ARKIVI:
16 Nëntor 2024

Sot më fort se kurrë: Qëndro Shqipëri! 

Shkrime relevante

Ja, këta janë përgjegjësit e vërshimës së fashizmit islamik në Shqiptari…?

Msc Belisar Jezerci KUSH JANË PERGJEGJËSIT KRYESOR TË ESKALIMIT TË ISLAMIT RADIKAL...

Xhamia e Erdonait në Prishtinë, xhami për zhdukjen e Dardanëve

Nga Belisar Jezerci ___ "XHAMIA" QENDRORE NE PRISHTINË! Kjo ndërtesë me emrin e kamufluar...

Istogu dhe trimat e tij në hisori

Bardh Mustafë Nengurra Ka vite që nëpër Istog debatohet për disa...

A duhet miratuar Eutanazia në Shqipëri?

Pirro Prifti, Tiranë Një debat i madh por edhe një problem  kompleks...

Kryeministri Kurti mirëpriti Kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik të Sanxhakut, Uglanin

Prishtinë, 14 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i...

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*
  • 30-vjetori i vizitës së Papa Gjon Palit të II në Shqipëri

Papa Gjon Pali i II, e cilësoi vizitën e tij në Atdheun e shqipeve, si “Një ditë që na e dhuroi Zoti”.  Ishte gjithashtu një ditë, që sadopak, do të bindëte shqiptarët se bota nuk i kishte harruar ata, me gjithë vet-izolimin e Shqipërisë komuniste nga pjesa tjetër e botës, e sidomos të izolimit nga Perëndimi demokratik, për pothuaj gjysëm shekulli.

30-vjetori i vizitës së tij në Shqipëri

“Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjell farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë, në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”!  (Papa Gjon Pali i II, 25 prill, 1993 në vizitën e tij historike në Shqipëri).

Me 25 prill 2023, Kisha Katolike në Shqipëri dhe shqiptarët kudo, kujtojnë 30-vjetorin e vizitës së Papa Gjon Palit të II në tokën Arbërore. Është kjo një datë e shënuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, por është historike, sidomos për Kishën Katolike në Shqipëri, pasi ajo vizitë – e para në trojet shqiptare – ndodhi aq shpejt pas një periudhe të gjatë e të errët, gjysëm shekullore, kur Kisha dhe kleri shqiptar, në përgjithësi, kishte pësuar vuajtjet, vrasjet dhe persekutimin më barbar të komunizmit, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste të Evropës dhe botës.

Për të shënuar këtë datë të rëndësishme në historinë moderne të shqiptarëve, zëdhënësi i Kishës Katolike të Shqipërisë, Dom Mark Pashkja deklaroi për Radio Vatikanin në gjuhën shqipe se udhëheqësit e Kishës Katolike në Shqipëri po e shënojnë këtë përvjetor “me një tubim në Shkodër, mbrëmjen e 25 prillit, në shenjë falënderimi të Madhit Zot për atë vizitë 30-vjet më parë të Papa Gjon Palit të II në një periudhë aq kritike, por edhe shpresëdhënse, në Shqipëri. Vizita kujtohet me kremtimin e një meshe që do të pasohet nga një koncert i përmasave kombëtare nga kori, Musica Nova, nën drejtimin e maestro Harlen Nikolli,”- shtoi ai.

Zëdhënësi i Kishës Katolike në Shqipëri, Dom Mark Pashkja e cilësoi vizitën e Papa Gjon Palit të II dhe Nënë Terezës, që shoqëronte Papën në Katedralën e Shkodrës më 25 prill, 1993, si një, “Demostrim i lidhjes së hershme dhe besnikërisë unikale të katolikëve të Shqipërisë ndaj Kishës universale dhe katedrales së Shën Pjetrit.” Sipas zëdhënësit, premtohen një seri programesh nëpëmjet të cilave, Kisha po shënon këtë datë të shënuar 30-vjetorin e vizitës së Papa Gjon Palit të II në Shqipëri – për historinë e Kishës Katolike shqiptare, por njëkohësisht, edhe për historinë e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar dhe për marrëdhëniet shekullore midis Vatikanit dhe trojeve Arbërore. Si rrjedhim, ai njoftoi se edhe në nivel shtetëror, kjo vizitë do të kujtohet me organizime të ndryshme kulturore dhe të tjera.

Gjatë vizitës së tij në Shkodër me 25 prill, 1993, Papa Gjon Pali i II, përshëndeti para të gjithë shqiptarëve dhe botës, Bijën e Kombit Shqiptar, Gonxhe Bojaxhiun Nënë Terezën, me këto fjalë: “Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një person fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Por të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte, pikërisht, kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur, e më të varfërve ndër të varfër, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në të, në personin e Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të gjithë atyre, që porsi ajo, janë ndjekës të vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju falënderoj sot në emër të Kishës Universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj”,- ka falënderuar Kombin Shqiptar, Papa Gjon Pali, që i ka falë botës bijën e vet, Nënë Terezën.

Nga Shkodra, Papa Gjon Pali është kthyer atë ditë të 25 prillit, 1993 në Tiranë, nga ku, para se të largohej nga trojet e Gjergj Kastriotit-Skënderebe ka përshëndetur Shqipërinë dhe ka falënderuar mbarë Kombin shqiptar për pritjen madhështore që i kishin bërë atij të gjithë shqiptarët me atë rast, pa dallim feje a krahine: “Vëllezër e Motra shqiptare! Ju përshëndes përzemërsisht! Pas një dite me një program të ngjeshur me kremtime e takime, të cilat më dhanë mundësinë të shikoja dhe të përjetoja nga afër jo vetëm fenë e gjallë të Bashkësisë katolike, por edhe ngrohtësinë e mikpritjes së popullit shqiptar, ja erdhi momenti i ndarjes e përshëndetjes dhe thellësisht i prekur nga përzemërsia, po përgatitem të ndahem prej jush. Në miqësinë që më keni shfaqur, kam kuptuar se pata të bëj me miq që kishin një zemër të madhe. Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund e të errët të një diktature e të një ateizmi mbytës. Ju faleminderit për mikpritjen tuaj! Vëllezër e motra shqiptarë, fort të dashur! Zoti e ruajt Atdheun tuaj. Zoti e mbrojt popullin shqiptar në mbarë botën. Në emër të Zotit ju përqafoj dhe ju bekoj të gjithëve. Mirë u pafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat”,- ka përshëndetur Papa Gjon Pali i II duke i dhënë fund vizitës historike të tij në Shqipëri më 25 prill, 1993!

Siç dihet, ajo vizitë ndodhi pas një dimri të gjatë e të egër nën regjimin ateist të komunizmit. I vetdijshëm dhe i mirë informuar për gjëndjen e shqiptarëve, nën pothuaj gjysëm shekull komunizëm, në vizitën e parë të një Pape në Shqipëri, me 25 Prill, 1993, Papa Gjon Pali i II, e cilësoi vizitën e tij në Atdheun e shqipeve, si- “Një ditë që na e dhuroi Zoti”. Ishte gjithashtu një ditë, që sadopak, do të bindëte shqiptarët se bota nuk i kishte harruar ata, me gjithë vet-izolimin e Shqipërisë komuniste nga pjesa tjetër e botës, e sidomos të izolimit nga Perëndimi demokratik, për pothuaj gjysëm shekulli.

Kudo që shkoi dhe me këdo që u takua, gjatë asaj vizite, Papa Gjon Pali II vetëm shprehu dashurinë, mirëkuptimin, por edhe dhëmbjet e tij për vuajtjet dhe për martirizimin e njerëzve të pafajshëm gjatë periudhës së komunizmit, ndërkohë që vuri në dukje edhe fisnikërinë e shqiptarëve tani dhe gjatë historisë, si popull e si komb. 30-vjet pas vizitës së Papa Gjon Palit në Shqipëri, kujtojmë fjalët e tija dashamirëse drejtuar shqiptarëve: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur! Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhshëm vuajtjesh dhe sprovash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”.

Por, me atë rast, Papa Gjon Pali II pati edhe një porosi për shqiptarët, një amanet që është aq aktual edhe sot pas 30-vitesh, ndërkohë që për arsye dhe rrethana krejt të tjera, Shqipëria, Kosova, shqiptarët në përgjithësi, po kalojnë një periudhë tepër të vështirë e dramatike, sidomos, përballë largimit të shqiptarëve nga trojet e veta shekullore gjatë 10-viteve të fundit: ”Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”! Por edhe thirrja e tij për kujtesën e përhershme: “Që të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja…kjo liri e besimit fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria e besimit në Perëndinë është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pikë të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet. Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror”, ka porositur Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 25 prill, 1993, ndërsa ka theksuar se, sado të vështira qofshin sfidat, ato janë më të lehta për t’u përballur sipas tij, “Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, atëherë që të gjithë jemi vëllezër”,- është shprehur ish-udhëheqsi i Kishës Katolike.

Në këtë përvjetor të vizitës së Papa Gjon Palit II, (të datës 25 prill, 1993) le të kujtojmë porositë e asaj dite të paharrueshme, si tejet aktuale edhe përball realitetit të sotëm shoqëror të vendit dhe për aktualitetin e sotëm politik e shoqëror. Se çrregullimet politike, shoqërore dhe shëndetësore, gjithçka është më e lehtë për t’u përballur, nëqoftëse përballë këtyre sfidave sillemi si vëllezër e motra dhe në bashkpunim me njëri tjetrin, siç porosiste Papa Gjon Pali II, 30-vjet më parë, gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri.

Respekti, toleranca e pse jo edhe dashuria për njërin tjetrin janë e vetmja mënyrë për të ulur tensionet aktuale politiko-shoqërore në botën shqiptare dhe për të hapur shtigje të reja bashkëjetese dhe tolerance politike drejt një demokracie të vërtetë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Me qëllim që shqiptarët: “Të fluturojnë sa më lartë, ashtu si shqiponjat që nuk e lenë kurrë folenë e tyre”,- siç është shprehur – Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri, 21 shtator 2014: “Shqipëri, qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, sepse gjithçka ngjallet dhe përtërihet.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu