Zeqir Bekolli, Prishtinë
Të punosh në gazetari dhe ta duash profesionin duhet derdhur djersë si në minierë. Kështu e kemi konsideruar ne gjeneratat e më hershme këtë profesion sa atraktiv aq edhe të rëndë, sepse për ta shkruar një lajm me përmbajtje të qendrueshme dhe të besueshme është dashur kujdes i madh.
Na ka ndodhur, jo rrallëherë, që gjumin si gjumë nuk kemi mundur ta bëjmë kur kemi shkruar, duke pritur të nesërmen reagimin e publikut për atë që kemi shkruar. Ka pasur raste, që gjatë punës sonë janë bërë gabime, ndoshta edhe nga pakujdesia dhe një veprim i tillë na ka shqetësuar.
Por, kur ka qenë puna për raste serioze dhe me peshë i kemi bërë sytë katër, ose ndonjëherë i kemi lutur kolegët për ta lexuar para se të publikohej ose te lexohej nga redaktori, mbase edhe për ta marrë mendimin e tyre. Dhe kur shkrimin, para se të publikohej e kanë parë disa parë sy, jemi ndjerë të qetë.
Mendoj se përgjegjësia për atë që kemi shkruar në kohët tona ka qenë në nivel më të lartë se sot, kur hasim gjithfarë lëshimesh edhe të llojit të Portalit “Zëri”, i cili në ballinën e vet, duke e cituar kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas asnjë distancim, Shtetin e Kosovës e quan të rremë! Një emër të respektuar, siç ishte “Zëri”, si revistë, por edhe si gazetë i përvidhet një lëshim i tillë, skandaloz, dëshmon se deri ku ka devalvuar gazetaria e sotme, papërgjegjësia për atë që shkruajmë dhe pakujdesia njëkohësisht.
Them kështu, duke besuar se nuk ka shqiptar në Kosovë, por edhe në redaksinë e këtij portali, që mendon se Shteti i Kosovës është i rremë.
Le të jetë ky shembull i keq, si një lloj alarmi për të gjithë ata që kanë marrë lapsin në dorë, për të kuptuar njëherë e përgjithmonë, se fjala publike ka peshë, ndëra kur janë në pyetje Atdheu dhe interesi nacional, kërkohet syqeltësi e madhe dhe reagim i mënjëhershëm. Nëse për fashistin Vuçiç, “Kosova është shtet i rremë”, për ne shqiptarët e Kosovës, shteti ynë është i shenjtë, sepse për të kanë sakrifikuar gjenerata dhe janë shuar familje të tëra.