Florim Zeqa
Pa dyshim, lajmi më i keq i javës është anulimi i mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, e cila ishte parashikuar të mbahej më 14 qershor në Gjakovë. Ky veprim i njëanshëm i kryeministrit shqiptar, Edi Rama erdhi në ditët më të vështira që po kalon Kosova nga përfundimi i luftës e deri më sot.
Niveli më i ulët kombëtar
Kur pritej që më 14 qershor, në qytetin e Gjakovës do të uleshin sërish përballë në takimin e tyre të nëntë në përpjekje për të vazhduar me bashkëpunimin mes dy shteteve të të njëjtës kombësi, tavolinat mbetën të zbrazëta: Kjo erdhi nga një vendim i papritur dhe paparashikuar nga ana kryeministrit të shtetit shqiptar.
Anulimi i mbledhjes së nëntë mes dy qeverive është tregues i mjaftueshëm se marrëdhëniet e dy vendeve janë në nivelin më të ulët historik. Për fat të keq veprimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama janë të koordinuara dhe të sinkronizuara me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe mbështetësit e tij evropian.
Kjo përveqse alarmante për situatën në të cilën ndodhet vendi, është një simbolikë dhe mesazh i keq, është edhe tronditës për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Luginë, Maqedoni, Mal të Zi dhe për të gjithë mërgimtarët që jetojnë në Diasporë.
Nën arsyetimin absurd të Edi Ramës, “në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, takimi mes dy qeverive nuk mund të mbahej në formatin e parashikuar”, ky edhe një herë e dëshmojë veten se është në të njëjtën linjë me Vuçiçin dhe pro-serbët evropian.
Ky vendim për anulimin e mbledhjes nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama erdhi si hakmarrje për hedhjen poshtë nga ‘Qeveria Kurti’ dhe forcat politike të Kosovës të draftit të tij të rekomanduar nga ana e Beogradit.
Takimi mes dy qeverive tona do të ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme për trajtuar me seriozitetin më të madh kombëtar dhe me urgjencë situatën në veri të Kosovës, për të ndërmarrë hapat dhe veprimet e koordinuara si dy shtete të një kombi të ndarë padrejtësisht nga fuqitë e mëdha një shekull më parë.
Anulimin e mbledhjes së dy qeverive shqiptare duhet shikuar përtej aspektit politik, pra duhet shikuar nga aspekti i homogjenizimit kombëtar. Nëse deri dje ishim një hap prapa, sot jemi 10 hapa pas, kurse nesër mund të jemi me qindra kilometra largë idesë së bashkimit kombëtar.
Kidnapimi i policëve, moment reflektimi i partive politike
Sipasojë e ndarjeve dhe përçarjeve tona të brendshme, Serbia po na provokon dhe po tallet me ne njëkohësisht. “Të keqja nuk ka kufinj” (popullore), i tillë ishte edhe kidnapimi i tre pjestarëve të Policisë së Kosovës në territorin e Republikës së Kosovës. Shtrirja për tokë e policëve është poshtërim i sakjshëm i shtetit tonë.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë arrestuar nga forcat e uniformuara të Serbisë dhe se kjo është bërë në shenjë hakmarrje për arrestimin një ditë parë të serbit Millun Millenkoviq. Kjo e paraqet aktin më brutal të agresionit ndaj shtetit tonë.
Kjo situatë e rëndë dhe të turpshme nuk guxon të përdoret nga partitë opozitare për sulm ndaj ‘Qeverisë Kurti’ dhe as për fushatë elektorale, por duhet unifikuar i gjithë spektri politik si një trup i vetëm për t’i dhënë përgjigjen e merituar Serbisë dhe për t’i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë ashpër agresionin e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, për shkak se ky nuk është rasti i parë dhe as nuk do të jetë as i fundit!
Sikur të ndodhte e kundërta, e kidnapimit të pjestarëve xhandarmërisë serbe nga ana e pjestarëve të Policisë së Kosovës, menjëherë do të ngrihej në këmbë e tërë bota, do të mbahej mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ne do të ndëshkoheshim ashpër nga “bota demokratike”.
Kidnapimi i tre policëve shqiptarë nga xhandarmëria e Serbisë duhet të jetë moment reflektimi dhe unifikimi i forcave politike shqiptare, e jo shfrytëzim për konsum politik ditorë nga ana e pushtetit dhe opozitës, për shkak se të njëjtën situatë tashmë e përjetuan të dy palët, pra poshtërimin e përjetuam të gjithë pa dallim.
Bashkëndjejë shqetësimin tim personal me familjet e policëve të kidnapuar, duke ju dhënë forcë dhe kurajo për tejkalimin e kësaj situate të rëndë, duke uruar që më të dashurit e tyre të ju kthehen që sa më parë shëndosh dhe mirë në familjet e tyre.