Zef Chiaramonte, Itali
Dosje: Seminari XXIII Ndërkombëtar për Gjuhën,Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
Prishtinë, 16-27 gusht 2004
SINODI I KISHËS ARBËRESHE DHE ÇËSHTJA E GJUHËS NË LITURGJI
Si dihet, arbëreshët e Italisë nga pikëpamja kishtare janë përqendruar në dy eparki ose dioqeza të traditës lindore, kështu që entiteti arbëresh përbën pjesën më të rëndësishme në sinodin e të ashtuquajturës Kishë bizantine në Itali.
Sivjet, në muajin tetor, në Manastirin e famshëm të Grotaferratës, në afërsi të Romës, do të mbahet sinodi me qëllim që të krijohet një drejtim normativ të njësuar midis dy eparkive dhe entitetit tjetër që do të marrë pjesë në këtë sinod, do të thotë vetë Manastiri i Grotaferratës, i cili po ashtu i përket traditës bizantine, por italo-greke, e rrënjosur në Itali më parë se ajo italo-arbëreshe.
Prandaj dioqezat arbëreshe, ajo e Ungrës në Kalabri dhe ajo e Horës së Arbëreshëvet në Sicili, duke ushtruar së bashku me manastirin e përmendur të njëjtën traditë kishtare, po përgatiten me të madhe për këtë tubim.
Sinod, nga fjala greke dhe nga latinishtja e vonë, do të thotë kuvend udhëzues për një rrugë të përbashkët.
Është ky sinodi i dytë me radhë për arbëreshët. Sinodi i parë u mbajt po ashtu në Grotaferrata më 1940: në të mori pjesë, si vëzhgues, edhe kryepeshkopi i atëhershëm i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Sinodi i ardhshëm, ndryshe nga i pari ku nuk munguan synime të politikës së kohës, përmban tri porosi kryesore, që të tria me karakter rrënjësisht kishtar. Megjithatë, interesi me të cilin po pritet tema që trajtohet sot, dëfton edhe një herë se sa vëmendje bota shqiptare i kushton çdo ngjarjeje që u përket arbëreshëve.
Porosia e pare e sinodit i përket doemos sferës pikërisht fetare. Do të thotë, trajtohen çështjet e trashëgimisë së krishterë në epokën e sotme, nga pikëpamjet teologjike, biblike, morale dhe të inkulturimit ndaj të rinjëve në një ambient etno-antropologjik me nuanca të veçanta, si janë tradita lindore dhe kultura arbëreshe, që të dyja minoritare në truallin italian.
Porosia e dytë është kalimi i arbëreshëve nga niveli i “ritit” (të ashtuquajtur grek ose bizantin) në nivelin e një “Kishe sui juris”, me një shef të rangut të lartë (mitropolit), i cili do ta përfaqësojë atë brenda dhe jashtë mjedisit tradicional arbëresh. Do të mbulohet kështu një zbrazëti dhe një vonesë përballë sistemimit të Kishave Lindore përbrenda Kishës Katolike. Vonesë e cila, në të vërtetë, lejon që edhe sot i ashtuquajturi rit grek i arbëreshëve të trajtohet si ceremonial i thjeshtë dhe, herë-herë, si element folkloristik ose si reklamë për turistët, duke i zvogëluar kështu vlerat që ai i pëmban brenda mjedisit kishtar, ndonëse paguan për një mëkat fillestar.
Tanimë është e qartë se pas Koncilit të Trentos (1545-1563), Kisha e Romës nisi të përdorte termin riti grek për të emërtuar bashkësitë kishtare greke autoktone të Italisë Jugore dhe ato arbëreshe dhe greke të sapongulitura në Mbretërinë e Napolit dhe të Sicilisë. Këto bashkësi, ndonëse ndryshonin midis tyre për nga historia, prejardhja, gjuha dhe zakonet, u vështruan si një njësi e vetme, ngase të gjitha parimisht ishin jashtë kornizës kanonike të dalë nga Koncili i Trentos. Dallimet e brendshme midis tyre, të cilat paraqitnin pengesë për formimin e një njësie, u kapërcyen me të vetmin element të përbashkët, do të thotë liturgjisë bizantine dhe shprehjen gjuhësore të saj, greqishtes.
Kuria romake prandaj filloi t’i trajtonte këta të krishterë si ndjekës të ritit grek ose thjesht si grekë. Kjo si antitezë e Kishës romake dhe të besimtarëve latinë, të vështruar asokohe nga perëndimi si gurrë burimore e kristianizmit.
Pra, termi riti grek, i përdorur për ta eliminuar definimin si kishë të bashkësive të cilat duhej të inkuadroheshin në kornizën unifikuese të Koncilit tridentin, sot duhet të shndërrohet në termin Kishë bizantine.
Duhet përmendur se nga shekulli V i epokës kristiane, në hapësirën e selive të themeluara nga apostujt e Krishtit, do të thotë Jerusalemi, Aleksandria, Antiokia, Roma dhe Kostandinopoja (Bizanti), u formuan pesë Kisha të mëdha ose Patriarkate, të cilat vetëm për arsye komoditeti vazhdohet të quhen rite, kurse do të ishte më mirë të quhen tradita. Me këtë rast po përmendim se boshti i mesazhit kristian, në thelb unitar, pati shkallë të ndryshme në selitë patriarkale, që rrjedhin nga shkallët e ndryshme të akulturimit, të lidhura me llojllojshmërinë e popujve dhe të qytetërimeve me të cilat kristianizmi ra në kontakt. Kështu, trajta e parë dalluese e secilës Kishë është historia e hershme dhe situata aktuale e çdo populli ose e grupeve të popujve, kulturalisht të ngjashëm ose gjeografikisht të afërt, të cilët e pranuan mesazhin apostolik dhe e shfaqën me kategori kulturore dhe kultuale të veçanta. Këto kategori dalluese dalin nga formulimi teologjik në praktikën etike, nga mënyra e zbatimit të sakramenteve deri në të drejtën kanonike, nga mënyra e jetesës së klerikëve në hierarki, nga veçoritë e jetës së murgjëve në vlerat e seksualitetit dhe të martesës, nga marrëdhëniet me pushtetin në kalendarin e martirëve, nga kënga në notacionin muzikor, nga paraqitja e vizatimit në kultin e ikonave, si dhe nga forma dhe gjuha e lutjes zyrtare, pra në liturgji.
Me plot arsye, prandaj, sekretaria e sinodit të ardhshëm të eparkive arbëreshe dhe të Manastirit të Grotaferratës i inkuadron këto tri njësi kishtare si Kishë Bizantine në Itali, sepse ato janë trashëgimtare me plotë të drejtë të traditës së shquar të Kostandinopojës. Megjithatë, në qoftë se dy eparkitë duan ta vënë në dukje veçorinë e tyre përbrenda termit ekumenik/multietnik bizantin, këtë punë mund ta bëjnë duke i shtuar termin arbëresh, në ç’mënyrë cilësohet etnia përkatëse, punë kjo plotësisht e natyrshme meqë përdoret në të gjitha Kishat e traditës lindore. Kështu, duke e mënjanuar përdorimin e termit rit në të mirë të termit Kishë, duhet të kufizohet edhe cilësori grek, i cili sot lidhet më së shumti me aspektin etnik helen, brenda dhe jasht Greqisë, ndonëse mbijeton për të cilësuar në mënyrë të përbashkët greko-katolikët. Për sa i takon traditës arbëreshe nuk mund përdoret termi riti grek-ortodoks, term ky që nuk ekziston si kategori përcaktimi, ngase ngatërron përkatësinë e njërës nga traditat e Kishës së pandarë me përkatësinë konfesionale pasuese e skizmës (krahaso tabelën përkatëse të bashkangjitur). Nga ana tjetër të vazhdosh t’i referohesh arbëreshëve me terminologjinë bizantino-grek ose greko-bizantin, përveç se me tautologji kumbuese të një vlere vetëm documentare dhe prapavështruese, nuk do t’ja qëllosh drejtpërdrejt e në mënyrë të saktë traditës së tyre kishtare aq të veçantë e pothuaj unike.
Prandaj, është më me vend të flasësh thjesht për një Kishë arbëreshe, ashtu si përkrahet nga frazeologjia në përdorim e sipër: thom, dëgjoj, shoh meshën arbërisht/litisht; vete, shkoj te kisha arbëreshe/litire.
Përdorimi i këtij termi, përndryshe i kodifikuar nga studiuesit më të mirë të traditës kanonike të Kishave lindore (“Italo-Albanesi”) dhe nga Annuario Pontificio (“Chiesa Italo-Albanese”), është një kartëvizitë që i shmang ngatërrimet përbrenda numrit shumë të llojllojshëm të traditave kishtare.
Porosia e tretë e sinodit do të ishte marrja parasysh të vlerës së gjiuhës së vetë për popullin arbëresh dhe udhëzimet perkatëse ndaj teksteve që do të përdoren në shërbimin hyjnor, pra në liturgji. Si dihet, arbërishtja dhe shqipja deri vonë nuk e kanë gëzuar statusin e gjuhëve të ashtuquajtura liturgjike. Në Ilirikum janë përdorur si të tilla greqishtja, latinishtja dhe sllavishtja e vjetër. Arbëri, nën ndikimin e Kostandinopojës, nga njëra anë, dhe të Romës, nga ana tjetër, ka përdorur greqishten dhe latinishten si gjuhë liturgjike, varësisht nga tradita të cilën e ndiqte. Arbëreshët, duke e ndjekur traditën lindore, greqishten e kanë pasur gjuhë të tyre liturgjike.
Katalogu Kodikët e Shqipërisë, i botuar më 2003 në Tiranë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, me ndihmën financiare të Uneskos, na zbulon një hapësirë të re mbi rrënjosjen e kristianizmit të hershëm ndër shqiptarët. Këta kodikë, ashtu si edhe ata të ruajtur nga arbëreshët, duke qenë sipas të gjitha gjasave ujë i të njëjtit krua, u shkruan në greqishte, përveç ndonjërit sish të shkruar në latinishte. Kjo dëfton që Iliriku ka qenë truall i hapur, udhëkryq kulturash të ndryshme, ku përdoreshin rrjedhimisht gjuhët perandorake, ku protokristianizmi pati mundësi të shtrihej jo vetëm te shtresat e ulëta të banorëve, por edhe në qarqet kulturore, ushtarake dhe politike.
Gjuha e folur nuk pushoi të jetonte dhe të zhvillohej derisa, në kushte pasigurie, depërtoi edhe në fushën kishtare (Formula e Pagëzimit, Himni dhe Ungjilli i Pashkëve, Meshari i Buzukut, etj).
Sot, falë Papa Kristo Negovanit, Fan Nolit si edhe të tjerëve, gjuha shqipe zuri vendin i cili i përket në shërbesën fetare të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si edhe, falë Koncilit të dytë të Vatikanit, në famullitë katolike-latine në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi (nuk di si qëndron puna në Maqedoni).
Edhe tek arbëreshët janë bërë përpjekje për përdorimin e gjuhës amtare në kishë, por arritja më e madhe është inaugurimi i përkthimit të Meshës së Shën Jan (Gjon) Gojartit me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut mu në Kishën e Shën Pjetrit në Vatikan. Si më parë ashtu edhe më vonë zunë të rreshtoheshin përkthimet e tjera, por ato përkthime ngelën larg njëri-tjetrit (Kalabri e Sicili) dhe që të dyja larg gjuhës shqipe standarde.
Në Sinodin e sivjetmë pritet të merren masa për përdorimin e gjuhës amtare në tërë shërbesën fetare të Arbërisë, që përkthimet të bëhen nga një komision të përbashkët, duke mbajtur parasysh arritjet gjuhësore dhe ato të Kishave në Shqipëri e Kosovë. Në këtë mënyrë, prestigji autoritativ dhe historik i Kishës Arbëreshe do të saldohet me ligjin e Republikës Italiane mbi mbrojtjen e gjuhëve pakicë në dobi sinergjike të Arbërisë.
Për këtë arsye priten nga sinodi vendime për arsimimin sa më të mirë teologjik, por edhe historik dhe gjuhësor të klerikëve arbëreshë. Nga priftërinjët arbëreshë kërkohet që, sipas zakonit shumëshekullor, ta çmojnë drejt dhe ta promovojnë gjuhën e vet në mënyrë moderne, pa fosilizime me lokalizma shterpe, pra, të jenë të prirur ndaj realitetit të tokës dhe të Kishave të të parëve.
(Botuar në: Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare: 23.1. Prishtinë: 2004, faqe 123-128)
KISHA E KRISHTERË SIPAS GJEOGRAFISË DHE TRADITAVE KULTURORE DHE KULTUALE – GJUHËSORE (Ritet)
Tradita lindore:
e Jerusalemit: armene
e Aleksandrisë: kopte, etiopiane, abisine
e Antiokisë: sire, kaldease, malankareze, maronite
e Kostandinopojës (bizantine): greke, melkite (te arabët), italo-greke (sot vetëm Manastiri i Grotaferratës), arbëreshe, gjeorgjiane, bullgare, serbe, ruse, rutene-ukrainase, rumune, shqiptare, etj.
Shënim: është karakteristikë e këtyre kishëve që, ndonëse fillimisht të rrënjosura në rajone gjeografike të caktuara, nga edhe trazhgojnë emërtimin, besimtarë nga secila gjenden sot të organizuar si kishë-bija edhe jashtë trojeve burimore të tyre
Tradita perëndimore (latine):
Romane: në mbarë botën përmes konferencave ipeshkvnore kombëtare
Ambroziane: në Milano dhe në mbarë dioqezën e saj
Moxarabike: në një kapelë të katedrales së Toledos dhe aty-këtu në të njëjtën dioqezë
Lioneze: në Lion (Francë)
KISHA E KRISHTERË SIPAS PËRKATËSISË KONFESIONALE
Monofizite: armene, kopte, etiopiane
Nestoriane: kaldease, siro-malankareze
Ortodokse: të gjitha Kishat e traditës së Kostandinopojës (bizantine), përveç Manastirit të Grotaferratës, arbëreshëve dhe të të ashtuquarëve “greko-katolikë”
Vetero-besimtare (raskolniki): një pjesë e Kishës ortodokse ruse që nuk i pranoi risitë e kohës së Aleksit Mihailoviç (1645-76)
Katolike: të gjitha kishat e traditës perëndimore, plus Manastiri i Grotaferratës (italo–grek), të gjithë maronitët, të gjithë arbëreshët, siro-malabarezët, melkitët dhe grupe nga të gjitha kishat e traditës lindore
Vetero-katolike: një pjesë e vogël e katolikëve që nuk e pranuan koncilin e Vatikanit të Parë dhe “Kisha e Utrehtit” që u shkri në ‘të
Reformate/Protestante/Valdeze: Kishat e lindura nga reforma e Martin Luterit
Anglikane: Kisha Kombëtare Angleze, e përhapur edhe jashtë Anglisë
Etj.
Përgatitur në mënyrë informale
nga Zef Chiaramonte, Palermo – Itali