ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Të kremtet e dimrit

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Shkruan: Edibe Selimi-Osmani

Me të drejtë etnologu prof.dr.Mark Tirta, konstaton se një vend të rëndësishëm në etnokulturë zënë mitologjia e besimet popullore me ritet e tyre përkatëse. Ato janë në një mënyrë a në një tjetër,shprehje e jetës shoqërore e shpirtërore të popullit. Zanafillën e tyre ata e kanë në kohë shumë të vjetra e kanë evoluar bashkë me kushtet e bashkësisë njerëzore.Kanë përmbajtje të theksuar shoqërore dhe lidhin të kaluarën e lashtë të popullit tonë me të tashmen .
Duke parë vlererat e veçanta të besimeve popullore e të riteve të tyre me eksplorime terreni kemi mbledhur një material të konsiderueshëm për festat e ritet e motmotit.

I. BUZMI (Beniku)

Në studimin tim do t’i qasem ritualeve që kryheshi në Natën e Buzmit (6 janar (-Reka e Epërme ) Këtë ditë në terren e hasim me emërtimin Dita e Benikut.
Për ta festuar bëhen përgatitjet. Gjatë ritualeve që kryhen kanë rëndësi ,buka rituale,vatra dhe zjarri.
Buka,si një element shumë i rëndësishëm i të ushqyerit tradicional të popullit tone ,si një prodhim bazë i bujqësisë për jetën e njerëzve , ka zënë vend të dukshëm në rite të ndryshme fetare te ortodoksët e kësaj treve. Janë këto ceremoni rituale që gërshetohen me ata të fesë katolike.
Dihet se në përgjithësi , edhe druri nderohet e adhurohet ndër shumë popuj . Druri në pyll ka domethënie të posaçme ,kurse buzmi ka kuptimin magjik. Në këtë krahinë ai është një ah i ri i lartë ,i drejtë i bukur dhe kur pritet ,zgjidhet një që të jetë rritur me diell. Ky lloj druri vihet për t’u djegur në zjarrin e vatrës natën e Krishlindjeve.
I zoti i çdo shtëpie ,në familjet ortodokse,pa lindë dielli shkon në mal për ta sjellur buzmin në shtëpi. Në kohën kur pritet druri , në rast se ndonjëri e sheh prej së largu këtë gjë ,besohet se gjatë vitit do të jetë fatbardhë. Në këto fshatra bëhen gara se kush do ta sjellë më herët buzmin(drurin) ai do të konsiderohet si më i afti e më i shkathti i vitit në fshat.Deri në orët e pasditës druri i buzmit rrin mbështetur nën strehë të shtëpisë.
Gjatë shkrepjes së drurit mbi vatër personi ka kujdes që ana nga është prerë druri të vendoset andej nga duket ende dielli. Kur i pyetëm fshatarët pse shikohet dielli , na thanë se ndryshe është keq dhe ajo shtëpi nuk do të kishte mbarësi,fat gjatë vitit,nëse druri i buzmit vendosej mbi vatër pasi kish perënduar dielli.
“Kulti i diellit është dëshmuar edhe nga një lajm interesant i shkruar . Filozofi Maksim nga i cili jetoi në kohën e Antomonit në librin e tij A duhet t’u ngrihen perëndive shtatore, përmend Peonët , fis ilir në Maqedoninë e sotme, e adhurojnë diellin në formën e një disku të vogël ,të ngritur mbi një shtyllë të gjatë.
Drurin e buzmit mbi zjarr e shkrep një dalë i ri 13-15 vjeçar,nëse ka në atë shtëpi,ose nëse jo,e ndez i zoti i shtëpisë.Njëri nga anëtarët e familjes nga brenda pyet:
-Kush vjen?
Përgjigjen:
-Beniku.
-Kë na bie beniku?
-E vejmë në zjarr,të na lehen më shumë djem se vasha,fmija mashkull,shqerat femna.
Në të hetohen tri elemente tradicionale shumë të lashta; kulti i zjarrit, përmes vatrës dhe ceremonive kushtuar asaj, kulti i paraardhësve dhe elementet e kulteve agrare,që lidhen me natën e Buzmit ,me ç’rast bëhen përgatitje e plane në punë në bujqësi e blegtori.Pra, jeta dhe puna dalin të lidhura ngushtë.
Edhe vendosja e parmendës nga ana e hekurt mbi vatër pranë zjarrit të buzmit është njëfarë riti që lidhet me të mbjellurat vjeshtore. Kështu shpresohej se gjatë dimrit të mbjellurat vjeshtore do të mbroheshin nga ngricat.
Aty pranë vatrës parmenda qëndron shtatë javë.Kur prifti Ditën e kryqës ,viziton çdo shtëpi ortodokse,para se të fillojë nga ceremonitë fetare,më parë shkon te vatra,lëviz plugun nga vendi dhe shqipton fjalët::
-Prendija le t’ape bereqet!
Ditën e buzmit dhe të krishtlindjeve,besimtarët kungohen në kishën e fshatit.Në hyrje të kishës ,nuset e reja dalin me veshje festive bëjnë divan.Shënuam dhe këngën:
O dridhem, dridhem si zharpën-o,
Lypi “petkije” nuk m’apën,oooih!
Da shkaj , da u bije martina Shypnije
Se u paska hije.

Nga një nënë e moshuar,që kujtoi ditët e rinisë,shënuam këngën,që ajo vetë e ka kënduar me shoqet e saja para derës së kishës:

Çi na mblidhen panagjyr,
panagjyr e për nantë kishë,
N’mat ma shumë e trima t’ri
N’mat ma shumë e nuse t’reja,
N’mat ma shumë e shqera t’njoma,oooih!
Ndërsa etnografi Shreder është i mendimit se riti i buzmit është në analogji me adhurimin e diellit,sepse në ditët e solsticit dimëror kur fuqia e diellit është më e dobët,me ndezjen e buzmit, shpresohet të shtohet forca e tij.

II. KËRSHËNDELLA-Krishtlindjet(“Kshendellet”)

Është e kremte e madhe dimërore për të cilën bëhen përgatitje. Në terren e hasim me emërtimin “Kshëndellet”.Sipas gojëdhënave popullore që shënuam nga brezi i moshuar në fashatrat Beliçicë, Vallkavi dhe Bogdi,mësuam se para 60-70 vitesh mbajnë mend se për Krishtlindje bëheshin vetëm përgatitje ushqimore,kurse në ritualin e rastit është përdorur kashta e shtruar në gjithë shtëpinë.Kashta lihej shtruar me 6,7 dhe 8 janar dhe thuhej se në njerën nga këto ditë ka lindur Krishti në një grazhd me kashtë. Besohet se mushka është e nemur nga Krishti,që kinse i ka thënë:T’i kurrë mos z’bilofsh”,prandaj kjo kafshë nuk është e plleshme. Kurse delja është e bekuar se ka lindur Krishti në grazhd me të.
Vitet e fundit kashta nuk përdoret më nëpër shtëpia. Por për këtë ditë bëhet pastrimi i shtëpive,përgatiten ushqime më të mira dhe ëmbëlsira të llojllojshme.
Kashta rituale e Krishtlindjeve ,në të vërtetë ka origjinën e saj qysh në epokën e paganizmit , shumë shekuj para lindjes së Krishtit,kur ajo konsiderohej si objekt në të cilën shpesh herë rrinin hyjnitë e shpirtëra të tjerë. Kështu kur indoarianët u ofronin perëndive dhurata dhe bënin flijime të tjera , këto i shtronin në kashtë ose në barë. Pastaj thërrisnin shpirtërat e të parëve të tyre dhe perënditë që të vinin t’i mernin. Natën e Buzmit dhe të Krishtlindjeve, në ritualin e rastit përdoret kashta ose talla (misërishtja). Kisha këtë kashtë rituale e lidh me lindjen e Krishtit në grazhin me kashtë, në qytetin Betlehemit. Mirëpo rreth lindjes së tij ka shumë legjenda e zbukurime.
Edhe ditën e tretë shkohet në kishë , ku luten. Koha nuk është e caktuar.Për shëndet ndezin qirinj.Dita e tretë është Kërshëndella e Grave.Behet vizita për urime te të afërmit.
Ortodoksët e kësaj ane ,pa dallim moshe dhe gjinije (besimtarët) për këtë të kremte me fenere e pisha të ndezura shkonin nëpër kisha prej orës 24 të 6 janarit deri në orën 3 të dates 7 janar. Në kisha bëhej mesha nga prifti.

Pjesëmarrësit nuk e kuptojnë,por pëshpëritin me vehte:

-Prendija na nimoftë,n’mat t’mrijmë Kshëndellet ,
me shëndet e me bollëk.
Pra,edhe në këtë rast,lutjet,mendimet,lidhen me prodhimin ,me mbarësinë me jetën e njerëzve.
Mbasi mbarojnë ceremonitë fetare,fshatarët i urojnë njëri- tjetrit Krishtlindjet me disa urime si këto.:
Për shumë mat (mot) Kshëndellet!
Tjetri ia kthen me fjalët :
Gëzuar qofshim e për shumë mat.
Ngjefshim n’mat ma mirë!

Në traditën e kësaj të kremteje kungimi është riti fetar më i rëndësishmi. Çdo besimtar kungohet në kishën e fshatit të vet.
E zonja e çdo shtëpie përveç ushqimit që merr për të ngrënë në kishë,nuk harron edhe enën e bakrit që e mbush me ujë të bekuar në kishë. Pasi mbarojnë ceremonitë,sa kthehen në shtëpi,që në mëngjes ajo u jep fëmijëve të pijnë nga ky ujë për shëndetin e tyre. Riti përcjellet me fjalët:T’u boret shëndet,I gëzofshi Kshëndellet!
Fshatarët shëtisin te njëri-tjetri për urime. Edhe besimtarët mysliman ka raste që shkojnë te bashkëfshatarët e tyre për urime.Këto i gostitin me gjëra të mira.
Kjo e kremte është ditë motmoti,prandaj e zonja e shtëpisë i bën nder bereqetit;duhet çelur magja e duhet gatuar qoftë ndonjë fli ose të bëhet ndonjë lloj pete tjetër, sepse thuhet që po u bë kështu për Kërshëndella shtohet bereqeti gjatë vitit.
Banorët e Rekës së Epërme,nga kushtet e vështira që kishin, migruan në vise të ndryshme, por kudo që gjenden bartin mbi supet e tyre doket,zakonet,gjuhën, kulturën materiale e shpirtërore të tyre.

Të dhënat u shënua në vitet 1994-1997.

Veçuam nga vepra, Rite e besime popullore në viset e Tetovës dhe të Gostivarit, Edibe Selimi-Osmani, 1997 Shkup, (faq.13-15)

22.12.2021
Tetovë

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu