Florim Zeqa
Përvjetori i 15-të i pavarësisë po e gjenë Kosovën të vonuar në procese integruese dhe të dëmtuar politikisht, të ndarë dhe përçarë si asnjëherë më parë! Sindroma e ndarjes në momentet kyqe historike, përveqse me humbje territoresh, na ka kushtuar edhe me shpopullim të trojeve enike shqiptare.
Uniteti i viteve të ’90-ta, unitet biblik i shqiptarëve
Pa unitet asnjë popull gjatë historisë nuk ka mundur t’i arrijë objektivat strategjike kombëtare. Sa herë që kemi qenë unik gjatë historisë kemi dalë fitimtarë, dhe po aq herë që kemi qenë të ndarë dhe të përçarë kemi dalë humbës në tavolinat e bisedimeve!
Mirëpo, ky nuk është problemi i vetëm i shqiptarëve!
Parashtrimi i kërkesave minimaliste përballë ndërkombëtarëve, gjithnjë na i ka sjellë rezultatet margjinale apo minimale!
Pavarësia e Kosovës ishte kërkesë reale e kohës, por tejët minimale për aspiratat e një populli të pushtuar dhe coptuar në disa shtete! Mbase sikur të mos ishte vendosmëria e Ibrahim Rugovës në kërkesën e tij dhe lufta çlirimtare, pavarësia e Kosovës do të na mbetej vetëm një ëndërr e parealizuar siq ka mbetur bashkimi i trojeve etnike shqiptare.
Mungesa e unitetit tonë politik na është shpërfaqur në të gjitha takimet ndërkombëtare që nga Konferenca e Rambujesë e deri tek dialogu i Brukselit.
Në veçanti, në dialogun e Brukselit, Kosova gjithnjë ka qenë e ndarë dhe e përçarë. Opozita asnjëherë nuk e ka mbështetur pozitën në dialog, madje në raste të caktuara është kundërshtuar dhunshëm deri në flakvënje të institucioneve shtetërore!
Uniteti që na është dashur dje, na duhet sot, nesër dhe përgjithmonë për arritjen e objektivave strategjike kombëtare.
Të gjitha partitë politike duhet të vetëdijësohen, për ndaljen e përçarjeve dhe për krijimin e një uniteti ndërpartiak për të nxjerrur më të mirën e mundshme nga dialogu përfundimtar me Serbinë në Bruksel.
Asociacioni “Kalë Troje” i përçarjes së shqiptarëve
Të mos na bëhet Asociacioni “Kalë Troje” i përçarjes tonë, por të mobilizohemi në të dyja nivelet e qeverisjes (qendrore dhe lokale) për të parandaluar kompetencat ekzekutive të këtij asociacioni njëetnik, respektivisht në parandalimin e subjektivitetit politiko-juridik të kësaj krijese rrënuese për shtetin tonë, të votuar në Parlamentin e Kosovës në vitin 2013.
Subjektiviteti juridik i Asociacionit të Komunave Serbe e bën Republikën e Kosovës jo funksionale dhe me sovranitet të dyfisht.
Partitë politike duhet të unifikohen për sjelljen e “Planit Franko-Gjerman” në Kuvend për diskutim dhe jo vetëm, duhet të kërkohet shqyrtim dhe sqarim publik për opinionin e gjërë, ngase jo vetëm qytetarët, por as deputetët nuk e kanë të kjartë se çafrë përmban në esencë ky plan konfuz dhe me dualizëm të interpretimeve!
Duhet treguar të gjithë qytetarëve të vendit se plani franko-gjerman nuk e parasheh njohjen reciproke dhe as në qendër siq po e kërkon kryeministri ynë! Në fakt, plani franko-gjerman për synim e ka njohjen dhe pranimin e gjendjes faktike, me theks të veçantë realitetin e krijuar në veri me Asociacionin (Zajednicën).
Pranimi i gjendjes aktuale sipas planit franko-gjerman e nënkupton prezencën e Serbisë në Kosovë, por jo edhe të Kosovës në Luginën e Preshevës! Në këtë rast kemi humbje të sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial pa fituar asgjë në këmbim! Pra, sipas këtij plani Kosova përfundimisht do të mbetet pa Luginën, pa anëtarësim në BE dhe pa ulëse në OKB!
Kaq poshtë na ka rënë pazari politik!
Qofsha i gabuar në konstatimin tim analitik!