe vazhdojnë të jenë të tilla.