ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Të krishterët, në Irak që nga agimi i krishterimit

Shkrime relevante

Shpërndaj

Përktheu nga italishtja: Paul Tedeschini
Një “udhëtim” në histori për të treguar jetën e praninë e krishterë në rajonin e Mesopotamisë, ku të krishterët janë autoktonë, pavarësisht se edhe sot e kësaj dite, nuk e kanë jetën të sigurt

R.SH. – Vatikan

Shkronja Nun. Kjo ishte shenja e përdorur nga milicët e të ashtuquajturit Shtet Islamik në Mosul për të shënuar shtëpitë e “Nassarah”, të ndjekësve të Jezu Krishtit, “Nazarenasit”, në atë strategji terrori, që çoi në eksodin masiv të të krishterëve nga Rrafshi i Ninives, në vitin 2014. Të krishterët ikën nga Karakoshi, Telkaifi, Tel Eskofi, Bartela, Karamleshi, Bashika. Nuk kishte alternativë tjetër: ose të ktheheshin në Islam, ose të paguanin taksa plus, ose të iknin. S’pyeti njeri se “Nazarenasit” banonin në këto troje që nga agimi i krishterimit. Aty i kishin rrënjët, prandaj u dhimbte shpirti të largoheshin, sepse nuk linin vetëm shtëpi e gjë, por edhe “gjeografinë” e tyre, trojet e të parëve. Jeta e kësaj bashkësie, që përbëhet nga të krishterë kaldeas, siriakë, armenë, latinë, melkitë, ortodoksë dhe protestantë, nuk ka qenë kurrë e thjeshtë e është karakterizuar gjithnjë nga diskriminimi dhe përndjekja.

Rrënjët biblike dhe fillimi i krishterimit

Prania e të krishterëve në Irak është e lashtë e dëshmohet edhe në Veprat e Apostujve. Kisha i ka rrënjët në shekullin e parë, që me predikimin e Shën Tomës apostull dhe të dishepujve të tij Marit e Tadeusit, i njohur në Lindje me emrin Adai. Ata e ungjillëzuan Mesopotaminë. Trojet e Irakut të sotëm, edhe para krishterimit, ndërthureshin me rrënjët e popullit të Izraelit. Abrahami, siç thotë Bibla, del nga Ur në drejtim të Karranit, për të shkuar në tokat e Kanaanit. E pastaj, Ninive, që ngrihet përballë qytetit të Mosulit, përmendet vazhdimisht në Bibël.

Kryeqytet i Asirisë, arriti kulmin e zhvillimit në shekullin VII para Krishtit e në fund të atij shekulli u shkatërrua, siç parashikoi Naumi profet. Përmendur në libra të ndryshëm të Besëlidhjes së Vjetër, kujtojmë se pikërisht këtu e dërgoi Zoti Jonën profet për të parathënë shkatërrimin e tij, por “qytetarët e Ninives besuan në Hyjin dhe agjëruan, u veshën me thes, i madh e i vogël”, kështu, “Zoti ndërroi mendje për të keqen, me të cilën i pati kërcënuar dhe nuk u bëri” dëm.

Në Besëlidhjen e Re, Jezusi u referohet këtyre vendeve, duke dëshmuar rëndësinë e gjeografisë dhe të historisë së shëlbimit, që i ka shenjuar përgjithmonë këto troje: “Ata të Ninives do të ngrihen për ta gjykuar këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata[banorët e Ninives] u kthyen pas predikimit të Jonës”. Në këto troje, populli hebre vuajti gjatë mërgimit babilonas. Djep i qytetërimeve të lashta janë edhe shenjtëroret, manastiret dhe kishat, të cilat dëshmojnë praninë e krishterimit që në hapat e tij të parë.

Eksodi i të krishterëve

Sot, nga 1.4 milion të krishterët, që jetonin në Irak, në prag të Luftës së Gjirit Persik, kanë mbetur vetëm 300-400 mijë. Vetëm në periudhën 2003-mars 2015, u vranë 1.200 të krishterë. Ndër ta, imzot Paulos Rahho, kryeipeshkëv i Mosulit të Kaldeasve, vrarë në vitin 2008, pesë meshtarë dhe 48 viktimat e atentatit xhihadist të 31 tetorit 2010 kundër katedrales siro-katolike të Zojës së Shpëtimit. 62, kishat e dëmtuara, ose të shkatërruara. Me ardhjen e Isisit, më se 100 mijë të krishterë u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre, së bashku me pakicat e tjera të persekutuara, si jazidët.

Rreth 55.000 vetë janë larguar nga Kurdistani irakian vitet e fundit. Pas disfatës së Isisit, më 2017, disa të krishterë janë kthyer gradualisht në Rrafshin e Ninives, por gjithnjë me frikë. Ka filluar rindërtimi, edhe falë angazhimit të Fondacionit Papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, por mungon siguria e të krishterët vijojnë të kenë probleme, si kërkesa për para nga milicët dhe grupet armiqësore, që vazhdojnë të jenë kërcënim për bashkësinë e krishterë irakiane, aq sa 57% e saj mendon të emigrojë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu