ARKIVI:
24 Dhjetor 2024

Stërgjyshja ime, thoshte: “… dy herë e përjetova diktaturën, një herë në formën e saj të egër, herën tjetër në formën më manipuluese!”

Shkrime relevante

Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet e shkollës, më 18 Nëntor 2024, elegji nga Nikolin Shtjefën Lëmezhi

Nikolin Shtjefën Lëmezhi S’të vranë ty… (Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet...

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Shpërndaj

Ervina Toptani, shkrimtare
___
Pjesa e katërt
___
* “Mafia në familjen time”
___
Djalli rikthehet në familje …
Babai im e ka provuar në kurriz çdo të thotë të jesh pasardhës dhe trashëgimtar i disa prej familjeve të mëdha të Shqipërisë, e ka ndjerë në të dyja epokat, atë komuniste dhe atë post komuniste. Nuk e di kur ka qenë më keq për të e më pas si rrjedhojë për ne, në të parën apo në të dytën. Jo të pakta kanë qenë vuajtjet që familja jonë përjetoi edhe në periudhën e tranzicionit demokratik. Stërgjyshja ime jetoi gjatë dhe siç thoshte ajo: – “pata fatin e keq të përjetoj dy herë diktaturën, një herë në formën e saj më të egër e herën tjetër në formën e saj më manipuluese”.
Stërgjyshja ime, që në vitet e para të ardhjes së demokracisë kërkoi që të bijat të nisnin proçedurat ligjore për rikthimin e pronave të prindërve të saj, të sekuestruara nga shteti diktatorial. Këtë betejë të gjatë e të dhimbshme nëpër zyrat e shtetit, gjykata, hipoteka, zyra noteriale, zyra të regjistrimi të pasurive, etj., ia ngarkoi dhe besoi gjyshes time e cila u vu në dispozicion të plotë për të ndihmuar familjen, edhe njëherë siç nuk kishte reshtur kurrë së bëri qysh prej fëmijërisë.
Gjyshja ime, nuk ishte mësuar të kërkonte ndere e të trokiste nëpër dyer kur kishte nevojë pse e dinte që askush nuk do e ndihmonte. Për dekada me rradhë ajo kishte qenë armikja e popullit që jetonte e internuar në një barakë, depo orizi pa dritare ndërsa diktatori që jetonte në shtëpinë e saj ishte i ndershmi, i devotshmi, Zoti i shqiptarëve mbi tokë!
Në Shqipëri, kur halli të detyron të trokasësh dyerve të zyrave të shtetit e të gjykatave duhet ta kesh kuletën plot. Ime gjyshe nuk kishte asnjë mundësi të jepte para nën dorë apo të bënte premtime për rryshfete të majme në këmbim të marrjes së dosjes së plotë të dokumenteve. Nëpër rradhat e gjata ku qëndronte me ditë dëgjonte gjithçfarë historish, e keqja më e vogël ishin ata që kërkonin rryshfet. Ata që e kthenin vështirësinë në betejë të vërtetë ishin ca të tjerë që kishin udhëzime politike të qarta që disa familjeve apo personave në veçanti t’u krijonin vështirësi artificiale, vetëm e vetëm që atyre të mos u kthehej kurrë prona e trashëguar sepse dikush tjetër “lart” në pushtet i kishte vënë syrin. Por nuk mungonin edhe njerëzit e mirë, dashamirës, jo vetëm për shkak njohjeje personale apo familjare, por edhe njerëz që i vuanin të njëjtat probleme në familjet e tyre dhe ndaj kur iu jepej mundësia jepnin ndihmë të rëndësishme në momente të caktuara. Kështu në këtë vorbull endjeje nga një zyrë në tjetrën, për vite e vite me rradhë, me mbështetetjen e babait tim, me lodhje e gjendje nervore të rënduar gjyshja ime i ndoqi të gjitha problemet e pronave të familjes, deri sa shëndeti ia lejoi këtë gjë, duke arritur të kthejë disa nga pronat e rëndësishme që familjes i përkisnin, nga babai e nëna.
Sapo mbaronte një punë, sapo kryente një proçedurë apo mbyllte një tjetër, gjyshja ime rendte e lumtur në telefon për të lajmëruar motrat dhe nënën e saj për suksesin e rradhës. Lumturohej pamasë kur jepte lajme të gëzuara e sidomos nënës së saj që dëshironte kaq shumë ta shihte të buzëqeshur.
Motra e vogël e gjyshes time, ishte divorcuar nga bashkëshorti e kishte dy fëmijë adoleshentë. Motra e madhe jetonte me mamanë e saj (stërgjyshen time) në të njëjtën shtëpi me motrën e vogël dhe fëmijët e saj. Të gjithë së bashku jetonin prej vitesh në Itali dhe vetëm gjyshja me babain tim ishin në Shqipëri e luftonin për të drejtën e rikthimit të pronave të familjes. Kjo proçedurë e zgjatur nëpër institucione që dukej se nuk mbaronin kurrë vazhdoi derisa gjyshja ime u sëmur rëndë dhe nuk ishte më në gjendje të ndiqte kalvarin e mundimshëm të rikthimit të pronave të familjes. Me sëmundjen e saj, të gjithë dokumentet dhe vendimet për rikthimin e pronave gjyshja ime ia dorëzoi mamasë dhe motrës së vogël. Tashmë duhej të përballej me sëmundjen e tumorit e të luftonte për jetën e saj. E ngushëlluar shpirtërisht se kishte dhënë maksimumin në mbështetje të familjes, dëshironte që motrat të vazhdonin betejën që ajo kishte nisur e çuar deri në një shkallë të konsiderueshme. Nuk mund të mendonte kurrë se po afrohej furtuna, qielli ishte tepër i pastër për ta kuptuar….
Adir D., ishte larguar prej vitesh nga Shqipëria, qysh në vitin 1997. Përpara se të largohej ishte kujdesur që të “pajisej” me diplomën e shkollës së mesme të cilën nuk e kreu kurrë. Në vitet e para të tranzicionit demokratik ishte shumë e thjeshtë të falsifikoheshin diplomat e shkollave ndaj dhe ai falsifikoi diplomën e motrës së tij duke vënë emrin e tij mbi të e duke vulosur me një monedhë 50-lekëshe të kohës në vend të vulës. Tingëllon absurde për ditët e sotme, por Adiri u pajis me diplomë. Në vijim mori edhe një diplomë juristi, sigurisht të falsifikuar.
Ishte martuar e ishte baba i një vajze. Kishte rreth 25 vite që askush nuk e kishte parë as rastësisht që prej kohës së diktaturës e ai vetë as nuk kishte marrë mundimin të krijonte një lidhje me nënën apo motrën e tij. Por tashmë kohët kishin ndryshuar. Edhe Adiri si njohës i mirë i paligjshmërisë e kishte kuptuar se tashmë era frynte nga … pronat e familjes, duhej të rikthehej në familje e të jepte kontributin e tij për çeshtjen e pronave të përbashkëta. Ai kish vendosur të kthehej prapa në hapat e tij të dikurshëm, të kërkonte të falur për të kaluarën e mundësisht të pranohej përsëri nga të gjithë njerëzit e tij nga nëna. Shumica prej familjarëve jetonin jashtë Shqipërisë, ndoshta do i kishin harruar pas kaq kohësh bëmat e tij të dikurshme e disa mund të kishin dhe mall për të. Ata nuk jetonin më në varfërinë ekstreme të Shqipërisë së diktaturës dhe kthimi i pak pronave si fillim (të mundësuara nga gjyshja dhe babai im) iu kishte dhënë dorë të përmirësonin kushtet e jetës së përditshme. Adiri tashmë mendonte se ato çfarë kishin ndodhur më parë, ndërmjet tij e familjes, kur ai ishte kthyer në “njeriun e ri” të partisë, nuk ishin të gjitha fajet e tij. Faji kryesor ishte pikërisht i familjarëve që nuk e kishin mbështetur Adirin në jetën që ai dikur kishte zgjedhur sipas mënyrës që partia i kishte mësuar. Po sikur ata të mos ndjeheshin fajtorë? Duhej gjendur mënyra e duhur për t’u shfajësuar, si të justifikonte veprimet e tij të dikurshme, fyerjet, rrahjet e spiunimet, që ai iu kishte bërë të gjithëve duke nisur nga nëna dhe motra e tij, gjyshëve, tezes të tij e më pas edhe të tjerëve pas tyre. Duhej me doemos t’i bindte të gjithë se faji kish qenë i sistemit diktatorial që i detyronte njerëz si ai, të varfër, tepër të rinj në moshë, apo me ndonjë problem tjetër, të bashkoheshin me organet e dhunës së partisë-shtet kundër njerëzve të tjerë që ndonëse trajtoheshin si skllevër, përsëri nuk ishin “dorëzuar” përpara diktaturës e nuk ishin shndërruar në “njeriun e ri”.
Adirit i duhej doemos një plan i mirëmenduar, ishin shumë parà në lojë që do të vinin prej përfitimit apo shitjes së pronave të familjes e ai nuk mund të ishte kurrsesi indiferent.
Fillimisht mendoi të ritakonte miqtë e vjetër të bandës së tij, të cilët si ushtarë të bindur që i kishin shërbyer sistemit të kaluar, edhe tani vazhdonin të shërbenin në zyrat e shtetit të ri e kishin lidhje të ngushta politike me pushtetin aktual. Pasi mori prej tyre këshillat e vlefshme, premtimin se ata do e ndihmonin në lojën e tij, nisi të hartojë në mend skemën që duhej përdorur dhe nxitoi të kthehet në gjirin e familjes “së dashur”, për t’u bërë djali i shtëpisë siç ata kishin dëshiruar gjithnjë që ai të ishte. Adiri do të bëhej “shpëtimtari” i pasurisë që u takonte të gjithëve.
Një pasdite të qetë pranvere, Adiri shfaqet në derën e shtëpisë së gjyshes së tij, në Itali, pas një çerek shekulli largimi nga familja. Në derë iu shfaq e ëma e cila gati e kishte harruar fytyrën e të birit. Tronditja e saj ishte aq e madhe sa i bie të fikët e shembet përtokë. Të gjithë në shtëpi shtangën, menjëherë u lajmërua ambulanca dhe e dërguan në spital në gjendje të rëndë. Pas disa orësh ajo ndërroi jetë, nga goditja kardiake në zemër. Kishte vuajtur tepër për të qenë e aftë të duronte ende…
Adiri nuk e kishte menduar kështu rikthimin në familje, por ndoshta kështu ishte edhe më mirë për të. I gjendur në kushte të tilla duhet të mallëngjente gjyshen e të qante nënën e tij për të cilën kishte aq “shumë mall”… E puthi gjyshen, e përqafoi fort, iu lut ta falte në emër të nënës së tij e cila sigurisht që do e kishte falur nëse zemra nuk do i ndalte kur e pa në pragun e derës pas 25 vitesh. I tregoi gjyshes me zemër në dorë se sa shumë ishte penduar për kohët e shkuara, sa herë kishte dashur ta kthente kohën prapa e të bëhej djali i shtëpisë që të gjithë dëshironin. Por fajin e kishte pasur partia dhe sistemi që e kishin gënjyer, fajin e kishte pasur babai i tij që e kishte detyruar të bënte çfarë i thoshte ai, fajin e kishin pasur dhe shokët që ishin pjesë e sistemit, fajin e kishte pasur edhe shkolla e cila nuk e kishte drejtuar në rrugën e duhur, faj kishte edhe tezja e tij (gjyshja ime) e cila nuk ishte treguar e duruar sa duhej me gabimet e tij rinore të asaj kohe, të përpiqej ta kuptonte e t’i jepte kohë. Por faj kishte pasur dhe motra e tij që u martua herët dhe ai nuk kishte pasur më mundësi të fliste gjatë me të, ndërsa nëna e dashur që e donte aq shumë të birin kish bërë vetëm pak gabim që u nda nga i shoqi dhe nuk pranoi ndryshimin që djali i saj i dashur kishte bërë në shërbim të partisë. Të gjithë kishin pasur faj, përveç Adirit!
Gjyshja, një grua tepër e fortë, e cila kish përballuar furtunën e diktaturës për gati 50 vjet, në moshën rreth të 80-ve, nuk ishte më ajo e para. Vështirësitë fizike të moshës, e kishin bërë disi të varur nga të tjerët dhe ajo kishte vazhdimisht nevojë për shërbimin e njerëzve pranë saj. E shkreta gjyshe, gjatë gjithë jetës momentet e saj më të bukura kishin qenë kur i kishte nipërit së bashku në kasollen e saj të varfër por plot jetë, rreth tryezës që përpiqej tua shtronte me ato pak gjëra që ndodheshin por me dashurinë më të madhe që një gjyshe, një nënë mund të falë. Kishte plot çerek shekulli që nuk e kishte më këtë gëzim, tryezën e kishte më të bollshme se dikur por hareja e gëzimi rreth saj nuk ishin më si atëherë.
Emocioni i gjyshes ishte i pamasë, si nga vdekja e bijës së madhe ashtu edhe nga kthimi i nipit të saj që e bëri gjyshe për herë të parë. I ulur në gjunjë, pas kaq shumë vitesh, Adiri, me sytë e përlotur i tregoi gjyshes se ai ishte penduar, kishte kuptuar gabimet e tij të rinisë dhe tanimë, baba edhe ai, kishte dëshirë të kthehej në familjen e tij, tek gjyshja që e kish dashur aq shumë dhe e kish rritur në vegjëli. I preku zemrën, i puthi duart që e kishin përkëdhelur kaq e kaq herë, vuri kokën në prehërin e saj dhe u betua që nuk do ta zhgënjente më. Gjyshja e fali, sigurisht gjithkush në kushtet në të cilat ajo ndodhej në ato momente do ta kishte falur Adirin, nëse nuk do ta kishte njohur si ai ishte në të vërtetë.
Gjyshes time në Shqipëri që po përballej dhunshëm me sëmundjen e tumorit, ia komunikuan vdekjen e së motrës me një telefonatë të shpejtë. Meqë gjithçka kishte ndodhur në pak orë nuk kishin pasur mundësi të mendonin për lajmërime. Adiri ishte rikthyer në familje, kishte ardhur t’i bënte nderet e fundit nënës së tij dhe kjo gjë i kishte mbushur me shpresë motrën e vogël dhe mamanë e tyre. Gjyshja ime mbeti pa fjalë, nuk dinte në duhet të qante për humbjen e motrës së saj krejt papritur, nëse duhet të trembej për ardhjen e beftë të Adirit apo nëse duhet të shqetësohej së tepërmi që motra e vogël dhe nëna e saj ishin krejt të vetme në duart e Adirit. Niset menjëherë për në Itali dhe kur mbërrin atje gjen nënën në lot, mbështetur në krahët e Adirit që i fërkonte ballin dhe i ledhatonte flokët e bardhë. Tezja e vogël qëndronte përkrah Adirit me krenarinë e një gruaje që sapo ka fituar atë që i mungonte më shumë.
Kishte kaluar vetëm një kohë e shkurtër, disa muaj nga hera e fundit kur kishte qenë në shtëpinë e nënës së saj, ku e priti motra e madhe me dashuri, nëna që rrinte në ballkon mes saksive me lule e fëmijët e motrës së vogël që i hidheshin në qafë sapo e shihnin. Edhe pse motrën e vogël e takonte rrallë se ajo nuk preferonte të rrinte në shtëpi, atmosfera kishte qenë gjithnjë ajo e shtëpisë së zemrës, e njerëzve të dashur. Sot papritur gjithçka kishte ndryshuar, kishte ardhur Adiri dhe shtëpia ishte bërë me “djalë”. Gjyshja dëshiroi ta përqafojë nënën e saj, ta ngushëllojë, të qajë me të për humbjen e njeriut të dashur por Adiri dhe tezja e vogël nuk e lejuan sepse kështu mund t’i bënte dëm nënës dhe t’i përkeqësonte situatën. I thanë të ulet në cepin e dhomës, në një karrige që ishte bosh dhe i ofruan një kafe. Duke qenë se kishte ardhur Adiri dhe nuk kishte më vend në shtëpi për një person tjetër e këshilluan të gjente një dhomë hoteli. Për nënën nuk duhej të shqetësohej sepse do të mendonin ata të dy për të. I shpjeguan se meqë ajo ishte lodhur shumë këto vite prej proceseve të gjata me pronat dhe përballjen me sëmundjen e rëndë tani ishte koha që ajo të bënte pushimin e merituar e të kujdesej vetëm për shëndetin e saj. Adiri do të merrej me të gjitha punët e tjera në emër të familjes. Mamaja e saj e përlotur, mbështetur në supin e Adirit i tha të bijës se si Adiri si motra e vogël kujdesen që ajo të mos pësonte të njëjtin fat si motra e saj e madhe. Këtë gjë e bënin nga dashuria që kishin për të dhe për vetë nënën. Ata të dy (Adiri dhe motra e vogël) do të zgjidhnin gjithçka e të gjithë do të jetonin të lumtur pas kësaj.
Bota u shkërrmoq nën këmbët e gjyshes time në më pak se një orë. Papritur nuk kishte më të drejtë të përqafonte nënën e saj, të fliste siç dëshironte me të, t’i tregonte dhimbjen që ndjente për humbjen e së motrës të cilën vetëm ajo ndër të gjithë të tjerët e pati më shumë sesa motër. Ishte kujdesur për të e vajzën e saj për vite me rradhë, kur Adiri dhe babai i tij i dhunuan dhe i përzunë nga shtëpia. Çfarë kishte ndodhur kështu krejt pa pritur? Përse nuk kuptonte më asgjë? Si mund ta takonte të ëmën me lejen e Adirit e motrës së vogël të cilët për ironi të fatit i kishte rritur vetë në vegjëli? Përse po e trajtonin si të huaj, si dikë që sapo e kishin njohur? “O Zot, më ruajë mendjen” – vetëm këtë mund të luste gjithë kohën…
Pak ditë pas ceremonisë mortore, gjyshja i mblodhi të gjithë në shtëpinë e saj për të kërkuar mbështetje për Adirin, jo vetëm vajzave e nipit të saj (babait tim), por edhe mbesave të saj italiane (vajzave të motrës së saj të cilat kishin lindur e jetuar gjithnjë në Itali sepse prindërit e tyre ishin larguar nga Shqipëria para instalimit të diktaturës komuniste) apo disa miqve të tjerë që e njihnin mirë historinë e familjes sonë, duke iu kërkuar të gjithëve falje për djalin e bijës së madhe, i cili vërtet kishte bërë shumë gabime, por se kish qenë i shtrënguar nga sistemi i keq komunist dhe jeta e vështirë me të atin. E kush mund të guxonte t’i thoshte jo gjyshes së përmalluar…
Tezja e vogël, e cila deri në atë kohë kishte qëndruar gjithnjë në heshtje, ishte e besdisur që motra e saj e madhe ndërroi jetë kaq papritur. E ëma kishte qenë më së shumti përgjegjësi e motrës së madhe, ajo kujdesej për të gjithë kohën e përpos kësaj mbante shtëpinë në këmbë. Tani që motra e madhe nuk jetonte më e gjithë kjo barrë do të ishte përgjegjësi e motrës së vogël e cila nuk dëshironte në asnjë mënyrë të bëhej dadoja e së ëmës. Ndonjëherë kishte menduar që nënën e saj t’ia dërgonte pako postale motrës tjetër (gjyshes time) në Shqipëri, por ende nuk ia kishte kërkuar një gjë të tillë me frikën se mos e ëma duke u larguar merrte me vete dhe paratë e saj.
Motra e vogël e gjyshës time ishte një personazh në këtë familje të cilën sikundër u kuptua më vonë, askush nuk e kishte njohur në të vërtetë. Ajo ishte bija e fundit, e lindur pas daljes së gjyshit nga burgu dhe kishte qenë gëzimi i pleqërisë së prindëve të saj. Ajo ishte rritur nën kujdesin e të gjithëve në familje, ishte fëmija më i përkëdhelur dhe sipas kushteve të kohës në atë familje pothuaj kish pasur gjithçka që nuk mundën ta kenë motrat e saj. Për të ishin kujdesur motrat e mëdha e sidomos babai i saj (stërgjyshi im), i cili kur u kthye në shtëpi pas viteve të gjata të burgut, e kishte gëzimin e tij të jetës, luante me të, e përkëdhelte pareshtur, i mësonte e tregonte gjithë ato gjëra të cilat nuk kish mundur t’ua rrëfente dy vajzave më të mëdha.
Kur erdhi demokracia, motra e vogël u martua e menjëherë me mbështetjen e kushërinjve italianë ajo u largua drejt Italisë (viti 1991), ku përfitoi të kishte kushte relativisht më të mira se pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë, falë mbështetjes dhe miqësive të reja që gëzoi në qytetin e ri ku jetonte. Qëndronte gjithnjë e heshtur për të lënë përshtypjen se ishte grua e mençur që fliste rrallë. Ishte shumë e mirëinformuar për jetën italiane sipas mënyrës së saj të botëkuptimit, ndiqte më vërejtje maksimale të gjitha telenovelat e mundshme dhe emisionet televizive ku tregoheshin publikisht intrigat e tradhëtitë. Lexonte rregullisht revistat e modës, sidomos ato ky përfliteshin personazhet Vip të spektaklit, në nxitim për të sfiduar kohën e për t’u bërë “qytetare italiane”. I vetmi njeri që e njihte atë në të vërtetë ishte ish-bashkëshorti i saj, i cili e deklaroi dhe në gjyqin e divorcit të tyre se nuk mund të qëndronte më me një grua e cila të vetmen ndjenjë lumturie kishte kur shihte të tjerët të vuanin, mundësisht në dëshpërim të thellë.
Tanimë motra e vogël e kishte kuptuar se i mungonte vetëm një “përbërës” për të qenë europiane e vërtetë dhe e respektuar nga të gjithë, pasuria. Kishte kohë që kishte kuptuar nga dokumentet e pronave që i shkonin sistematikisht prej gjyshes time, se të ndiqje proceset e pronave në Shqipëri ishte shumë e vështirë dhe me shumë shpenzime ndaj kishte preferuar që këtë pjesë ta bënte dikush tjetër deri në momentin që do të vinte koha për të vjelë frutet e punës. Pasi gjyshja ime u sëmur e nuk mund të ishte më violinë e parë në gjithë këtë proces të vështirë, motra e vogël vendosi të merrte rolin kryesor, atë që i takonte sipas saj. Duke qenë se jetonte me nënën e saj, ishte vajza e përkëdhelur e të gjithëve dhe sigurisht do të ishte dhe trashëgimtarja kryesore apo e vetme e pasurisë së familjes, të paktën kështu i pëlqente asaj të mendonte. Ajo kishte qëndruar pothuajse gjithnjë në heshtje, pa kërkesa e pa pretendime që askush të mos kuptonte qëllimin e vërtetë të të ndenjurit të saj në hije. Ajo nuk kishte miq, nuk fliste me askënd e aq më tepër të tregonte atë çka kishte në mendje. Por, për të arritur “atje lart” ku dëshironte i duhej bashkëpunim, kërkonte një aleat në punën e re që kishte parashikuar për të qenë ajo e vetmja trashëgimtare kryesore e pasurisë së familjes. I duhej një bashkëpunëtor i devotshëm ndaj saj, mundësisht një person që të tjerët të mos ta donin dhe vetëm ajo të ishte pika e referimit për të. Ajo çka askush nuk e dyshonte ishte se motra e vogël e kishte gjetur bashkëpunëtorin perfekt, Adirin. Rreth një vit më parë, sipas planeve që kishte thurur, në fshehtësi të plotë e pa dijeninë e askujt, tezja e vogël i kishte telefonuar nipit të saj të dashur e ishin takuar më pas për të bërë realitet atë çka ajo aspironte prej kohësh. Të dy së bashku e secili sipas planeve të tij e kishin menduar ribashkimin e tyre familjar, por të tjerët nuk duhet të dyshonin e as të kuptonin. Ajo çka të tjerëve iu servir si një surprizë e pendimit të Adirit e rikthimit të tij në familje prej mallit e dëshirës për të kërkuar ndjesë, ishte në fakt një plan i llogaritur e mirëmenduar deri në detaje.
Vijon …

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu