-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu pranoi letrat kredenciale nga Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier/
-Ambasadori i ri i emëruar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më Kosovë, Jeffrey M. Hovenier në Dhjetor 2021 është pritur në takim në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA nga Kryetari Elmi Berisha/
-Në 5 Qershor 2022 bëhen 26 vjet nga dita historike e të mërkurës së 5 Qershorit 1996 kur u bë hapja në Prishtinë e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta, të parit nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë dhe që shtetin kosovar e ka njohur që në ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë para 14 viteve në 17 Shkurtin historik 2008/
Gazeta DIELLI / portali DRINI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 10 Janar 2022/ Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier ka mbërritur në kryeqytetin Prishtinë dhe sot mori zyrtarisht detyrën. Hovenier është nominuar për Ambasador në Kosovë në muajin Korrik 2021 nga Presidenti Amerikan, Joe Biden. Ambasada Amerikane në Prishtinë ka njoftuar më 28 Dhjetor 2021 se Hovenier është betuar si Ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë para Nënsekretares Amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland. Ambasadori i ri i emëruar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më Kosovë, Jeffrey M. Hovenier në Dhjetor 2021 është pritur në takim në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA nga Kryetari Elmi Berisha.
Sot në Prishtinë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, ka pranuar letrat kredenciale nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier.
Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje Ambasadorit Hovnier, i cili sipas saj është shumë i afërt me Republikën e Kosovës, sepse ka shërbyer këtu më herët dhe i kupton shumë mirë dinamikat në vendin tonë.
“Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori Hovenier, sepse ka ecur përpara, mirëpo një gjë ka qëndruar konsistente gjatë gjithë kësaj kohe, kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi rritur e zhvilluar si vend, si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë sepse jemi të bekuar të kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Ajo ka thënë se roli i Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është thelbësor, për të garantuar që marrëdhënia jonë do të vazhdojë të lulëzojë. “Kam kënaqësinë e veçantë të hap këtë kapitull të ri të bashkëpunimit dhe Partneritetit me Ambasadorin Hovenier. Në këtë kapitull të ri të bashkëpunimit shpresoj të forcojmë edhe më tej marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe të shtyjmë përpara në rajon e në rrafshin ndërkombëtar idealet dhe vlerat demokratike në të cilat ne besojmë bashkërisht”, ka theksuar Presidentja.
Sipas Presidentes Osmani pavarësisht sa i madh apo i vogël mund të jetë një shtet, të gjithë mund të japin kontribut të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë.
“Vendi ynë, Republika e Kosovës beson dhe i promovon vlerat të cilat i përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy popujt tanë besojnë në liritë demokratike dhe ne jemi të vendosur t’i mbrojmë ato gjithmonë meqenëse i kemi fituar me shumë mund e sakrificë. Kam besim të plotë se duke punuar ngushtë me ju zotëri Ambasador ne mund të arrijmë qëllimet tona të përbashkëta. Dua t’ju siguroj se nuk do të gjeni asnjëherë aleat më të përkushtuar dhe më besnik sesa Republika e Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.
Pas takimit dhe konferencës së përbashkët, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier, kanë vendosur kurorë lulesh te Shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Presidentja Osmani ka thënë se si themeltar i shtetit të Kosovës Presidenti historik Rugova diti të ndërtojë jo vetëm hapat drejt shtetit tonë të pavarur dhe sovran, por të ndërtojë miqësi të sinqerta, miqësi të forta të cilat i kanë rezistuar kohës dhe do të vazhdojnë të ujiten dhe të lulëzojnë edhe më tej nga ana e gjithsecilit prej nesh.
“Në nderim të këtij njeriu të madh të kombit tonë, i cili dha shumë për Kosovën e pavarur dhe sovrane, dhe për miqësitë që ne sot i gëzojmë së bashku me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deshëm që sot si simbolikë e kësaj miqësie të fortë ta vendosim këtë kurorë këtu së bashku”, ka thënë Presidentja Osmani.
Ambasadori Amerikan në Kosovës, Jeffrey M. Hovenier, vizitën te Shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova e paralajmëroi pasi dorëzoi letrat kredenciale te Presidentja Vjosa Osmani, duke u shprehur se “e kam ndier se ky është veprim që si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet ta bëjë për këtë personalitet në historinë e Kosovës”.
“Kam nderin të jem këtu për ta njohur kontributin dhe historinë e Presidentit Rugova. Desha ta bëj këtë në ditën time të parë si Ambasador i SHBA në Kosovë. Për shkak të respektit për Presidentin Rugova, atë çfarë ai ka përfaqësuar. Pata nderin ta njoh atë në procesin e Rambujesë”, citohet Ambasadori i SHBA, Hovenier.
Në 5 Qershor 2022 bëhen 26 vjet nga dita historike e të mërkurës së 5 Qershorit 1996 kur u bë hapja në Prishtinë e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta, të parit nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë dhe që shtetin kosovar e ka njohur që në ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë para 14 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.
Më parë, në 12 Janar 1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra në Kosovë.
Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.
Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë në 5 Qershor 1996 u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum. Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova bashkë me familjen.
Gazeta e rezistencës “Bujku” e ditës së enjte të 6 Qershorit 1996 në ballinë shkruante:
Dje në Prishtinë u hap Zyra e Agjencisë Informative Amerikane
“Jemi zotuar për të ardhem dhe lirinë tuaj”
-tha ambasadori Xhon Kornbllum, ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, i cili zyrtarisht e hapi zyrën, duke shtuar se kjo është një provë e interesimit të vazhdueshëm amerikan e një kontribut për nxitjen e dialogut. – Dr. Ibrahim Rugova: “Kjo është ditë historike për Kosovën”.
Raportimi vijonte në faqen 2, ku botohej e plotë deklarata që e kisha marrë nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova:
“Deklaratë e Presidentit Rugova
Ditë historike për Kosovën
Në deklaratën e tij me rastin e hapjes së Zyrës së USIS në Prishtinë, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, tha se kjo është një ditë historike për Kosovën, për çështjen madhore të Kosovës, për popullin e Kosovës, për një zgjidhje paqësore dhe politike të çështjes së Kosovës në bazë të vullnetit politik të popullit. Falënderoj SHBA-të, presidentin Klinton, nënpresidentin Al Gor, sekretarin e Shtetit Kristofer, Kongresin Amerikan dhe të gjithë miqtë tanë në SHBA për këtë dhuratë të madhe për Kosovën dhe për rajonin në përgjithësi.”
Në faqen e parë botohej edhe raportimi me mbititull “Kryetari i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova priti Xhon Kornbllumin” dhe me titull e nëntitull: “SHBA-të do të angazhohen për të drejtat e popullit të Kosovës – tha Kornbllum duke ia përcjellë kryetarit Rugova zotimin e presidentit amerikan Bill Klinton.
E në faqen 3 të gazetës së rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmen të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë, me titullin dhe nëntitullin
“Flamur i shpresës për Kosovën
(Kronikë e viteve që i paraprinë hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë)”, shkruaja mes tjerash:
“Amerika në Kosovë, nga kjo e mërkurë, është e pranishme edhe me Zyrën e USIA-s.
Kjo për Kosovën ka shumë rëndësi e domethënie, prandaj shpesh quhet përfaqësi e mision diplomatik. Kështu, prezenca amerikane në Kosovë mori një formë institucionale dhe vlerësohet se kjo është shumë e rëndësishme për njohjen dhe afirmimin edhe më të madh të çëshjtes së Kosovës.
Flamuri amerikan, i shtetit më të fuqishëm në botë, vendit mik, dashamirës e përkrahës të shqiptarëve, prej dje valon në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, i ngritur lart e solemnisht në selinë e Zyrës së USIA-s, në një godinë të bukur të lagjes së Dragodanit, duke sjellë mesazhet më të mira të aspiratave të zgjidhjes e të paqes për Kosovën e rajonin.
Zyra e USIA-s në Prishtinë shënon edhe një hap përpara në konkretizimin e interesimit të vazhdueshëm amerikan për Kosovën dhe të pranisë së SHBA-ve në këtë zonë të rrezikshme të konflikteve politike dhe jo vetëm politike në Evropën Jugore….
Flamuri amerikan në Prishtinë, që valon prej dje, është flamur i shpresës për Kosovën. Deri tash të gjithë flamujt e vendeve të huaja janë ngritur si flamuj të okupatorëve.”
Në ceremoninë festive të hapjes së Zyrës Amerikane në Kosovë, në 5 Qershor 1996, isha edhe për të raportuar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, korrespondent i cilës isha që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë. Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë…
Pas 24 vjetëve – në 4 Korrik 2020, raportoja për Gazetën DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, se Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjes për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.
E në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.
Ndërsa, në mëngjesin e pas mbrëmjes historike të 24 Marsit 1999 të ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën e popullin e saj, kam raportuar edhe se, forcat serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, kishin djegur edhe zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën Amerikane në Prishtinë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) filloi të punojë në shtator të vitit 1999.
USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.
Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 13 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanoë është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanoë solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.
Ndërkohë, ushtarët amerikanë mbështesin KFOR-in qe 23 vjet. Trupat amerikanë kontribuojnë në misionin e NATO-KFOR-it për të garantuar mjedis të qetë e të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Në 17 Maj 2021 është prezantar projekti për sheshin dhe shtatoren e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden në fshatin Sojevë të Ferizajt, pranë Kampit Ushtarak Amerikan “Bondsteel” në Kosovë.
Tradicionalisht në Kosovë festohet 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës…
Në Prishtinë – kryeqytetin e Kosovës janë ngritur tre shtatore të personaliteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është edhe Bulevardi me emrin e Presidentit Amerikan George Bush, te Katedralja Shën Nëna Terezë.
Në 1 Nëntor 2009 është përuruar Shtatorja e Presidentit Amerikan Bill Clinton në bulevardin me emrin e tij.
Në 12 Qershor 2019 në festimet e 20 vjetorit të lirisë së Kosovës u bë edhe përurimi i Shtatores së Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj.
Shtatorja e Senatorit Amerikan Bob Dole është përuruar në sheshin me emrin e tij në 30 Gusht 2020 në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…