ARKIVI:
22 Dhjetor 2024

Sot, me 28 nëntor 2021 vdiq Skënder Rizaj, një nga kalorësit e historisë mesjetare dhe osmanistikës shqiptare

Shkrime relevante

Angazhimi kundër terrorizmit global , është angazhim për një botë pa fanatizëm dhe dhunë

Lirim Gashi, Prizren ( shqip , gjermanisht, anglisht dhe norvegjisht) ___ Tragjedia e Magdeburgut...

Meritat dhe dobësitë e Kryeministrit Albin Kurti në qeverisje

Halil Geci, Skenderaj Kryeministri Albin Kurti ka demonstruar një qasje të vendosur...

Kot e keni, mërgimtarët nuk do t’ju votojnë!

Florim Zeqa Shtyrjet e njëpasnjëshme të afatit të regjistrimit të mërgatës sonë,...

Epistolari i poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu

Shkruan: Adil FETAHU Shefqet Dibrani, “LETRAT E AGIMIT”, letërkëmbim, botoi Shtëpia Botuese...

Shpërndaj

Jahja Drançolli, historian, Prishtinë
Në Prishtinë, më 28 nëntor 2021 , në moshën 91 vjeçare, ndërroi jetë profesor Skënder Rizaj, një nga kalorësit e historisë mesjetare dhe osmanistikës shqiptare, pa kontributin e tij shkencor arbërit do ta ishin përjashtuar nga Kosova Mesjetare!
Profesor Skënder RIZAJ (1930 – 2021), u lind në Pejë, ku kreu edhe shkollën fillore (1945). Në Prizren kreu shkollën normale (1947). Studimet i ka mbaruar në Departamentin e Historisë të Universitetit të Shkupit (1956). Studimet pasuniversitare dhe të doktoratës i ka mbaruar në Departamentin e Historisë të Universitetit të Sarajevës (1965).
Është burgosur në moshë të mitur për aktivitetin e tij në grupin nacionalist të drejtuar nga Marije Shllaku e Bernard Llupi (1946). Karrierën edukative-pedagogjike e ka nisur si mësues në Pejë e rrethinë (1948-1952), dhe si profesor i gjimnazit të Pejës (1956-1961). Punën shkencore e universitare e ka nisur në Arkivin e Kosovës (1961-63), si dhe në Degën e Historisë të Fakultetit Filozofik në Prishtinë, së pari si asistent, për t’u avancuar gradualisht deri në profesor ordinar (1965-1987). Në ndërkohë ka bërë studime specialistike postdoktorale dhe hulumtime sistematike arkivore sidomos në arkiva dhe biblioteka të Londrës, Sarajevës, Tiranës, Beogradit, dhe të Stambollit, ku më vonë është caktuar për këshilltar-specialist i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore të Qeverisë Turke (Başbakanlık Arşivi, 1989-1990). Është laureat i Medaljes “Mësues i Merituar”, dekoruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës (2010).
Është autor i një sërë monografive shkencore, të cilat pasqyrojnë historinë shqiptare, ballkanike nga lashtësia deri në ditët e sotme, me theks të veçantë periudhën osmane:“Rudarstvo Kosova i susednih krajeva od XV do XVII veka” (Priština: ZNUKM, 1968); “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII” (Prishtinë: 1982; Tiranë: 1987); “Bulgar ve Bulgaristan meselesi” (İstanbul: Başbakanlık Arşivi, 1989); “Shqiptarët dhe Serbët në Kosovë” (Prishtinë: 1991); “Kosova, Shqiptarët dhe Turqit, dje, sot, dhe nesër/Kosovo, Albanians and Turks Yesterday, Today and Tomorrow/Kosova, Arnavutların dünü, bugünü ve yarını” (İstanbul: 1993); “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1877-1885 (Prizren: 1998); “E drejta historike e shqiptarëve për vetëvendosje” (Prishtinë: 2005); “Falsifikimet e historiografisë serbe” (Prishtinë: 2006); “Gazetat turke dhe amerikane për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve (1999)/The Turkish and American Newspapers about Serbian Genocide on Albanians (1999)” (Prishtinë: 2008); “Vilajetet Shqiptare-Vilajeti i Kosovës (1864-1912)/AlbanianVilayets-Vilayet of Kosova (1864-1912)”, I, II (Prishtinë: 2008), etj. Është autor i tekstit universitar “Historia e Përgjithshme Koha e Re I, 1453-1789” (Prishtinë: Universiteti i Kosovës, 1985 – i përkthyer edhe në gjuhën arabe), si dhe i disa teksteve historike për shkollat fillore.
Ka botuar edhe disa vëllime dokumentesh nga arkivat turke dhe britanike: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze 1878-1881” (Prishtinë: Arkivi i Kosovës, 1978); “Dokumente angleze mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe fillimi e copëtimit të Ballkanit (1877-1885)”, 1, 2 (İstanbul: 1993).
Ka marrë pjesë me referate dhe kumtesa në shumë kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Është autor i më se 300 studimeve shkencore e profesionale, të botuara në gjuhën shqipe, serbo-kroate, maqedonase, sllovene, angleze, turke, italiane, gjermane dhe arabe. Nga gjithë ky opus, duhet veçuar sidomos dy studime, të cilat konsiderohen si pikëreferenca për studiues të njohur, që merren më çështje relevante: “Mbi të ashtuquajturën dyndje e madhe serbe nga Kosova në krye me patrikun Arsenije Çarnojeviq, 1690” (Gjurmime Albanologjike, ser. e shk. historike, 1983); “Përpjekja e Kosovarëve për t’u çliruar në vitet 1689-1690 (Tiranë, Studime historike, 1983/7). Është pensionuar para kohe me urdhrin e regjimit të atëhershëm .
Dëshmitarët më të mirë dhe më të paanshëm të përkushtimit shkencor të Prof. Skënder Rizaj, janë librat e Tij, si dhe dorëshkrime të tjera, të cilat ai i konceptoi dhe redaktoi për të tjerët për të theksuar kulturën e popullit të Tij dhe vendin e tij ndër popujt e qytetërimit europian. Për këtë qëllim ne i zumë ngojë vetëm veprat monumentale. Praandaj, lexuesi i paanshëm do të kuptojë se librat e Tij të pashkruar janë shtyrë për kohët e ardhshme, pasi mendoi se do të ishte më mirë t’i hapte hapësirë mendimit të të tjerëve.
Pushoftë në Paqe të Përjetshme profesori ynë i dashur dhe i çmueshëm!

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Skender Rizaj ishte bashkë me një grup të vogël gjuhtarësh -albanolog shumë i zoti. Skender Rizaj është ndër të vetmit që i provoj burgjet dhe qëndroi i gallë, i fortër si një LIS BUNGU që e rreh shiu, breshërie bora, e terë era dhe e ngroh dielli. Ai mbeti si i vetmi gjitherë. Ai u anatemua nga të gjitha pushtetet por Skenderi ende e kujtojnë pleqt që ishin në burg me Skenderin.
    Do të ishte një nder për Kosovën dhe shqiptarët që Presidentja ta nderoj pas vdekjes e Akademitë e Shkencave të të dy shteteve, ti japin vendin që e meriton baca Skender në Historinë e Albanalogjisë shqipe.
    Pushoftë në Paqe të Përjetshme profesori ynë i dashur dhe i çmueshëm!
    Emri i Juaj mos u harroft o pishtar i gjuhës shqipe!
    Emri i Skender Rizajt, (edhe) tash pas vdekjes e ka vendin në ndonjë shkollë ku emri i i bacës Skender të shkruhet me shkronja të ARTA mbi dyert e institucioneve shkollore e arsimore:
    E falenderoj edhe profesor Jahja Drançolli, historianna Prishtina që sa bukur na tregoi për disa anë të tjera të dijes, të bacës Skender që opinioni nuk i din.
    Sinan Kastrati, Suedi
    Malmö, 29 Nëntor 2021
    P. S.
    Paskna harrua: Baca Skender e deshi më shumë se shumica e “intelektualëve” 28 Nëntorin dhe 28 Nëntori e paska marrë bacën Skender, më 28 Nëntor.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu