Nga: Xhemaledin Salihu, Preshevë
- Lugina e Preshevës ka nevojë për themelimin e Institutit të Kulturës të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, me seli në Preshevë
Luginën e Preshevës e përbëjnë komuna e Preshevës, e Bujanocit, të cilat edhe teritorialisht janë të lidhura dhe komuna e Medvegjës, janë komuna autoktone shqiptare me shumicë të popullatës shqiptare. Këto komuna edhepse territorialisht nuk janë të lidhura/ajo e Medvegjës/, ato paraqesin etnikum të përbashkët shqiptar dhe tërësi etnike, kulturore, gjuhësore, etnomuzikologjike, të traditës, adeteve e zakoneve shqiptare, në kuadër të etnikumit gjithëshqiptar.
Presheva, Bujanoci dhe Medevegja aktualisht i takojnë Republikës së Serbisë, janë komunat më të varfura në Serbi si dhe i kanë specifikat dhe karakteristikat e veçanta në kuadër të kësaj Republike.
Ajo që i bënë të veçanta dhe specifike këto komuna është gjuha, simbolet dhe kultura e Shqiptarëve, të cilët me shumicë jetojnë në këtë krahinë.
Më vitin 2010, me seli në Preshevë është themeluar Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e cila ka pasur një veprimtari të bollshme.
Kohëve të fundit shprehet gatishmëria e shndërrimit të kësaj Shoqate në një Institut të Trashëgimisë dhe Krijimtarisë Kulturore të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Mirë mendimi jonë është që kjo shoqatë të shmdërrohet në Qendër të Trashegimisë dhe Krijimtarisë kulturore, ndërsa të themelohet Instituti Rajonal i Kulturës Shqiptare në Luginë
Preshevës, i cili do të merrej me studimin e simboleve, gjuhës, kultures, historisë e tjerë shqiptare, pra gjithë asaj që përmban kulturën materiale dhe shpirtërore të saj.
Instituti do të punësonte arkeologë, arkitektë, inzhinierë të ndërtimtarisë, historianë, etnomuzikologë, kuadro kulturorë, folkloristë e tjerë.
Themelues i Institutit do të ishte Këshilli Kombëtar Shqiptar, ndërsa financimin do ta bënin Këshilli Kombëtar Shqiptar nga buxheti i transferuar republikan/Ministria e Kulturës e Republikës së Serbisë/ dhe nga buxhetet e pushteteve lokale /Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë/, sepse vetëm kështu do t’ishte më i plotë me kuadro profesionale, më i financuar, më i qëndrueshëm dhe më jetë gjatë.
Selia e Institutit do t’ishte në Preshevë, sepse momentalisht ajo posedon kuadro dhe kushte më së miri.
Në shikim të parë themelimi i Institutit duket megaloman, i panevojshëm, por është koha e fundit që të mendojmë edhe për gjuhën, simbolet, dokumentacionin, trashëgiminë, kulturën, historinë tonë shqiptare, më denjësisht dhe ato t’i institucionalizojmë, sikur veprojnë të gjithë popujt civilizues të Europës e Amerika. Përndryshe, jemi dëshmitarë të kohës se për çdo ditë po na ik trashëgimia kulturore, gjuhësore, historike, etnologjike dhe ajo po zëvendësohet me dashje apo pa dashje me ato të huaja.
Preshevë, më 27 qershor 2024
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, me seli në Preshevë
Xhemaledin SALIHU, kryetar