Nga: Dr Sadri Ramabaja, Prishtinë
Pse zgjidhjet produktive, siç është tashti rasti me epilogun e pritshëm të dialogut të imponuar me Serbinë, duhet kuptuar si shteg për ruajtjen e interesave nacionale?
Ndërkohë që brezi ynë ka stivuar në kujtesën e vet epokën e Luftës së Ftohtë dhe shembjen e Bashkimit Sovjetik tok me zgjerimin e BE-së dhe NATO-s në Europën Lindore e atë Juglindore, janë dy momente që shenjojnë prologun e Sistemit të ri botëror:
1. Në vitin 2020 dhe 2021, një sërë ngjarjesh i bindën liderët e Kinës (dhe shumë vëzhgues në SHBA dhe në mbarë botën) se sistemi i Kinës e kishte tejkaluar SHBA-në për sa i përket vitalitetit ekonomik, stabilitetit politik dhe fuqisë gjithëpërfshirëse kombëtare.
- Mungesa e agjendës europiane në raport me të ardhmen e Ukrainës pas aneksimit të Krimesë (2014) i dha shenja të qarta Putinit për të filluar pregaditjet për pushtimin e plotë të saj. Hapi që pasoi më 24 shkurt 2022 ishte vetëm vazhdimi i asaj që kishte ndodhur me Krimenë. Madje, hezitimi për mbështetje të Ukrainës në fillim dhe afrimi i azilit për presidentin ukrainas Volodimir Zelenski, ishte edhe një dëshmi tjetër se Europa nuk i kishte bërë logaritë si duhet.
Lufta titanike e ushtrisë dhe popullit ukrainas ka përmbysur teoritë mbi pathyeshmërinë e ushtrisë ruse. Kjo luftë njëkohësisht shenjon prologun e sistemit të ri botëror.
Sistemi i ri ekonomik botëror që do të shenjëzohet me zinxhirë të ri të prodhimit, që duket se do të zhvendosen në blloqe. Kina duket se do të prezantojë një bllok më vete, të cilit mund t’i bashkohet Rusia. “Xi dhe ndjekësit e tij duan që Kina të prodhojë dhe të zotërojë çdo gjë të vlefshme në shtëpi dhe të mbështetet në vendet e tjera vetëm për lëndët e para dhe mallrat e tjera me vlerë të ulët. Në mungesë të rendit botëror liberal të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të zbatuar tregtinë e lirë, sigurimi i këtyre burimeve do të kërkojë veprime gjeopolitike dhe madje edhe ushtarake – një kthim, në një formë ose në një tjetër, në epokën e para Luftës së Dytë Botërore.” Këto zhvillime në plan global do të shoqërohen me ringritje të forcave të reja të neoimperializmit që priten të pasohen me beteja për burimet e disa vendeve neutrale, duke përfshirë vendet e varfra. Për shumëçka këto beteja do t’na rikujtojnë ato të epokës së Luftës së Ftohtë.
Por, duke parashikuar realizimin e një “shoqërie me prosperitet modest”, ndërkohë Pekini pretendon hapur që përmes modernizimit të ekonomisë të ngritet në majat e botës politikisht dhe ekonomikisht. Ky është vendi që Pekini mendon se historikisht e meriton Kina. Për arritjen e këtij qëllimi presidenti kinez dhe njëkohësisht shefi I partisë-shtet në kongresin e fundit të partisë zuri në gojë edhe “modernizimin e bashkësisë ndërkombëtare” me karakteristika kineze. Për ta thënë troç, demokratizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare do të thotë se Pekini, në përputhje me peshën e tij të shtuar në politikën botërore, po kërkon më shumë hapësirë e ndikim ë në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht për veten e tij dhe, në një farë mase, për vendet e tjera mike në zhvillim.
Varësisht nga zhvillimet e brendshme në shoqërinë amerikane dhe konfrontimi i administratës dhe gjyqësorit amerikan me neofashistin Donald Trump dhe pasuesit e tij, duke kuptuar se SHBA-të nuk mund ta dominojnë botën si dikur, ka gjasa të mira që të krijohet blloku jo-kinez në krye me SHBA-të. Ky bllok “nuk do të përfshinte vetëm aleatët formalë të Amerikës ose demokracitë e zhvilluara; në vend të kësaj do të përfshinte shumë vende në zhvillim që do të donin të mbroheshin nga fuqia kineze dhe të siguronin akses në tregjet e botës së pasur. Dy shembuj kryesorë janë India dhe Vietnami.
Këtij blloku është e pritshme t’i bashkohen edhe Indonezia, Bangladeshi, Filipinet, Meksika dhe Turqia.
Nëse do të arrihet të krijohet ky bllok i demokracive liberale , atëherë rendi i ri ekonomik botëror, respektivisht përballja me Kinën do ët jeët më e kontrollueshme. “SHBA, Evropa dhe demokracitë e pasura të Azisë Lindore do të përbënin një bllok prodhues që mund të përputhet me prodhimin e Kinës dhe një bllok teknologjik që mund të tejkalojë aftësitë e Kinës.”
Në çdo rast, ky vizion – një sistem global i prodhimit dhe tregtisë kryesisht i dyfishuar, me dy blloqe të avancuara teknologjikisht me prodhim të lartë që konkurrojnë kokë më kokë – duket si zëvendësimi më i mundshëm për sistemin aktual që dominoi ekonominë globale mbi dy dekadat e fundit. Natyrisht ky është vetëm supozim i bazuar në zhvillimet e fundit.
Por ajo që nuk vihet në dyshim këtu është se ne kemi arritur një moment vendimtar në historinë e ekonomisë globale: sistemi që ne njohëm dhe mbështetemi gjatë dy dekadave të fundit është duke u shkatërruar dhe udhëheqësit dhe mendimtarët tanë duhet të përpiqen të planifikojnë atë që vjen më pas, thuhet në një studim të gjatë të autorit amerikan Noah Smith.
[https://noahpinion.substack.com/p/the-end-of-the-system-of-the-world]
Ky marsh drejt rendit të ri botëror ndërlidhet me rikthimin e gjeopolitikës dhe rishikimin e plotë të sferave të interesit konform mendësisë imperiale. Në këtë dritë të re të gjeopolitikës, çështja shqiptare fiton peshën e duhur, sidomos në raportet transatlantike, jo vetëm duke u bërë pjesë organike e bllokut perendimor, por edhe duke preferuar pozicionin brenda nismës së re me bazë në Zvicër, që pretendon të krijojë një ligë shtetesh të vogla, të njohur si S8, me çka do të mbronin më mirë interesat e tyre, duke qenë të ndëshkuar të jetojnë mes davidëve dhe goliatëve të gjeopolitikës, siç do të shprehej profesori amerikan Harold James.
Kjo filozofi e të vepruarit dhe të qenunit koherent në sferën e gjeopolitikës moderne, sidomos për shtetet me peshë të vogël ekonomike, por edhe me fuqi të vogël ushtarake, siç janë dy republikat tona, përçon mesazhin se, insistimi për të ruajtur sado pak sovranitetin dhe dinjitetin, përveç pjesëmarrjes në blloqet e mëdha që po rikrijohen, ato kanë nevojë për “një shtysë për ofrimin e zgjidhjeve produktive, më shumë se për justifikim për t`u zhytur në dëshpërim.”
Prandaj zgjidhjet produktive, siç është tashti rasti me epilogun e pritshëm të dialogut të imponuar, nuk duhet kuptuar thjeshtë si “arratisje nga dëshprimi”, por shteg për ruajtjen e interesave nacionale. Çasti që po kalon Republika e Kosoëvs në procesin e imponuar të dialogut me Serbinë e dëshmon më së mirë këtë filozofi mendimi e veprimi në formim.