ARKIVI:
26 Dhjetor 2024

Te Bajram Lush Alia në Beleg 

Shkrime relevante

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Doli nga shtypi libri MALL E DASHURI PËR ATDHE i autorit Florim Zeqa

Sot, nga Shtëpia Botuese “Libri im” në Pejë doli nga shtypi...

Shpërndaj

Bajram Lushi me gruan, Servetin, djemtë Shpëtimin, Shpatin, Shkrepin dhe rejën, Zizën, në Beleg, 2021

Sinan Kastrati, Suedi

Vazhdon nga artikulli i kaluar ”Në dasmat dhe kanagjeqet e Turjakës nuk këndonin qikat si dikur”, Drini.us, 3 Shtator 2022 në rubrikat ”Dossier, Histori, Kujtime”  

Kujtimet nga Turjaka, Gjakovae e Belegu 

Nga Ditari im (16) 

Në udhët e katundit të Turjakës nuk kishte bajga 1 *) (bagla) të kuajve lopëve e kokërdhia 2*)  të deleve e dhive, nuk dëgjoheshin kumonat e ogicëve3*) e as boria, fyelli, kavalli e këmga e çobanëve. Nëpër oborre nuk kishte kotecë 4*) (koçakë të pulave) e toka, arat e plleshme nuk po punoheshin. Jazi nuk kishte ujë e mullini nuk po bluante. Qikat nuk po qonin bukë bujqëve e nuk po kërsitëte pushka kur lind djalë e nuk po qanin e vajtonin gratë kur lind qikë e …. Turjaka nuk ishte Turjaka dhe nuk kisha dëshirë më të jetoja në Turjakë . 

Edhe dasmat e kanagjeqet po organizoheshin në restorante me ushqime të liga, muzikë tallava, të zhurmshme e këngëtar-e, mozomakeq. 

Fëmijët tuj mbledh lule në Turjakë

Ismetit të bacës Dulë kur i vdiq nëna, Gjylferia, (qershor 2022) të pamen e kishin mbajtur në Turjakë, kurse ushqimin e kanë porositur te Sokoli, ”Mani”. Nuk kishte më burra. Odat ishin mbyllur me dry. 

Kur unë shkova pas ”lufte” në Turjakë, Sylë Sahiti kishte pasur dasmë, e martonte një djalë. Kur erdhi koha e bukës, unë pyeta: 

-Ku janë sofrat ? 

-O paske met mrapa o Sinan-o, më tha baca Sylë, i cili dasmën e kishte në odë, si dikur …. E këngëtarët, Salih Thaçi me djalë këndonte … por as kjo nuk më k`naqte që isha mësua me i parë pleqt e miqt krye oxhakut, shahirat në mes e hyzmeqarët te dera e odës.

Edhe të pamet, kur dikush po vdiste, ushqimin po e porosisnin nga restorani, madje edhe qaja e kafe më nuk kishte në oda. Në vend të kafesë, po i afronin nga një lënf e udha marë!

Turjaka

Atherë pse duhet mbajtur dele, lopë e pula turjakasit. 

Djemtë e vëllait, nuk kishin lopë tamji më. Sigurisht edhe pulat kur të vie dimrai, i presin dhe i shtin në frigorifer. 

Ishin krijua edhe anekdota … rreth dasmave e të pameve. 

Delet kullosin në Turjakë

Një kusherirë jona nga Maxharra,qika e Mulla Alisë,  bashkë me burrin shkojnë  me pa kur vdes Asman Meta i Maralisë. Djemt e Asmanit e kishin nërtua një odë të madhe se jo mahi, 25 metra të gjatë. Dhe ai, rrin sa rrin e kur qohet me shkua për në shtëpi, në Gariq i thot gruas:  

Çfarë të pame të mirë, i lum Asmani për djem! 

-Hajt, hajt se edhe ty edhe ma t`mirë ta bâjm t`pamenkur t`des 5*) (vdes) në restoran ! 

Une tuj i ushqye pulat në katund …

Ismetin e bacës Dul. i cili tash jeton e punon në Uddevalla të Suedisë, e kisha marrë si shofer. Me të, nga Turjaka, shkuam në Gjakovë, te vëllai i madh Laha. Vëllai i madh ka 4 djem, Isanë, Musanë, Dritonin dhe Beratin dhe dy qika, Fatimen dhe Dritën. Të gjithë-a të martuara dhe të gjithë kanë fëmi. 

Unë kur të shkoj te vëllai në Gjakovë, shkoi te Dritoni, e vëllai edhe pse jeton me Beratin, djalin e vogël, vjen te Dritoni. Lumja, nusja e Dritonit na pret më së miri. Kështu ndodhi edhe kësaj vere, aty hymë më së pari për konak. Ajo si vetëtima, na pruri nga një kafe me ëmbëlsisa dhe na luti për drekë por ne kishim ngrën bukë e pasul me mish të terurr në Turjakë, që Shqipja, qika e madhe e Ismetit ia kishte prurë Ismetit, apostafat për mua, prandaj nuk deshëm bukë. Ajo (Lumja) bëhej gati sepse kishin me e nreq qikën e madhe, Albenisën. Pas tri ditëve Albenisa bëhej nuse, prandaj në një mënyrë, Lumja  na tregoj se kanë punë më të rëndësishme … dhe kishte me dalur në çarshi 6*)  me ble … gjërat e nevojshme për kanagjeq, për qikën. Kishin thirrur shumë të ftuar për kanagjeq në Turjaka e kur kishin dëgjua se edhe unë jam në Sarandë, Dritoni më thirri me gjithë familjen por unë nuk mund të shkoja. Zakonisht në kanagjeq thirren e shkojnë vetëm grate e qikat por për vëllezër, motra e të afërm, të gjakut, ky rregull nuk vlen.  

Bisedë me mikun …

Nuk vonuam shumë dhe i thash Ismetit: 

-Qou !  

Bacës Lah i mbet hatri pse nuk po rrim disa ditë e netë por bacës Lah nuk ia prente mendja se nuk jemi në kohën e babës Imer. 

Në Beleg, te Bajram Lush Alia 

Belegu është katundi më i afërt me Deqanin, në krahun e majtë të rrugës Gjakovë- Deqan. Rrugën nga Gjakova deri në Beleg nuk është e largët, afërsisht 17 km por kur hymë në Beleg, e humbëm rrugën. Dhe bëmë pakë kilometra më shumë. 

Forhåndsvisning av bilde

Me Saimin, Veselin, Bajramin, Ismetin, unë dhe Bajram Tolaj, Deqan, gusht 2022

Te Bajrami, kishin qenë duke na pritur Bajrami me nusen, Servetin, rejën Zizën dhe djalin e vogël, Shkrepin. Bajrami, ka tre djem e qikaë nuk ka. Vitine kaluar e kishte martua djalin e madh, Shpëtimin me një nuse që s`kishte shoqe as në Rekë e as në Malsi, me Zizën. Ajo na bënte hysmet, qysh është ”adeti” por adeti kishte ndryshua edhe në Beleg. 

Vërshima e Mirushës …

Te Bajrami, kishte ardhur edhe mësuesi Hysen, Hysen Molliqaj nga Lluka e Epërme. Ai e dinte se unë do të shkoj te Bajrami, nåe trojet e Lush Alisë me e pa që i ka dek (vdekur) nëna Ajmon, prandaj ai dëshironte të shkojmë bashkë. 

Nuk vonoi shumë e erdhi edhe Saimi, vëllai i dytë, pas Ismetit me Veselin, mik, vëllain e gruas. 

1*) BAJGË f. 

  1. Pjesa e padobishme e ushqimit, që nxjerrin jashtë lopët, kuajt, mushkat e gomarët; jashtëqitjet e kafshëve, pleh bagëtish. Bajga të thata. Bajgë lope. Erë bajge. Tym bajgash. Kasolle e lyer me bajga. E leu me bajga. Ndezën zjarrin me bajga.
  2. thjeshtligj., shar. Njeri i ndyrë e i poshtër, njeri pa vlerë, pa karakter dhe i pacipë.

* I bëri bajgën dikujt a diçkaje thjeshtligj. E braktisi dikë a diçka pa çarë kokën për të. Iu bë bajgë dikujt thjeshtligj. iu nënshtrua plotësisht, iu qep e i lëpihet për t’i bërë qejfin. E lëshon bajgën thjeshtligj. nuk ka kujdes fare, nuk di as vetë se ç’bën, e bën një punë shkel e shko; flet pa u menduar, pa i peshuar fjalët. I lëshon fjalët si lopa bajgën thjeshtligj. flet fare pa përgjegjësi e pa u menduar, nuk di as vetë se ç’thotë. Iu ngjit si bajga (si balta) pas këpucës thjeshtligj. iu ngjit nga pas e nuk i ndahet; e mërziti shumë, iu bë rrodhe. 

2*) KAKËRDHI f. 

  1. Bajgë kokrra-kokrra sa një lajthi, sa një qiqër a më e vogël, që nxjerrin jashtë dhentë, dhitë, minjtë etj. Kakërdhi delesh (dhish). Kakërdhi miu. I vogël sa një kakërdhi. Bën kakërdhi.
  2. fig. mospërf. Njeri shumë i vogël nga trupi dhe jo i hijshëm (sidomos për fëmijët).

3*) OGIÇ m. 

  1. Dash i madh me këmborë, që i prin tufës së dhenve; përçor. Ogiçi i këmborës.
  2. Qengj i urtë e i mësuar, që i shkon pas bariut a një fëmije, manar. Ogiç i pandarë. Ogiçi i shtëpisë (i djalit). I shkon pas si ogiç.
  3. fig. Njeri i urtë, zakonisht i mitur e i ushqyer mirë, që shkon gjithnjë pas dikujt.
  4. Përd. mb. sipas kuptimeve të emrit. Dash (qengj) ogiç. Djalë ogiç.

OGIÇE f. 

Fem. e OGIÇ,~I 2,4. 

4*) KOTEC m. 

  1. Kasolle e vogël dhe e ulët prej dërrasash, prej purtekash etj., ku mbahen shpendët shtëpiakë; qymez. Koteci i pulave (i patave, i rosave).
  2. Koshare misri. Kotec me thupra. Fut (thaj) misrin në kotec.
  3. fig. mospërf. Shtëpi e vogël dhe e keqe; vend i ngushtë e pa rehati. Banonin në një kotec.

5*) des (vdes) 

E folmja e Turjakës, fjalën ”vdes” e shqiptojnë si ”des”, ”dek” etj. Gjuha (”guha”), ”gjuni” (gjuri), ”guni” e kështu me radhë.  

6*) ÇARSHI f. vjet. 

Treg i mbuluar; rrugë me dyqane në të dy anët varg njëri pas tjetrit. Çarshia e qytetit. Dyqanet e çarshisë. Në krye të çarshisë. Shkonin (dilnin) në çarshi. Mbyllej çarshia. 

Vazhdon 

Sinan Kastrati, Suedi          

Malmö, 4 shataor 2022          

sinan.kastrati@hotmail.com

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu