Agim Morina, Londër
_____
Jo, jo mos u tutni: nuk asht shtrigë. Së paku hala nuk asht ba. Por asht në rrugë të mirë me u ba, po ia blemë na shqiptarët një fshisë të mirë. Quhet Suella Bravermani dhe asht ministre e Mbrendshme e Britanisë së Madhe. Prindët e saj kanë ardhë si emigrantë, ashtu si shqiptarët tani, në vitet ’60 të shekullit të kaluem në Britani.
Rama jem thoshte: “Edhe nëse të vjen puna me u ba shërbëtor, bahu shëbëtor i zotnisë, e mos prano me u ba shërbëtor i shërbëtorit, sepse i pari kujdeset, din qysh me u sjellë me ty, tue e dijtë që i duhesh nesër, e ky i dyti ta nxjerr shpirtin sot, pa e mendu se ke m’iu dashë nesër.”
Edhe kjo, Suella, asht bijë emigrantësh dhe gjuha e saj asht dy herë ma fyese kur flet kundër emigrantëve shqiptarë. Edhe fëmijët shqiptarë të këtyne emigrantëve duhen me i pasë po ato shanse që i ka pasë edhe kjo. Pse jo? Sidoqoftë, shtrignia e saj ka me vërtetu nëse ka me mujtë me fluturu. Na shqipet, jemi të bindun që ka mundësi me fluturu, sepse gjuha e saj po fluturon koxha si shumë, sidomos kundër shqiptarëve. Na qujti “kriminelë” dhe ikjen e shqiptarëve në Britani e qujti “invazion”.
Në Britani, me i mbledhë bashkë krejt shqiptarët, bahen rreth njëqind mijë. Me ba me i mbledhë bashkëkombësit e saj bahen me miliona. Kështu që nëse ardhja e shqiptarëve mundet me u qujtë “invazion”, atëherë ardhja e familjes dhe e bashkëkombësve të saj do të duhej me u qujtë kataklizmë.
Por, kjo nuk asht e vërtetë. E vërteta asht se kusuritjet politike, dështimet e njëpasnjëshme të qeverive koservatore, ua kanë humbë arsyen politikanëve dhe po kërkojnë fajtorë kujdestarë. Ku ka ma lehtë se me u mëshu shqiptarëve?
Sidoqoftë, shqiptarët e Britanisë, për një fjalë goje, i mbushën sheshet dhe u mblodhën me mija tue protestu kundër gjuhës prej shtrigash. Kjo duhet me u shërby si shembull për shqiptarët kudo që jetojnë. Jemi popull i lodhun, i rrëzuem, por nuk do ta pranojmë poshtnimin prej askujt.
Me qe banon ne Londer dhe i njef mire qendrimet e emigrantve shqiptar, do te ishte mire te na pershkruejshe aktivitetin kriminal te mafjozve shqiptar ne ate vend qe i strehoi.