Vorea UJKO (1918 – 26 janar 1989)
Përkujtim në përvjetorin e vdekjes.
SCANDERBEG
nga VOREA UJKO
Kah heshtja e malevet
arrijnë zërat e herojvet
dhe në vallen e shekujvet
trokllon hyjnia shkaltore
e fytyrës s’ate luftare.
Trokllon dhe mendim’i im
e mua befas m’çelen n’zëmër
me një vrull mallëngjimi,
ditët e lavdisë s’tokës.
(…)
Skanderbeg i pavdekshëm,
ora e fisit,
thirmë e parë e lirisë
nër krahinat e Shqiprisë.
Kapidani thotë, i rrethuar nga dielli:
këto male dhe këto maja
këto fusha dhe këto ograja
këta lumenj dhe këto lugina
këta shkorrete dhe këto pylla
këto kasolle dhe këto kulla
për Shqiptarët janë t’caktuara.
E n’qoft’ se dikush na mësyn,
qe shpatat, o burra, o djelm,
lirin me mbrojtë, tue derdhur gjak.
E këtu do të jet varr’i tij.
(…)
I mermertë rreth’ i shpatullavet
dhe fytyra e xhevahirtë.
Syt pra gjithë një shkeptim.
I zoti i majavet
ti hedh fatosat tënd
në vijat e lumturisë.
Trokllon në krahun tënd rrufeja.
Ti je kalors’ i vdekjes
dhe për tij vdekja
një mbulësë ari.
I trëmbur Turku
rrukulliset n’luginë.
Kjo ë dita e Shqiprisë,
kjo ë dita e lirisë.
Un jam një bir i yt i largët
i shprishur nga vdekj’ e jote,
por kudo që më qelli halli
frym’e jote qe ushqimi
e gjithmonë un luftova
dhe gjithmonë do t’luftoj’
për hesën dhe për nderën,
për nderën e për lirin.
Tash njerëz të zjarrtë
me sy të haptë e t’zbrazët
shkojnë për rruga vetare
të shprishura me kafka.
Të gjitha vravashkat t’shuara
dhe përmbi kryet
një tufë sorrash.
Vetëm malet e bjeshkat
mbajnë zëmrën e pafajshme
e ti kur sërposet,
me fluturim të kadalshëm
mbush’ hapësirën e qiellit
si një shqiponjë madhshtore
e shpresë t’rë në damarët shkrep.
Pse ti je i gjall, Skanderbeg,
në sheshet e Arbreshëvet
në mallkimet e stërgjyshvet,
në kengët e vashavet
te dredhja e vallevel.
Ti je i gjall
në jehonat e djepavet
në shertimet e t’mërguarvet
në gjakun e luftëtarvet.
Unë të lus, o i madhi Zot,
për Skanderhegun tënd besnik,
për lotët e mëmavet
për hidhnimet e motravet
për hallet e vëllezërvet
për veprat e trimavet,
Shqipërisë një ditë
për me ja falë lirin,
Bijës më të bukur,
Bijës së paralindur
n’kopshtije t’shpirtit t’onë.
(Shejzat, 1969)
UJKO Vorea (1918-1989). Pseudonimi letrar i Domenico Bellizzit (Domeniko Beliçi), poet arbëresh.
Vorea UJKO leu në fshatin Frasnitë të Kalabrisë. Aty kreu studime teologjike dhe letrare. Shërbeu si klerik dhe dha mësime për letërsisë bashkëkohore në Firmë. Ësht poet i shprehjes lirike. Poezitë e tij u botuan në shum revista e antologji e po ashtu u përmblodhën në shtatë vëllime, katër prej të cilave u botuan në Itali, dy në Shqipëri dhe një në Kosovë.
Ujko u dallu si mjeshtër i vargut dhe metaforës.Fuqia e tij poetike shfaqet si trashëgimtare e denjë e poetit të madh, Jeronim de Radës dhe Zef Serembes. Poezia e tij vë në spikamë ndarjen e gjatë shekullore nga mëmëdheu dhe si bir I gjakut të shprishur (të shpërndarë) aj i këndon vazhdimisht Arbërisë dhe Skënderbeut.
“Zgjimet e gjakut”, 1971;
“Kosovë”, 1973;
“Mote moderne”, 1976;
“Ankth”, 1979;
“Stinët e mia”, 1980;
“Këngë arbëreshe”, 1983;
“Burimi”, 1985;
“Hapma derën, zonja mëmë”, 1990).
Vorea Ujko ka qenë një nga drejtuesit e revistës “Zëri i Arbëreshëve” ku botoi artikuj mbi folklorin, letërsinë, artin. Poezitë e tij u përkthyen në disa gjuhë dhe aj mbetet një nga përfaqësuesit e denjë të poezisë arbëreshe në botime dhe antologji të ndryshme.
Humbi jetën në një aksident trafiku.
(Përgatiti për publikim, A.M.)
Vorea Ujko, poeti tashmë i ndjerë arbëresh
E përgatiti: Agim Morina, Londër